Vuçiq: E di që Trump nuk ndryshon ndaj Kosovës, por le të na trajtojë të paktën të barabartë

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i ka thënë zyrtarit të lartë amerikan Matheë Palmer ‘se do të dëshironte të shihte një ndryshim të vogël të presidentit amerikan përballë Kosovës’. Ndërkohë, raportohet se Palmer i ka thënë Vuçiqit se ‘ata dëshirojnë të hiqet taksa’.

“Jam mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen që kanë dhënë dhe po japing për të ardhmen evropiane të Serbisë. Biseda jonë u fokusua më shumë për Kosovën, por gjithashtu kemi folur edhe për marrëdhëniet tona bilaterale, të cilat vetëm duhet të shkojnë drejt përmirësimit”, ka thënë Vuçiq, përcjell Periskopi.

Vuçiq ka thënë se ka dërguar ftesë që Trump ta vizitojë Serbinë ‘në mënyrë që t’i ofrojë mbështetje vendit të tij’.

“Ne e dimë dhe nuk mund të presim që të ndryshojë qëndrimi për Kosovën, mirëpo ne shpresojmë dhe besojmë se mund të ndodhë që nganjëherë të kemi qëndrime të balancuara kur është në pyetje Serbia (dhe Kosova v.j)”, ka thënë Vuçiq.

Në anën tjetër, Palmer ka thënë se do të flasë me përfaqësuesit e kompanive amerikane në Serbi lidhur me pasojat që janë shkaktuar që nga vendosja e taksës nga autoritetet e Prishtinës.

“SHBA’të vazhdojnë të mbështesin dialogun që udhëhiqet nga Bashkimi Evropian dhe synon normalizimin e raporteve mes dy vendeve. Është e rëndësishme që dialogu të hap rrugë për Kosovën dhe Serbinë në BE dhe ne jemi të interesuar që të hiqet taksa dhe të vazhdojë dialogu mes dy vendeve në mënyrë që të happen edhe mundësitë për prosperitet”, ka thënë Palmer. /Periskopi.