Njoftimi që Palaui ia dërgoi Serbisë ku i tregon se po shqyrton çnjohjen e Kosovës

Periskopi.com Lajme

Republika e Palauit do ta shqyrtojë vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Kështu shkruan në notën që kryetari i Palauit Tomi Remenges ia ka dorëzuar sot ministrit serb të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq.

Në notë, siç përcjell; b92, theksohet se ky shtet ka marrë vendimin që sërish ta shqyrtojë pozicionin e vet lidhur me statusin e Kosovës, transmeton Koha.net.

Thotë se Republika Palaui konsideron se do të duhej që në të ardhmen të përkrahet dialogu Serbi – Kosovë me ndërmjetësim të BE-s.

“Në ndërkohë Republika Palaui suspendon të gjitha vendimet paraprake dhe deklaratat lidhur me statusin e Kosovës”, theksohet në notë.

“Pas shqyrtimeve hulumtimeve dhe bisedave të gjera, Republika Palaui shqyrton qëndrimin e vet sipas të cilit Kosova njihet shtet i pavarur. Në këtë kuptim Republika Palaui mendon se përkrahja e saj për zgjidhjen e statusit të ardhshëm duhet të jetë përkrahja e dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës me ndërmjetësim të BE-së dhe jo përcaktim të statusit para se të përfundojë dialogu… Në ndërkohë Republika Palaui suspendon të gjitha vendimet paraprake ose deklaratat lidhur me statusin e Kosovës”, thuhet në notën e që kryetari i këtij shteti e ka dorëzuar sot në Beograd .

Daçiq me këtë rast ka thënë se Palaui është shteti i 13 që e ka rishqyrtuar qëndrimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe ka theksuar se Kosovën mund ta kenë njohur më së shumti 101 shtete.

 

Republika e Palauit tërheq njohjen ndaj Kosovës?

Periskopi.com Lajme

Ofensiva e diplomacisë serbe kundër Kosovës po vazhdon edhe më tutje.

Klan Kosova mëson se Republika e Palauit ka tërhequr njohjen që ia kishte bërë shtetit të Kosovës 9 vjet më parë.

Ky burim thekson se njohja është tërhequr pas një presioni të madh të diplomacisë serbe, i përkrahur nga Rusia.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar sot në një televizion të Beogradit se Serbia ka arritur sukses, duke bindur kështu një shtet të tërheqë njohjen që ia kishte bërë Kosovës, duke mos përmendur emrin e këtij shteti.

Por Klan Kosova mëson se bëhet fjalë për Republikën e Palauit, shtetit ishullor i cili pozicionohet në pjesën perëndimore të Oqeanit  Paqësor.

Klan Kosova ka kontaktuar Ministrinë e Jashtme të Kosovës për ta konfirmuar këtë lajm.

Megjithatë zyrtarët për informim e kanë mohuar një zhvillim të tillë.

Qeveria e Kosovës vendosi sanksione ekonomike ndaj produkteve serbe pas ofensivës diplomatike për tërheqjen e njohjeve të Kosovës nga ana e Beogradit dhe pas lobimit të vazhdueshëm të autoriteteve serbe që çuan deri tek mosanëtarësimi i Kosovës në Interpol.

Diplomacia serbe pretendon se janë 12 shtete tjera që kanë revokuar njohjen, tek sa Ministria e Jashtme e Kosovës e mohon një gjë të tillë.

Por ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli kishte deklaruar se si rezultat i lobimit kundër njohjes së Kosovës, shteti i Ishujve të Marshallit kishte pezulluar njohjen deri në një marrëveshje në dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Republika e Palauit kishte njohur Kosovën më 6 qershor të vitit 2009.