Zbulohet plani sekret i Setien për të mposhtur Napolin

Periskopi.com Sporti

Duhet një Messi ndryshe te Barcelona për të mposhtur Napolin dhe për të fituar Ligën e Kampionëve. Trajneri Quique Setien është i bindur për këtë, ai po punon me një plan sekret, që synon të “revolucionarizojë” stilin e lojës së argjentinasit. Kjo u zbulua nga portali i specializuar spanjoll “Mundo Deportivo”, i cili tregon disa pika themelore, mbi të cilat tekniku po punon për ta vendosur Messin në kushtet më të mira për t’u shprehur, duke filluar nga sfida kundër ekipit të Gattuso. Padyshim që Setien dëshiron që Messi të luajë shumë më pranë zonës së penalltisë së kundërshtarit, duke i kursyer atij “xhirot” e zakonshme drejt vijës së mesfushës për të marrë topin. Pra, trajneri i tij synon ta shfrytëzojë kapitenin vetëm në zonën sulmuese.

Në fakt, duke e bërë këtë sipas mendimit të tij, Leo humbet fuqinë dhe kthjelltësinë, duke mos qenë më në gjendje të bëjë ndryshimin si zakonisht, pasi të arrijë në zonën e penalltisë së kundërshtarit. Në vend që të kthehet në mesfushë, të marrë topin që andej dhe të sulmojë, argjentinasi duhet të jetë vdekjeprurës me goditjet e tij. Për këtë arsye, trajneri i Barcelonës dëshiron që mesfushorët t’ia bëjnë jetën më të lehtë Messit, duke u kujdesur për këtë fazë tranzicioni.

Ai ka identifikuar në veçanti në De Jong, si njeriun e duhur për të marrë përsipër këtë detyrë dhe ta furnizojë me topa argjentinasin në sulm, në 20-25 metrat e fundit të fushës. Plani sekret nuk mbaron me kaq. Setien, gjithashtu, kërkon që kapiteni të jetë më selektiv në lojën e tij. Në rast se Barça do të kapërcejë me sukses ndeshjen e kthimit të 1/8 finale kundër Napolit, në fakt, formati i Champions-it në Portugali parashikon një seri takimesh të ngushta, si kurrë më parë. Kjo nënkupton se të ruajturit sa më shumë energji të jetë e mundur bëhet nevojë themelore.