JAVA: Qeveria Hoti i jep fund konfliktit të Kosovës me miqtë ndërkombëtar  

Periskopi.com Lajme

Kjo ishte java më e rëndësishme për Kosovën sivjet. Masat luftuese kundër përhapjes së koronavirusit u lehtësuan duke lejuar kthimin e normalitetit, ndërkohë që në Kuvend do të votohej Qeveria Hoti.

Pas më shumë se 120 ditësh në krye të Ekzekutivit, Albin Kurti do të largohej nga kjo pozitë duke mos bërë asnjë veprim të rëndësishëm në të mirë të vendit. Gjatë kohës si kryeministër, Kurti shërbeu më shumë si kryemilitant i partisë së tij duke shpërndarë konspiracione të pambështetura dhe gjuhë të dhunshme që nxiste urrejtje.

Të mërkurën u votua Qeveria Hoti, nga deputetët e LDK-së, AAK-së, Nismas dhe AKR-së. Me 61 vota për, 24 kundër dhe vetëm 1 abstenim, Hoti dhe ministrat e tij morën mandatin për të qeverisur me Kosovën në këtë periudhë të vështirë.

Hoti premtoi se do të ishte kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, e se nuk do të vazhdonte kulturën e linçimit e të urrejtjes si paraardhësi i tij Kurti. Po ashtu, Hoti deklaroi që nuk do të hynte në konflikte me miqtë ndërkombëtar të Kosovës.

Kjo qasje natyrisht që nuk ishte aq pasionante dhe nuk nxiste nacionalizmin e tërbuar të shoqërisë tonë, por i ndihmoi vendit. Hoti menjëherë hoqi masën e reciprocitetit tregtar dhe MCC zhbllokoi 200 milionë eurot e destinuara për Republikën e Kosovës. Kryeministrit të mëparshëm Kurti nuk i bënte për një gjë të tillë.

Hot-opozita

Opozitarët e Avdullah Hotit do të jenë kundërshtarët e përbetuar në politikën tonë, Vetëvendosja me PDK-në.

Të dyja partitë e konsiderojnë Qeverinë Hoti si qeveri të dalë nga ndonjë marrëveshje mashtrimi. PDK-ja e Kadri Veselit e cilësoi Hotin si një “kopje të keqe të Albin Kurtin” dhe si “zëvendës të Kurtit” duke e sulmuar kryeministrin e ri me gabimet që i kishte bërë kryeministri i mëparshëm. Por, qasje të njëjtë ka edhe Lëvizja Vetëvendosje. Edhe kjo parti politike vazhdon ta cilësojë z.Hoti si një kryeministër “kukull” që kontrollohet nga presidenti Thaçi, kryetari i LDK-së Isa Mustafa, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq etj.

Hoti deri tash nuk është marrë fare me këto sulme ashtu siç nuk merrej në të kaluarën presidenti Rugova me sulmet e kundërshtarëve politikë.

Sidoqoftë, Hoti do të ketë një punë mjaft të vështirë para vetes duke parë problemet e shumta që i kanë lënë qeveritë e kaluara. Ndër më kryesoret është ndreqja e raporteve me miqtë ndërkombëtar, përfshirë ShBA-të, BE-në, Shqipërinë dhe vendet e tjera me të cilat u përplas Kurti, e para tij edhe Haradinaj.

Hoti në ekspozenë e tij para se të votohej si kryeministër premtoi edhe masa konkrete për të luftuar dëmet që i ishin shkaktuar ekonomisë së vendit gjatë kohës së pandemisë. Shuma e përmendur prej tij ishte 1,2 miliardë për vitet 2020 dhe 2021, e për të cilë nuk patën se çka të thonin liderët e opozitës, Kurti e Veseli.

Murat Jashari

Por, LDK-së gjatë kësaj jave iu theksua një tjetër problem veçse ekzistues: Vjosa Osmani. Ajo vazhdoi të kundërshtonte Qeverinë Hoti, ndërkohë që së fundi i doli kundër edhe heqjes së reciprocitetit tregtar ndaj Serbisë duke thënë se ajo ishte “heqje dorë nga pavarësia e Kosovës”.

Isa Mustafa pas votimit të Qeverisë deklaroi se do të diskutohej në Këshillin e Përgjjthshëm të partisë edhe mundësia e largimit të Osmanit nga LDK-ja, ndërkohë që Osmani kishte propozuar një ditë para votimit të Qeverisë Hoti, një qeveri tranzicionale.

Këtë propozim të Osmanit e kishte mbështetur Lëvizja Vetëvendosje, e cila parti madje edhe e kishte dhënë emrin e kryeministrit të ri. Ishte Murat Jashari.

Një gjë të tillë shumë analistë dhe kundërshtarë politikë të Vetëvendosjes e cilësuan si një tjetër veprim populist nga kjo parti që në kohë polarizimesh politike po e përdorte familjen emblematike të lirisë tonë për qëllime partiake.

Hajdari urdhëron bizneset t’i largojnë mallrat serbe që nuk e kanë emërtimin e kërkuar nga Kurti

Periskopi.com Lajme

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, sot gjatë ditës, ka nxjerrur urdhëresë për bizneset që operojnë në Kosovë, që t’i largojnë  të gjitha mallrat serbe që nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Sipas MEPTINIS, kjo urdhëresë është nxjerrur për zbatim të masës së reciprocitetit të cilën Qeveria Kurti e ka vendosur, në raport me Serbinë.

Kjo urdhëresë ka hyrë në fuqi menjëherë sot, pas nënshkrimit të ministres Hajdari.

Mallrave të Serbisë duhet t’iu shkruajë “Republika e Kosovës” e jo vetëm “Kosovës” si vend i destinacionit.

E vërteta e trishtë e Reciprocitetit: I plotë, i pjesshëm, i 15 qershorit, i 1 prillit, gradual, tregtar, politik, i Haradinajt

Periskopi.com Lajme

Reciprocitet. Kështu quhej masa me të cilën Kurti premtoi se do ta zëvendësonte maskën e “tarifës doganore 100%” të vendosur nga Qeveria Haradinaj. Por, kjo masë doli se nuk ishte aspak e mirë-menduar duke u ndryshuar kohë pas kohe. Periskopi iu sjell ndryshimet e vazhdueshme të kësaj mase.

Në fillim e kishim përmendjen e Reciprocitetit të plotë. Më pas ishte reciprociteti i pjesshëm. Gradual. Reciprociteti i 15 qershorit. Reciprociteti i vendosur paralelisht me heqjen e taksës. Reciprociteti i 1 prillit. Dhe tash kemi reciprocitetin shtesë.

Së fundi, kryeministri Kurti njoftoi se do të vendosej një reciprocitet shtesë që iu kërkonte mauneve që për destinacion e kishin Kosovën që të shkruanin si emër destinacioni “Republika e Kosovës”.

Por, kjo masë e vendosur ndaj Serbisë del të jetë qesharake nëse i shikojmë historinë e saj të gjatë.

Pasi e hoqi tarifën doganore (taksa 100%) ndaj mallrave të importuara nga Serbia, “reciprociteti” del të jetë pengesa që e ka vënë Kurti për rinisjen e dialogut me Serbinë. Madje, “reciprociteti” ishte mbrojtësi i Kosovës nga marrëveshja për “ndarje”, ekzistencën e së cilës e kanë mohuar ShBA-të.

Reciprociteti i plotë

Reciprociteti fillestar ishte i plotë dhe i gjithanshëm. Ai përfshinte reciprocitetin tregtar që do të vendoste barriera jo-tarifore tregtare ndaj Serbisë, e po ashtu edhe reciprocitetin ekonomik e sidomos atë politik.

Nuk ndodhi.

Reciprociteti i plotë dhe i gjithanshëm i Kurtit u përmend gjatë periudhës së fushatës zgjedhore.

Reciprociteti që zëvendësonte menjëherë tarifën

Vetëm një javë pasi mori detyrën e kryeministrit të vendit, Kurti sqaroi opinionin se Taksa ndaj mallrave të importuara nga Serbia do të hiqej PORSA të vendosej Reciprociteti.

Reciprociteti i 15 qershorit

Por, nuk kaluan as dy javë dhe ai ndërroi mendje. Në një konferencë për media në Qeveri, ai më pas deklaroi që “tarifa do të hiqej më 15 mars për lëndën e parë, dhe pastaj krejtësisht më 1 prill”. Po reciprociteti? Reciprociteti do të vendosej më 15 qershor.

As me një gjë të tillë nuk u pajtua i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell dhe kjo e shtyri Kurtin që me reciprocitetin të merrte rrugë të tjera.

Kthimi te Reciprociteti që zëvendësonte menjëherë taksën

Kurti nuk dëgjoi kërkesën amerikane që reciprociteti të mos vendosej fare. Kjo bëri që marrëdhëniet me LDK-në, partnerin qeveritar të acaroheshin aq sa të shkarkohej ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu, e më vonë edhe vetë Qeveria më 25 mars.

Reciprociteti i Haradinajt

Kjo bëri që Kurti ta hiqte taksën më 1 prill dhe ta vendoste një reciprocitet që veçse kishte qenë në zbatim. Reciprocitetin e Qeverisë Haradinaj.

Edhe Qeveria Haradinaj krahas vendosjes së taksën kishte vënë edhe një formë të reciprocitetit tregtar ndaj Serbisë që mundohej të luftonte barrierat jo-tarifore që bënte Serbia ndaj produkteve që i eksportonte Kosova në drejtim të saj.

Reciprociteti fleksibil

Me vendimin për reciprocitetin shtesë, vetëm disa ditë para se të largohet nga zyra e kryeministrit, Kurti ka treguar karakterin e vërtetë të masës së reciprocitetit. Kemi të bëjmë me një masë fleksibile që ndryshon në varësi të rrethanave. Madje, jo thjesht të rrethanave që imponohen nga Serbia, por edhe nga rrethana të jashtme e të brendshme politike.

Vendimi i sotëm i Kurtit është e qartë se ka për qëllim të thithë edhe përfitime të reja elektorale në kurriz të reputacionit të vendit. Tashmë, edhe Mirosllav Lajçak, të cilin Kurti e kishte pranuar si ndërmjetësues të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i doli kundër kësaj mase dhe kjo bëri që Kurti për herë të parë të reagonte me kundërshtim edhe ndaj tij.

Duke mos qenë i prezicuar në kohë dhe as i definuar sa i përket masave kundër Serbisë, Reciprociteti mbeti kësisoj thjesht një mjet elektoral në dorën e kryeministrit. /Periskopi

Matoshi sulmon vendimin e Kurtit me dokument: Vendimi për “reciprocitetin shtesë” ishte marrë nga Haradinaj

Periskopi.com Lajme

Ish gazetari dhe ish këshilltari politik i kryeministrit Haradinaj, Halil Matoshi, ka nxjerrë për publikun një dokument në të cilën tregohet se vendimin për “reciprocitetin shtesë” të marrë nga Kurti sot, e kishte marrë Haradinaj shumë kohë më parë.

Matoshi madje ka deklaruar se Kurti e kishte shfuqizuar këtë vendim më 1 prill, për ta marrë pastaj sërish sot.

Ky vendim ndalon importin e mallrave nga Serbia nëse nuk respektohet emërtimi “Republika e Kosovës”. Kurti ka thënë se edhe emri “Kosovë” është kushtetues por kjo gjë nuk mjafton pas vendimit të fundit të Serbisë që të lejojë vetëm emërtimin “Republika e Serbisë”, transmeton Periskopi.

Në vendimin e Haradinajt (pika 3, shih dokumentin në postimin e Matoshit”  ndërkohë thuhet si vijon:

“Obligohet Dogana e Republikës së Kosovës që të ndalojë importin dhe hyrjen në treg të të gjitha produkteve të cilat në etiketën apo deklaracionin e tyre kanë përmbajtjen e: “Importues/Distributor/Përfaqësues apo edhe ndryshe, për dhe në “Kosovë e Metohi”, “Kosovo Unmik”, “Kosovo 1244”, “Kosovo Rezoluta 1244” sikurse edhe ato në të cilat përdorin vetëm emrat e qyteteve pa emrin e shtetit, apo edhe çdo emërtim tjetër në kundërshtim me emërtimin kushtetues të Republikës së Kosovës.”

Matoshi e ka quajtur një veprim të tillë nga Kurti si “hipokrit dhe populist”.

Statusi i plotë:

Hipokrizia

Apo: Sindromi i Vitit Zero!

Njerëz, bâhuni veç ni çast neutralë, e lexone këtë vendim të Ramush Haradinajt, në cilsinë e Kryeministrit, e vnonja ménen se çka po thotë në pikën tre!
Këtë vendim e ka shfuqizu Albin Kurti më 1 prill, 2020!?
Dhe i njâjti njeri, mbramë vonë e “shet’ ni vendim të tij, kinse si masë reciprociteti ndaj Serbisë!???

P.S.

Kush do me pa, sheh, kujt i âsht shpërla truni, merr hez e pshtynë venin e vet dhe njerëzit e tij!?

Përndryshe ministrat e LDK -së nuk kanë votu fare, që dmth se vendimet e Kurtit janë ilegale e t’nianshme!

Kurti me ‘Njeriun e Ri’ kundër ‘Regjimit të Vjetër’.
Hipokrizi dhe populizëm!

Limaj: Unë e di çka është reciprociteti, ata nuk e kanë ditë – Kjo qeveri në detyrë po mashtron

Periskopi.com Lajme

Kreu i Nismës Social Demokrate, Fatmir Limaj sonte në Debat Plus ka thënë se Qeveria Kurti nuk e ka ditur se çka është reciprociteti, transmeton Periskopi.

‘’Unë e di cka është recipociteti, ata nuk e kanë ditë. Ata mendojnë që është akt. Ne e kemi mendu që me negociu me miqtë, jo me Serbinë. Kjo ka qenë qëndrimi i Nismës. Na i kemi pasë njo 16 arsye pse duhet me vendos reciprocitet’’

‘Reciprocitetin kjo qeveri nuk e ka vu, është mashtrim.’’/Periskopi/

 

Haziri: Reciprociteti të zbardhet sepse nesër mund të kemi pasoja

Periskopi.com Lajme

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri sonte në Debat Plus ka thënë se janë pajtuar për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë, por sipas tij kjo masë duhet të zbardhet, transmeton Periskopi.

‘’Reciprociteti duhet të zbardhet dhe duhet t’i njoftojë  Kurti partnerët e saj para vendosjes sepse nesër mund të ketë pasoja. Renditja e cështjeve që bëhen pjesë e reciprocitetit. Mund të them pse Grenell nuk ka thënë më herët , por e ka parashtuer kërkesën vetëm pasi plani është bërë publik’’, ka thënë Haziri.

‘’LDK ka pajtu një marrëveshje ku është vendosur politika e tarifës. Ne e kemi vendos si qëllim të tillë. Reciprociteti të zbardhet sepse Kosova nuk ka përvojë me të”/PERISKOPI/

 

Lutfi Haziri: Masa e reciprocitetit duhet të qartësohet deri në fund

Periskopi.com Lajme

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lufti Haziri, ka thënë se tash e disa muaj janë bërë përgatitje të mëdha dhe pritjet për largimin e tarifës janë të mëdha.

Sipas tij, reciprociteti si politikë është masë e cila është në harmoni të plotë me parandalimin e veprimeve të politikës serbe, karshi jo vetëm raporteve diplomatike, por zhvillimeve politike në përgjithësi dhe progresit të Kosovës.

“Por, ky instrument ka nevojë të qartësohet deri në fund. Duhet të jetë i qartë, i sigurt dhe të mos e lejojë të degjenerojë si politikë, për të mos na komprometuar”.

Kurti para disa ditësh: Taksa zëvendësohet me reciprocitet (Video)

Periskopi.com Lajme

Kryeministri Albin Kurti sonte e hoqi pjesërisht taksën ndaj Serbisë, por pa  e vendosur reciprocitetin ashtu siç kishte deklaruar vazhdimisht, transmeton Periskopi.

Ai para disa ditësh në Zërin e Amerikës ka thënë se taksa hiqet me reciprocitet.

‘Ne duam që tarifën ta zëvendësojmë. Mos të kemi situatë kur nuk e kemi as tarifën e as reciprocitetin’’, kishte thënë Kurti.

Po del, që Albin Kurti i hëngri fjalët e veta brenda ditësh./PERISKOPI/

Pal Lekaj: Nëse Kurti vendos reciprocitet, unë largohem nga politika

Periskopi.com Lajme

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se LDK-ja dhe LVV-ja nuk do të arrijnë të vendosin masa të reciprocitetit ndaj Serbisë. Ai madje bëri një premtim.

“Nëse këta arrijnë të vendosin reciprocitet, unë nuk merrem me politikë”, tha Lekaj në Rubikon.

Ai shtoi se taksa e ka hequr nga rreziku ndarjen e Kosovës.

“Ne kemi pas kërkesa edhe gjatë qeverisjes sonë. Kryeministri Haradinaj ka pasur kërkesa dhe presione për pezullimin e taksës për një periudhë të caktuar, por duke u konsultuar me spektrin politik, ne kemi arritur të mos heqim taksën”, tha Lekaj.

Sot  shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi, e ka thënë hapur se për reciprocitetin do të jenë në koordinimin të plotë me ShBA-të.

E pabesueshme: VV ndërron edhe qëndrimin për Reciprocitet me Serbinë, pranon koordinimin me ShBA-të

Periskopi.com Lajme

Kur pushtetarët e mëhershëm vendosnin që të dëgjonin këshillat/urdhrat e partnerëve ndërkombëtarë, Vetëvendosje me mediet e saj i sulmonte se kishin frikë nga Gjykata Speciale. Por, së fundi një njeri i pushtetit të ri ka treguar se do të koordinohen me ShBA-të, madje edhe për premtimin më madhor gjatë fushatës elektorale: Reciprocitetin.

“Nuk e di saktësisht, kur është agjenda po gjithsesi ne do të koordinohemi në mënyrë të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë më herët Rexhep Selimi, shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Nga “Reciprociteti i Plotë” kësisoj u kalua në Koordinim të plotë. Një gjë të tillë e kishte kërkuar edhe lideri i LDK-së, z.Isa Mustafa, e që u pa si çarja e parë ndërmjet partnerëve të koalicionit duke harruar krejtësisht shpejtësinë me të cilën i ndërronte qëndrimet kryeministri Kurti.

“Asnjë tarifë dhe asnjë reciprocitet nuk matet me peshën e partneritetit, sidomos me SHBA-të por dhe me BE-në.” – kishte thënë z.Isa Mustafa para tre ditësh me anë të një statusi në Facebook.

Çka pritet të ndodh?

Kalimi nga Reciprocitet i plotë me Serbinë në reciprocitet të pjesshëm për të kënaqur ShBA-të, e me këtë edhe Serbinë e cila do të rikthehej në tavolinën e bisedimeve. Kjo është përgjigjja e plotë për një pyetje të tillë – nëse konsiderojmë qëndrimin e ri nga Lëvizja Vetëvendosje, shkruan Periskopi.

Reciprociteti tregtar do të përfshinte ri-testimin dhe ri-inspektimin e të gjitha mallrave të importuara nga Serbia, duke qenë se njësoj vepron Serbia me importet e Kosovës.

Për më tepër, çështja është aq banale sa do të duhej që me reciprocitet edhe policia e vendit të pengonte transportin e mallrave duke i ndaluar eksportuesit për pikë të qejfit.

Por natyrisht, Kosova nuk ka mundësi të zbatojë masat e njëjta që zbaton Serbia duke qenë se mungojnë kapacitetet e nevojshme të inspektorëve sanitarë, laboratorëve testuese dhe për më keq, edhe njohja e saktë e barrierave jotarifore që i bën jorregullisht shteti serb.

Një gjë e tillë do ta afektonte rëndë klimën e biznesit në Kosovë, duke qenë se eksportet nga Serbia arrijnë në mbi 500 milionë ndërsa eksportet e Kosovës në Serbi vetëm 50. Për më tepër, edhe shifra prej 500 milionë është krejtësisht minimale për ekonominë serbe, duke përbërë vetëm rreth 2,5 për qind të saj.

Të mos flasim pastaj për reciprocitetin politik.

Mos të harrojmë, aktualisht nuk është Vetëvendosje ajo që nuk po pranon të ulet me Serbinë në tavolinë negociatash. Është Serbia ajo që nuk po pranon të ulet me Vetëvendosjen/Kosovën./Periskopi

Reciprociteti?!

Astrit Salihu Op-Ed

Formulimi i përgjegjes së Kryeminstrit Albin Kurti ndaj kërkesave të ndërmjetësve amerikan në bisedimet Kosovë-Serbi, shpresojmë mos të ketë përfshirë qëndrimin e vetëkuptueshëm të opinionit të brengosur që e kishte krijuar në opozitarizëm.

Spektri politik kosovar i është nënshtruar një dinamike të re diplomatike që kanë ndërmarrë të emëruarit e presidentit Trump. Mbase jo vetëm me takime kurtoaze për rifillim të dialogut eventual mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe me nënshkrimin e marrëveshjes së radhës të paralajmëruar tashmë nga ambasadori Grenell.

Në gjithë këtë përshpejtim të procesit që filluan ndërmjetësuesit amerikanë diplomacia evropiane ka mbetur në vendnumërim deklarativ që mund të mbahet vetëm për skemat aspak efektive të mënyres së saj të udhëheqjes së dialogut që e kemi pa tashmë një dekadë mes Kosovës dhe Serbisë.

Ata dërguan nga Munichu vetëm një mesazh, në shikim më konkret, nga presidenti Macron i cili në takimin me Presidentitin e Kosovës Hashim Thaçi, kërkoi nga pala kosovare heqjen e takses dhe njëherit nga Serbia ‘pezullimin për ç‘njohje’ për të ecë para në rinisjen e dialogut në një samit në Paris.

Krahasuar me ndërmarrjet konkrete dhe dinamike të palës amerikane në këtë dialog mesazhi i BE-së pa dyshim mbetet i hijezuar dhe pa ndonjë efekt të dukshëm. Ndërmjetësit amerikanë tashmë është evidente se janë shumë të vendosur, jo vetëm për rinisje të ndonjë dialogu të stërgjatur në pafundësi, por, një dialogu që do kurorëzohej me ‘një marrëveshje gjithpërfshirëse’, me faza konkrete të realizimit dhe implementimit nga të dyja palët, gjë që me ndërmjetësimin e BE nuk është arritur as pas një dekade bisedimesh.

Së paku kjo u bë e qartë me marrëveshjet me ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell, akoma pa rifilluar bisedimet e ndërprera mes Kosovës dhe Serbisë.

Përgjigja e vetëkuptueshme?

Tanimë me ndërmjetësimin amerikan në bisedimet Kosovë-Serbi është krijuar një kontekst krejtësisht i ri; kemi një zhvendosje të plotë në binarë të tjerë bisedimet e deritashme. Konteksti i ri i krijuar përkon njëkohësisht me procese shumë më dinamike dhe vendimarrje efektive.

Ky kontekst i ri e la në hije shumë shpejt shkëlqimin e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Konferencën e Munich-ut. Aty ai u ballafaqua me një refuzim të prerë nga pala amerikane që të takohen me të. Arsyeja e thjeshtë: mos heqja e taksës. Për më shumë, kërkesa akoma edhe më e rëndë për kryeministrin e ri, as vendosje e reciprocitetit! Kjo përbën një sfidë të re për kryeministrin e ri.

Që nga ligjerimi i lirë opozitar qëndrimi i tij duhet të implementohet në kontekstin politik për të cilin mbanë përgjegjësi për vendin, raportet me SHBA dhe natyrisht për procesin e përmbylljes së shtetndërtimit të Kosovës që ka mbetë peng për shkak të mos arritjes së ndonjë marrëveshjeje me Serbinë. Kapja për argumentet me të cilat qetëson opinionet edhe ashtu të shqetësuara nga ligjerimet opozitare tanimë nuk përkon me kontekstin e ri. Në deklarimin e tij kryeministri i ri ende nuk duket të jetë liruar nga kjo formë e ligjerimit. Kjo për arsye që akoma nuk ka dalë me një përgjegje të formësuar qartë nga përgjegjësitë e tij si kryeministër, kur është fjala për kërkesat e SHBA-ve që po i drejtohen Kosovës.

Radhitja e pyetjeve që janë bërë pjesë e një opinioni ‘politikisht të iluminuar’, politikisht të brengosur për kërkesat e ndërmjetësve të SHBA-ve, shpresojmë të mos jenë të përfshira në formulimin e përgjegjes së tij ndaj tyre. Cili është kuptimi që Kryeministri Albin Kurti të shtroj pyetje të ngjajshme si: a është e drejtë kërkesa për heqjen e taksës? A është e drejtë që Kosovës po i bëhet trysni e madhe me këtë kërkesë? A duhet Kosova të vendosë reciprocitet me Serbinë që nuk e ka njohur ate? A duhet Kosova të mbrojë dinjitetin e saj? Pyetjet si këto imponojnë përgjegje të thjeshtë: Kryeministri i Kosovës Albin Kurti duhet të tregojë vendosmëri dhe si me vetëkuptueshmëri na del përgjegja. Reciprociteti! Kjo edhe është përgjegje në pajtueshmëri me pritjet e opinionit tonë edhe ashtu sipërfaqësor. Po kërkesa e palës amerikane? Po sikur të mendojmë në vijën argumentuese të pales amerikane? Po të hyjmë në bisedime pa taksë dhe pa vendosje të reciprocitetit?

Përgjigja e kuptueshme

Në këtë kontekst do ta përmend një marrëveshje për arsim të arritur mes presidentit Rugova dhe presidentit të Serbisë Sllobodan Millosheviq. Kjo marrëveshje ishte arritur me ndërmjetësimin e Sant’Edigios së Vatikanit dhe natyrisht me insistimin edhe të amerikanëve. Në atë marrëveshje ishte nënshkruar Presidenti i Republikes së Serbisë, Sllobodan Millosheviq dhe Dr. Ibrahim Rugova.

Pra ishte nënshkruar një dokument për arsimin kosovar dhe ku nënshkrimi i Presidentiti Rugova ishte pa cilësimin e duhur gjë që shprehte një mosnjohje të dukshme të projektit të Kosovës si Republikë e Pavarur. Dhe këtu kishte filluar gjithë artileria e kritikave të drejtohet kah presidenti Ibrahim Rugova që ka pranuar diçka të tillë. Dhe natyrisht këto kritika vinin nga, ta quajmë ashtu, opinioni i brengosur, sikurse të gjitha kritikat që do të drejtohen më vonë ndaj presidentit Hashim Thaçi për gatishmërinë e tij që të hyjë në dialog me Serbinë pa kushte. Ky opinion i brengosur që tashmë deri vonë e kishte udhërrëfyesin e tij edhe tek opozitari i asokohshëmi Albin Kurti, ka vetëm një problem të thjeshtë; ai nuk di të orientojë logjiken e tij kah ajo që është vërtetë qenësore në këto procese të ndijshme politike. Sepse vetëm me qëndrim të balansuar mund të evitojmë pasojat vetëshkatërruese të logjikes së opinionit të brengosur.

Kam ende të freskët kujtimin kur asokohe profesor Fehmi Agani për marrëveshjen e arsimit mes Rugoves dhe Millosheviqit kishte qëndrim krejtësisht të kundërt me opinionin e brengosur, logjika e të ciit tregonte mangësi evidente. Pyetja nuk i duhej shtruar Ibrahim Rugoves pse është nënshkruar në atë dokument pa cilësimin e tij si President i Republikës së Kosovës, por pyetja duhej drejtuar kah Presidenti i Republikës së Serbisë Sllobodan Millosheviq: pse ai si President i një shteti nënshkruhet në një dokument me një qytetar të thjeshtë? Pse ai ka degraduar isntitucionin presidencial serb për të vënë nëshkrim me një qytetar të thjeshtë të shtetit të tij, siç pretendonte Serbia? E njëjta logjikë vlente edhe për Presidentin Hashim Thaçi. Opinioni i brengosur pjesë e të cilit ishte pa asnjë dyshim edhe vet VV e edhe kryetari i saj, kishte gabuar adresën për kritikat e tij. Nuk duhej drejtuar Presidentit Hashim Thaçi pyetje pse ka hy në dialog më Vuçiqin që nuk e njeh Kosovën. Pyetja e logjikshme është pse Vuçiqi që nuk e njeh Kosovën pranon të takohet dhe të hyjë në bisedime me Presidentin Hashim Thaçi.
Mungesa evidente e qëndrueshmerisë dhe validitetit e logjikës së opinionit të brengosur shpresojmë të brengosë vet kryeministrin dhe të hapet për këndvështrime të tjera që ia mundësojnë kryerjen e detyrave në përputhje me përgjegjësitë që ka. Pra të futet në vijën logjike të kërkesave të ndërmjetësve amerikanë dhe të vazhdojë rrugën për atje ku do duhej – në njohjen edhe formale të Kosovës nga ana e Serbisë.

PDK thyen nesër heshtjen rreth zhvillimeve të fundit, thërret konferencë për media

Periskopi.com Lajme

Partia Demokratike e Kosovës siç duket nesër do ta thyejë heshtjen e saj.

Pas zhvillimeve të fundit rreth taksës dhe vendosjes së reciprocitetit, PDK do ta mbajë nesër një konferencë për media.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga zyra për informim e kësaj partie.

Ndërkaq, nuk dihet tema konkrete për çka një e tillë është ftuar, apo se kush do t’u adresohet mediave.

Konferenca mbahet me fillim prej orës 11:00.

Bizneset në Kosovë nuk e përkrahin as taksën as reciprocitetin

Periskopi.com Lajme

Disa nga bizneset prodhuese në Kosovë thonë se nuk janë as në favor të mbajtjes së taksës 100 për qind të vendosur nga qeveria e kaluar për importet nga Serbia e Bosnje e Hercegovina, por as për reciprocitet. Këto biznese thonë se janë në favor të një ambienti afarist ku ka konkurrencë të barabartë dhe të drejtë.

Qeveria e kaluar, në nëntor të vitit 2018, pati vendosur taksën doganore 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, por kjo taksë po shqyrtohet aktualisht nga qeveria e re e kryeministrit Albin Kurti, që të zëvendësohet me reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar ndaj Serbisë.

Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova”, që merret me përpunimin dhe prodhimin e patates, tha për Radion Evropa e Lirë se si prodhuesit kërkojnë të jenë të barabartë në treg dhe asgjë më shumë.

“Si prodhuese nuk kërkojmë asgjë tjetër vetëm të jemi të barabartë. Nëse dikush ka të drejtë ose barkodi i një shteti tjetër të jetë prezent në Kosovë, e njëjta gjë të vlen edhe për neve të pranohet edhe barkodi dhe produktet tonë të lejohen të jenë prezent në atë shtet”, thotë Kosumi.

“Ne nuk i frikësohemi konkurrencës, por kërkojmë të jemi të barabartë. Produktet e Serbisë nuk janë as më të mira as më të lira, por e vërteta është se barkodi i Serbisë pranohet në Kosovë, ndërkaq nëse ne dëshirojmë t’i shesim në Serbi produktet tona, barkodi që është 039 dhe si shenjë identifikuese e Kosovës, nuk lejohet në Serbi”, shprehet Kosumi.

Gjatë kësaj javë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Konventën e Prodhuesve të Kosovës, ka theksuar se do të tarifa 100 për qind do të hiqet dhe do të zbatohet reciprociteti i plotë tregtar me Serbinë.

Kurti ka thënë se qeveria që ai udhëheq, nuk është për tarifa si masë ndëshkuese ndaj konsumatorit, por për reciprocitet si masë mbrojtëse ndaj prodhuesve.

“Produktet që prodhohen në Kosovë, e të cilat i nënshtrohen praktikave dhe konkurrencës jolojale do të mbrohen. Parimet e reciprocitetit që do të nxirren nga Qeveria e Kosovës, do të jenë të bazuara në parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) dhe në CEFTA”, ka thënë Kurti, duke shtuar se qeveria e tij nuk do të marrë vendim për ekonominë e prodhimtarinë, pa diskutuar dhe konsultuar prodhuesit.

Kryeministri Kurti ka thënë se posa të marrë rekomandimet e grupit punues, i përbërë nga institucionet dhe përfaqësuesit e bizneseve, që do t’i përmbledhin të gjitha barrierat tregtare me Serbinë, do t’i analizojnë rekomandime dhe do të marrin vendim për largim të tarifës dhe vendosjen e reciprocitetit.

Sylejman Konushevci, pronar i fabrikës së vajit “Inter- company” nga Podujeva, thotë për Radion Evropa e Lirë se do të donin nga qeveria e re të arrinte të krijonte një ambient afarist të mirë për bizneset prodhuese dhe të barabartë në treg.

“Në kushte normale, sikur të ishte Serbia një shtet i cili do të ishte një fqinj i mirë dhe i cili do ta njihte pavarësinë e Kosovës,nuk do të kishte nevojë as për taksë e as reciprocitet. Por, duke pasur parasysh sjelljen e Serbisë në raport me Kosovën, taksa ka qenë e mirë për ne prodhuesit, pasi që Serbia me një ekonomi të fortë na ka dëmtuar. Po ashtu, Serbia nuk ka respektuar asnjë marrëveshje tregtare siç është edhe CEFTA. Prodhimet serbe të cilat kanë ardhur në Kosovë kanë pasur mbështetje dhe stimulim nga shteti i Serbisë”, thotë Konushevci.

Ai tregon se ka pasur raste të shumta kur i kanë eksportuar produktet e tyre në Serbi, por atje problemi ishte me mosnjohjen e dokumentacionit të Kosovës, kështu që kanë hasur në barriera të shumta tregtare.

“Kemi pasur raste kur kemi eksportuar produktet në Serbi, maunat tona kanë qëndruar deri në 20 ditë në terminal të Serbisë dhe e kanë dërguar mallin në analiza të shumta, duke e penguar dhe duke vendosur barriera në mënyrë që të mos lejojë mallin tonë të hyjë në tregun e tyre”, thotë Konushevci.

Heqjen e taksës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, e kanë kërkuar edhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK).

Drejtori ekzekutiv i OEAK-ut, Arian Zeka, pati thënë për Radion Evropa e Lirë se është e nevojshme që tarifa të hiqet pasi që është në kundërshtim me frymën e zotimeve që Kosova ka ndërmarrë në raport me shtetet tjera.

“Tarifa, si e tillë, duhet të rishqyrtohet dhe të hiqet menjëherë nga ana e qeverisë së re ashtu që të mund të kalojmë në një fazë tjetër ku diskutohet për raporte të reja, edhe tregtare, edhe çfarëdo lirie tjetër që mund të diskutohet. Duhet të flasim për eliminimin e të gjitha problemeve të natyrës politike që kanë ekzistuar në të kaluarën, të cilat pastaj do të mundësonin edhe njohjen e dokumentacionit, edhe njohjen e procedurave të plota që lëshohen nga njëri shtet dhe njihen nga shteti tjetër”, ka thënë Zeka.

Që nga vendosja e taksës 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, importi nga këto shtete ka rënë për 99 për qind.

Para vendosjes së taksës doganore, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë. Ky shtet, para 21 nëntorit, të vitit 2018 – kur u vendos taksa 100 për qind – gjatë një dite ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro apo rreth 450 milionë euro brenda një viti.

Taksa 100 për qind për importet nga Serbia ka ndikuar që dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërpritet. Kundër kësaj takse, që nga vendosja e saj, ishin deklaruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Ndërkaq kohët e fundit, pas formimit të qeverisë së re, presioni diplomatik mbi Prishtinën zyrtare që të shfuqizojë vendimin për taksën është rritur, me synimin që edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë deri në arritjen e një marrëveshjeje paqësore mes dy vendeve. Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nga Prishtina që pas heqjes së taksës të mos vendosë barriera të tjera, përfshirë edhe masën e reciprocitetit.

Paralajmërohet takimi VV-LDK për t’u marrë vesh për taksën 100%

Periskopi.com Lajme

Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës, sot në cilësinë e përfaqësueses së partnerit të koalicionit qeverisës me Vetëvendosjen, ka thënë se konkretitizimi i marrëveshjes për tarifën, është çështje ditësh.

Osmani është shprehur para gazetarëve se brenda dy, apo tre ditëve të ardhshme, do të zhvillohet takim koordinues mes LDK e VV, për të marrë hapat e mëtejshëm rreth tarifës 100% të vendosur ndaj mallrave serbe.

”Sa i përket konkretizmit të asaj marrëveshje dhe hapave që do vijnë në ndërkohë, këto dy tre ditë do të kemi takim koordinues dhe do të vendosen të gjithë hapat qoftë nga aspekti kohor apo përmbajtësor lidhur me zbatimin e asaj marrëveshjeje që ka të bëjë me tarifën”.

”Pra brenda pak ditësh do të jemi në gjendje për të zhvilluar takim. Siç e kam potencuar, këtë përgjigjie s’po e jap në emër të Kuvendit por si partner i koalicionit qeverisës sepse ajo ështje çështje e Qeverisë së Kosovës dhe dy partive që janë pjesë e asaj qeverie”.

Daut Haradinaj: Reciprociteti është veç fjalë, unë nuk e di se çka është kjo masë

Periskopi.com Lajme

Deputeti i AAK’së, Daut Haradinaj ka thënë se është avancim shumë i madh për Vetëvendosjen të ulën në tavolinë me Serbinë të cilët kohë më parë ‘kanë bërë rrëmuja në rrugë’.

Haradinaj ka thënë se si opozitë do të kujdesën që partitë që janë në qeverisje të shkojnë në dialog vetëm nëse ka njohje reciproke nga Serbia, shkruan Periskopi.

Ai ka thënë se masat e reciprociteti të proklamuar nga Kurti janë vetëm fjalë dhe se nuk është e qartë se çka është reciprociteti.

“Nuk e kemi të qartë çka është reciprocitet, vetëm si fjalë ka dalë në opinion publik, ndërsa taksa është e qartë, nuk ka treg për Serbinë pa njohje reciproke”, ka thënë Haradinaj në tryezën e organizuar nga KDI.

Ai thotë se heqja e taksës nga Qeveria Kurti është goditje e madhe për Kosovën që nga shpallja e pavarësisë.

“Hapja e tregut për Serbinë është një goditje e madhe që ja jepim Kosovës 12 vjet pas shpalljes së pavarësisë”, u shpreh ai./Periskopi/

 

BE-ja pa qëndrim ndaj propozimit të Kurtit për reciprocitet

Periskopi.com Lajme

Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat në mënyrë eksplicite e kanë kundërshtuar idenë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për aplikimin e masave të reciprocitetit, pas të cilave do të hiqej taksa prej 100 për qind për prodhimet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, qendrat evropiane insistojnë për heqjen e taksës, por nuk kanë komentuar paralajmërimet për futjen e masës së reciprocitetit.

Kurti, pas marrjes së detyrës së kryeministrit, më 3 shkurt, ka deklaruar që taksa ndaj Serbisë do të hiqet dhe do të zëvendësohet me reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar, duke e konsideruar këtë masë si një parim të marrëdhënieve të shëndosha ndërmjet dy shteteve.

Lidhur me çështjen e reciprocitetit, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka deklaruar që nuk e mbështetë idenë e Kurtit për futjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë. Zëdhënësi i tij, Dick Custin, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë që ambasadori Grenell e inkurajon Kosovën që ta heqë taksën pa e zbatuar reciprocitetin.

Gjatë vizitës në Prishtinë, para se të zgjidhej qeveria e re, Grenell porositi që heqja e taksës duhet të ndodhë në të njëjtën kohë edhe me ndërprerjen e fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Gjithashtu, Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, ka porositur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që heqja e taksës prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, do të jetë e rëndësishme për rikthimin e palëve në tavolinën e bisedimeve.

“Shpresojmë dhe presim që këtë ta bëjë prioritet dhe ta shfrytëzojë momentin që ka dalë pas letrave të qëllimit për vendosjen e linjave ajrore dhe hekurudhore ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Pompeo.

Në letrën që ai ia ka dërguar Kurtit me rastin e zgjedhjes së qeverisë së re, ka thënë që tash “është koha për realizimin e normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruara në njohjen e ndërsjellë, gjë që është me rëndësi thelbësore për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës”.

“Shtetet e Bashkuara do t’ju mbështesin në atë proces”, thuhet në letër.

Megjithatë, Brukseli zyrtar , Berlini dhe Parisi, po heshtin lidhur me çështjen e reciprocitetit, por insistojnë në heqjen e taksës, në mënyrë që të hapet mundësia për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi. Beogradi zyrtar po refuzon të kthehet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, derisa Kosova ta heqë taksën, të cilën e kishte vendosur qeveria paraprake e Ramush Haradinajt, në nëntor të vitit 2018, ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë se si e komenton Gjermania paralajmërimin e kryeministrit të Kosovës që taksën do ta zëvendësojë me masa të reciprocitetit. Në përgjigjen e saj, kjo ambasadë ka theksuar që qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar.

“Qeveria gjermane do ta përshëndeste heqjen e menjëhershme të taksës prej 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Ky do të ishte hap i rëndësishëm për inicimin e sërishëm të dialogut nën ombrellën e Bashkimit Evropian”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.

Në pyetjen e njëjtë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i ka thënë Radios Evropa e Lirë që për vazhdimin e dialogut fillimisht nevojitet besimi i plotë i Beogradit dhe Prishtinës dhe që të dyja palët janë përgjegjëse për të siguruar vazhdimin e shpejtë të dialogut.

“Gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi, përfaqësuesi i lartë dhe nënpresidenti (Joseph) Borell ka theksuar që çështjet sikurse taksa në Kosovë dhe disa aktivitete diplomatike të Serbisë kanë krijuar tensione të panevojshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe të dyja palët duhet që ta rikthejnë situatën, në të cilën dialogu është i mundshëm”, theksoi Stano.

E pyetur se si i komenton masat e reciprocitetit, Përfaqësuesja Speciale e BE-së në Prishtinë, Nataliyia Apostolova, më 5 shkurt, në Prishtinë, në një konferencë për media , bashkë me Kurtin, ajo ka deklaruar që bashkë me nevojën për heqjen e taksës, nga qeveria e re, “pritet që të dalë me propozime dhe ide të reja se si do ta trajtojnë këtë çështje”.

Lidhur me nevojën për heqjen e taksës prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, si dhe ndërprerjes së fushatës kundër pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, ka folur edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Ai, përmes një letre, të cilën ia ka dërguar kryeministrit Kurti, ka thënë që një gjë e tillë është e nevojshme, për të rinisur dialogun Kosovë-Serbi. Macron i ka ofruar mbështetje Kurtit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar që kjo është një sfidë e madhe për të ardhmen e Kosovës, por edhe për sigurinë evropiane.

Në muajin korrik të vitit të kaluar, unë u bëra thirrje serbëve dhe kosovarëve që të veprojnë si evropianë duke kërkuar një kompromis. Hapi i parë, natyrisht që duhet të jetë rifillimi i dialogut, të cilin unë jam i gatshëm ta lehtësoj duke e organizuar në Paris, së shpejti, një samit me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, së bashku me kancelaren Merkel dhe Përfaqësuesin e Lartë, Borell”, thuhet në letrën e Macronit, të cilën ia ka dërguar Kurtit më 7 shkurt.

Dialogu i Brukselit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka nisur në vitin 2011, si teknik dhe ka vazhduar që nga viti 2013 si dialog politik, kur edhe është arritur “Marrëveshja e parë për parimet e normalizimit të marrëdhënieve të Beogradit dhe Prishtinës”.

Që nga nëntori i vitit 2018, kur Kosova ka aplikuar taksën prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, Beogradi zyrtar e ka suspenduar pjesëmarrjen e tij në dialog deri në heqjen e kësaj mase.

Gjatë ngecjes së këtij dialogu, megjithatë, Berlini dhe Parisi kanë provuar që të kontribuojnë në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit., me qëllim të arritjes së një marrëveshje përfundimtare ndërmjet dy palëve.

Në një konferencë të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Berlin, në prill të vitit 2019, kancelaria gjermane, Angela Merkel ka porositur që konferenca nuk e ka për qëllim ta zëvendësojë procesin e Brukselit dhe as bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe që “zgjidhja përfundimtare për Kosovën dhe Serbinë nuk mund të jetë në dëm të të tjerëve në rajon”.

Takimi i radhës, i cili do të duhej të mbahej në Paris, në korrik të vitit 2019, është anuluar, derisa kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj, me këmbëngulje ka refuzuar që ta heqë taksën deri sa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Në marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë, në muajt e fundit, në mënyrë të veçantë është përfshirë ambasadori amerikan në Berlin, Grenell, i cili arriti të sigurojë pajtimin e të dyja palëve për vendosjen e linjave ajrore dhe hekurudhore, gjë që Bashkimin Evropian e kishte zënë “në befasi”.

Gaxherri e LDK-së: Taksa nuk është as Bibël as Kuran

Periskopi.com Lajme

Besa Gaxherri nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se LDK dhe Vetëvendosje janë në koordinim sa i përket reciprocitetit.

Ajo deklaroi se duhet pasur shumë kujës me partnerin siç është Amerika, por si të zgjedhur të popullit duhet të kenë shumë përgjegjësi ndaj qytetarëve.

“Duhet të kemi kujdes dhe duhet të besojmë në mbështetjen e ShBA-së, pikërisht ish-kryeministri Hardianaj ka kërkuar publikisht edhe në BE mbështetjen e Amerikës sepse procesi i dialogut dekradoi.Të gjitha partitë politike, sepse ShBA-të kanë shtyrë shumë  më mirë proceset në Kosovë. Por në këtë situatë që jemi duhet të kenë parasysh edhe ShBA edhe BE-ja gjendjen e Kosovës dhe sjelljen e Serbisë karshi Kosovës. Resoj se është shumë mirë angazhimi i Amerikës në radhë të parë me burokracinë e BE-së, karshi Kosovës, por edhe për të na ndihmu të na tregojnë se ne nuk jemi vegël në këtë proces. Në nuk guxojmë të shkojmë blanko në asnjë proces pa i ditë disa kufij në raport më Kosovën, duhet ta dimë këtë sidomos ne dy partitë që jemi në pushtet, e sidomos z.Kurti. Mendoj se taksa dhe reciprociteti që ne po pretendojmë për ta vënë, sepse sonte nuk mund të falsë në emër të LDK-së se çfarë do të bëjmë, edhe pse jemi në koordinim me VV-në”, tha Gaxherri në Debat Plus

Gaxheri shtoi se taksa nuk është as Bibël as Kuran dhe se askush s’mund ta detyrojë Kosovën të prekë sovranitetin dhe integritetin e vendit.

“Mendoj se taksa, edhe nëse nesër do e praktikojnë kundër aleatëve tanë masën e reciprocitetit nuk është as Bibël as Kuran, këto dy masa. Në qoftë se neve na premtojnë aleatët tanë që ky afat i pezullimit do të ketë kohë të caktuar, sepse asnjë parti politik nuk mund të vazhdojë të bëjë dialog me Serbinë pa kufi.Të gjitha deklarata e përfaqësuesve zyrtarë janë se kjo çështje duhet të përmbyllet dhe nëse është ashtu s’e kemi të vështirë të japim afat 3-6 muaj dhe të hyjmë në dialog me rezolutën që është në fuqi. Askush s’mund të nda detyrojë të prekim sovranitetin dhe integritetin e vendit e as që nesër pasnesër ta fuqizojmë edhe taksën edhe reciprocitetin. Duhet të gjejmë zgjidhje”, shtoi Gaxherri.

Kurti: Së pari reciprociteti me Serbinë, pastaj e heqim taksën 100%

Periskopi.com Lajme

Kryeministri Albin Kurti sonte në Rubikon ka thënë se së pari do të aplikohet reciprociteti ndaj Serbisë e pastaj do të hiqet edhe taksa, transmeton Periskopi.

‘’Unë kam treguar vullnet për heqjen e tarifës 100 për qind dhe kjo të bëhet posa të vendoset parimi i reciprocitetit. Nuk besoj se ka nevojë edhe taksë edhe reciprocitet. Ne dëgjohemi me njëri-tjetrin shumë, dhe s’do të thotë se pajtohemi për gjithçka”, ka thënë Kurti.

Kurti thotë se i dërguari i posaçëm i SHBA’së për dialogun me Serbinë, Richard Grenell i kërkoi që ta heqë taksën dhe të mos e aplikojë masën e reciprocitetit.

Por Kurti s’e ka ndërmend ta dëgjojë Grenellin./PERISKOPI/

 

 

 

Rukiqi: Kurti duhet të konsultohet me bizneset para vendosjes së masës së reciprocitetit

Periskopi.com Lajme

Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, duhet të konsultohet me bizneset para vendosjes së masës së reciprocitetit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të konsultohet me komunitetin e biznesit, para se të vendoset masa e reciprocitetit me Serbinë.

Rukiqi thotë se kjo konsultë duhet të bëhet për t’i identifikuar kërkesat e biznesit.

“Në këtë aspekt duhet të kemi një qartësi. Unë e kam dëgjuar kryeministrin që të konsultohet me komunitetin e biznesit. I bëjë thirrje kryeministrit që bëjë konsulta që të mund t’i identifikojmë qartë kërkesat”, tha Rukiqi për Telegrafin.

Ai ka shtuar se reciprociteti nuk është masë e jashtëzakonshme.

“Kryeministri Kurti e ka publikuar qëndrimin e tij, ende jo vendimin, pasi që kjo është vendim qeveritar, që taksa duhet të zëvendësohet me reciprocitet. Unë reciprocitetin e kuptoj si diçka më normale, për shkak se nuk është masë e jashtëzakonshme, ndërsa taksën e kam konsideruar si instrument të jashtëzakonshme në të gjitha raportet tregtare, ku vendeve duhet t’i qasemi me reciprocitet”, tha ai.

Po ashtu, Rukiqi në këtë intervistë ka folur edhe për planin ekonomik të koalicionit qeverisës, duke thënë se idetë e prezantuara duhet zbatuar në kontekstin ekonomik që është ndërtuar deri më tani në vend.

Reciprociteti final është njohja e Kosovës nga Serbia

Mero Baze Op-Ed

Qeveria e re e Kosovës ka premtuar se do të heqë taksën 100 përqind për mallrat serbe dhe ato të Bosnjë Hercegovinës, në shkëmbim të reciprocitetit me Serbinë.

Vendimi i cili është premtim edhe i fushatës elektorale të dy partive të koalicionit qeveritar, pritet të merret sa më shpejt, edhe për shkak të presionit të SHBA dhe BE, të cilat duan t’i hapin rrugë fillimit të dialogut me Serbinë.

Deri këtu jemi në kushtet e hartimeve patriotike diplomatike.

Problemi është si do të veprohet konkretisht, pasi taksa 100 përqind është e heqshme me një vendim, ndërsa reciprociteti është proces.

Reciprociteti me Serbinë është në të vërtetë thelbi i gjithë procesit të bisedimeve për marrëveshje me Serbinë. E gjithë marrëveshja nënkupton thjesht reciprocitetin, pra lëvizjen e lirë të mallrave, të njerëzve, njohjen e diplomave, liberalizimin e tregut të punës dhe gjithë axhendën që përmban projekti i Minishengenit.

Është e neveritshme se si ti nuk udhëton dot nga Kosova për në Serbi, nëse shkon nga Shqipëria, është poshtëruese se si të ngjisin një letër mbi targë nëse ke veturë me targa të Kosovës, është racizëm se nuk njohin në Preshevë diplomën e një mjeku nga Kosova, e plot histori të tjera, prodhuar nga mendje nacionaliste serbe.

Njëra mund të hiqet për një ditë, kurse tjetra mund të bëhet, (nëse bëhet) për shumë kohë, ose ndoshta kurrë.

Ta thuash që do ta heq në këmbim të reciprocitetit ngjan shumë dinjitoze, por njëkohësisht dhe shumë dogmatike për të çuar përpara procesin.

Fjalia e duhur që mund t’i hapte rrugë bisedimeve, është që do ta heqim në shkëmbim të premtimit të SHBA e BE për reciprocitetin, pasi nëse thua do ta heq kur të kemi vendosur reciprocitetin, i bie të thuash që nuk do ta heq, ose siç thotë Ramushi, “s’po du”.

Dhe nëse nuk kanë për ta hequr, le mos ta heqin, por mos të krijojnë pritshmëri të kota.

Taksa u vendos në fakt për të bllokuar bisedimet e nxitura nga presioni amerikan, pavarësisht fasadës patriotike që ju vesh. Dhe këtë e kuptuan mirë dhe SHBA me BE.

Tani nëse do të hiqet nën garancitë e tyre, kjo është një çështje tjetër, e ndarë nga ky premtimi letraresk që do hiqet në shkëmbim të reciprocitetit.

Ajo qeveri e Kosovës që do vendosë reciprocitetin me Serbinë është qeveria që do pamvarësojë përfundimisht Kosovën, si një proces i pakthyeshëm. Deri atje të gjithë jemi të qartë që është rrugë e gjatë dhe me shumë kushtëzime.

Jam i prirur të besoj ata që thonë se Albin Kurti është negociator i fortë, por fakti që ai u dorëzua dhe para Isa Mustafës, nuk më lë shpresa të besoj që do mundë Vuçiçin.

Deri atëhere, Kosova duhet të ruajë si balancë force aleancën me SHBA dhe BE.

Dhe këtu gjithë procesi hyn në një zonë të pasigurtë.

Ora zero e heqjes së taksës për BE e SHBA, nuk është ora që dhe Serbia e ka njohur Kosovën. Po të ishte kjo orë, mirë është taksa, dhe presim atë ditë. Por drejt asaj dite, nuk është e mundur të shkohet me taksën.

Qeveria e Kosovës kam frikë se vetë është e paqartë për këtë situatë, pasi LDK është më shumë në anën e SHBA e BE, dhe Kurti më shumë në kurthin e populizmit të tij.

Sidoqoftë tani nuk është më koha të dëgjojmë hartime, por akte reale, që sjellin pritshmëri realiste. Nuk ka arsye që dikush të na gënjejë, që edhe taksën do ta heqim, edhe reciprocitetin do ta vendosim brenda ditës.

Së paku të bëjnë një listë prioritetesh, që nënkupton fillimin e reciprocitetit. Reciprociteti final është njoha e Kosovës nga Serbia. Dhe deri atje, nëse shkohet me taksën në fuqi, por pa SHBA e BE në krah, s’di kush do ta marrë seriozisht Albinin.