Kosovarët po sakatohen e vrahen në rrugë: Policia feston statistikën qesharake

Periskopi.com Lajme

Sot po shënohet Dita Botërore e Përkujtimit të viktimave të trafikut rrugor. Kosova shquhet vitet e fundit për numrin në rritje të aksidenteve me fatalitet e me të lënduar por duket se vetëdijësimi për temën mbetet i ulët. 

Drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor në Policinë e Kosovës, nënkoloneli Jeton Rexhepi shprehu nevojën për një edukim dhe vetëdijesim më të madh të qytetarëve për trafikun rrugor gjatë shënimit të kësaj dite.

Teksa tregoi disa nga statistikat e policisë për aksidentet në trafik, ku sipas tij gjendja sa i përket aksidenteve fatale në Prishtinë në  periudhën janar-shtator 2019 është më e mirë se ajo e vitit paraprak.

“Për pjesën janar-shtator të këtij viti mund të themi se është një gjendje pak më e mirë sa i përket personave të vdekur. Kemi një person më pak, kemi 136 aksidente me lëndime më pak. Janë 513 persona të lënduar më pak që konsiderojmë se është një aktivitet i angazhimeve policore pozitive”, tha nënkoloneli Rexhepi.

Ndërsa Policia e Kosovës i thurr vetes lavde për vetëm një të vdekur më pak, kujtojmë se një gjë e tillë mund të ketë ndodhur fare lehtë nga rastësia meqë statistikat janë tepër të ulëta e qesharake për t’u konsideruar se shënojnë trend të uljes së aksidenteve, shkruan Periskopi.