Lirohet Sabit Pacolli pas thuajse një viti, shpallet i pafajshëm nga gjykata suedeze

Periskopi.com Lajme

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Qarkut në Malmo të Suedisë, ka arrestuar biznesmenin dhe ish-zyrtarin e AKR’së, Sabit Pacollin, për keqpërdorim të parave gjatë viteve 2015-2017.

Mirëpo gjatë ditës së sotme, një mik i tij ka shkruar në Facebook se Pacolli është liruar.
“Një lajm i mirë nga Suedia. Sot është liruar Sabit H. Pacolli nga të gjitha akuzat. Ai është mbajtur 11 muaj padrejtësisht në paraburgim në Suedi. Drejtësia ka fituar”, ka shkruar Naim Murseli në Facebook.

Pacolli gjithashtu ka shkruar në Facebook, duke thënë ndër tjera se “duhet të jetë bërë njëherë e padrejtë në jetë, për të ia ditur vlerën drejtësisë”.

Ndërkaq, për arrestimin e Pacollit kishin shkruar edhe mediat suedeze, të cilat kishin thënë se ai si Kryetar i Shoqatës kishte marrë hua për të bërë renovime të banesave. Ndërtime këto të panevojshme dhe të kryera pa kualitet. Në këtë mënyrë ka futur në borxhe shumë banorë suedezë, të cilët nuk kanë qenë në dijeni se Shoqata përgjegjëse për mirëmbajtjen e ndërtesave ka marrë hua për të bërë renovime të panevojshme. Lajme këto të cilat Pacolli i kishte mohuar.