Reagimi i ashpër i Iranit pas rikthimit të sanksioneve amerikane

Periskopi.com Lajme

Shtetet e Bashkuara kanë rikthyer nga dita e sotme në fuqi sanksionet mbi Iranin, për të cilat thonë se janë më të ashprat në histori, e kjo është një lëvizje që ka ndezur protesta masive në vendin e pasur me naftë.

Administrata “Trump” riktheu të gjitha sanksionet e hequra në vitin 2015, pas nënshkrimit të marrëveshjes bërthamore, që kanë në shënjestër Iranin, por edhe shtetet që bëjnë tregti me të.

Sanksionet do të godasin eksportet e naftës, sektorin detar dhe bankat, të gjitha këto elemente kyçe për ekonominë.

Me mijëra iranianë ndërkohë thirrën të dielën “Vdekje Amerikës”. Presidenti iranian, Hassan Rouhani ka premtuar se do të shesë naftë dhe do të thyejë sanksionet.

Ushtria është cituar të thotë po ashtu se do të mbajë një stërvitje për mbrojtjen ajrore, të hënën dhe të martën, për të provuar kapacitetet e vendit.

Protestat e së dielës koinçidojnë edhe me përvjetorin e 39 të pushtimit të Ambasadës amerikane në Teheran, gjë që çoi në 4 dekada armiqësi të dyanshme.