Delegacioni i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare merr pjesë në pritjen vjetore të BVMW’së në Gjermani

Periskopi.com Lajme

Përfaqësues të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare kanë marrë pjesë në pritjen vjetore të BVMW (ndërmarrjet e vogla dhe të mesme) – si një nga ngjarjet më të veçanta të ekonomisë gjermane dhe të rajonit – raporton Periskopi.

Në një publikim në faqen zyrtare të Rrjetit bëhet e ditur se në këtë pritje vjetore kanë qenë pjesëmarrës rreth 3500 sipërmarrës.

Përveç delegacionit të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, në këtë ngjarje morën pjesë edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, presidentja kroate Kolinda Grabar Kitaroviç dhe ministri për Ekonomi i Gjermanisë, Altmeyer.

Lexoni të plotë publikimin e plotë në faqen zyre të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare:

Ne Berlin u mbajte pritja vjetore e BVMW( Ndermarrjet e vogla dhe te mesme) si njëra nder ngjarjet me të veçanta të ekonomisë gjermane dhe rajonit. Pjesmarrës rreth 3500 sipërmarrës. Në ketë mbremje mysafir te posçëm ishin miqtë nga Amerika Presidenti i Rrjetit te Bizneseve i Diaspores Shqiptare z.Nazar Mehmeti , Elmi Berisha kryetar per shba ,Sabit Bytyçi , Naim Dedushaj Ideator , Rrjeti i Bizneseve Shqiptare ne Gjermani ,Mustafe Abazi Kryetar,Fatos Xhafolli dhe Jusuf Jahi .

Në mesin e personaliteteve të nderit, Presidenti i Rep.së Shqipërisë, ShTZ. Ilir Meta dhe Presidentja e Rep. së Kroacisë, ShZnj. Kitarovic, Ministri per Ekonomi i Gjermanisë, P.Altmeyer.

Skandaloze: Shefi i klubeve të striptizmit udhëheq Rrjetin e Bizneseve të Diasporës Shqiptare

Artina Muçiqi Lajme

Kryetari i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, Nazar Mehmeti, njihet si pronar i klubeve të striptizmit në Dallas të Teksasit. Për vite të tëra, ai kishte pasur probleme me ligjin, pasi klubet që ishin në pronësi të tij ishin cak i aksioneve policore atje. Madje, vite me parë, pikërisht në ato klube, pati dhjetëra të arrestuar për drogë e prostitucion. Pavarësisht këtyre skandaleve, Mehmetit iu besua posti kryesor i një rrjeti që shquhet si përfaqësues i bizneseve të diasporës shqiptare dhe investimeve të tyre në trojet tona. Javë më parë, Periskopi raportoi se si krijimi i këtij Rrjeti të Bizneseve të Diasporës i pati kushtuar Ministrisë së Diasporës afër gjysmë milioni euro.

Nazar Mehmeti është një nga drejtuesit kryesor të klubeve të striptizmit në Dallas të SHBA’së.

Mediat atje shpeshherë kishin raportuar për telashet që po ia shkaktonte shtetit Mehmeti me klubet e tij të striptizmit, të cilat disa herë kishin qenë cak i inspektimit.

Madje, ishin marrë edhe vendime për mbylljen e disa prej tyre, për shkak të veprave të jashtëligjshme që dyshohej se po zhvilloheshin aty.

Në klubet e natës që janë në pronësi të familjes së Nazar Mehmetit, vite më parë ishin arrestuar dhjetëra persona nën akuzat për drogë e prostitucion.

Atëkohë, kjo ishte shndërruar skandal në vete në Dallas, pas akuzave të rënda për prostitucion e drogë.

Por, pavarësisht gjithë kësaj, Nazar Mehmeti ishte emëruar si kryetar i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare.

Historia e akuzave të rënda ndaj bizneseve që ai drejtonte, nuk e penguan atë që të vendoset në krye të një Rrjeti që synim kryesor ka njohjen e bizneseve të diasporës shqiptare dhe sjelljen e investimeve në trojet shqiptare.

Burime të Periskopit kanë bërë të ditur se shumë biznese të sukesshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë refuzuar pjesëmarrjen në aktivitete të këtij Rrjeti, pikërisht për shkak se në krye të tij ishte një pronar klube natesh.

Periskopi javë më parë pati raportuar edhe se si për themelimin e këtij Rrjeti ishin shpenzuar afër gjysmë milion euro.

LEXO EDHE:

Hulumtim i Periskopit: Jeta luksoze e zyrtarit qeveritar, shpenzoi afër gjysmë milioni euro për OJQ-në ku ishte vetë drejtor

Këtë rrjet që më pas u regjistrua si Organizatë Joqeveritare, e kishte krijuar ish-drejtori i Departamentit për Hulumtime dhe Përkrahje të Investimeve në Ministri të Diasporës, Naim Dedushaj, i cili para disa muajve ishte shkarkuar nga ministri aktual i Diasporës, Dardan Gashi. Madje, Dedushaj kishte marrë postin e drejtorit në rrjetin që kishte krijuar me paratë e Ministrisë.

Një nga klubet e striptizmit të Mehmetit në Dallas njihet si ‘Lipstick”.

Pikërisht në këtë klub, më 2005 ishin arrestuar dhjetëra persona, nën akuzat për drogë e prostiticion.

Madje, Mehmeti ishte në luftë me Policinë, të cilët po kërkonin që klubit t’i merrej licenca.

Mehmeti, përmes avokatëve kishte arritur që të pengonte qytetin e Dallasit që t’ia hiqnin licencën e tij për ‘Lipstick’, për shkak të sjelljeve të dyshimta të punëtorëve aty.

Edhe më 2002 kishte pasur përpjekje nga autoritetet e Dallasit që Mehmetit t’i merrej licenca e klubit, pasi punëtorët e tij ishin dënuar për prostitucion, drogë e gjëra të ngjashme.

Përveç këtyre klube të natës, mediat në Dallas raportojnë se familja Mehmeti ka në pronësi edhe disa restaurante, bare sportive, dy klube të kabaresë për të rritur, edhe klube të tjera.

Kjo e dëshmon se Nazar Mehmeti është një nga shqiptarët më të pasur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por, rritja e pasurisë së tij është e dyshimtë, për shkak të veprimtarive të dyshimta që kryhen në klubet e striptizmit që janë në pronësi të tij, siç janë marrja me drogë e prostitucion.

Pavarësisht veprimtarisë së tij në ShBA, Mehmeti është njeriu kryesor i një Rrjeti që përfaqëson interesat e bizneseve të diasporës shqiptare.

Madje, vite më parë ai ishte zgjedhur edhe kryetar i Unionit të Bizneseve të Diasporës.

Më 12 korrik të këtij viti, presidenti i vendit Hashim Thaçi e kishte dekoruar atë me Medaljen Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

“Me Medaljen Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, sot dekorova edhe veprimtarin e shquar shqiptaro-amerikan, Nazar Mehmetin, i cili është Kryetar i Unionit të Bizneseve të Diasporës”.

“Diaspora jonë ka dhënë kontribut shumë të madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, thuhej në publikimin e presidentit në Facebook.

Nazar Mehmeti ishte përfaqësues i shqiptarëve të ish-Jugosllavisë që u transferuan në ShBA në vitet e 60’ta.

I lindur në Prespë, ai ishte vendosur në SHBA në një moshë të re. Kështu, kur ishte vetëm 30 vjeç, ai kishte arritur të bëhet një nga shqiptarët më të pasur të kontinentit të ri.

Në Teksas, të gjithë e njohin atë si pronar restorantesh e klubesh nate./Periskopi