Sami Lushtaku e quan politike aktakuzën për arratisjen nga QKUK-ja

Periskopi.com Lajme
Të akuzuarit në rastin e arratisjes së Sami Lushtakut nga QKUK-ja, sërish janë deklaruar të pafajshëm, në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë.Në këtë rast, përveç Sami Lushtakut, akuzohen edhe djali i tij, Mërgim Lushtaku, si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari, Bajram Dibrani, Dardan Geci, Mervete Hasani-Lushtaku, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, arratisja e ish-kryetarit të Skenderajt, nga QKUK-ja kishte ndodhur në maj të vitit 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ai ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Ndërsa, ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ka thënë se ky rast është politik.

“Po më vjen keq se s’koka prezent prokurorja e rastit, e kam për media më shumë. Ky gjykim nuk ka asnjë kuptim, kjo është përndjekje nga EULEX-i. Është e pakuptimtë që e kam gruan, djalin, dhëndrrin, më kanë mbetur vetëm edhe do fëmijë me prezantu këtu. Jam i gatshëm mu përball me gjithçka, po këta njerëz të lirohen. Ky është një proces politik”, ka deklaruar Lushtaku.

Përpos të akuzuarit Lushtaku, në seancën e së mërkurës ka reaguar edhe i akuzuari Ismail Dibrani, i cili ka thënë se do të ishte problem përfundimi i këtij procesi gjyqësor për shkak të numrit të madh të të akuzuarve.

Po ashtu, ai këtë aktakuzë e ka quajtur si politike dhe pa bazë ligjore.

Mirëpo, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti ka thënë se për këtë rast do të mbahen seanca të shpeshta në mënyrë që gjykimi të përfundojë brenda një kohë të shkurtër.

Por, më pas, për shkak të mungesës së prokurores së rastit, Florie Shamolli, është ndërprerë gjykimi në këtë rast.

Kjo seancë, ishte paraparë të mbahej të mërkurën, pas më shumë se një viti që kur gjykata e shkallës së parë dhe e dytë e kishin konfirmuar aktakuzën në këtë rast.

Por, vazhdimi i gjykimit ka dështuar të ndodhë për shkak se trupi gjykues e ka ndërprerë seancën, pasi që nuk ka marr pjesë prokurorja e rastit, Floria Shamolli, por ajo ishte zëvendësuar nga prokurorja Habibe Salihi.

Por, pasi që është ndërprerë seanca, e radhës është caktuar të mbahet më 24 shtator 2019.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill të vitit 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se kishte vërtetuar se nuk ka parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për t’i aprovuar ato.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, në korrik 2018, kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave dhe kishte lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për disa vepra penale “arratisje e personit të privuar nga liria”, “pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësim gjatë procedurës zyrtare” si dhe “për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”.

Për arratisjen nga QKUK, akuzohen edhe Sahit Jashari e Ismet Haxha.Për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal akuzohen edhe Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjakum Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.

Mërgim Lushtaku, Dardan Geci dhe Mervete Hasani Lushtaku, akuzohen për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria.

Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, akuzohen për veprën penale të ofrimit të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale si dhe lirim i jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.

Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, akuzohen për veprën penale pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale në bashkëkryerje.

Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka dhe Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjoka e Shatri, gjithashtu akuzohen edhe për falsifikim të dokumenteve dhe lehtësim i arratisjes për personat e privuar nga liria

Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena, akuzohen për lirim të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.

Konflikti fizik Zeka-Krasniqi, shtyhet seanca gjyqësore

Periskopi.com Lajme

Është shtyrë seanca gjyqësore e paraparë të mbahej sot për deputetët e Kuvendit të Kosovës Milaim Zeka dhe Frashër Krasniqi.

Ndaj tyre Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë duke u bazuar në përleshjen që kishin pasur më 29 shtator në emisionin Info Lokale të Klan Kosovës, meqë rast Zeka është akuzuar për veprën ‘kanosje’ ndërsa Krasniqi me veprën ‘lëndim i lehtë trupor’.

Pas raportimit të ‘Betimi për Drejtësi’ për ngritjen e kësaj aktakuze, të dy deputetët patën deklaruar se as nuk kanë qenë në dijeni për ekzistimin e një aktakuze të tillë dhe as nuk janë marrë në pyetje nga ndonjë prokuror për këtë rast.

Një seancë gjyqësore ishte tentuar të mbahej edhe në korrik, por ajo dështoi me mungesë të të akuzuarve.

Sidoqoftë gjatë së mërkurës në ambientet e Gjykatës është parë vetëm deputeti i PSD-së Frashër Krasniqi por jo edhe Zeka.

Gjyqtari kishte vendosur në seancën e parë të dështuar se nëse deputetët nuk paraqiten para gjykatës pas ftesave të dërguara në selitë e partive të tyre, ata do të silleshin këtu nga policët.

Nis seanca gjyqësorë ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve për rastin ‘Vizat’

Periskopi.com Lajme

Pas një pauze 10 minutëshe të trupit gjyqësor, është marrë vendim që të ndahet gjykimi në rastin ‘Vizat’.

Kryetarja e trupit gjykues, Naime Jashanica Krasniqi ka thënë që për shkak se në këtë rast kanë munguar vazhdimisht disa të akuzuar kanë vendosur që këtë rast ta ndajnë në dy pjesë.

Është veçuar procedura për pesë të akuzuarit e parë, Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Izet Beqiri, Florian Petani, Qefser Baholli, raporton Koha Ditore.

Gjykimi ndaj pesë të akuzuarve të parë ka filluar ndërsa gjykata do të caktojë një seancë të re për 16 të akuzuarit e tjerë.

Grupi i Kumanovës nuk lejon gjykatësen të flas maqedonisht: Fol shqip, këtu është Shqipëri

Periskopi.com Lajme

Me një minutë heshtje për të rënët e grupit të Kumanovës në “lagjen e trimave”, ka filluar seanca gjyqësore në gjykatën e Apelit në Shkup, për rastin e Kumanovës.

Gjykimi ka filluar me atmosferë të dhunshme dhe me revoltë të theksuar nga ana e pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës.

Ata nuk e lejuan gjykatësen të flet në gjuhën maqedonase.

Grupi i Kumanovës i është drejtuar në gjuhë maqedonase gjykatëses: Flisni shqip, këtu është Shqipëri, Ju jeni ardhacakë këtu , ka thënë Val Zekaj nga Grupi i Kumanovës, duke mos lejuar gjykatësen të flet. Ai u përkrahë edhe nga pjesëtarët e tjerë të grupit të Kumanovës.

 

Rasti “Toka”, rekord për seanca të dështuara

Periskopi.com Lajme

Katër prokurorë të ndryshëm, dy trupa gjykues të ndryshëm, brenda 24 muajve prej se është ngritur aktakuza e njohur si “Toka”, për bilanc kanë pasur dështimin e njëpasnjëshëm të seancave në këtë rast.

Prokurorët Danilo Cecareli fillimisht e pastaj me radhë prokurorët specialë Abdurrahim Islami, Sylë Hoxha e Arian Gashi për një periudhë gati dyvjeçare prej ngritjes së aktakuzës kanë shkuar në Gjykatë vetëm për të marrë lajmin se seanca gjyqësore e thirrur sërish ka dështuar, shkruan sot Koha Ditore.

Përderisa për të përfaqësuar aktakuzën janë ndërruar katër prokurorë, deri tani është mbajtur vetëm një seancë që cilësohet si ligjërisht e përfunduar.

Për 25 muaj prej ngritje së aktakuzës, kundër ish-deputetit Azem Syla dhe 21 personave të tjerë të akuzuar për vepra të ndryshme që lidhen me krimin e organizuar, Gjykata Themelore në Prishtinë ligjërisht e ka përfunduar vetëm seancën fillestare.

Veteranët mashtrues do t’i ndëshkojë ligji, caktohet seanca e parë gjyqësore për ta

Periskopi.com Lajme

Seanca fillestare mbi aktakuzën e njohur si veteranët pritet të mbahet në fund të janarit.

Burime të kallxo.com konfirmojnë se seanca do të mbahet më 28 janar.

Prokurori  i Prokurorisë Speciale , Sylë Hoxha konfirmoi se prokuroria ka pranuar ftesë për seancën fillestare.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Gjithashtu, në aktakuzë është propozuar që Gjykata të lëshojë masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68 milionë 153 mijë e 533 euro e 14 cent.

Gjykata e kishte kthyer aktakuzën mbrapa me 9 tetor 2018, duke kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës përmirësimin e saj brenda 30 ditëve.

Prokuroria Speciale pasi nuk kishte arritur ta dorëzojë brenda afatit kohor të përcaktuar në aktvendim, kishte kërkuar nga gjykatësja Nushe Kuka- Mekaj edhe 30 ditë kohë shtesë.

Aktakuza ishte kthyer me qëllim që të qartësohet se si e kanë kryer veprën penale të akuzuarit: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Gjykata po ashtu ka kërkuar që të qartësohet edhe numri i  personave të cilët po pretendohet se po përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme, andaj kërkon nga Prokuroria Speciale që ta sqarojë numrin e përfituesve se a janë 20.238 apo 15.115 persona që marrin pensione nga buxheti i Kosovës.

Ndryshim Gjykata ka kërkuar edhe në kërkesën e Prokurorisë për pezullimin e pagesës së pensioneve për 20 mijë e 238 veteranë luftëtarë deri në përfundim të procedurës penale dhe sipas gjykatëses së rastit Nushe Kuka-Mekaj do të ishte më mirë që çështja e tillë të trajtohet në ndonjë procedurë tjetër shkaku i mundësisë së zvarritjes deri në pakufi të këtij procesi gjyqësor.

“Duke qenë se është fjala për një numër tejet të madh të personave, që e tejkalon shifrën prej 20.999, është plotësisht e qartë se vendosja lidhur me kërkesën pasurore juridike krahas procedurës penale do ta devalvonte çështjen penale si çështje të dorës së dytë dhe do ta zvarriste procedurën deri në pakufi, prandaj konsideroj që çështja e tillë të trajtohet në ndonjë procedurë tjetër me iniciativë të prokurorit“, thuhet në vendimin e Gjykatës, raporton KALLXO.com.

Arsyeja e një zvarritjeje të tillë sipas Gjykatës është se nëse lejohet masa e sigurisë vendimi duhet t’u dërgohet 20.238 veteranëve, që janë të prekur nga kjo masë e që kanë të drejtë ankese, për të cilat duhet të vendos kolegji prej tre gjykatësve dhe duke e pasur parasysh numrin e madh të ankesave që do të paraqiteshin, procesi gjyqësor do të zvarritej deri në pakufi.

 

Shtyhet edhe seanca gjyqësore për “Pronton”

Periskopi.com Lajme

Kryetari i trupit gjyqësor, Shashivar Hoti ka aprovuar kërkesën e prokurores speciale, Drita Hajdari për shtyrje të seancës gjyqësore për rastin “Pronto”, raporton Koha Ditore.

Prokurorja Hajdari e ka arsyetuar kërkesën duke thënë se ka paraqitur ankesë kundër gjyqtarit në Komisionin Disiplinor. Sipas saj, gjyqtari ka bërë shkelje etike në rastin “Pronto”

Në seancën e shqyrtimit të dytë gjyqësor ishin të pranishëm 11 të akuzuarit, shumica prej tyre zyrtarë të PDK-së.

Pak më parë u njoftua se po ashtu është shtyrë seanca në rastin “Stenta 2”.

Greva e punëtorëve shtyn edhe 100 seanca tjera gjyqësore

Periskopi.com Lajme

Punëtorët e administratës së Gjykatave dhe Prokurorive sot kanë hyrë në ditën e dytë të grevës.

Punëtorët e gjykatave dhe prokurorive të Kosovës dje kanë nisur një grevë të përgjithshme me kërkesën për rritjen e pagave.

Greva vjen pak javë pasi qeveria ka marrë një vendim për rritjen e pagave deri në 100 % për anëtarët e kabinetit qeveritar dhe zyrtarë tjerë të lartë qeveritarë.
Me këtë vendim përfitojnë në mënyrë automatike edhe gjykatësit dhe prokurorët e Kosovës meqë ligji në Kosovë përcakton rrogën e një gjyqtari dhe prokurori sa të një ministri.

Naim Shala për Kallxo.com tha se gjatë ditës së sotme kanë qenë të parapara që të mbaheshin më shumë se 100 seanca gjyqësore por që për shkak të grevës së punëtorëve ato seanca nuk janë mbajtur.

Ndërsa gjatë ditës së djeshme si rezultat i grevës janë shtyrë afro 100 seanca gjyqësore.

Përkundër ditës së djeshme sot palët janë lënë që të hynë brenda në Gjykatë dhe Prokurori.

Kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Aferdita Bytyci sot ka mbajtur një takim me përfaqësuesit e këshillit grevist nga të cilët ka kërkuar që të mos bëjnë shkelje të ligjit për grevën, ajo nga grevistët ka kërkuar që përpos rasteve të dhunës në familje si dhe rasteve me paraburgim edhe rastet e tjera të cilat janë me prioritet siç janë rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave të mbahen normalisht.

Pas takimit me Kryetaren e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Kryesuesi i Këshillit Grevist Naim Shala ka mbajtur një takim edhe me punëtoret grevist nga të cilët ka kërkuar që të mos mbyllin derën e Gjykatës dhe t’i lejojnë palët që të futen brenda në hapësirat e Gjykatave dhe Prokurorive si dhe lëndët të cilat janë të shënjestruara për liberalizim të vizave të mbahen.

Ai tha se deri më tani nuk janë plotësuar asnjë nga kërkesat e tyre prandaj paralajmëroi se greva do të vazhdoj deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të tyre.
Si rezultat i grevës së punëtoreve të administratës, dje dhe sot janë shtyrë dy seanca të cilat janë të shënjestruara për liberalizim të vizave.