Rasti i vizave: Kërkohet rigjykim i gjyqtares Safete Tolaj që akuzohet për mashtrim

Periskopi.com Lajme

Prokuroria kërkon rigjykim për ish-gjyqtaren Safete Tolaj dhe rritje të dënimit për djalin e saj.

Në Gjykatën e Apelit  është mbajtur seanca për rastin e ish-gjykatëses Safete Tolaj, si dhe djalit të saj, Fisnik Tolaj dhe zyrtarit policor, Granit Shehaj.

Gjykata Themelore në Ferizaj, më 13 korrik 2018, e kishte liruar ish-gjykatësen Tolaj nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe asgjësim apo fshehje të materialit arkivor, derisa të pafajshëm e kishte shpallur edhe zyrtarin policor, Granit Shehaj, që po ashtu akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ndërsa, kjo Gjykatë e kishte dënuar Fisnik Tolajn me dënim unik prej katër vjet e gjashtë muaj burgim.

Mirëpo, Prokuroria ka paraqitur ankesë në Apel ndaj aktgjykimit të Gjykatës së Ferizajt, duke kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim dhe se dënimi për të akuzuarin Fisnik Tolaj nuk është i lartë.

Kujtojmë se rasti i saj rast është i shënjestruar për liberalizimin e vizave, një ndër 37 sa i ka Kosova si kusht.

Sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, në aktgjykimin e shkallës së parë nuk është vërtetuar drejtë gjendja faktike, pasi që Gjykata nuk ka vendosur në aktgjykim lidhur me konfiskimin e një banese në Prishtinë.

Ndaj kësaj ankese të Prokurorisë kanë dhënë përgjigje mbrojtësit e Safete Tolajt, Fisnik Tolajt dhe Granit Shehajt.

Sipas avokatit Gëzim Kollçaku, mbrojtësi i  Fisnik Tolajt,  Prokuroria nuk ka pasur të drejtë të kërkojë dënim më të lartë për klientin e tij pasi që në asnjë pikë të ankesës nuk e ka arsyetuar këtë kërkesë.

Ndërsa, sipas tij, edhe banesa e përmendur nuk është fituar me kryerje të veprës penale, ku edhe në bazë të dëgjimit të dëshmitarëve, sipas tij, vendimi i Themelores ka qenë meritor në këtë pikë.

Gjithashtu shtoi se ka parashtruar ankesë vetëm lidhur me sanksionin penal ndaj Fisnik Tolajt, pasi që i njëjti ka pranuar fajësinë për veprimet e tij, por që ata kishin kërkuar nga Prokuroria të modifikojë dispozitivët që të tregohet e vërteta se Tolaj pa ndikimin e askujt kishte kryer veprimet e tij.

Më tutje shtoi se janë pajtuar me rrethanat lehtësuese që i kishte bërë shkalla e parë, mirëpo të njëjtat rrethana nuk kishin qenë të mjaftueshme pasi që në rrethanë lehtësuese, sipas tij, është dashur të llogaritej edhe që Tolaj është baba i tre fëmijëve dhe mbajtës i familjes.

Avokati Gëzim Kollçaku tha se kërkon që kjo Gjykatë ndaj klientit të tij të shqiptojë dënim më të butë.

Ndërsa, mbrojtësi i ish-gjykatëses Safete Tolaj, avokati Kujtim Kërveshi, deklaroi sot në Gjykatën e Apelit se hetimet ndaj klientes së tij kishin qenë brutale dhe të drejtuara ndaj individit, e jo veprës penale.

Kërveshi tha se Prokuroria nuk ka qenë në gjendje të vërtetojë asnjë nga pretendimet e saj, ndërsa ky organ sipas tij, i kishte veçuar provat shfajësuese për Safete Tolajn.

“Në ankesën time kam theksuar që Prokuroria nuk ka të drejtë në ankesën e saj, kurse  aktgjykimi i shkallës së parë është i drejtë në raport me klienten time”, tha Kërveshi.

Në fund, ish-gjykatësja Safete Tolaj tha se i ka potencuar të gjitha çështjet më parë, por që ndihet keq që ka ardhur deri në këtë fazë. Sipas të akuzuarës Tolajt, asaj i janë bërë të gjitha padrejtësitë.

Në këtë rast, i përfshirë ishte edhe zyrtari policor, Granit Shehaj, i cili ngarkohej me veprën penale për ndihmë në ushtrimin e ndikimit, e i njëjti është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Ferizaj. Ndaj lirimit të tij, Prokuroria nuk ka paraqitur ankesë. /Kallxo.com

Ish-gjykatësja Tolaj shpallet e pafajshme për keqpërdorim të detyrës, dënohet djali i saj

Periskopi.com Lajme

Ish-gjykatësja e Gjykatës Themelore në Pejë, dega në Deçan, Safete Tolaj, është liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ish-gjykatësja Tolaj, në aktgjykimin e shpallur të premten në Gjykatëtën Themelore në Ferizaj, nga kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Neziri, është shpallur e pafajshme për të gjitha pikat e aktakuzës, me të cilat ngarkohej.

Kurse, djali i saj, Fisnik Tolaj, është dënuar me dënim unik prej katër vjet e gjashtë muaj burgim, pasi është shpallur fajtor për dy vepra penale “ushtrim i ndikimit” dhe “falsifikim i dokumentit”.

Për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, ai është dënuar me tre vjet burgim, kurse për falsifikim të dokumenteve është dënuar me dy vjet burgim, por ndaj tij, më pas është shqiptuar dënimi unik prej katër vjet e gjysmë burgim.

Fisnik Tolajt, do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 13 janari 2017 deri më 07 korrik të atij viti.

I pafajshëm është shpallur edhe zyrtari policor, Granit Shehaj, i cili ngarkohej me veprën penale për ndihmë në ushtrimin e ndikimit.

Ky rast është i shënjestruar për liberalizimin e vizave, raporton Betimi për Drejtësi.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 11 korrik, ku edhe pritej të jepej fjala përfundimtare në këtë rast, prokurori Rasim Maloku, kishte sjell para gjykatës një kopje të ndryshuar dhe të plotësuar të aktakuzës.

Prokurori Maloku, në atë seancë kishte thënë se ka vlerësuar që ka ndryshim të gjendjes faktike dhe për këtë ka bërë një ndryshim dhe zgjerim të aktakuzës.

“Bazuar në nenin 350 dhe 351 paragrafi 1 të KPP-së pas një vlerësimi të gjithanshëm të të gjitha provave kam konsideruar se është e nevojshme që të bëhet ndryshimi dhe zgjerimi i akuzës në këtë fazë të procedurës e që të përgatitur në formë të shkruar nga një kopje po iu dorëzoj palëve në procedurë dhe trupit gjykues”, kishte thënë prokurori Maloku.

Në aktakuzën e ndryshuar thuhej se tërhiqet nga ndjekja penale kundër të pandehurit Fisnik Tolaj, vetëm për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të autorizuar të armëve”, nga neni 374 par. 1 të KPK-së e përshkruar në pikën pesë të aktakuzës fillestare të datës 9 tetor 2017, sepse sipas tij, në shqyrtimin gjyqësor nuk është provuar se i pandehuri ka kryer atë vepër penale.

Tutje, aktakuza e ndryshuar thotë që kundër ish-gjykatëses Safete Tolaj, tërhiqet pika tre e dispozitivit ku ajo akuzohej për falsifikim i dokumentit zyrtar, nga neni 434 par.1 të KPK-së, me arsyetimin e njëjtë se sipas prokurorit Maloku, gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është provuar se e pandehura ka kryer atë vepër penale.

Sipas aktakuzës së ndryshuar, tani Fisnik Tolaj, lidhur me dispozitivin e parë, që ka të bëjë me rastin e Agron Kelmendit dhe Agron Ahmetgjekaj, në çështjen civilo-juridike Cnr.74/12, ku sipas akuzës ai me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt pasuror për vete kishte kërkuar nga Agron e Berat Kelmendi shumën prej 20, 000 euro me qëllim që të ushtronte ndikim mbi vendimmarrjen e gjyqtares Safete Tolaj, e më pastaj ishin pajtuar që të shkëmbenin një truall në sipërfaqe prej 3.70 m2 në emër të Agron Ahmetgjekaj dhe shumën prej 2000 euro, ndryshe nga aktakuza e parë ku për këtë akuzohej për kryerjen e veprës penale “mashtrim”, nga neni 355 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së, tani cilësohet si vepër penale “ushtrim i ndikimit”, nga neni 431 par.1 të KPRK-së.

Ndërsa, është tërhequr pika ku ai akuzohej për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të autorizuar të armëve” nga neni 374 par. 1 të KPK-së. Kurse, pikat e akuzës lidhur me kryerjen e veprës penale “falsifikim i dokumenteve zyrtare”, nga neni 398 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së mbeten të njëjta.

Lidhur me pikat e akuzës ndaj ish-gjykatëses Safete Tolaj, ku ajo akuzohej për tre vepra penale, si “keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 të KPRK-së, “asgjësim apo fshehje e materialit arkivor”, nga neni 416 të KPK-së si dhe për “falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga neni 434 par.1 të KPK-së, e përshkruar në pikën tre të dispozitivit të aktakuzës fillestare të datës 9 tetor 2017, sepse sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është provuar se e pandehura ka kryer këtë vepër penale.

Kurse, për të akuzuarin e tretë, zyrtarin Granit Shehaj, vepra u ri cilësua dhe ai nuk do të ngarkohet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, por si kryerje e veprës penale “ushtrim i ndikimit në ndihmë”, nga neni 431 par. 1 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.

Ndryshe, sipas aktakuzës së parë, Safete Tolaj, po akuzohej se në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Deçan, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose për tjetrin, përkatësisht për të pandehurin Fisnik Tolaj, ka keqpërdor autoritetin e saj zyrtar.

Sipas kësaj aktakuze, pasi që e pandehura më 2 janar 2017, e kishte caktuar paraburgimin për një të pandehur, derisa i pandehuri Fisnik Tolaj dhe Granit Shehaj takohen dhe ky i fundit duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkalon kompetencat e tij dhe i jep shumën prej 1,900 euro të pandehurit Fisnik, për të ndikuar tek e pandehura, e cila më pas më 10 janar 2017, masën e paraburgimit e zëvendëson me masën e dorëzanisë.

Tutje, në këtë aktakuzë thuhej se e pandehura Safete Tolaj, deri më 13 janar 2017 ka fshehur materialet arkivore të Gjykatës Themelore në Pejë, dega në Deçan, ashtu që në shtëpinë e të njëjtës janë gjetur dosje origjinale të kësaj gjykate, e të cilat e kishin vendin në arkivin e gjykatës.

Gjithnjë, sipas aktakuzës, e pandehura deri më 13 janar 2017, në gjykatën e lartcekur i ka mundësuar të pandehurit Fisnik Tolaj, përpilimin e dokumenteve dhe shkresave zyrtare ashtu që ky i fundit duke shfrytëzuar pozitën e të pandehurës dhe me dijeninë e saj, përdor vulën dhe shkresat zyrtare në të cilat fut përmbajtje të rreme.

Gjykata sot vendos për ish-gjyqtaren Safete Tolaj

Periskopi.com Lajme

Gjykata Themelore e Ferizajt sot shpallë aktgjykimin ndaj të pandehurës S.T, e akuzuar për shkak të veprës penale keqpërdorim i pozitës dhe veprës penale marrja apo asgjësimi i vulave zyrtare.

Po ashtu, sipas aktakuzës, do të shpallet edhe aktgjykimin kundër të pandehurit F.T i akuzuar për shkak të veprës penale ushtrimi i ndikimit, veprës penale falsifikimi i dokumenteve, si dhe të pandehuri G.Sh i akuzuar për shkak të veprës penale ushtrimi i ndikimit.

Seanca e shpalljes së aktgjykimit, është e hapur për publikun dhe nis në orën 14:00.

Sipas aktakuzës, e pandehura në Gjykatën Themelore në Pejë-Dega në Deçan, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin përkatësisht për të pandehurin F.T. keqpërdori autoritetin zyrtar në atë mënyrë që, pasi ajo më 02.01.2017, e kishte caktuar paraburgimin për një të pandehur, derisa i pandehuri Fisnik Tolaj dhe G.Sh. ishin takuar dhe ky i fundit duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkaloi kompetencat e tij dhe i dha shumën prej 1.900 euro të pandehurit Fisnik Tolaj për të ndikuar tek e pandehura Safete Tolaj e cila më pas më 10.01.2017 masën e paraburgimit e zëvendësoi me masën e dorëzanisë.

Gjithnjë sipas aktakuzës,  e pandehura Tolaj deri më 13.01.2017 ka fshehur materialet arkivore të Gjykatës Themelore në Pejë dega në Deçan, ashtu që në shtëpinë e të njëjtës janë gjetur dosje origjinale të kësaj gjykate e të cilat e kishin vendin në arkivin e gjykatës.

Aktakuza po ashtu përshkruan  se e akuzuara  Safete Tolaj se  deri më 13.01.2017 në gjykatën e lartcekur i ka mundësuar të pandehurit Fisnik Tolaj përpilimin e dokumenteve dhe shkresave zyrtare ashtu që, i pandehuri F.T. duke shfrytëzuar pozitën e të pandehurës dhe me dijeninë e saj përdor vulën dhe shkresat zyrtare në të cilat fut përmbajtje të rreme.

Safete Tolaj kishte dhënë dorëheqje nga pozita e gjyqtares ndërsa kjo dorëheqje ishte aprovuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës në nëntor të vitit të shkuar.