Murati: Gjest absurd i Haradinajt, Sllovakia e sheh Kosovën në Serbi – S’ka të drejtë të përzihet në kufij

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, e ka cilësuar absurd faktin se sot ministri i Punëve të Jashtme i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, ka paraqitur qëndrim kundër shkëmbimit të territoreve, për çka më pas kryeministri Ramush Haradinaj, e ka falënderuar. Të kujtojmë që Sllovakia është vend që nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Murati, në një postim në Facebook, ka thënë se Sllovakia nuk mund të ketë qëndrim rreth kufijve të Kosovës pa e njohur atë si shtet.

“Sllovakia zyrtarisht nuk e njeh Republikën e Kosovës, rrjedhimisht e konsideron se është pjesë e Serbisë. Në anën tjetër kryeministri ynë e falënderon ministrin e punëve të jashtme të Sllovakisë për qëndrimin e tyre kundër shkëmbimit të territoreve! Situatë goxha absurde kjo!”, ka shkruar Murati.

“Sllovakia njëherë duhet të njoh Kosovën në këta kufij, për të pasur pastaj qëndrim pro ose kundër shkëmbimit të territoreve, ripërcaktimit apo korrigjimit të kufijve. Çdo gjë qëndrim tjetër, nënkupton se Sllovakia është kundër shkëmbimit të territoreve sepse tërë Kosovën e konsideron brenda kufijve të Serbisë”, ka përfunduar Murati.