Rritja ekonomike nuk përballon fluksin e të rinjve që duan punë

Periskopi.com Lajme

Viti 2019, ishte shpallur si vit i ekonomisë në Kosovë nga qeveria tashmë në largim.

Por, përkundër rritjes prej pak më shumë se 4 për qind, sa e ka prezantuar Qeveria e Kosovës, sipas ekspertëve, në planin ekonomik nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim i madh pozitiv.

Problemet si papunësia, varfëria dhe deficiti i lartë tregtar, sipas ekspertëve, vazhduan të kenë një trend gati të njëjtë me vitet paraprake.

Eksperti i ekonomisë, Naim Gashi në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se viti 2019 nuk mund të quhet si vit i ekonomisë. Sipas tij, rritja ekonomike në Kosovë u mbështet në konsumin e lartë dhe jo në investimet publike e private që ndodhin brenda një ekonomie nacionale.

Kjo rritje ekonomike, thotë Gashi, nuk arriti t’i adresojë problemet ekonomike dhe sociale me të cilat përballet vendi.

“Fatkeqësia më e madhe është se ekonomia e Kosovës edhe pse ka rritje ekonomike prej 4.2 për qind, nuk po arrin të përballojë fluksin prej 23 mijë të rinjve të cilët për çdo vit futen në tregun e punës. Po të mos ishte imigracioni i lartë, Kosova do të përballej me vështirësi edhe më të mëdha ekonomike”, thotë Gashi.

Papunësia në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës gjatë vitit 2019, është 29.6 për qind. Nga mbi 1.2 milion qytetarë të Kosovës, të cilët llogaritet se kanë moshën për punë, të punësuar janë rreth 350 mijë qytetarë.

Një trend tjetër, sipas Naim Gashit, negativ që e ka përcjell ekonominë gjatë viti 2019, është edhe rënia e investimeve të huaja direkte. Ai thotë se ky ishte një indikator që tregon se ekonomia e Kosovës nuk është atraktive për investitorët e jashtëm të cilët siç, thotë Gashi, janë jetikë për rritje afatgjate ekonomike dhe gjenerim të vendeve të reja të punës.

Bilanci negativ tregtar, thekson Gashi, është një problem tjetër që ka përcjellë ekonominë e Kosovës.

“Importi ka tejkaluar 3 miliardë euro dhe kjo tregon që prodhimi vendor nuk po arrin të plotësojë nevojat e konsumatorëve brenda Kosovës dhe paraja e gatshme – “cash” që kryesisht po vjen nga diaspora po shkon në blerjen e mallrave jashtë vendit”, shton Gashi.

Në anën tjetër, Banka Qendrore e Kosovës në konferencën e fundivitit të mbajtur javën e kaluar, e ka vlerësuar vitin 2019 të qëndrueshëm në aspektin financiar.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka bërë të ditur se sektori bankar në vitin 2019 kishte rritje të lartë të kreditimit, përmirësim të kushteve për qasje të sektorit privat në kredi, si dhe rritje të qëndrueshmërisë financiare.

Deri në fund të tetorit 2019, kreditë e sektorit bankar, sipas të dhënave të BQK-së, kanë arritur vlerën prej 2.98 miliardë euro. Burimi kryesor i financimit të aktivitetit të sektorit bankar vazhdojnë të jenë depozitat, shuma e të cilave gjatë kësaj periudhe arriti në 3.75 miliardë euro.

Mehmeti ka thënë se bazuar në vlerësime preliminare, rritja ekonomike për vitin 2019 pritet të jetë rreth 4.2 për qind.

“Kjo rritje ekonomike është e mbështetur kryesisht nga rritja e investimeve dhe përmirësimeve në eksportet neto. Ritëm i ngjashëm i rritjes ekonomike, sipas parashikimeve të BQK-së, pritet edhe në vitin e ardhshëm”, ka thënë Mehmeti.

Në anën tjetër, ekspertët e ekonomisë presin që Qeveria e ardhshme e Kosovës e cilat pritet të krijohet në vitin 2020, të fokusohet në krijimin e një klime të favorshme politike dhe institucionale, forcimin e rendit dhe ligjit dhe përmirësimin e infrastrukturës sa u përket shërbimeve publike.

“Një element tjetër me rëndësi është që duhet të investohet më shumë në sistemin arsimor dhe të bëhet një ndërlidhje e sistemit arsimor me tregun e punës për faktin se ne po kemi mijëra të rinj që po përfundojnë studimet dhe në fakt nuk janë adekuat për tregun e punës në Kosovë”, thotë Gashi.

Buxheti i Kosovës për vitin 2019 ishte 2.3 miliardë euro.

Rritja ekonomike e pamjaftueshme për punësim në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Rritja ekonomike në Kosovë, pavarësisht që është me e larta në rajon, me 4.2 përqind, nuk po përkthehet në rritje të GDP-së. Kështu vendi ynë mbetet i vetmi në Ballkan që nuk shënon rritje në numrin e të punësuarve dhe i vetmi vend me rritje të boshllëkut të fuqisë punëtore mes femrave dhe meshkujve.

Ndërkohë që rritja ekonomike vjen kryesisht nga rritja e investimeve kapitale dhe rritjes së konsumit, si rezultat i rritjes së pagave dhe remitencave stabile, por nuk po përkthehet në vende të punës.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi thotë se  gjendja është edhe më e rëndë, pasi që Kosova jo vetëm që nuk ka pasur rritje të punësimit, por ka shënuar rënie të numrit të të punësuarve.

“Këto shifra, për ne janë të palogjikshme të rritjes ekonomike, duke marrë parasysh se Kosova jo vetëm se nuk ka pasur rritje të punësimit, por ka pasur zvogëlim të numrit të punëtorëve, do të thotë ka rreth 15 mijë veta më pak në vitin 2018 se në vitin 2017 dhe për 6 vitet e kaluara, Kosova e ka rritur numrin e të punësuarve për 7 mijë veta. Rreth 30 mijë veta çdo vit dalin në treg. Kjo është një gjendje shumë e rëndë në Kosovë dhe si rezultat i kësaj jo vetëm që nuk kemi rritje ekonomike, por kemi edhe rritje të importit dhe zvogëlim të eksportit”, shprehet ai.

Krasniqi tregon edhe arsyet që sipas tij, e kanë sjellë ekonominë e vendit në një gjendje të tillë.

“Këto po vijnë si rezultat i mungesës të ofertës së të bërit biznes, ofertës praktike, mungesës së ligjeve të të bërit biznes, mungesës së funksionimit të gjykatave, sepse realisht ne e kemi pasur një Gjykatë ekonomike dhe e kemi hequr, dhe kjo e ka penguar dhe e ka rënduar të të bërit biznes. Detyrimi i shtetit që të paguajë dy paga pune dhe të gjitha këto kanë sjellë këtë gjendje në të cilën jemi, gjendje jo shumë ose hiq e mirë e të bërit biznes”, thotë ai.

Sipas tij, bizneset duhet të bashkohen më shumë për të bërë presion tek institucionet e vendit, për të përmirësuar klimën e të bërit biznes në praktikë.

Se përkundër rritjes ekonomike, vendi nuk ka shënuar ngritje në numrin e të punësuarve, thotë edhe profesori universitar Muhamet Mustafa.

“Kosova derisa nuk e arrin një ritëm të zhvillimit ekonomik në 7 përqind e mbi 7 përqind, nuk do të hetohen efektet pozitive as në krijimin e vendeve të punës, e as në uljen domethënëse të papunësisë, e as në zvogëlimin e deficitit tregtar. Kryesore është që ne të aftësohemi me prodhuar më shumë produkte dhe shërbime në treg edhe për tregun e brendshëm, por edhe për eksportin, sepse ajo gjeneron më shumë investime dhe më shumë vende të punës”, thotë ai.

E kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka e vlerëson pozitivisht rritjen ekonomike, por thotë se janë burimet e paqëndrueshme ekonomike që pamundësojnë krijimin e vendeve të reja të punës.

“Është pozitive që kemi pasur edhe vitin e kaluar një normë të tillë të rritjes ekonomike prej 4.2 përqind. Por, këtë vit është, sikur edhe vitin e kaluar. Kjo normë, nëse kemi parasysh burimet që ndikojnë në këtë rritje ekonomike, nuk mundëson krijimin e vendeve të reja të punës, për shkak se burimet janë goxha të paqëndrueshme. Bëhet fjalë për dërgesat e diasporës ose për remitencat, të cilat përfundojnë në konsum edhe nga investimet e sektorit publik”, shprehet Zeka.

Ai tregon për KosovaPress se çka duhet të bëhet në këtë situatë, dhe mbështetja e institucioneve për prodhuesit vendor, sipas Zekës duhet të ndodhë në mënyrë të vazhdueshme.

“Ajo që duhet të ndodhë është që institucionet të mbështesin edhe më tej prodhuesit vendor qoftë në ngritjen e cilësisë, qoftë në përmirësimin e infrastrukturës, ashtu që ata të mund të eksportonin produktet e tyre në BE dhe në tregjet e shteteve të tjera me të cilat ne kemi marrëveshje për tregti të lirë… Ajo çka duhet të ndodhë që të shohim një rritje të investimeve të huaja direkte dhe shtim të investimeve të sektorit privat në përgjithësi, edhe të investimeve të brendshme edhe të jashtme, që në periudhë afatgjatë do të ndikonin në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në një zhvillim të përgjithshëm dhe të qëndrueshëm ekonomik”, thotë ai.

Sa i përket deficitit tregtar në anën tjetër, Zeka shprehet se mbyllja e vitit të kaluar me një deficit tregtar prej 2.7 miliardë euro, që është mbi 40 përqind e bruto produktit vendor, është reflektim i bazës prodhuese në përgjithësi dhe  reflektim i politikave të gabuara fiskale prej vitit 1999 e tutje.

Kosova dhe Shqipëria me rritjen më të madhe në rajon, sipas FMN’së

Periskopi.com Lajme

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ulur ndjeshëm parashikimin për rritjen ekonomike në Shqipëri gjatë këtij viti.

Në projeksionet e pranverës, FMN-ja vlerëson se ekonomia shqiptare do të rritet me 3.7% në 2019-ën, në ngadalësim të ndjeshëm me vitin 2018-ën, ku rritja vlerësohet në 4.2%.

Sipas Institutit të Statistikave, në vitin 2018, sipas vlerësimeve paraprake, ekonomia e vendit u rrit me 4.06%. Në këtë mënyrë, ekonomia shqiptare ka ndjekur të njëjtën tendencë me ekonominë globale, sidomos me atë evropiane, raporton ScanTV.

Kështu, Fondi Monetar Ndërkombëtar i bashkohet Bankës Botërore, që pak javë më parë deklaroi se parashikon një rritje prej 3.8% për ekonominë tonë gjatë këtij viti. Ndërsa, qeveria shqiptare është treguar shumë më optimiste, duke parashikuar një ekspansion prej 4.3%, gjatë 2019-ës.

Ndërkohë, në krahasim me raportin e tetorit, FMN-ja ka rritur vlerësimin për ekonominë në shqiptare për 2018-ën, nga 4 në 4.2%. Për dy vitet në vijim, pra 2020 dhe 2021, institucioni me bazë në Ëashington parashikon një rritje ekonomike prej 3.9% dhe 4% respektivisht.

Gjithashtu, Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se, inflacioni do të rezultojë në 2.2% për vitin 2019 dhe 2.6% për vitin 2020.

Në vendet e rajonit, rritjen më të madhe në 2019-ën pritet ta regjistrojë Kosova, me 4.2%, më pas Shqipëria me 3.7%, Serbia me 3.5%, Bosnja me 3.1%, Maqedonia e Veriut me 3% dhe Mali i Zi me 2.8%.

Ndërkohë, Eurozona që është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, u ngadalësua më shumë se ç’pritej, sipas FMN-së, si rrjedhojë e dobësimin e besimit konsumator dhe të biznesit, pasigurive mbi politikat fiskale, ngadalësimit të investimeve, sidomos në Itali, protestat në Francë dhe pasiguritë e Brexit. Zona e monedhës së përbashkët pritet të rritet me 1.3% në 2019-ën.

 

Haradinaj: Sivjet do të kemi rritje ekonomike prej 7 për qind

Periskopi.com Lajme

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova ka rritjen më të madhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor prej 4.5 përqind.

Por sipas tij kjo rritje pritet që të rritet edhe më shumë.

“Me ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, nga Countorur Global kjo rritje pritet që të shkojë në shtatë përqind”, ka thënë Haradinaj përmes Tëitter.

“Kjo kontratë prej 1.3 milion eurosh do t’i sigurojë Kosovës pavarësi energjetike”.

 

Rritja ekonomike e Kosovës në tri vitet e ardhshme do të jetë vetëm 4.5 %

Periskopi.com Lajme

Raporti i fundit i Bankës Botërore për ekonominë globale ka parashikuar se Kosova do të ketë rritje ekonomike prej 4.5 për qind në vitet 2019, 2020 dhe 2021.

Rritja ekonomike e parashikuar për vendet tjera të Ballkanit Perëndimor parasheh që Shqipëria të ketër rritje 3.6% në 2019 dhe 3.5% në vitet 2020 dhe 2021; Maqedonia 2.9% në 2019, 3.2% në 2020, 3.3% në 2021, Serbia 3.5% në 2019, 4.0% në vitet 2020 dhe 2021.

Ndërsa Mali i Zi do të ketë rritje ekonomike 2.8% në vitin 2019, 2.5% në vitet 2020 dhe 2021, Bosnja e Hercegovina do të ketë rritje 3.4% në 2019, 3.9% në 2020 dhe 4% në vitin 2021.

Raporti “Gjasat Globale Ekonomike”, i publikuar këtë muaj, parashikon ulje të rritjes ekonomike në botë duke konkluduar se “aktiviteti i zvogëluar ekonomik dhe rreziqet e shtuara po mjegullojnë gjasat globale ekonomike”./Periskopi