Anita Haradinaj fiton çmim me vota të internetit – Mburret që punoi për gratë e Kosovës, por në fjalim s’përmendi asnjë aktivitet

Periskopi.com Lajme

Gruaja e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt, e njohur si një nga moderatoret e televizionit publik, Anita Haradinaj, ka bërë të ditur se është shpërblyer me çmimin “Phenomenal Global Women”, në “Global Woman Summit 2019” që u mbajt në Londër.

Në kategorinë “Global Woman Inspirational Award” nga Kosova, përveç Anita Haradinajt, ishin të nominuara edhe Igballe Rugova, Valdete Idrizi, Leonora Jakupi, Mimoza Kusari dhe Jeta Xharra.

Nga të nominuarat në këtë kategori, duket se gruaja e kryeministrit ka lobuar më së shumti për vota online dhe si rrjedhojë ka fituar çmimin.

Por, me çfarë arsyetimi ka fituar Anita Haradinaj këtë çmim?

Me të fituar çmimin, Haradinaj ka bërë një publikim në Facebook ku ka shkruar se është ‘e nderuar për mundësinë që të ndaj histori suksesi të grave nga Kosova në mes shumë grave të suksesshme nga e gjithë bota! Ju faleminderit për mbështetjen dhe votimin online’.

Si një grua të fuqishme, që nuk dorëzohet asnjëherë, e që lufton për të drejtat e grave, e ka përshkruar atë kryeministri i vendit, njëkohësisht bashkëshorti i saj, Ramush Haradinaj.

Në një publikim në Facebook, ai është shprehur i lumtur me vlerësimin që i është bërë gruas së tij, teksa thotë se ‘nuk ka ndjenjë më të mirë se të kesh pranë një grua të fuqishme’.

Por, kujt nga ju i kujtohet ndonjë aktivitet për fuqizimin të grave që ka bërë Anita Haradinaj?

Me gjasë askujt. Sepse nuk ka pasur të tillë. Apo, duket se kanë qenë aq të zbehtë saqë askush s’ka dëgjuar për të.

Në këtë Samit, Anita mbajti edhe një fjalim. Ndër të tjerash, aty tha se njëra nga arsyet pse ajo po merr pjesë në këtë Samit është angazhimi i saj për të drejtat e grave.

Por, tërë fjalimin e saj ajo ia ka dedikuar vetës. Ka folur për ikjen në Tiranë gjatë kohës së luftës, njohjen me kryeministrin Haradinaj, e rritjen e fëmijëve pothuajse vetëm, ndër të tjerash për shkak të proceseve gjyqësore në të cilat u përfshi tani kryeministri Haradinaj.

Por, a e di Anita sa gra në Kosovë e kanë përjetuar të njëjtën gjë? Jo ndoshta, por natyrisht që akoma më rëndë.

Në Kosovë ka një numër të konsiderueshëm të grave që kanë rritur të vetme fëmijët e tyre, pas vdekjes së burrave të tyre në luftën e fundit me Serbinë.

Dhe, pak prej tyre kanë pasur kushte të mira jetësore, siç ka Anita Haradinaj, meqë ndër vite pasuria e saj dhe e kryeministrit aktual ka arritur milionët.

Ia kujtojmë Haradinajt se prej mandatit si kryeministër të bashkëshortit të saj, përfolja më e madhe për të ishte bërë kur kishte dalë në publik me një çantë, vlera e së cilës arrinte thuajse në gjashtë mijë dollarë.

Edhe në ueb faqen e ‘Global Woman Summit’ përshkrimi për Anitën është i mangët.

“Anita Haradinaj është një kosovare – shqiptare, moderatore e njohur lajmesh. Ajo ka punuar në televizionin publik të Kosovës si moderatore lajmesh për më shumë se dy dekada, duke e filluar karrierën e saj qysh në moshë të re. Anita është e martuar me kryeministrin aktual të Kosovës, Ramush Haradinajn, me të cilin ka tre fëmijë: Gjinin, Hanën dhe Trimin. Anita ka qenë një model i respektuar i gruas në nivelin nacional dhe ndërkombëtar, duke e përdorur pozitën e saj për të bërë të mira për shoqërinë, duke krijuar kështu një model të respektueshëm për gjeneratat e së ardhmes”.

Por, fitimi i një çmimi për të drejtat e grave, e pa thënë gjë pa to, duket se nuk është mangësia e vetme e Anita Haradinajt.

Duket se këtu kemi të bëjmë edhe me konflikt interesi, pasi ky Samit Global i Grave është transmetuar edhe në RTK, në televizionin ku punon Haradinaj si moderatore.

Në listën e mediave që transmetuan këtë ngjarje ndodhen edhe media të mëdha ndërkombëtare , si: Sky, BBC, The Guardian, Voice of America e të tjerë.

Në këtë Samit, përveç Anita Haradinajt ka marrë pjesë edhe gruaja e kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës, Linda Rama.

Në nëntë kategori të këtij Samiti ka pasur pjesëmarrës të njohur nga Kosova, ndër të tjerësh, si: Atifete Jahjaga, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Vlora Çitaku, Vjosa Dobruna e shumë të tjerë [Listën e plotë e gjeni KËTU]./PERISKOPI