Trajkoviq: Ka bisedime të formohet koalicion i partive serbe në Kosovë, por jo sot

Periskopi.com Lajme

Presidentja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq, ka konfirmuar se po zhvillohen bisedime për të formuar një koalicion partish, organizatash dhe individësh nga komuniteti serb në Kosovë, por mohoi që formimi të zyrtarizohet sot.

“Përgatitjet dhe diskutimet janë duke u zhvilluar me përfaqësuesit serbë të Kosovës, përfaqësuesit diplomatikë dhe banorët”, i tha ajo agjencisë serbe të lajmeve “Beta”, transmeton Klan Kosova.

Trajkoviq theksoi se nuk ka kushte për zgjedhje normale në Kosovë sepse siç tha ajo “serbët nuk po kandidojnë më si kandidatë serbë pas vrasjes së dy kandidatëve për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut”.

“Ne duhet të formohemi dhe t’i kërkojmë bashkësisë ndërkombëtare të sigurojë zgjedhje në mënyrë që të prishë sistemin” mafioz “që nuk lejon që serbët të dalin si kundërkandidatë,” tha ajo.

Kjo përgjigje e saj erdhi pas raportimeve të portalit Kosova.info se sot në orën 12:00 në Graçanicë do të zyrtarizohet koalicioni i katër partive serbe të regjistruara në KQZ, transmeton Klan Kosova.

Sipas raportimeve pjesë e koalicionit pritet të jenë: Rada Trajkoviq, Aleksandar Jabllanoviq, Nenad Rashiq dhe Dragisha Miriq.