Seminari i Gjuhës bën bashkë 90 studiues nga bota

Periskopi.com Lajme

Edicioni i 38-të i Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, ka nisur punimet ditë më parë.

Edhe këtë vit seminari ka mbledhë në Prishtinë studiues të shumtë nga vende të ndryshme.

Drejtori i Seminarit, Shkumbin Munishi, në një intervistë për EkonomiaOnline, thotë se interesimi i studentëve për të mësuar gjuhën shqipe është i madh.

Ai thotë se një numër i konsiderueshëm studiuesish po marrin pjesë në sesionet dhe tryezat shkencore.

“Kemi pasur një numër të konsiderueshëm të seminaristëve. Kanë ardhur aty rreth 90 seminaristë nga vendet e ndryshme të botës. Kemi seminaristë nga Rusia,Turqia, Gjermania, Egjipti, Kroacia dhe Serbia. Në përgjithësi vazhdojmë me pas interesim të vazhdueshëm për pjesëmarrje në seminar. Ndërkaq sa i përket risive seminari vazhdon që të zhvillojë aktivitetet edhe didaktike në kuptim të kurseve të gjuhës që mbahen,por njëkohësisht edhe aktiviteteve shkencore. Çdo vit në kuadër të aktiviteteve të reja kemi prurje të reja studimore nga fusha e gjuhës dhe e letërsisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi”, thotë ai.

Në kuadër të aktiviteteve shkencore, Munishi thotë se po mbahen edhe ligjërata e tryeza të ndryshme nga profesorë të ndryshëm e po ashtu edhe referime shkencore.

“Tema në sesionin shkencor në fushën e gjuhësisë do të jetë ‘Struktura e Shqipes Aktuale’, në letërsi tema do të jetë si ‘Ëndërrohet në Letërsinë Shqipe” dhe në sesionin e kulturës tema do të jetë ‘Rrjetet sociale politike dhe jetike’:, thotë ai.

Munishi thotë se ky seminar po mbështetet edhe nga Fakulteti i Filologjisë në Tiranë. Madje thotë se disa nga sesionet pritet të mbahen edhe në kryeqytetin shqiptar.

“Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare organizohet me bashkëkryesin që është kuadër të Fakultetit Filologjik të Tiranës. Në hapje rektori i Universitetit të Tiranës ka dhënë një ide që sesionet e caktuara t’i marrin edhe në Tiranë dhe natyrisht ne i mirëpresim të gjitha idetë dhe këto ide do ti diskutojmë bashkërisht me kolegët tanë nga Tirana dhe sigurt që do të marrim vendime të përbashkëta”, përfundoi ai.

Drejtori i Seminarit, thotë se të gjitha aktivitetet janë në koordinim të plotë me UP-në, dhe me mbështetje të MASHT-it, të cilët janë kujdesur për mbarëvajtjen dhe akomodimin e mysafirëve.

Sipas tij, Seminari ka një nënlinjë të veçantë buxhetore në kuadër të Universitetit të Prishtinës, gjithashtu thekson se kanë mbështetje edhe MASHT që ka mundësuar vendosjen e seminaristëve në konviktet e Universitetit të Prishtinës.

“Po ashtu të shtunën për seminaristët organizohet edhe një ekskursion në Pejë dhe aty kemi marr edhe mbështetje nga komuna e Pejës për realizim e këtij ekskursioni. Ky ekskursion realizohet me qëllim që seminaristët të njihen me viset e Kosovës dhe që natyrisht ta krijojnë një përshtypje për Kosovën në përgjithësi”, thotë ai.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës.

Ky Seminar organizohet për studiues e studentë që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e shtatë sesione. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

 

Të hënën nis Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare

Periskopi.com Lajme

Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare vazhdon të ruajë traditën e vet. Këtë të hënë kur edhe zyrtarisht hapet edicioni i 38-të, seminari mbush 45 vjet.

Seminari do të mbledhë në Prishtinë studiues të shumtë nga vende të ndryshme.

Drejtori i Seminarit, Shkumbin Munishi në një intervistë për KosovaPress, thotë se edhe këtë vit interesimi i studentëve për të mësuar gjuhën shqipe është i madh. Teksa thotë se nuk është i vogël numri i studiuesve që do të marrin pjesë në sesionet dhe tryezat shkencore.

Ai tregon se ka seminaristë dhe studiues që marrin pjesë në këtë seminar për vite me radhë.

E 45 vjetori i seminarit, sipas Munishit do të jetë i pasur me një laramani temash që kanë nxitur kërshërinë e pjesëmarrësve.

“Të hënën në orën 11:00, e kemi hapjen e edicionit të 38-të të Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili do të mbahet nga data 19 deri më 30 gusht. Përgatitjet janë në fazën e fundit dhe mendoj se të hënën do të jetë gjithçka e gatshme për të filluar me këtë edicion të seminarit”, thotë ai.

Munishi thotë se ka një numër të konsiderueshëm të pjesëmarrësve. Teksa bën të ditur se edhe këtë vit seminaristët vijnë nga vende të ndryshme të botës.

“Kemi pasur mbi 130 kërkesa të atyre që kanë qenë të interesuar për të marrë pjesë në seminar. Kryesisht studentë, të cilët duan ta mësojnë gjuhën shqipe. Krahas kësaj, ka mbi 70 punonjës tjerë shkencor që do të marrin pjesë në aktivitetet shkencore, të cilat organizohen në kuadër të seminarit”, thekson ai.

Ai tregon se në kuadër të seminarit do të ketë kurse të gjuhës shqipe në tri nivele, në nivelin e parë, të mesëm dhe atë të lartë. Përveç kurseve, në kuadër të aktiviteteve shkencore, Munishi thotë se do të ketë edhe ligjërata e tryeza të ndryshme që do të mbahen nga profesorë të ndryshëm.

E krahas këtyre, thekson se do të ketë edhe referime shkencore.

“Do të organizohet një tryezë shkencore me rastin e 330 vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit. Një tjetër tryezë shkencore për 200 vjetorin e lindjes të shkrimtarit arbëresh Anton Santorit. Do të shënohen përvjetorët e vdekjes së dy albanologëve të shquar, të profesorit amerikan Eric Hamp dhe të themeluesit të seminarit, prof. Idriz Ajetit”, tregon ai.

Ai bën të ditura edhe temat kryesore të seminarit për sesionet shkencore.

“Në fushën e gjuhësisë, tema e sivjetme do të jetë ‘struktura e shqipes aktuale’; në fushën e letërsisë, tema bosht e sesionit do të jetë ‘si ëndërrohet në letërsinë shqipe’; ndërkaq, në fushën e kulturologjisë, tema bosht e sesionit do të jenë ‘rrjetet sociale, politika dhe etika’”, bën të ditur ai.

E sikurse edhe viteve tjera, Munishi thotë se interesimi më i madh i pjesëmarrësve vazhdon të mbetet për gjuhën dhe letërsinë shqipe.

Ai flet edhe për rëndësinë e këtij seminarit. Sipas tij, rëndësia e Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare qëndron në traditën që ka krijuar ky seminar.

Munishi: Seminari është shndërruar në ngjarjen kryesore në fushën e albanologjisë

“Janë 45 vite që kur ka filluar organizimi i seminarit. Janë 38 edicione të seminarit. Në këtë mënyrë, seminari është shndërruar në ngjarjen kryesore në fushën e albanologjisë. Në seminar, vijnë studiues të huaj dhe shqiptarë, të cilët në punimet e tyre kryesore, kontributin e tyre kryesor e paraqesin në kuadër ë  seminarit. E pastaj të gjitha këto përmblidhen në punime të cilat pastaj botohen në revistën e seminarit, pasi ta kenë kaluar shqyrtimin që ua bëjnë recensentët”, thotë ai.

Ndryshe, hapja solemne e Seminarit XXXVIII, do të bëhet të hënën, ndërsa punimet do të zhvillohen në Prishtinë deri më 30 gusht.