Refugjatët që kanë hyrë nga Turqia në Greqi, forcat kufitare i rrahën dhe i zhveshën duke i detyruar të qëndrojnë në temperatura në ulëta

Periskopi.com Lajme

Forcat kufitare greke, janë akuzuar nga refugjatët që kanë hyrë nga Turqia në Greqi, se i kanë rrahur dhe zhveshur, ndërsa i detyruan të qëndrojnë të zhveshur në temperatura të ulëta, në një zonë të pabanuar.

Mediumi shtetëror turk TRT, ka shpërndarë pamjet ku shihen refugjatet vetëm në brekë, derisa disa prej tyre kanë edhe shenja të vrazhda dhune në trup, transmeton Telegrafi.

Disa prej tyre, pretendojnë se janë sulmuar me mjete ushtarake, por nuk kanë saktësuar se në çfarë forme apo cilat janë mjete me të cilat u sulmuan.

Rojat kufitare greke, deri më tani kanë përdorur gaz lotsjellës, granata të vogla që shpërthejnë si fishekzjarrë dhe makina me vrushkuj uji, që t’i shpërndajnë refugjatët, ndërsa thonë se prej këtyre mjeteve nuk ka pasur ndonjë të lënduar rëndë.

Në anën tjetër, refugjatët e kanë fajësuar presidentin turk Regjep Tajip Erdogan, se me hapjen e kufijve iu ka dhënë shpresë të rrejshme, se do të arrijnë në Evropë, ndërsa kërkuan që t’ju gjendet një zgjidhje.

Turqia ua hapë dyert refugjatëve drejt Evropës

Periskopi.com Lajme

Grupe refugjatësh dhe emigrantësh kanë marrë rrugë drejt Evropës pasi që Turqia ka thënë se nuk do të pajtohej me një marrëveshje për t’i ndaluar ata drejt BE-së.

Shefi i Komunikimi të BE-së, ka thënë se vendi i tij nuk ka pranuar mjaftueshëm përkrahje për miliona refugjatë sirianë, shkruan BBC, transmeton Klan Kosova.

Vendimi është përcjell me sulme vdekjeprurës mbi forcat turke nga Qeveria siriane në veri të Sirisë.

Ky incident ka ngjallë frikën se mund të ketë një eskalim në mes të Turqisë dhe aleatëve ushtarak të Sirisë, konkretisht Rusia.

Greqia dhe Bullgaria që ndodhen në kufi me Turqinë kanë dërguar përforcime për të penguar hyrjen e njerëzve.

Nga i pastrehë në milioner: historia e një refugjati, sot “mbret i picave” në Amerikë

Periskopi.com Lajme

Hakki Akdeniz mbërriti në Nju Jork shumë vite më parë. Dikur i pastrehë tashmë një milioner, 39 vjeçari nuk harron të kthehet në rrugë për të ndihmuar, atje ku nisi historia e tij amerikane.

Milioneri Hakki Akdeniz është gjithmonë i zënë me punë. Ai jeton në një apartament të vogël në Nju Jork edhe pse mund të përballojë pa asnjë vështirësi një apartament dhe një makinë të shtrenjtë.

“Ëndrrat e mia nuk lidhen me paratë. Unë ëndërroj për atë që dua të lë si trashëgimi, apo qëllimin pse jetoj dhe kjo nuk ka të bëjë me se sa para kam. Unë jam një njeri shumë i thjeshtë e besoni ose jo. Ora ime kushton rreth 100 dollarë. A mund të blej një Rolex? Absolutisht që po! Por pse duhet ta bëj?!”, thotë Hakki Akdeniz, filantrop.

Hakki Akdeniz, 39 vjeç është një nga 17 fëmijët e një familje kurde.

Në kërkim të mundësive ai u zhvendos fillimisht në Kanada kur ishte adoleshent dhe në vitin 2001 në Nju Jork, në kërkim të një jete më të mirë.

Një mik amerikan i pati thënë se do ta ndihmonte, por kur ai mbërriti në Nju Jork, shoku i tij nuk ia hapi telefonin.

“Nuk e harroj atë ditë sepse ishte dita më e rëndësishme e jetës”, thotë Hakki Akdeniz.

Një motel i lirë apo një stol në një stacion treni…. ndalesa tjetër një qendër për personat e pastrehë e quajtur misioni “Bowery” ku Hakki Akdeniz kaloi plot tre muaj.

“Rreth 25 apo 30 vetë flinin aty ku flija unë. Njerëzit mendojnë se është e lehtë, por nuk është aspak ashtu të jetosh në një qendër për të pastrehët. Ka njerëz që mendojnë se të jetosh aty është liri, por nuk është ashtu”, thotë ai.

Hakki Akdeniz ia doli të gjejë një punë si pjatalarës në një piceri. Krahas kësaj pune ai mësoi se si të presë picat e pastaj t’i bëjë ato. Ai punonte 19 orë në ditë dhe përpiqej të kursente çdo qindarkë. Vite më vonë kurseu sa duhet për të blerë picerinë e tij, por reklamimi i biznesit në një qytet ku lulëzojnë me qindra biznese të tillë, nuk do të ishte i lehtë.

Më vonë Hakki Akdeniz fitoi një konkurs picash dhe një revistë botoi një artikull me foton e tij.

Njerëzit nisin të flasin mbi këtë gjë dhe më pas të shkojnë në picerinë e tij.

“Papritur jam i famshëm. Njerëzit nisën të vijnë, ata sollën revistën me vete bënin foto me ne. Pastaj shoh se ka radhë jashtë restorantit. E më pas, zoti më bekoi dhe hapa një piceri të dytë!”, thotë Hakki Akdeniz, filantrop.

Pseudonimi i tij “Kampioni” u bë emri i zinxhirit të restoranteve të tij, aktualisht 14 të tillë.

Hakki Akdeniz u bë i famshëm. Ai ka mbajtur një fjalim në OKB.

Në faqen e tij në Instagram ai ka katër milionë ndjekës dhe një video ku Hakki Akdeniz shfaqet tek ushqen të pastrehët është parë nga 400 milionë njerëz.

Ai nuk do ta harrojë kurrë se çfarë do të thotë të jesh i pastrehë në Nju Jork ndaj dhe çdo të mërkurë kthehet atje për të ndihmuar.

“Ne kemi një buzëqeshje të bukur, nuk duhet ta lëmë kurrë të na shuhet. U them atyre që janë të pastrehë, buzëqeshni! Më jepni dhe një përqafim!”, shton Hakki Akdeniz, filantrop.

Hakki Akdeniz thotë se paratë shkojnë e vijnë dhe vlera e tyre matet me atë që mbetet pasi shpenzohen.

Ai e di tashmë se çfarë do të bëjë me pasurinë e tij. Hakki Akdeniz planifikon të ndërtojë një godinë gjashtëkatëshe për të pastrehët, ku ata mund të jetojnë e të studiojnë, sepse ndonjëherë gjithçka që i nevojitet një njeriu është vetëm dikush që beson tek ai. /VOA/

 

 

Refugjatët ankohen për mungesë interneti

Periskopi.com Lajme

Refugjatët rohinja që jetojnë nëpër kampet e Bangladeshit, janë shprehur të pakënaqur me vendimin për bllokimin e internetit shkaku i shqetësimeve për sigurinë.

Autoriteti i rregullatorit telefonik, urdhëroi bllokimin e internetit në zonën e kampit të refugjatëve rohinja.

Operatorët telefonik gjithashtu janë urdhëruar që të mos shesin numra telefoni për refugjatët.

“Janë më shumë se 1 milion rohinja që jetojnë këtu. Nëse qeveria bllokon rrjetin telefonik, do të kemi probleme. Nuk do të mund të komunikojmë me të afërmit tanë që jetojnë në Mianmar, Arabinë Saudite, Dubai dhe Malajzi. Nuk do të marrim lajme nga ai dhe kjo është problem”, thotë refugjati Habibullah.

Bllokimi i rrjetit telefonik u bë pas dhunës që shpërtheu në rajonin Bazar, aty ku janë të strehuar një milion rohinjat.

Më shumë se 730 mijë rohinja ikën nga Mianmari pasi qeveria nisi një spastrim në gushtin e vitit 2017.

Tensionet janë shtuar brenda kampit pasi lideri i të rinjve të partisë qeverisëse u vra gjatë javës së kaluar dhe refugjatët rohinja janë akuzuar për këtë vrasje.

Mbështetja amerikane për refugjatët kosovarë ishte më e larta në historinë e këtij shteti

Periskopi.com Lajme

Debati rreth trajtimit të refugjatëve vjen në kohën kur Dogana e SHBA-së dhe Mbrojtja Kufitare raportojnë për rritje të numrit të migrantëve që mbërrijnë në kufirin amerikan.

Ky numër i migrantëve që mbërrijnë në kufirin amerikan është shumë më i lartë sesa në kohën kur organizata amerikane e sondazheve “Gallup” kishte bërë për herë të fundit këtë pyetje në dhjetorin e vitit të kaluar. Objektet e ndalimit janë të tejmbushura me njerëz, duke nxitur kështu kritika rreth trajtimit të situatës nga ana e administratës.

Mbështetja për të lejuar hyrjen e refugjatëve nga Amerika Qendrore tani është më e larta (57%) në krahasim me pothuajse të gjitha anketat e mëhershme që “Gallup-i” ka bërë për këtë çështje, përfshirë edhe çështjen e refugjatëve sirianë më 2015 e po ashtu edhe refugjatët nga Holokausti gjerman në vitet e 1930-ta dhe ‘40-ta.

Por, është një rast që ka tejkaluar të gjitha.

“Të vetmit refugjatë që kanë mbledhur mbështetje më të madhe në anketat e ‘Gallup-it’ janë refugjatët shqiptarë nga Kosova gjatë një periudhe të spastrimit etnik atje më 1999. Në atë kohë, 66% aprovuan vendimin veçse të marrë për të sjellë ‘disa qindra refugjatë shqiptarë nga Kosova’ në SHBA”, thotë “Gallup-i”, raporton Koha.net.

Më tej theksohet se Demokratët ishin ata që mbështetën më së shumti hyrjen e refugjatëve, me 85% që aprovojnë këtë politikë në krahasim me 82% që u regjistrua në dhjetor.

Por, ngritja më e madhe në mbështetje ka ardhur në anën e Republikanëve, të cilët nga 14 për qind në dhjetor, janë ngritur në 24 për qind tani. Aprovimi në mesin e të pavarurve është rritur nga 52 për qind në dhjetor në 58% sot.

Ndërkaq, 39 për qind e amerikanëve e përshkruajnë situatën në kufirin amerikan me Meksikën si “krizë”, kurse rreth 35% prej tyre e quajnë “problem të madh”.

Hoxha: Të ofrojmë një shtëpi të dytë dhe siguri për refugjatët

Periskopi.com Lajme

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka shprehur solidaritet me refugjatët në Ditën e Refugjatëve.

Në Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka kujtuar kohën kur shumë kosovarë u shpërngulën gjatë vitit 1999.

Duke kujtuar këtë kohë, ministrja Hoxha ka shprehur solidaritet me refugjatët, shkruan lajmi.net.

Në një postim në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Hoxha ka shkruar se, duke kujtuar vuajtjet e qytetarëve kosovarë në vitin 1999, duhet t’i ofrojmë shtëpi të dytë dhe siguri refugjatëve.

Postimi i plotë i Hoxhës pa ndërhyrje:

Shpreh solidaritetin tim të sinqertë me të gjithë refugjatët që sot janë të privuar nga e drejta e tyre themelore për jetë të dinjitetshme në atdheun e tyre.

Ky solidaritet, na kthen prapa për dy dekada, për të kujtuar me dhimbje të thellë qytetarët e vendit tim, të cilët u dëbuan nga vatrat e veta, vetëm pse ishin të një kombësie tjetër nga pushtuesi.

Ditët e kaluara si refugjatë, janë ditët më të rënda për qytetarët e vendit tonë, andaj, këtë ditë kujtojmë vuajtjet e refugjatëve në botë, për të ofruar shtëpi të dytë dhe siguri për refugjatët.

UNHCR: 70 milionë njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre vetëm vitin e kaluar

Periskopi.com Lajme

Numri i njerëzve që ikin nga lufta, persekutimi e konflikti politik e ka kapërcyer 70 milionëshin në vitin e kaluar – numri më i madh që e ka regjistruar agjencia e refugjatëve të OKB-së në gati 70 vjet.

Gati 70,8 milionë njerëz janë zhvendosur me forcë sipas raportit të përvitshëm të agjencisë, ose 2,3 milionë më shumë se vitin që shkoi.

Këta numra janë dyfishi i regjistruar 20 vjet më parë, shkruan Periskopi nga BBC.

Raporti më tej thotë se 37 mijë vetë refugjatë ikin për çdo ditë nga shtëpitë e tyre.

“Ajo çka po shohim në këto numra është një konfirmim i mëtejmë i një trendi afatgjatë në rritje të numrit të njerëzve që kanë nevojë për siguri e që ikin nga lufta, konflikti dhe persekutimit,” tha Filippo Grandi, komisioner i Lartë i OKB-së për refugjatët.

Numri më i madh i të gjithë refugjatëve në botë vinte nga Siria, Afganistani, Sudani Jugor, Myanmari dhe Somalia. /Periskopi

Momentet kur Ibrahim Rugova vizitonte refugjatët në Maqedoni 20 vjet më parë

Periskopi.com Lajme

Presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova, sot 20 vjet më parë kishte vizituar refugjatët kosovarë në Maqedoni.

Më 26 maj të 1999’s, Rugova ishte takuar me udhëheqës të Maqedonisë, me diplomatë të huaj në Shkup, e me bashkëpunëtorë të tij, që asokohe ishin refugjatë në Maqedoni.

Një prej tyre ka qenë Muhamet Hamiti, i cili ka kujtuar vizitën e Rugovës në Maqedoni, nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook.

“Kam kujtime të gjalla nga takimi me prijësin tonë atë ditë”, është shprehur ai në rrjetin social, në internet.

Ish-ambasadori i Kosovës në Londër po ashtu ka publikuar një videolajm të agjencisë ndërkombëtare të lajmeve, Associated Press.

“Mbi të gjitha, siç shihet në këtë storie të Associated Press-it, Presidenti Ibrahim Rugova u prit me gëzim e brohoritje nga refugjatët kosovarë në Stenkovec”, ka shkruar Hamiti.

“Duke folur frengjisht e anglisht para gazetarëve të shumtë, Presidenti Rugova thotë se duhet të vendoset prani ndërkombëtare, trupa tokësore të NATO-s në Kosovë, për të krijuar kushtet që shqiptarët të mund të kthehen në atdheun e vet. Po punohet me mjete ushtarake e diplomatike që kjo të bëhet realitet, thotë Presidenti Rugova, duke u shprehur optimist për të ardhmen e popullit dhe vendit të vet”, ka thënë ai.

Ekonomia gjermane po lulëzon shkaku i emigrantëve

Periskopi.com Lajme

Në vendin e tij të lindjes, në Siri, Mohammed Kassimi punonte si elektricist.

Por, pasi mësoi tregtinë në mënyrë informale, atij i mungonin kredencialet për ta shfaqur atë.

Tash, në atdheun e tij të adaptuar, 30 vjeçari po merr trajnimin që kurrë s’e kishte marrë dhe po paguhet nga kompania që i ka premtuar punën që mund ta ngre nga një refugjat të thjeshtë në klasën e mesme gjermane, shkruan The Washington Post, përkthen Periskopi.

Programi që ndihmon dhjetëra mijëra refugjatë të rindërtojnë jetët e tyre nuk ishte krijuar për të sapo-ardhurit që kishin mbërritur në Gjermani për t’i ikur luftës, shtypjes dhe varfërisë.

Sistemi i fillestarëve në Gjermani është pjesë e ekonomisë me rrënjë nga kohët mesjetare.

Por, me nivelin e papunësisë kombëtare në shkallën më të ulët në 30 vitet e fundit, gjermanët e rinj e kanë humbur apetitin e tyre për trajnimin profesional.

Kompanitë po përballen me nevojën për punëtorë të kualifikuar që nuk po përmbushet e që po e ndikon rritjen e tyre në treg.

Nëse këta punëtorë mund të gjenden mes refugjatëve atëherë kjo mund të ndihmojë ata.

Rezultatet kanë qenë jashtëzakonisht premtuese deri më tash.

Gati katër vjet pasi kancelarja gjermane Angela Merkel vendosi t’i hapte kufijtë për një numër shumë të madh azil-kërkuesish, 1,5 milionë prej tyre mbetën jashtë tregut të punës.

Shumica po ndjekin kurse të gjuhës dhe po integrohen. Gati 200 mijë janë regjistruar si të papunë.

Por, pas shpenzimit të miliona eurove për akomodimin e të posa-ardhurve, Gjermania po fillon të fitojë edhe për vete nga një gjë e tillë.

Numri i njerëzve që ose po punojnë ose po ndjekin programe trajnuese për punë po rritet në vazhdimësi, dhe ishte më i madh se 400 mijë në fund të 2018-s.

Integrimin e refugjatëve e kanë marrë nga ish Jugosllavia e viteve 90 si model.

Në atë rast, rreth 80 për qind e të rriturve në moshë pune e kishin një punë pas tetë vitesh qëndrimi.

Veç kësaj, Gjermania po përfiton nga profili demografik i të ardhurve, rreth 60 për qind e të cilëve janë më të rinj se 25 vjet.

“Nëse Gjermania dëshiron të mbajë mirëqenien ekonomike, atëherë i duhen nga gjysmë milioni emigrantë për çdo vit,” tha Wolfgang Kaschuba, ish drejtor në Institutin e Berlinit për Itegrim Empirik dhe për Hulumtime të Emigrimit.

“Na duhet të sigurohemi që shoqëria jonë qëndron e re, sepse po plakemi gramatikisht.” /The Washington Post, Periskopi

30 refugjatë që nuk arritën të ktheheshin kurrë në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Shumë shqiptarë nga Kosova u detyruan t’i braktisin vatrat e tyre për të shpëtuar nga masakrat e luftës së ’99-s.

Fëmijë, gra dhe pleq 20 vjet më parë kaluan kufirin pa ditur se ku do të strehohen.

E për ta i hapën dyert shqiptarët e Maqedonisë.

Abil Idrizi nga Forina kujton ditët e vitit ’99 kur në shtëpinë e tij u strehua një familje kosovare, ndërsa ende i ruan fotot e asaj kohe.

“Atëherë në shtëpinë tonë u sistemua familja Brahimi, familja e Muj Brahimit nga Ferizaj ku ishte kryefamiljari me të shoqen dhe tre fëmijët e vegjël Besnikun, Bekimin dhe vajzën, ato qëndruan deri në kthimin e refugjatëve, që do të thotë nga mesi i qershorit”, deklaroi Abil Idrizi.

Në këtë hapësirë u hap edhe kampi i refugjatëve që gjendet në fshatin Çegran dhe Forinë të Gostivarit, ndërsa u strehuan mbi 57 mijë shqiptarë të Kosovës.

Jo të gjithë u kthyen në shtëpitë e tyre pas luftës.

23 kosovarë nga sëmundjet që kishin marrë rrugës, nuk munden të kthehen në shtëpitë e tyre dhe ndërruan jetë në fshatin Çegran, ku edhe u varrosën. 7 të tjerë ndërruan jetë në fshatin Forinë.

Kryetari i Bashkësisë Lokale në Çegran, Sabri Bafqari thotë se mes tyre ishte edhe një vajzë 6 muajshe, raporton TV21.

“Muhamed Ramadani i cili ka qenë nga Lugina e Preshevës në atë kohë ka qenë këtu në vendqëndrim në kampin e Çegranit bashkë me familjen, që për fat të keq i sëmuret vajza dhe kishte temperaturë të lartë. Mihrija e vogël që mund të them ishte një nga rastet e shumta e cila sëmuret nga temperaturat e larta e dorëzuan në spitalin e Tetovës, ku për fat të keq ndërroi jetë”, tha Kryetari i Bashkësisë Lokale në Çegran, Sabri Bafqari.

Për nder të atyre që nuk mund të kthehen të gjallë në vendin e tyre, Bashkësia Lokale në Çegran, në korrik të këtij viti do të organizojë një manifestim dhe vizitë tek varrezat e shqiptarëve nga Kosova që vdiqën në Çegran dhe Forinë.

“Këtë manifestim që ne e kemi marrë përsipër që ta organizojmë do të jetë në fund të muajit maj apo në fillim të muajit korrik, për çka në mënyrë plotësuese do të informojmë opinionin. Dhe është një manifestim ku ne kemi paraparë që të organizojmë vizitë të varrezave të vëllezërve kosovarë që ndërruan jetë në Kampin e Çegranit”, tha  Fadil Xhelili.

Në luftën e Kosovës u dëbuan 800 mijë shqiptarë nga territoret e tyre, u vranë 15 mijë persona.

 

Historia e refugjatit që u lind rrugës për në Evropë përlot botën

Periskopi.com Lajme

Historia e Sem, vogëlushit pak ditësh, i ardhur në jetë pak orë para se nëna e tij të nisej me gomone nga Libia drejt Evropës, ka përlotur botën në këto ditë prag festash.

Sem dridhej nga i ftohti, nuk kishte asnjë rrobë mbi trup, me njolla gjaku të ngrira mbi kokë e kurriz e me kordonin e kërthizës të prerë aq keq, kur u gjet nga vullnetarët e anijes spanjolle Open Arms, që sapo kishin shpëtuar në ujërat e Mesdheut një gomone gjysmë të mbytur e me dhjetëra emigrantë në bord.

“Ishte kaq i vogël kur e mora në duar sa nuk besoja. Po të qëndronte dhe një ditë tjetër në det me siguri që nuk do të mbijetonte,” rrëfen Jak, një nga anëtarët e personelit të anijes.

Në mes të errësirës e detit Jak e vullnetarët e tjerë thërrasin në të gjithë gjuhët e botës ; “Kids, enfant, bebe, fëmijët më parë fëmijët, na jepni më parë fëmijët” e zgjasin duart në atë gomone pothuajse të mbytur mes syve të trembur që presin të hipin sa më parë në bordin e anijes së tyre të shpresës.

Jak rrëfen se pas thirrjes së tij, emigrantët në gomone i hapin rrugë një gruaje që mbante diçka në një rreckë të hollë në duar.

“E pabesueshme kur pamë se nën atë duar ishte Sem, i ardhur në jetë vetëm pak orë më parë”, thotë ai, transmeton oranews.

Nëna e Sem quhet Sali, e cila e solli në jetë me nxitim vetëm pak orë para se gomonia të lundronte në Mesdhe drejt Evropës e shpresës së tyre për të jetuar.

Sali nuk mund të rrezikonte që të kthehej përsëri në burgjet e trafikantëve në Libi.

Vullnetarët e Open Arms e autoritetet malteze bënë të mundur transferimi me urgjencë me helikopter të Sem e Sali në spitalin e Matter Dei të Valletës. Sem duhej shpëtuar, temperaturën e trupit e kishte nën 34 gradë e kishte nevojë për kujdesin e një strukture të specializuar pediatrike.

Sem u bë simbol i një viti që po mbyllet e që vazhdon të lë pa pa zgjidhje një nga krizat më të mëdha të këtij shekullit, emigracionin. Historia e Sem e Sali është historia e dhjetëra mijëra emigrantëve të mbijetuar ndërsa kapërcejnë Mesdheut, por dhe të qindra të tjerëve që nuk ja dolën dot e që në këtë prag Krishtlindjesh merr frymëzimin hyjnor të shpresës. rilindjes e jetës.

Janë mbi 300 emigrantë të shpëtuar gjatë orëve të fundit në Mesdhe e anijet e organizatave humanitare lundrojnë nga një breg evropian në tjetrin, në pritje të një porti për t’u zbarkuar.

Italia vazhdon të ndjek politikën e porteve të mbyllura. Sam e nëna e tij Sali nuk u pranua të mbërrij në Itali e bashkë me të dhe qindra emigrantë të tjerë./Periskopi

Sirianë, palestinezë e irakianë – Çfarë kushte kanë refugjatët në qendrën e Azilit në Kosovë

Periskopi.com Lajme

(Foto e përdorur në artikull: Ilustrim) 

Qendra e Azilantëve në Magure të Lipjanit është e vetmja në Kosovë ku akomodohen azilantë nga e gjithë bota. Drejtori i Qendrës së Azilit, Fitim Zariqi në një intervistë për Periskopin ka thënë se shumica prej refugjatëve vijnë nga Lindja e Mesme, kryesisht nga vendet ku zhvillohet luftrat. Zariqi tregon edhe për procedurat e akomodimit të azilantëve, trajtimin e tyre, kushtet në qendër e detaje të tjera.

Periskopi: Si funksionon Qendra e Azilit këtu në Magure?

Fitim Zariqi: Qendra e Azilkërkuesve në Magure, siç dihet është për pranimin dhe strehimin e azilkërkuesve në Kosovë, ose të atyre që parashtrojnë kërkesë për azil në Kosovë. Fillimisht ata paraqiten pranë Policisë së Migracionit ose kudo në stacionin policor në Kosovë ose edhe në kufi. Dhe Policia e Migracionit është e mandatuar që  t’i marrë gjurmët e gjishtërinjve. Pas kësaj procedure, i sjellin në qendrën për Azil. Pastaj Qendra për Azil njofton për të drejtat dhe detyrimet e aplikuesve. Kështu u ofron ushqim, veshmbathje, pako higjienike, kurs të gjuhës shqipe, kur të kompjuterëve. Qendra është  e tipit të hapur. Prej 7:00 deri në orën 22:00 kanë të drejtë të lëvizin jashtë qendrës. Të hyjnë dhe të dalin pra. Azilkërkuesit pajisen me një letërnjoftim për azil dhe një certifikatë për azil. Aktualisht i kemi rreth 45 azilkërkues. Kjo shifër nuk duhet marrë si jo e lëvizshme sepse çdo çast mund të ndryshojë dhe tani kur po flasim ka edhe kërkesa të reja që të hyjnë në qendrën e Azilit dhe kemi ardhje, dhe kemi edhe largime ndërkohë. Kështu që tani për tani i kemi 45 kërkesa për azil. E sa i përket për kët vit, nga janari e deri më tani i kemi 458 kërkesa për azil, që nënkupton se ka një rritje të madhe në krahasim me vitin 2017, që kemi pasur 147 kërkesa për azil.

Periskopi: Ju thatë që ka edhe të tillë që largohen, dalin jashtë qendrës dhe nuk kthehen më. Çka ndodh me ata refugjatë?

Fitim Zariqi:  Sipas rregullores së qendrës, ata janë të lirë ta dalin prej orës 07:00 deri 22:00, dhe në rast se nuk kthehen deri në orën 22:00, qendra lajmëron Policinë e Migracionit. Njofton Departamentin për  Shtetësi, Azil dhe Migracion që një aplikues nuk është kthyer, ose disa aplikues nuk janë kthyer në qendër dhe nuk dihet vendndodhja e tyre. Në rast se Policia i kthen në qendër, sigurisht që ata nuk kanë të drejtë të dalin përmes pikave kufitare zyrtare, por me një fjalë ata largohen në mënyrë ilegale sikurqë edhe vijnë në Kosovë. Kryesisht kemi pasur nga territori i Shqipërisë që janë futur në Kosovë. Pra në bazë deklarave që kemi nga ta, kanë lëvizë prej vendit të origjinës, përmes Turiqisë, Greqi pastaj në Shqipëri, ose përmes Maqedonisë në Kosovë.

Periskopi: Prej cila vendeve vijnë më së shumti dhe përmes cila rrugëve?

Fitim Zariqi: Pra shumica prej tyre vijnë në rrugë ilegale dhe pastaj ose takohen nga Policia e Kosovës, ose paraqiten në ndonjë stacion policor dhe kërkojnë azil. Për sivjet, prin dmth Siria, ku kemi dikund 199 kërkesa nga Siria, pastaj vijnë të tjerat me radhë siç është Palestina, Pakistani, Iran, Irak etj. Pra kemi dikund prej 19 shtete të ndryshme që kanë kërkuar azil në Kosovë. Kryesisht janë prej vendeve ku zhvillohen luftrat, ose më mirë me thënë azilkërkuesit e Kosovës pra ata që kërkojnë azil deklarohen se shtypen të drejtat e tyre dhe liritë e njeriut. Në vitin 2017 i kemi pasur 147 kërkesa për azil ndërsa tani i kemi, për këtë vit dmth i kemi 458 kërkesa përazil që nënkupton se ka një rritje bukur të madhe në krahasim me vitin e kaluar.

Periskopi: E pse kjo rritje bash tash?

Fitim Zariqi: Sipas vlerësimeve tona, sepse ruta ka ndryshuar, pra kanë lëvizur përmes Maqedonisë e pastaj një kohë kanë lëvizur përmes Malit të Zi, pra Shqipëri, Mal të Zi dhe tutje. Kurse Mali i Zi kohëve të fundit sipas vlerësimeve i ka shtrenguar kufijtë e tij dhe në gjetje e sipër, aplikuesit kanë lëvizje prej Shqipërisë në Kosovë. Pra ky është një vlerësim që e kemi bërë ne, duke u bazuar në deklaratat e azilkërkuesve.

Periskopi: Cila është mosha mesatare e tyre, a ka më shumë të rinj apo edhe të moshuar?

Fitim Zariqi: Kryesisht mosha sillet rreth 30 vjeç, sepse ata rrugëtojnë të vetëm dhe ka vështirësi gjatë rrugëtimit të tyre prej Greqisë dhe vendeve tjera, por këto rrugë kryesisht i marrin djemtë e rinj që janë rreth 300 vjeç, që është mosha që ne e kemi si statistikë kështu.

Periskopi: Po në këtë qendër, a ofrohen të gjitha kushtet për jetesë?

Fitim Zariqi: Ne u ofrojmë të gjitha kushtetet sipas standardeve që kërkohen për azil. Pra siç thashë, gjithë shërbimet i kanë falas . Orojmë prej ushqimit, veshëmbathjes, pako higjienike, pastaj kurse të ndryshme, shërbime mjekësore dhe juridike, psiko-sociale etj, që ofrohen nga qendra për Azil.

Sigurisht më bashkëpunim edhe me organizatat tjera ndërkombëtare dhe vendore, gjithashtu edhe organizata tjera.

Periskopi: A marrin edhe ndihma financiare?

Fitim Zariqi: Aplikuesit i marrin edhe disa ndihma financiare nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Pra ne si qendër për Azil aplikojmë në emër të azilkërkuesve, pastaj MPMS ua ndan një buxhet individual ose familjar, sipas ligjit për skema sociale. Pra për një person është 50 euro, për familje sillet dikund rreth 75 euro dhe mundësi progresive nëse ka anëtarë më shumë në një familje. Pra mbërrin deri në 130 euro.

Periskopi: Pra ju e përmendët që kanë të drejtë të qëndrojnë edhe jashtë qendrës. A ka pasur raste kur ata janë përballur me ndonjë situatë të pakëndshme ose edhe kanë shkaktuar ndonjë problem?

Fitim Zariqi: Sipas të disa të dhënave që kemi, ka raste që ata kanë shkaktuar ndonjë telashe dikund. Ndonjë vjedhje, po e them kështu. Por që ka ndërhyrë Policia dhe është marrë me këto arsye. Pra me gjithë rastet kur ata shkelin rregullat ose ligjin, me ta merret Policia.

Periskopi: Duke u bazuar në deklaratat e tyre, çfarë keni vërejtur. A kanë synim për të qëndruar në Kosovë, për të kërkuar leje qëndrimi të përhershëm apo duan të marrin rrugë për ndonjë vend tjetër?

Fitim Zariqi; Sipas deklaratave të tyre, ne kemi bërë vlerësimin dhe shumica nga ta kanë shprehur se do të vazhdojnë rrugën për në vendet perëndimore. Për në vendet më të zhvilluara. Por ne nuk mund t’ua mohojmë azilin sepse Ligji e thotë se çdo person që nuk është shtetas i Kosovës, ka të drejtë të parashtrojë kërkesë për Azil, si dhe nëse i plotëson pastaj disa prej kritereve që kërkohen me ligj. Shumica prej tyre, sipas vlerësimit  e shfytëzojnë Kosovën si vend transit, për të shkuar në vene tjera, sikurse që i shfrytëzojnë edhe vendet e tjera të Ballkanit. Sepse nuk qëndrojnë as në Shqipëri, as Maqedoni e as në Mal të Zi. Qëllimi i tyre është Evropa.

Sipas Ligjit, çdo person mund të kërkojë azil në kufi, në stacion policor, te gjtihë këta i trajton Policia e Emigrcionit fillimisht, ku thash se mbush formularin inicial, i mer shenjta e gishtërinjve, bën fotografimin dhe pas kësaj procedure, i sjell në Qendrën për Azil që nënkupton se ata duhet pastaj të akomodohen dhe t’u ofrohen gjitha shërbimet që i ceka.

Periskopi; Para disa ditësh Periskopi ka raportuar madje ka siguruar edhe pamje teksa mbi 20 refugjatë nga Siria kanë mbërritur rreth orës 2 të natës në Prishtinës. Si janë procedurat. Ku shkojnë së pari këtë refugjatë

Fitim Zariqi: Ata së pari kanë ardhur tek Policia e Emigracionit në Prishtinë , disa kanë ardhur, sepse nuk janë veç ata, por ka pasur edhe tjerë brenda këtyre ditëve. Pra kanë qenë 28 të premten dhe të shtunën, nëse është fjala për këto grupe, kanë qenë 17 nga Siria, Palestinë kanë qenë pesë, Marok 3 dhe Irak 3. Shumica prej tyre kanë qenë individual , ka edhe prej tyre që janë mes vete farefis dhe të gjithë janë trajtuar nga Policia fillimisht, pastaj janë sjellur në Qendër dhe ne pastaj i kemi trajtuar sipas procedurave.

Periskopi: A keni informacione, përmes cilave rrugë kanë ardhur këtu?

Fitim Zariqi: Disa nga ta thonë që kanë ardhur nga Shqipëria, e disa thonë se nga Maqedonia, Ne jemi dukebbërë vlerësimin, sepse vazhdimisht i pyesim. Disa prej tyre edhe nuk e thonë të vërtetën. Por ne duhet ta marrim ashtu si e thonë pastaj vijnë procedurat, ose është faza e intervistimit ku zyrtarët e Azilit i intervistojnë secilin veç e veç dhe vijnë deri tek një e vërtetë, sepse shumë prej tyre nuk e thonë të vërtetën meqë nuk kanë dokumente, kryesisht identiteti është fjala. Thonë identitet tjetër prej asaj që vërtetë kanë. Shumica prej tyre s’kanë , mund të them lirisht, dikund rreth 80% nuk kanë dhe vijnë pa dokumenta, Pra i japin të dhënat ashtu siç i deklarojnë.

Ne bëjmë intervistime për secilin veç e veç dhe shprehen se janë të kënaqur, megjithatë nuk janë edhe fort të interesuar t’i marrin shërbimet që ua ofrojnë sepse themi që shumica prej tyre qysh në start deklarojnë se nuk do të qëndrojnë këtu. Kemi raste që mësuesja e kursit të gjuhës shqipe se kursi dhe shërbime tjera ofrohen , por shumica prej tyre nuk marrin pjesë .

Periskopi: Përveç ushqimit, furnizimit me rroba e elemente tjera, çka u ofrohet tjetër azilantëve këtu në qendër?

Fitim Zariqi: Qendra për azilkërkues në kuadër të vetë ka departamente, ka dhoma individuale, ka dhoma me 4 persona, 5 persona. Pastaj është biblioteka në kuadër të qendrës. Është një kënd lojrash për fëmijë. Është brenda objektit të qendrës. Është salla e kompjuterëve. Salla e mësimit ose leximit ku mbahet edhe kursi i gjuhës shqipe pastaj janë edhe fushat në hapësirat e jashtme, siç është e basketbollit, futbollit, pastaj është këndi i lojrave jashtë qendrës dhe në disa pjesë, kënde rekreacioni për azilkërkues.

Ka prej tyre, por shumë pak. Sepse kursi kuptohet ofrohet që t’i ndihmojë atyre, të mësojnë gjuhën shqipe dhe t’ju hyjë në punë në marrjen e statusit të Azilit dhe të integrojnë nesër në shoqëri, por që po thonë se nuk jemi të interesuar të qëndrojmë në Kosovë. Ne nuk i detyrojmë dot sepse është e drejtë e tyre që të mos marrin pjesë.

Perisopi; A u ofrohet mundësi punësimi azilantëve?

Fitim Zariqi: Azilkërkuesit sipas Ligjit nuk kanë të drejtë të punojnë në Kosovë. Sepse janë në fazën e intervistimit dhe në rast të dhënies së statusit, iu ipet e drejta e punës.

Sipas Ligjit, dhënia e statusit është gjashtë muaj, plus 3 mua. Dmth 9 muaj. Prandaj në këtë fazë nuk ka ndodhur që të punojnë dhe nëse statusi vonohet për arsye ligjore, atëherë mund të jepet e drejta e punës edhe pa e marrë statusin.

Periskopi: Po fëmijët, ku e kryejnë shkollimin?

Fitim Zariqi: Sipas Ligjit për Azil, çdo  fëmijë azilkërkues duhet të regjistrohet në shkollë brenda 3 muajve. Qendra për Azil aplikon në njërën nga shkollat më të afërta dhe regjistrohen në këto shkolla. Duhet të themelohet një komision Ad-Hoc dhe t’ua caktojë klasën.

 

 

Mbytet anija me refugjatë, u nis nga brigjet turke

Periskopi.com Lajme

Një varkë me refugjatë, e cila ishte nisur nga brigjet e Dikilit në Turqi drejt portit të Mytilene në Greqi është mbytur, raportojnë mediat turke.

Sipas asaj që është bërë e ditur, 10 njerëz janë zhdukur, ndërsa dy nga pasagjerët e varkës kanë arritur të kthehen në bregun turk me not.

Rojet bregdetare turke po kryejnë kërkime për 10 personat e mbytur.

Bosnja merr masa për të parandaluar “krizën” e migrantëve

Periskopi.com Lajme

Bosnja ka nisur marrjen e masave për të parandaluar atë që Kombet e Bashkuara kanë palajmëruar se mund të kthehet në “krizë humanitare” për mijëra migrantë, të cilët pavarësisht uljes së temepraturave kanë vazhduar të jetojnë në ambient të jashtëm duke shpresuar se do të mund të depërtojnë në vendet e Bashkimit Evropian.

Policia boshnjake ka thënë më 30 tetor se ata kanë dërguar me autobusë dhjetëra migrantë që kanë jetuar në kufi me Kroacinë, në një qendër të migrantëve në veriperëndim të Bosnjës.

Bosnja është kthyer këtë vit në territorin kryesor të rrugëtimit të migrantëve në synimin e tyre për të arritur BE-në, kryesisht nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika. Autoritetet boshnjake kanë thënë se 20,000 persona nga Iraku, Irani, Siria, Pakistani, Afganistani dhe vende të tjera kanë udhëtuar në territorin e Bosnjës këtë vit.

Mirëpo Bosnja, shtet që përballet me probleme ekonomike dhe politike nuk ka pasur shumë interesim për të mirëpritur këta vizitorë. Bashkimi Evropian i ka ofruar ndihmë këtij shteti për t’u përballur me fluksin e migrantëve, megjithatë, Bosnja ka qenë e ngadalshme në hapjen e qendrave të pranimit.

Në anën tjetër shumë migrantë kanë treguar se kanë udhëtuar me vite të tëra me synimin për të arritur në vendet e BE-së. Mohsin, 27 vjeçar nga Pakistani, i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP se është duke planifikuar të largohet nga qyteti Bihaq, duke shpresuar se do të arrijë në Itali para se të afrohet dimri.

“Kam tentuar tri herë, por nuk kam pasur fat. Më kanë zënë dy herë në Kroaci dhe herën e fundit në Slloveni, pas shtatë ditësh që kam ecur në këmbë”, ka thënë ai.

Në këtë qytet është raportuar se rreth 200 migrantë kanë arritur në baza ditore, çka ka rezultuar me rritje të tensioneve nga ana e banorëve lokalë. Policia e këtij shteti ka njoftuar javën e kaluar se nuk do të lejojë më shumë persona në veriperëndim të Bosnjës, duke dërguar të paktën 700 persona në Sarajevë.

 

Aksident trafiku në Greqi, digjen të gjallë 11 persona

Periskopi.com Lajme

11 refugjatë kanë gjetur vdekjen në një aksident rrugor në Greqi.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 5 të mëngjesit të së shtunës në Kavala.

Makina ku udhëtonin 11 emigrantët është përplasur me një kamion. Nga përplasja e fortë, të dy automjetet kanë shpërthyer në flakë.

11 viktimat mbetën të bllokuar në makinë duke u djegur të gjallë.

Sipas vlerësimeve të para të Departamentit të Trafikut të Kavalës, shoferi i furgonit për shkak të shpejtësisë së lartë ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me kamionin.

Për shkak të djegies së trupave, policia nuk mund të identifikojë viktimat, ndaj ka kërkuar një ekzaminim mjeko-ligjor dhe analizat e ADN-së.

Shoferi 39-vjeçar i kamionit në pronësi të një shtetasi grek, me banim në Karyanis Kavalas, mbeti i plagosur lehtë.

 

Shqipëria vërshohet nga refugjatët, pesëfishohet numri i tyre

Periskopi.com Lajme

Shqipëria është kthyer në një rrugë të re kalimi për refugjatët që vijnë ekskluzivisht nga Lindja e Mesme.

Destinacioni i tyre është Mali i Zi, ku kalimi në këtë vend realizohet nga pika e kalimit të Hanit të Hotit, por edhe nga Tropoja, nëpërmjet maleve për në Plavë e Guci, shkruan sot Koha Ditore.

Të dhënat më të fundit nga Organizata Ndërkombëtare e Migrimit (IOM) tregojnë se gjatë 2018-s në Shqipëri janë konstatuar nga autoritetet vendase plot 1698 refugjatë, ose 5 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të mëparshëm.

Të dhënat tregojnë kështu qartë se Shqipëria është kthyer në një rrugë të re kalimi për refugjatët që vijnë ekskluzivisht nga Lindja e Mesme. Në Shqipëri 50% e refugjatëve të ardhur janë nga Siria, ndërsa ndjekin pas edhe Afganistani me Irakun.

Pavarësisht se bëhet fjalë për një rritje të ndjeshme të numrit të refugjatëve, të dhënat duket se sinjalizojnë edhe një fenomen tjetër, atë të kalimit të paligjshëm të kufirit.

Policia kroate brutale ndaj refugjatëve të bllokuar në Bosnjë (Foto)

Periskopi.com Lajme

Velika Kladusa e Bosnje Hercegovinës në kufi me Kroacinë është vendi që shumë refugjatë palestinezë, afganë, pakistanezë e sirianë janë bllokuar.

Ata po jetojnë në kushte shumë të rënda higjienike.

Rrahje brutale, telefona të shkatërruar, kontrollim i rreptë nëpër trup për t’iu gjetur armë dhe vjedhje parash, ishin disa nga përvojat brutale me të cilat u përballen refugjatët dhe emigrantët me policinë kroate.

Ky abuzim iu bëhet, thonë ata, gjatë përpjekjeve për të kaluar përmes Kroacisë në Gjermani.

Bosnja po shihet si një rrugë e re drejt Europës Perëndimore, pasi BE i shtrëngoi masat për kalimin e kufijve.

Këtë vit, më shumë se 13 mijë refugjatë dhe emigrantë kanë arritur deri tani në vend, krahasuar me vetëm 755 në vitin 2017.

Në Velika Kladusa, qyteti më perëndimor i Bosnjës pranë kufirit kroat, qindra njerëz kanë jetuar në tenda të improvizuara në një fushë për katër muajt e fundit.

Gjatë natës, fillon “loja”, një term i përdorur nga refugjatët dhe emigrantët për udhëtimin me plot sfida, kur ata synojnë të shkojnë në BE përmes Kroacisë dhe Sllovenisë e që nënkuptojnë udhëtime të vështira nëpër pyje e duke kaluar nëpër lumenj.

Megjithatë, shumë prej tyre janë kapur në Slloveni ose Kroaci dhe janë të detyruar të kthehen në Bosnjë nga policia kroate, të cilët patrullojnë kufijtë e tyre si pjesë e BE-së.

Të 17 refugjatët dhe emigrantët e intervistuar nga Al Jazeera thanë se janë rrahur nga policia kroate, disa me shkopinj e të tjerë janë goditur rëndë.

Sipas dëshmive të tyre, policia kroate ka vjedhur gjëra me vlera dhe para nga ata, ia ka marrë pasaportat dhe ka shkatërruar telefonat celularë, duke penguar komunikimin e tyre dhe rrugën drejt BE-së.

Cili ishte destinacioni i refugjatëve të cilët po kontrabandoheshin nga vozitësi serb?

Periskopi.com Uncategorized

7 emigrantë në mesin e tyre pesë pakistanezë dhe dy afganë të cilët u kapën të enjten në terminalin doganor në Prishtinë. Por cili ishte destinacioni i refugjatëve të cilët po kontrabandoheshin nga vozitësi serb?

17 vjeçari Ibrahim Ahmed nga Afganistani i ra punë të vijë në Kosovë pasi të enjten u kap duke u transportuar ilegalisht bashkë me gjashtë veta të tjerë.

Ata u zunë brenda një kamioni në Prishtinë të cilin po e ngiste një shtetas i Serbisë.

Pesë prej tyre janë pakistanezë kurse tjetri bashkëkombas i Ahmed.

Te gjithë kishin msyer Gjermaninë si refugjatë ku afgani shpresonte të bashkohej me axhën e tij.

Refugjatët nga vendet e largëta të Azisë kishin qëndruar një kohë të gjatë në Greqi nga ku mësyen Perëndimin përmes Kosovës.

Ndonëse u kap në Prishtinë Ahmed nuk e ka ndërmend të qëndrojë gjatë në Kosovë.

Ai thotë se në mundësinë e parë do të largohet.

Zyrtarët nga Ministria e Punëve të Brendshme thanë se këta shtatë persona kërkuan azil në Kosovë.

Përshtypjet e para që lanë ishin të mira.

Aktualisht në qendrën e azilkërkuesve në Magurë janë 34 të akomoduar.

Ky numër është më i lartë se ai i vitit të kaluar.

Qendra është e pajisur me dhoma për banim, kuzhinë, bibliotekë dhe hapësirë për rekreacion.

 

Në kërkim të strehimit

Periskopi.com Lajme

Në kufirin e Mianmarit dhe Bangladeshit, familjet e refugjatëve marrin strehim brenda gypave të betonit të madh.

Ata janë anëtarë të Rohingya, një grup njerëzish në Myanmar që vuajnë persekutim ekstrem.

Deri në maj 2018, pothuajse një milion Rohingya kanë ikur nga Myanma për të kërkuar strehim në Bangladesh. Foto e realizuar nga National Geographic.

Italia akuzohet se ka shkaktuar vdekjen e refugjatëve

Periskopi.com Lajme

Italia ka hedhur poshtë kritikat se po ndjek politika të ashpra ndaj imigracionit, pas protestave para Ministrisë së Brendshme italiane me thirrjet se autoritetet italiane janë përgjegjëse për vdekjen e refugjatëve në det. Roma nuk lejon organizata joqeveritare, apo anije të shoqatave humanitare të zbarkojnë refugjatë në portet e saj. Siç njofton korrespondenti Henry Ridgewell, shifrat e sapo-publikuara tregojnë se politikat e reja italiane kanë rezultuar në uljen e numrit të refugjatëve të mbërritur në Itali, ndërkohë që Spanja është bërë destinacioni numër një për imigrantët që futen në territorin e Bashkimit Evropian.

Protestuesit u mblodhën të mërkurën para Ministrisë së Brendshme në Romë, duke përdorur bojë të kuqe për të ilustruar akuzat e tyre se qeveria italiane i kishte duart e lyera me gjakun e refugjatëve të vdekur.

Protestat lidhen me gjetjen në det të hapur të një anijeje të shkatërruar refugjatësh, nga një shoqatë humanitare spanjolle në ujërat e Libisë. Në anijen e shkatërruar ishin trupat pa jetë të një gruaje dhe një fëmijë; një grua tjetër u shpëtua gjallë. Shoqatat akuzojnë rojen bregdetare libiane se i kishte braktisur refugjatët:

“Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e pengimit të punës së shoqatave humanitare për të shpëtuar jetë në Mesdhe. Ky është rezultati,” thotë Oscar Caps, drejtor i shoqatës “Proactiva Open Arms”.

Qeveria italiane, një koalicion mes partisë së ekstremitë të djathtë Liga e Veriut dhe lëvizjes populiste Pesë Yjet, ka bllokuar qasjen e anijeve humanitare në portet italiane.

Në fillim të javës Italia u imponoi pesë vendeve të tjera evropiane të strehonin 450 imigrantë të shpëtuar në det, pasi Roma nuk pranoi fillimisht t’i lejonte të zbarkonin në porte italiane. Ministri i brendshëm italian shkruante në Twitter: Qeverisja koherente dhe pa-kompromis jep rezultat”.

“Unë synoj t’i shpëtoj të gjithë. T’i shëroj të gjithë. T’i ushqej të gjithë. Por nuk dua të lejoj që të gjithë të vijnë në Itali,” tha Ministri i Brendshëm, Matteo Salvini.

Shifrat e publikuara nga agjencia e BE-së për Kufijtë, Frontex, tregojnë se tre mijë refugjatë përdorën korridorin detar drejt Italisë dhe Maltës muajin e kaluar, ose 87% më pak se në qershor 2017.

“Shifrat kishin rënë shumë edhe nën qeverinë e mëparshme si rezultat i disa marrëveshjeve mes Italisë dhe Libisë. Në fakt numri i refugjatëve që mbërrinin në Itali kishte rënë shumë. Tani politika që ndalon zbarkimin e refugjatëve nga anije të organizatave humanitare po e thellon këtë rënie. Për më tepër, ka rezultuar në një fitore të fortë politike për Ligën e Veriut, sidomos nga fakti që disa vende të tjera evropiane po detyrohen të pranojnë refugjatët që mbërrijnë në Itali,” thotë Luigi Scazzieri i Qendrës për Reforma Evropiane.

Kombet e Bashkuara thonë se një në shtatë refugjatë që është përpjekur të kalojë Mesdheun është mbytur që kur Italia mbylli portet për anijet humanitare. Ky qëndrim i prerë ka ulur numrin e refugjatëve, por me një kosto të lartë fatale. BE-ja po përpiqet të gjejë një zgjidhje, thotë zoti Scazzieri.

“Idetë që po diskutohen aktualisht janë aplikimet për azil jashtë territorit të BE-së, forcimi i rolit të Frontex-it, si dhe ndarja e barrës mes anëtarëve të BE. Ndërkohë që vazhdojnë diskutimet, vazhdon edhe paqartësia mbi ndikimin e politikave italiane”.

Spanja tani ia ka kaluar Italisë si vendi që pranoi numrin më të madh të refigjatëve në qershor me 6400 vetë. Por nuk ka gjasa që Spanja të bëhet një destinacion kryesor.

“Që Spanja të bëhet destinacion kryesor, refugjatët duhet të nisen nga Maroku, por ky nuk është një shtet thuajse i dështuar si Libia,” thotë zoti Scazzieri.

Në total numri i imigrantëve të paligjshëm që u futën në BE në gjysmën e parë të 2018-tës arriti në mbi 60 mijë vetë, duke shënuar një rënie prej afro 50% krahasuar me numrin e regjistruar një vit më parë.