Sindikata i kërkon RTK’së të bëjë zgjidhje ligjore me 9 gazetarët që po kundërshtojnë një redaktor

Periskopi.com Lajme

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së i ka bërë thirrje manxhmentit të Televizionit Publik të bëjë zgjidhje ligjore me nëntë gazetarët, të cilët kanë kundërshtuar emërimin e një redaktori dhe kanë denoncuar punimet pe diplomë.

SPERTK ka bërë thirrje të ruhet televizioni publik nga ndërhyrjet politike.

“SPERTK po ashtu kërkon nga menaxhmenti i RTK-së që sa më parë të bëjë zgjidhje për kolegët tanë gazetarë duke mos lënë vend për interferimin e ndonjë individi i cili mund te ketë agjendë politike në dëm të RTK-së”, thuhet në reagimin e SPERTK’së.

Reagimi i Sindikatës erdhi pasi Ngadhnjim Kastrati akuzoi 9 gazetarët se janë përfshirë në skenarë të politikës. Tha se qëllimi i tyre është destabilizimi i RTK’së.

Drejtori i Përgjithshëm i RTK’së ka konfirmuar se i ka avancuar dhe risistemuar 9 gazetarët pasi kishin bërë një kërkesë të tillë.

Nëntë gazetarë kanë vendosur të bojkotojnë punën pse menaxhmenti i ri i RTK’së ka vendosur të emërojë një redaktor pa i përfillur procedurat ligjore.

Ata s’po e pranojnë për redaktor Besart Galicën. E kanë njoftuar edhe Drejtorin e Përgjithshëm të RTK’dë, Ngadhnjim Kastratin, i cili ende kontestohet prej një pjesë të punëtorëve të RTK’së.

Nëntë gazetarët e RTK’së kanë shkruar në letër se s’po i dëgjon askush brenda televizionit pavarësisht fakteve që kanë s’ka pasur asnjë vlerësim paraprak për vendimet që janë marrë.

“Ne konsiderojmë se tashmë i kemi konsumuar të gjitha rrugët institucionale brenda RTK’së për ta zgjidhur njëherë e mirë këtë problem. Nga diskutimi që patëm sot kemi ardhur në përfundim që mungon vullneti dhe gatishmëria për një zgjidhje të shpejtë dhe të dinjitetshme të këtij problemi”, thuhet në letrën drejtuar menaxhmentit të RTK’së.

Gazetarët e RTK’së kanë publikuar të dhëna për shkelje ligjore edhe kur janë punësuar njerëzit në televizionin publik.

Aty mund të ketë hetime edhe prej Prokurorisë së Shtetit se si punësimet në këtë institucion ndodhin për njerëz të padiplomuar.

“Ju rikujtojmë se në rastin e kolegut Besart Galica nuk janë shkelur procedurat vetëm në emërimin e tij si redaktor në lajmet qëndrore, por edhe siç mund të jeni në dijeni për të njëjtin person shkelje ka pasur edhe në kriterin për punësim në kualifikimin përkatës”, thuhet më tej në letër.

Sipas gazetarëve, Besart Galica është ngritur në pozitën e redaktorit mbi bazën e diskriminimit, shkeljeve ligjore.

“…Tash e tutje do t’ju drejtohemi institucioneve përkatëse ligjore jashtë RTK’së…”, thuhet më tej në letër.

Reagimi i SPERTK

Sindikata e Punëtoreve e RTK-së

Kryesia e SPERTK-së

Reagim

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së ka marrë me shqetësim publikimin  e lajmeve për RTK-në sot në disa media. Sindikata kërkon nga menaxhmenti i RTK-së por edhe kolegët gazetarë që të përdorin forma të tjera të komunikimit për ta zgjidhur çfarëdo problemi të brendshëm.

RTK në vazhdimësi ka kultivuar tradita dhe  forma të pranueshme të komunikimit dhe të gjitha problemet i ka zgjidhur duke i respektuar rregullat dhe ligjet në fuqi. SPERTK po ashtu kërkon nga menaxhmenti i RTK-së që sa më parë të bëjë zgjidhje për kolegët tanë gazetarë duke mos lënë vend për interferimin e ndonjë individi i cili mund te ketë agjendë politike në dëm të RTK-së.

SPERTK do ta ndjekë me vëmendje deri sa të gjendet një zgjidhje ligjore për këtë situatë. Sindikata e mbështet cilindo veprim ligjor në RTK dhe po ashtu do ta kundërshtojë cilindo avancim apo veprim nëse ne e vërejmë se nuk janë respektuar rregulloret dhe ligji i RTK-së.

Sindikata po ashtu do të kundërshtojë me forma ligjore çdo tendencë për politizim apo propagandë nga kush do që të vij ku dëmtohen interesat e RTK-së dhe kolegëve tanë. Interferimi nga njerëz të politikës në funksionimin e RTK-së përbën shkelje të rendë ligjore pasi Transmetuesi Publik është i pavarur dhe ka ligjin e tij të funksionimit.