92 persona të vdekur në aksidente trafiku këtë vit

Periskopi.com Lajme

Për dhjetë muaj (janar-tetor, 2019), në Kosovë kanë humbur jetën 92 persona në aksidente të ndryshme trafiku.

Ndonëse shifër e lartë e personave që kanë vdekur në komunikacion, Policia e Kosovës thotë se aksidentet me fatalitet kanë pësuar rënie. Nëse i krahasojmë statistikat e aksidenteve fatale këtë vit me periudhën e njëjtë kohore të viti të kalaur, numri i të vdekurve në komunikacion ka rënë për 10.

“Janar-tetor, 2018, nga 80 aksidente fatale, 102 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku. Ndërsa, janar-tetor, 2019, nga 79 aksidente falale, 92 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku apo 10 më pak se vitin e kaluar”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga Policia e Kosovës për Gazetën Sinjali.

Sipas këtyre statikeve, edhe aksidentet me persona të lënduar kanë pësuar rënie. Nga 5033 aksidente me të lënduar, 9667 persona kanë marrë trajtim mjekësor, apo 816 persona më pak sesa në 10 mujorin e parë të vitit 2018.

Gjatë këtij viti në Kosovë ndodhën edhe 8094 aksidente që përfunduan vetëm me dëme material.

“Këtë vit kanë ndodhur gjithsej 13.206 aksidente”, tha më tej policia.

Ndërsa, për të gjithë shkelësit e rregullave të trafikut rrugor, gjatë dhjetë muajve policia ka shqiptuar gjithsej 368.370 tiketa trafiku.

Për rënien e aksidenteve fatale dhe ato me persona të lënduar, policia tha se kanë ndikuar planet operative, shtimi i njësive patrulluese dhe atyre me vetura civile, fushatat vetëdijesuese etj.

“Gjithashtu duhet potencuar se policia e vetme nuk mund të parandalojë të gjitha rastet e aksidenteve, sepse angazhimi i akterve tjerë, e në veçanti i drejtuesve të automjeteve është i domosdoshëm”, thuhet ndër të tjera në përgjigjet e policisë.

Policia e Kosovës ka apeluar qytetarët që nga data 15 nëntor t’i kenë pajisjet dimërore të automjeteve. Në mënyrë që secili automjet të jetë i gatshëm për sezonin dimëror.