Tag: Safet Hoxha

Identifikohet njeriu i PDK-së që po përvidhet brenda Gjykatës Kushtetuese
Organizata Çohu ka reaguar pas përzgjedhjes së tre anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës më 6 korrik. Të paktën një prej 3 të përzgjedhurve, që presin dekretimin e Presidentit të Kosovës, sipas Çohu, ka të kaluar funksionale politike në Partinë Demokratike të Kosovës.
Çohu ka vlerësuar se përzgjedhja e Safet Hoxhës si anëtar i Kushtetueses, i cili ishte asamblist i PDK-së në Suharekë dhe që kishte marrë pjesë në tubimet politike të po kësaj partie, e më pas kishte kandiduar për anëtar të Këshillit të Përgjithshëm të PDK-së, nuk i përmbush kriteret profesionale dhe vë në dyshim pavarësinë dhe paanësinë e Kushtetueses, shkruan Periskopi.
“Duke u thirrur në përzgjedhjen dhe votimin e fundit, njëri nga anëtarët e votuar, Safet Hoxha, përveçse ka qenë Këshilltar Komunal i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Suharekës, ai gjithashtu kishte marrë pjesë në tubimet politike të kësaj partie në Komunën e Suharekës, të cilën e kishte konfirmuar edhe ai vetë. Për më tepër, në zgjedhjet e përgjithshme për Këshill Drejtues të PDK-së në vitin 2013, Safet Hoxha edhe ishte kandiduar për anëtar të Këshillit Drejtues të Përgjithshëm të PDK-së. Konsiderojmë se kandidatët si z. Hoxha nuk përmbushin kriteret e nevojshme të integritetit dhe të pavarësisë profesionale, duke cënuar kështu paanshmërinë dhe pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në reagim.
Çohu ka kërkuar nga Presidenti Thaçi që të mos e dekretojë Safet Hoxhën, në mënyrë që të mos rritet mosbesimi i qytetarëve ndaj gjykatës më të lartë në vend. /Periskopi/
Këtu e gjeni reagimin e plotë të Organizatës Çohu