Kërkohet rishikimi i vendimeve të Haradinajt sa ishte kryeministër

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas marrjes se detyrës parasheh rishikimin e vendimeve të marra pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në korrikun e vitit të kaluar.

Ky rishikim vlerësohet se është përgjegjësi e kryeministrit Kurit, nga njohës të rrethanave politike në vend, pavarësisht kostos dhe kohës, por ndryshe thonë vartës të ish-kreut të ekzekutivit.

Haki Shatri, këshilltar i Ramush Haradinajt, në kohën sa ishte kryeministër, ka thënë për Ekonomia Online se ideja e Kurtit për rishikimin e vendimeve është fillim për ndryshim dhe spastrim.

Pavarësisht se tha ai se ato vendime janë marrë duke u bazuar në Zyrën për Legjislacion.

“Është përgjegjësia dhe kompetencë e kryeministrit të ri, ka të drejtë të dyshoj mos janë vendime të padrejta. Çdo vendim që është marrë nga korriku e deri në ditën e zgjedhjeve të Qeverisë së re kanë qenë emergjente të bazuara në bazë të Zyrës për Legjislacion. Le të fillojnë më ndryshime që mund marrin një erë spastrimi”, u shpreh Shatri.

Ai ka folur edhe për prioritetin e Qeverisë se re, atë të heqjes së taksës dhe vendosjes se reciprocitetit, për të cilën shprehu dilemë se Kurti nuk e nënkupton reciprocitetin.

Gjithashtu Shatri theksoi se rishikimi i vendimeve do të ketë pasoja materiale.

“Revokimi i Qeverisë mund të ketë pasoja materiale dhe të rrjedhjes së ngjarjes që lidhen me strukturën që iu kanë destinua këto vendime. Nuk mund të jenë shumë sepse vendimet kanë qenë të matura dhe me një numër të kufizuara”, ka thënë Shatri.

Kurse, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se vendimi i Kurtit për rishikim do të shfuqizojë vendimet që kanë shkaktuar pasoja dhe kanë qenë të dëmshme për vendin.

Ai potencoi se ky rishikim është i ligjshëm, por kërkoi nga Albin Kurti që mos të jetë arbitrar.

“Rishikimi i gjitha vendimeve që janë marrë nga qeveria e kaluar në dorëheqje nëse realizohet është e rëndësishme për të bërë një projektim të gjitha atyre vendimeve që kanë prodhuara pasoja dhe janë të dëmshme për vendin dhe buxhetin e shtetit si dhe mirëqenien e qytetarëve. Procesi i rishikimit është i ligjshëm dhe mund të bëhet, por jo të ketë arbitraritet. Qeveria e kaluar në dorëheqje nuk ka pasur legjitimitet që të marr vendime”, ka thënë ai.

Musliu theksoi se ky rishikim merr kohë dhe kosto. Derisa deklaroi se vendimet e njëjta si ajo e ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit Lumir Abdixhiku janë të drejtat, pasi siç tha ai se ato vendime bien në kundërshtim me ligjin.

Mes tjerash, Musliu tha se vendimet e Qeverisë së kaluar në dorëheqje janë bërë për zhvatje të buxhetit.

“Ky rishikim merr kohë dhe ka kosto sepse angazhimi i stafit duhet të jetë i fokusuar në analizimin e këtyre vendimeve në aspektin ligjor. Këto vendime duhet të shfuqizohen në procedurë ligjore. Pamë që edhe ministri Lumir Abdixhiku njoftoi për marrjen e shfuqizimit të vendimeve që kanë pasur kosto dhe kanë qenë kundërligjshme dhe pa legjitimitet. Paralajmërimet e tij janë të drejta dhe mund të shfuqizohen në procedurë të rregullt ligjore. Vendimet e kësaj natyre mund të shfuqizohen dhe është e drejtë, sepse janë vendime që bien në kundërshtim me ligjin dhe nuk ka pasur fare legjitimitet. Pa pasur miratim të buxhetit, ajo Qeveri nuk ka mundur të marrë vendime të tilla, por ka pasur një stil kaubojski dhe zhvatjes së buxhetit”, ka thënë ai.

Kurse për ish-kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, kjo Qeveri do të jetë ndalim i së keqes dhe përmirësim i situatës në vend.

Gërxhaliu i quajti skandaloze vendimet e Qeverisë së kaluar, andaj tha ai se rishikimi i vendimeve duhet të mbështetet pavarësisht kostos dhe kohës që do të marrë.

“Duhet të themi se është epike të pritet mrekulli në një kohë të shkurtë nga kabineti qeveritar. Suksesi më i madh i kësaj qeverie do të jetë ndalimi i të keqes dhe përmirësimi i situatës aktuale. Ajo që e karakterizon këtë plan për zhvillim në përgjithësi është që prioritet e ka ekonominë”.

“Katër vitet e fundit kanë qenë fatale për Kosovën qoftë në aspektin politik, ekonomik dhe social. Qeveria në largim ka pasur më shumë tentativë për t’i mbuluar epshet e interesave të veta. Vendimet kanë qenë skandaloze që nga dita e parë e deri me tani”.

Ndër të tjera, Gërxhaliu potencoi në të kaluarën më shumë është punuar për pushtet se për shtet.

 

Buxheti nuk rishikohet këtë vit

Periskopi.com Lajme

Vendimi i Qeverisë se Kosovës për mosrishikim të buxhetit për këtë vit po vlerësohet veprim i gabuar nga udhëheqës të Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe ekspertë për çështje ekonomike.Zyrtarë të Qeverisë se Kosovës kanë konfirmuar se nuk do të ketë rishikim të buxhetit, pasi siç thuhet, “buxheti është planifikuar mirë, sa nuk ka nevojë për rishikim”.“Rishikimi i buxhetit nuk është obligim ligjor.

Buxheti është përgatitur në përputhje me planin dhe në harmoni me vizionin qeverisës. Prioritetet dhe objektivat zhvillimore janë orientuar bazuar ne dokumentet strategjike”, thotë për Radion Evropa e Lirë Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave.

Por, ky veprim i Qeverisë se Kosovës do të dëmtojë posaçërisht projektet kapitale te nivelit lokal, thonë udhëheqës të Asociacionit të Komunave të Kosovës, të cilët kanë dërguar një kërkesë në Ministrinë e Financave që të bëhet rishikimi i buxhetit.Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, për Radion Evropa e Lirë thotë se ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje zyrtare nga Qeveria e Kosovës.
Ai e konsideron të nevojshëm dhe të domosdoshëm rishikimin e buxhetit, për siç thotë, menaxhimin dhe realizimin më të mirë të projekteve kapitale.Për shkak të mosrishikimit të buxhetit, Ibrahimi dyshon se në tremujorin e fundit të këtij viti, Qeveria e Kosovës do marrë grantet me vlerë milionëshe të komunave dhe do t’i destinojë ato në nivelin qendror.

Qeveria vendos: Këtë vit nuk do të ketë rishikim të buxhetit

Periskopi.com Lajme

Nuk do të ketë rishikim të buxhetit këtë vit. Kështu ka vendosur Qeveria e Kosovës. Sipas tyre, buxheti deri tani është planifikuar mirë dhe nuk ka nevojë për rishikim.

Por, me ketë qëndrim nuk pajtohet Komisioni për Buxhet dhe Financa. Kryetari i këtij komisioni, Lumir Abdixhiku, thotë se është i habitur me këtë vendim, pasi nuk e di se si do të bëhet mbulimi i shpenzimeve buxhetore pas shpenzimeve multimilionëshe.

Rishikimi i buxhetit për vitin 2017, ka kaluar me debate e shtyrje seancash në mungesë votash.

Ndërsa, këtë vit, qeveria nuk e ka fare në plan rishikimin.

Në një përgjigje të dhënë nga qeveri për KohaVisionin, thuhet se buxheti është planifikuar aq mirë sa nuk ka nevojë për rishikim.
Rishikimi i buxhetit nuk është obligim ligjor. Për këtë vit, buxheti është shumë mirë i planifikuar dhe nuk ka pasur nevojë të ketë rishikim. Të hyrat e përgjithshme janë brenda parashikimeve, shpenzimet janë në përputhje me planifikimin dhe nuk ka nevojë për rishikim.

Por, me këtë vendim nuk pajohet i pari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku.

Sipas Abdixhikut, vendimet e marra për ndarjen e milionave në mënyrë ad-hock dhe arbitrare gjatë këtij gjashtë-mujori, e kanë shtuar nevojën për rishikim të buxhetit.

Për ne mbetet e paqartë se si do të bëhet akomodimi i gjithë shpenzimeve buxhetore brenda buxhetit të tanishëm, pra pa parashikim. Ne nuk e kemi ende të qartë se si do të ndodhë akomodimi i pagave të qeverisë- 10 milionëve shtesë që shtohen nga vendimi për rritjen e pagave bërë vetes; i pagesës skandaloze të 53 milionëve të ndara pa mbulesë për Bechtel Enkan; e i shpenzimeve të tjera multimilionëshe që kjo Qeveri po i shpërndan.

Rishikim të buxhetit me urgjencë po kërkojnë komunat, të cilat po përballen me të njëjtën situatën për të dytën herë me radhë.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, tregon se ky veprim i qeverisë po i dëmton projektet komunale.

Për këtë, ata i janë drejtuar qeverisë dhe Ministrisë së Financave edhe me kërkesë zyrtare, por që deri tani nuk kanë marrë përgjigje.

Ndarja e buxhetit për vitin 2018 është bërë më 31 tetor të vitit të kaluar, ku qeveria vendosi ndarjen e më shumë se 2 miliardë eurove, prej të cilave pritshmëritë ishin për një rritje ekonomike prej 4 për qind.

Por, ky buxhet ka paraparë shpenzime të rritura në paga, mëditje dhe në mallra e shërbime.