Pas pyetjeve të Periskopit, IPKO del me sqarim zyrtar e mundohet të arsyetohet për rrjetin e dobët 4G

Periskopi.com Lajme

Ka disa ditë që konsmatorët e kompanisë mobile “IPKO” po përballen me telashe të shumta për mosfunksionim të rrjetit të internetit. Për këtë, ka disa ditë që Periskopi u ka dërguar pyetje kompanisë për t’i kërkuar sqarim për këto telashe. Por, pyetjet e Periskopit janë injoruar nga zyrtarë të kësaj kompanie. Dhe kur është vërenjtur se vazhdimisht po rritet numri i reagimeve për këto telashe, kompania ka vendosur të dalë me një njoftim publik për mediat dhe konsumatorët e tyre…

Në një njoftim për media, dërguar nga IPKO thuhet se pas implementimit të procesit më kompleks të kodit shtetëror të Kosovës, një numër i kufizuar i përdoruesve të telefonave iPhone, po hasë në vështirësi të lidhen me rrjetin 4G.

Por, në fakt ky numër i përdoruesve nuk është i kufizuar.  Kjo pasi çdo ditë po ka ankesa të shumta nga konsumatorë të kësaj kompanie për rrjetin e dobët të internetit.

“IPKO po zhvillon komunikim në baza ditore me kompaninë Apple në sanimin e këtij telashi sa më shpejtë që të jetë e mundur. Inxhinierët e Apple po punojnë në zgjidhjen e kësaj çështjeje, së bashku me ekipin tonë. Mungesa e rrjetit 4G në disa pajisje telefonike iPhone, ka të bëjë me reagimin e pajisjes drejt rrjetit të ri. Përderisa pjesa tjetër e konsumatorëve, përdorues të Androidit si dhe përdoruesit tjerë të telefonave iPhone, të cilët nuk janë të prekur nga këto vështirësi, tashmë veç janë të lidhur me rrjetin 4G. Ndërkohë, konsumatorët e afektuar mund të lundrojnë në rrjetin 3G, kudo që është i disponueshëm”, thuhet në reagimin e IPKO’s.

Për këto telashe teknike, ka disa ditë që Periskopi ka kontaktuar kompaninë në fjalë, por të njëjtit kanë injoruar pyetjet tona dhe kanë vendosur të dalin me një sqarim publik për të gjithë.

Në pyetjet e Periskopit kërkohej të dihej pse po ndodh ky mosfunksionim i rrjetit tash e një kohë.

Nga IPKO (ekipet tuaja) vazhdimisht thonë se ‘janë probleme teknike, ka rënë sistemi’ e arsyetime të ngjashme. Por, këto probleme të funksionimit jo të duhur të rrjetit po përsëriten shpeshherë. Pse po ndodh kjo?

– A jeni të njoftuar me gjithë reagimet që ka edhe nëpër rrjetet sociale, ku përdoruesit e shërbimeve tuaja, kanë ankesa të shumta?

– Cilat janë problemet me të cilat po ballafaqoheni?

-Pse ende nuk ka ndonjë sqarim zyrtar nga kompania juaj kur kihen parasysh gjithë këto reagime?