Dëshmitarët e Prokurorisë dëshmuan në favor të kardiologëve të akuzuar në rastin ‘Stenta 2’

Periskopi.com Lajme

Dëshmitarët që Prokuroria Speciale i ka identifikuar si njerëz që mund t’ua mbështesin akuzat në rastin e njohur si “Stenta 2”, ku të akuzuar janë 42 mjekë, kanë dëshmuar të hënën në Gjykatën Themelore të Prishtinës në favor të të akuzuarve.

Dy dëshmitarët e sesionit të paradites, Agim Ukaj e Nexhat Dragaj, kanë thënë se nuk e ndiejnë veten palë të dëmtuar, shkruan sot Koha Ditore.

Dëshmitari Ukaj ka rrëfyer se gjatë vitit 2013, nëna e tij kishte qenë e sëmurë nga zemra, për çka edhe e kishte dërguar për trajtim në Spitalin e Pejës. Sipas tij, në këtë spital i kishin treguar se në QKUK nuk mund të kryhej stentimi, megjithatë ai e kishte dërguar. Në QKUK ai ishte kontrolluar nga Rexhep Manaj, i cili gjithashtu i kishte thënë se ka nevojë për stenta, ndërsa e kishte udhëzuar që të shikonte mundësinë për kompensim nga Ministria e Shëndetësisë.

Prokurorja Speciale, Florije Salihu-Shamolli, e pyeti dëshmitarin se a ishte takuar në Spitalin e Pejës me doktorin Sali Shala, mirëpo dëshmitari tha se nuk i kujtohet emri, por mund ta ketë përmendur në prokurori.

Prokurorja Shamolli, e pyeti po ashtu dëshmitarin lidhur me disa SMS që doktori Sali Shala kishte shkëmbyer me një përfaqësues të spitalit privat IMH-Astrit Bakiqin, mirëpo Ukaj tha të mos këtë asnjë njohuri për këtë komunikim. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

 

Me kërkesë të avokatëve ndërpritet për gjysmë ore seanca në rastin “Stenta”

Periskopi.com Lajme

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot ka filluar gjykimi në rastin “Stenta2”. Por avokatët kanë kërkuar që të ndërpritet seanca në mënyrë që të konstatohet gjendja shëndetësore e mjekes, Perihane Sefa.

Kryetarja ka marrë vendim që të ndërpritet seanca për gjysmë ore derisa të vjen mjeku për ta konstatuar gjendjen shëndetësore të Perihane Sefës.
Në këtë rast të përfshirë janë mbi 40 mjekë të spitaleve publike. Trupi gjykues ka në këtë rast ka pësuar ndryshime me arsyetimin se njëra nga gjyqtaret ka një lëndë në paraburgim.

Avokati, Arianit Koci ka kërkuar pauzë për të shqyrtuar këtë ndryshim me avokatët, por që atij i dhënë pauzë.

Derisa me këtë rast kryetarja e trupit gjykues, Shahadije Gërguri i ka tërhequr vërejtjen avokatit Koci për kodin e sjelljes në gjykatë.

E akuzuara Perihane Sefa ka kërkuar që të lirohet për shkak të gjendjes shëndetësore, por kryetarja e trupit gjykues nuk e ka liruar atë nga seanca.

Me këtë rast kryetarja i ka tërhequr vërejtjen përsëri avokates së të akuzuarës Sefa, Kosovare Kelmendi për shkak të insistimit të saj për t’u liruar nga seanca.

Kelmendi ka thënë se Gjykata do të marrë përgjegjësinë për përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të klientës së saj.

Por, gjyqtarja Shahadie Gërguri ka thënë se nuk do të lejojë më që ky proces të zvarritet.

Shumë prej të akuzuarve kanë kërkuar që procesi të kthehet në fillim për shkak të ndryshimit të trupit gjykues.

Gjithçka që u tha sot gjatë seancës së rastit ‘Stenta’

Periskopi.com Lajme

Ka vazhduar edhe të premten dëgjimi i dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në rastin ku ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretari i kësaj ministrie, Gani Shabani, po gjykohen për korrupsion.

Në dëshminë e saj, zyrtarja për certifikim në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), Igballe Hasani tha se mjetet që janë ndarë nga MSH-ja për trajtim të pacientëve jashtë institucioneve publike, kanë qenë mjete që janë ndarë nga linja e subvencioneve.

Këto mjete, siç tha Hasani, pasi që kanë qenë subvencione nuk kanë kaluar përmes Ligjit për Prokurim Publik, raporton Betimi për Drejtësi. Pagesa të tilla, sipas dëshmitares, nuk janë bërë vetëm për pacientët që kanë pasur probleme me zemër, por edhe për sëmundje tjera.

Për shumën e mjeteve që ndaheshin për pacientët, dëshmitarja Hasani, tha se vendoste bordi ekzekutiv në kuadër të MSH-së, mirëpo, të njëjtat sipas saj, nuk kanë mundur të ekzekutohen pa nënshkrimin e sekretarit. Kurse, nëse shuma e mjeteve të ndara ishte mbi 10 mijë euro, atëherë siç tha Hasani, vendimi duhej të nënshkruhej edhe nga ministri. Në mungesë të sekretarit, këto vendime siç tha Hasani, mund të nënshkruheshin edhe nga ana e zëvendësuesit të tij.

“Nëse sekretari ka qenë në udhëtim jashtë vendit, nënshkrimin e ka jap personi që ka mbet aty në vend te sekretarit si zëvendësues. Për ketë jemi njoftuar paraprakisht përmes e-mailit se kush do të zëvendëson sekretarin”, tha Hasani

Sa i përket marrëveshjeve që MSH-ja kishte pasur me spitalet private për trajtimin e pacientëve, dëshmitarja tha se nuk ka qenë në dijeni dhe nuk i ka parë marrëveshjet në fjalë.

Si zyrtare certifikuese, Hasani tha se për të, bazë për ekzekutim ka qenë vendimi i nënshkruar nga ana e sekretarit ose ministrit, varësisht shumës së mjeteve që janë ndarë.

Megjithatë, Hasani tha se ka pasur mundësi që vendimet e tilla të refuzohen në rast se të njëjtat nuk kanë pasur bazë ligjore, kur për një gjë të tillë, u pyet nga ana e prokurores speciale, Florije Salihu-Shamolli.

“Po kom pas të drejtë me refuzu. Nëse e kom pa që nuk po përputhet me pro faturën dhe nuk përputhen shuma me vendimin apo nëse pacienti shkon në spital tjetër, e jo në spitalin që i është leju, atëherë vendimi nuk është aprovuar, por është kthyer prapa. Unë personalisht nuk kam refuzuar asnjëherë ndonjë lëndë. Në vendimet që unë kam pranuar, fillimisht nuk ka qenë i përcaktuar spitali në cilin ka shkuar pacienti, kurse me vonë dikur, ka filluar te figurojë aty dhe spitali”, tha në fjalën e saj, dëshmitarja Hasani.

Në fund të dëshmisë së saj, dëshmitarja Hasani nuk e mohoi faktin se disa herë i ishte thënë nga ish-sekretari Shabani, që të punonte në bazë të ligjit dhe të mos lejonte presione në punën e saj.

Se mjetet që ndaheshin për pacientët nga MSH-ja ishin subvencione e tha edhe dëshmitari tjetër në këtë rast, Bardhyl Jerliu.

“Sa e di unë, edhe pse nuk punoj në financa, këto mjete ndahen nga subvencionet”, tha dëshmitari.

Jerliu, i cili tha se nga viti 2014 është ushtrues detyre i udhëheqësit të divizionit për trajtime jashtë institucioneve publike në kuadër të MSH-së, shpjegoi edhe kriteret bazë në bazë të cilave pacientët duhet të aplikonin për këto mjete.

“Në bazë të udhëzimeve administrative në fuqi atëherë dhe tani, dokumenti bazë për me mund me apliku për financim nga programi për trajtim është mendimi konsuliar, i cili lëshohet nga komisioni përkatës ne QKUK. Pastaj është fletë aplikacioni, dokumenti i identifikimit, pro faturat sidomos nga institucioni ku do te trajtohet pacienti, të cilin e përzgjedh vet pacienti si dhe në rastet sociale dëshmia me te cilën e liron nga pagesat”, deklaroi Jerliu.

Shuma që ndahej nga MSH-ja, dëshmitari tha se varionte, 50-70 % për kategoritë që nuk kanë qenë raste sociale si dhe 100 % për rastet sociale dhe fëmijët nën 18 vjet.

Megjithatë, shuma e ndarë nga MSH-ja, sipas tij, nuk ka guxuar të kalojë asnjëherë mbi 30 mijë euro, përveç rasteve të leukemisë. Si kriter kryesor për ndarjen e mjeteve, dëshmitari tha se ka qenë fakti, se pacienti nuk ka mundur të trajtohet në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Sa i përket vendit të trajtimit të pacientëve, Jerliu tha se të njëjtit kanë qenë të lirë të zgjedhin vet spitalin se ku dëshirojnë të trajtohen.

Në lidhje me këtë, gjykatësja Violeta Namani e ballafaqoi dëshmitarin me një raport financiar të MSH-së e ku shihej se mbi 300 pacientë kishin shkuar tek një spital i njëjtë, përkatësisht “International Medicine Hospital” (IHM).

Lidhur me këtë, dëshmitari tha se nuk ka ndonjë koment, por duhet të pyeten pacientët se pse kanë zgjedhur të shkojnë në atë spital.

Në fund të dëshmisë së tij, Jerliu tha se nuk ka qenë në dijeni se ka ekzistuar marrëveshje mes MSH-së dhe spitaleve private, IHM dhe EDA, kur për një gjë të tillë u pyet nga ana e prokurores.

Dëshminë e saj në seancës e së premtes e dhe edhe Hidajete Imeri-Fekaj, infermiere në klinikën e kardiokirurgjisë në QKUK.

Dëshmitarja Imeri-Fekaj para trupit gjykues, e tregoi mënyrën se si pacientët dërgohen nga QKUK në MSH, në lidhje me aplikimet për trajtim jashtë institucioneve publike.

“Na jena hallka e fundit aty. Paraprakisht, pacienti shkon në emergjencë, pastaj aty merr fletë lëshimin dhe nëse thuhet se i njëjti duhet të trajtohet jashtë institucioneve publike atëherë vjen te na”, deklaroi dëshmitarja.

Pas kësaj procedure, dëshmitarja tha se mblidhet komisioni i QKUK-së, i përbërë nga mjekë të këtij spitali, shqyrton kërkesat e pacientëve për trajtim jashtë institucioneve publike.

Ajo nga ana e prokurores, por edhe nga kryetarja e trupit gjykues, është pyetur nëse ky komision mund të vendos edhe pa e parë pacientin apo procedura kryhet veç me dokumentacion të pacientit.

Fillimisht, dëshmitarja tha se komisioni e thërret pacientin për të parë fizikisht, e pastaj vendos në lidhje me të, mirëpo më vonë, dëshmitarja tha se komisioni ka raste kur vendos edhe pa parë pacientin, por vetëm me dokumentacion.

“Unë mendova që është fjala për elektrofiziolgji dhe raste të ftohtë e jo për stenda. Ka raste kur nuk u ardh pacienti dhe është leshu letra referuese. Tash, komisioni i jonë shqyrton vetëm lëndë me elektrofiziologji nuk ka raste me infarkte”, tha dëshmitarja.

Komisioni konsiliar i QKUK-së, dëshmitarja tha se mblidhet dy herë në javë dhe nëse ndodh që të mungon ndonjë nga anëtarët e këtij komisioni, atëherë sipas dëshmitares është përgjegjësi e drejtorit të klinikës që të gjej anëtarin zëvendësues.

Pas marrjes së letrës refereuese nga komisioni, dëshmitarja tregoi se i udhëzon pacientët që së bashku me dokumentacionin tjetër përkatës të shkojnë në MSH.

“Kur i merr prej neve pas protokollimit, na i thojmë gojarisht pacientit dhe ja jepim dokumentet e veta dhe i thojmë që të shkojnë ne komunën e vet që të marrin një letër referuese për trajtim jashtë institucionit. Pastaj i thojmë që pasi të merr atë letër të ia bashkëngjit letrave tona dhe le të shkon në ministri, pastaj a i ka dërgu pacienti a jo, unë nuk e di. Në letrën referuese nuk shkrun në cilin spital duhet me shku pacienti”, deklaroi dëshmitarja.

Tutje, dëshmitarja tha se ka dëgjuar për spitalet private IHM dhe EDA, mirëpo, zyra ku ka punuar ajo, siç tha dëshmitarja, nuk ka pas asgjë të bëj me këto dy spitale.

Prokurorja Shamolli e pyeti dëshmitaren se a e njeh një person të quajtur Driton Sylejmani, për të cilin, dëshmitarja tha se njeh pasi disa herë ka ardhur me familjarë të vet për të rregulluar dokumente për trajtim të tyre.

“Ku po e dini ju që ata kanë qenë familjar të tij dhe se a e dini ju nëse ky Dritoni ka punuar në spitalin turk”, ishte pyetja pasuese e prokurores.

Lidhur me këtë, dëshmitarja tha se vet Driton Sylejmani i ka thënë që këta persona janë familjarë të tij, kurse nuk e mohoi faktin që i njëjti i kishte treguar se ka punuar në spitalin turk, por siç tha dëshmitarja, janë mbi 150 pacientë brenda ditës që vinë në klinikën e saj, andaj thotë se nuk i kujtohen krejt.

Seancat e radhës për këtë rast u caktuan për 6 dhe 7 gusht, nga ora 9:00.

Ish-ministri Agani dhe ish-sekretari Shabani, të cilët nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje akuzat me të cilat ngarkohen në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 26 shkurt të këtij viti.

Në shqyrtimin fillestar të 26 shkurtit, po ashtu ishte bërë e ditur nga gjykatësja e këtij rasti, Shadije Gërguri, që të akuzuarit Agani dhe Shabani tash e tutje do të vazhdojnë të gjykohen veçmas nga të akuzuarit tjerë, të cilët do të gjykohen në dy procedura të tjera.

Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë. Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.