Qyteti japonez blindohet për Samitin e G20-ës

Periskopi.com Lajme

blindohet për Samitin e G20-ës

Udhëheqësit e ekonomive kryesore në botë pritet të jenë sot të pranishëm në Japoni në samitin G20, i cili paraqet platformën kryesore të bashkëpunimit ekonomik global.

Për mbarëvajtjen e samitit dyditor, policia japoneze në Osaka ka ngritur masat e sigurisë në nivelin më të lartë. Përveç udhëheqësve të ekonomive botërore, në samit pritet të marrin pjesë rreth 30 mijë të ftuar ndërsa për sigurinë janë angazhuar rreth 32 mijë policë.

Një numër i madh i efektivëve të policisë mund të vërehen veçanërisht përreth qendrës së kongresit INTEX në Osaka, ku do të mbahet samiti. Policia ka ndaluar përdorimin e dronëve.

Masat e sigurisë janë gjithashtu të pranishme edhe në aeroportin Kansai të Osaka-s dhe në të gjithë qytetin gjithashtu mund të shihen barriera hekuri rreth parkimit të qytetit.

Gjatë Samitit, pritet të organizohen protesta nga aktivistë për të drejtat e njeriut, aktivistët e mjedisit dhe grupeve kundër luftës. Samiti i G-20 është një forum i qeverive dhe bankave qendrore të 20 ekonomive kryesore në botë, përfshirë Bashkimin Evropian dhe 19 vende – Argjentinën, Australinë, Brazilin, Kanadanë, Kinën, Francën, Gjermaninë, Indinë, Indonezinë, Italinë, Japoninë, Korenë e Jugut, Meksikën, Rusinë, Arabinë Saudite, Afrikën e Jugut, Turqinë, Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.