Engel: Administrata Trump po përdor taktika të ashpra ndaj Kosovës

Periskopi.com Lajme

Kongresisti Eliot Engel, kryesues i Komitetit për Marëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, e ka shprehur shqetësimin e tij rreth qasjes së administratës Trump karshi Kosovës.

Përmes një deklarate, ai po ashtu ka thënë se tarifat janë mjet legjitim i secilit shtet, transmeton KOHA.

Deklarata e plotë e Engelit:

“Të thuhet se SHBA-ja dhe Kosova kanë raport të ngrohtë dhe të afërt, do të ishte nënvlerësim i thellësisë së lidhjeve tona. SHBA-ja e ka udhëhequr fushatën për ta ndalur spastrimin etnik gjenocidal të Milosheviqit dhe ka qenë mikja më me ndikim dhe më konsekuente e Republikës sovrane dhe të pavarur të Kosovës. E kam vizituar Kosovën shumë herë dhe mund të them me bindje se amerikanët nuk priten më ngrohtësisht diku tjetër në botë.

Kam qenë krenar të jem partner i qeverive të Kosovës, të udhëhequra prej partive të ndryshme politike. Nuk marr anë rreth asaj se kush duhet ta udhëheqë Kosovën. Është ky vendim i popullit të Kosovës. Gjithnjë do të punoj me atë që e zgjedhin ata.

Prandaj, po shqetësohem gjithnjë e më shumë me taktikat e ashpra që po i përdor administrata Trump karshi Prishtinës. Departamenti i Shtetit ka kërkuar tash e sa kohë që Kosova t’i heqë tarifat. Por, kjo administratë përdori ndëshkime ekonomike vetëm pak javë pasi që mori postin Qeveria Kurti. Në vend ta linte Qeverinë e re, e cila po përballej me pandeminë, që t’i plotësonte radhët e agjencive të veta dhe t’i vendoste procedurat e brendshme, SHBA-ja i kontribuoi një krize politike në Prishtinë, rreth tarifave mbi Serbinë.

Ka shumë arsye se përse Kosova duhet t’i heqë tarifat, në rend të parë shkaku që ato më shumë po e dëmtojnë sesa që i ofrojnë ndonjë levë për arritjen e ndonjë marrëveshjeje paqësore me Serbinë. Sido që të jetë, tarifat janë mjet legjitim i një shteti sovran. Si të tilla, ato janë vënë anembanë botës nga presidenti Trump, si kundër miqve ashtu edhe armiqve, për shkaqe ekonomike dhe politike.

Në vend të përdorimit të taktikave të rrepta me një shtet mik, që mbështetet tek përkrahja jonë, SHBA-ja është dashur të punojë me durim me Qeverinë tani në largim të Kosovvës – si ishte munduar të punojë me Qeverinë e mëparshme të Kosovës – për përmirësimin e politikave që promovojnë mirëqenien dhe paqen afatgjatë. Qasja e rreptë ndaj një demokracie të vogël është vepër bullizmi, e jo e një partneri të matur. Sidoqoftë, do të vazhdoj të punoj me atë Qeveri që e zgjedh populli i Kosovës, tani dhe në të ardhmen.

Për më tepër, presioni i vënë mbi Prishtinën për tarifat e saja është tejet i jobalansuar. Diplomatët serbë janë duke e shëtitur globin, për t’i nxitur shtetet që ta çnjohin Kosovën dhe Serbia është duke i thelluar raportet e saja me Moskën teksa po blen sasi të konsiderueshme armatimi rus. Në të vërtetë, sipas Ligjit të Sprapsjes së Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve (CAATSA), i miratuar nga Kongresi pas ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e 2016-tës, këto blerje armësh lypsin prej Administratës që të vëjë sanksione mbi Serbinë. As që i kemi vënë këto sanksione dhe as nuk e kemi nxitur Serbinë më fuqishëm që t’u japë fund përpjekjeve të veta për çnjohje.

Diçka nuk është në rregull me politikën amerikane dhe ne duhet ta korrigjojmë. Duhet ta fillojmë me ribalansimin e qasjeve tona karshi Serbisë dhe Kosovës. Duhet të bashkëpunojmë me aleatët tanë evropianëë, për t’i trajtuar të dyja shtetet si partnere të pavarura dhe sovrane, duke përdorur standarde të njëjta për të dyja palët, teksa mundohemi t’i rifillojmë bisedimet paqësore. Kur ligji i SHBA-së thotë se duhet t’i vëmë sanksione Serbisë shkaku i lidhjeve të saja të sigurisë me Rusinë, atëherë duhet ta bëjmë.

Krahas kësaj, SHBA-ja duhet ta rinisë menjëherë ndihmën e saj përmes MCC-së. Modeli i MCC-së bazohet në indikatorë objektivë, të bazuar tek të dhënat dhe një fundament të arritur në marrëveshje midis SHBA-së dhe shteteve pranuese. Përdorimi i kësaj ndihme si detyrues për veprime që nuk lidhen me MCC-në apo misionin e saj e kthen këtë agjenci në një mjet tjetër për ushtrim trysnie – duke e shndërruar pikërisht në atë që është synuar të mos jetë”

 

SHBA ia dhuron 1.1 milion euro Kosovës për luftën ndaj koronavirusit

Periskopi.com Lajme

Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate për media, njoftoi se është informuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndarjen e 1.1 milionë eurove për Kosovën për luftimin e virusit COVID-19.

“Ky është edhe një lajm tjetër shumë i mirë për qytetarët e vendit tonë, ngase pardje nga Bashkimi Evropian siguruam 68 milionë euro dhe se përkushtimi i Qeverisë është në nivelin e duhur për t’u përballur me këtë pandemi”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo deklaroi se Departamenti i Shtetit ka ndarë 274 milionë dollarë për 64 vende të prekura me COVID-19.

Ndihmat e SHBA-së për Covid-19, Kina: Të shpërndahen tek vendet që kanë nevojë

Periskopi.com Lajme

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Geng Shuang u shpreh të premten në Pekin se funksionarët e qeverisë amerikane janë shprehur shumë herë se do të ofrojnë ndihmë prej 100 milionë dollarësh amerikanë kundër epidemisë për vendet e ndryshme, duke përfshirë Kinën.

Por deri tani pala kineze nuk ka marrë asnjë fond ose material ndihme prej qeverisë amerikane.

Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit tha në një konferencë shtypi të organizuar ditët e fundit se pala amerikane do të ofrojë vendeve të ndryshme, duke përfshirë edhe Kinën, një ndihmë prej 100 milionë dollarësh amerikanë kundër epidemisë.

Edhe më parë, zyrtarë të qeverisë amerikanë janë shprehur shumë herë se do të ofrojnë ndihmë. Duke iu përgjigjur pyetjes nëse pala kineze ka marrë ndihmë nga ShBA-ja, Geng Shuang-u u shpreh se, pas fillimit të epidemisë, shumë kompani amerikane, organizata joqeveritare dhe persona të qarqeve të ndryshme kanë ofruar shumë fonde e materiale për të shprehur përkrahjen e tyre për Kinën.

Me shkallëzimin e epidemisë në ShBA, edhe shumë organizata lokale e joqeveritare kineze kanë ofruar ndihmë për ShBA-në.

Po ashtu, Agjencia për Zhvillimin Ndërkombëtar e ShBA-së është shprehur se do t’i ofrojë Kinës materiale mjekësore, si maska, veshje mbrojtëse etj., por vetëm më 11 mars i njoftoi palën kineze se materialet janë gati.

Tani parandalimi e kontrolli i epidemisë në Kinë ka arritur rezultate pozitive, dhe njëkohësisht epidemia po përhapet shpejt në mbarë botë. Prandaj pala kineze e falënderon zyrtarisht palën amerikane dhe e fton atë t’ua japë këto materiale vendeve që kanë më shumë nevojë për ndihmë.

SHBA e jep dritën e gjelbër për përdorimin e një ilaçi kundër koronavirusi

Periskopi.com Lajme

Shtetet e Bashkuara kanë aprovuar përdorimin e një kombinimi të dy ilaçeve, të cilat janë testuar dhe kanë rezultuar se përdorimi i tyre së bashku jep efekt në shkurtimin e kohës së virusit në trupin e pacientëve të cilët infektohen nga Covid-19.

Një studim i ri ka gjetur se hidoroksiti i klorokuinit, që është një ilaç i famshëm kundër malarias e që njihet me emrin tregtar “Plaqenuil” , në kombinim me antibiotikun azitromicin do të ishte efektiv në shërimin e sëmudjes së shkaktuar nga virusi Covid-19. Sipas këtij studimi, që akoma është në fazë të hershme, ky kombinim i dy ilaçeve, do të zvogëlonte qendrueshmërinë e virusit te pacientët.

Hulumtuesit e kanë testuar studimin në 30 pacientë të prekur me virusin covid-19, duke e provuar hidroksitin e klorokuinit veçmas, si dhe në kombinim me antibiotikun. Ata i kanë krahasuar rezultatet e këtyre me grupin e pacientëve që nuk kanë marrë fare këto ilace.

Studimi u krye pas raportimeve se ky kombinim ka ndikuar në shërimin më të shpejtë të pacientëve kinezë nga koronavirusi.

Njëzet nga 30 pacientët që e kanë marrë këtë tretman ka rezoltuar se hidroksitit i klorokuinit ka dhënë efekt, mirëpo efekti më i madh ka qenë atëherë kur është kombinuar edhe me antibiotikun.

Koronavirusi godet 50 shtete amerikane, rritet numri i të vdekurve

Periskopi.com Lajme

Koronavirusi vdekjeprurës  deri tani ka goditur të 50 shtetet në  ShBA, pasi Virxhinia Perëndimore raportoi rastin e parë të infeksionit të martën.

Duke njoftuar për pacientin e parë prekur me  Covid-19  në Virxhinian  Perëndimore, Guvernatori Jim Justice tha: “Ne e dinim që po vinte”.

Zyrtarë në New York City tha se po konsiderojnë një bllokim të ngjashëm me atë në zonën e Gjirit të San Franciskos.

Deri më tani ka pasur 108 vdekje në SHBA nga koronavirusi,  dhe më shumë se 6.300 raste të konfirmuara në shkallë vendi.

Në nivel global,  janë shënuar rreth 200,000 raste dhe gati 8,000 persona kanë vdekur, përcjell Periskopi/

Shkon në 100 numri i viktimave nga koronavirusi në SHBA

Periskopi.com Lajme

Në Shtetet e Bashkuara, COVID-19 vazhdon të përhapet dhe numri i të vdekurve arriti shifrën 100, sipas njoftimeve të sotme ende jozyrtare.

Shtetet më të goditura të Amerikës vazhdojnë të jenë Uashingtoni, Nju Jorku dhe Kalifornia.

Numri i rasteve të konfirmuara si në Uashington ashtu edhe në Nju Jork po arrin në rreth 1,000. Në shtetin Uashington, zyrtarët raportojnë për të paktën 48 vdekje që nga fillimi i pandemisë.

Zyrtarët thanë se administrata do të bëjë ç’është e mundur për të frenuar pandeminë.

“Për një vend kaq të madh, ne po ecim mirë,” tha Presidenti Trump.

Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara në SHBA e ka kaluar shifrën 5,000 ndërkohë që është shtuar numri i testimeve.

Presidenti Trump tha: “Do të vdesin shumë njerëz. Qëllimi ynë është të pakësojmë numrin e njerëzve që mund të vdesin.

NJU JORK: A DO TE KETE KARANTINË?

Guvernatori i New York-ut Andrew Cuomo tha të martën se nuk kishte në plan të impononte karantinë në asnjë prej qyteteve në shtetin e tij.

“Nuk kam asnjë interes dhe asnjë plan të çfarëdolloji, që të vendos karantinën në ndonjë qytet,” tha Cuomo në një konferencë shtypi.

Sidoqoftë, ai tha se ekziston mundësia që të ketë mbyllje më dramatike, përveç mbylljes së restoranteve, bareve dhe shkollave, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Ai tha gjithashtu se numri i rasteve në shtetin e Nju Jorkut pritet të arrijë kulmin pas 45 ditësh.

Ndërkohë, në kryeqytetin Uashington tani per tani ka thjesht mbyllje shkollash, kinemash, palestrash dhe restorantesh.

MUNGESË VENTILATORËSH

SHBA aktualisht ka rreth 160,000 ventilatorë, shumë më pak se 740,000 që do të duheshin në rastin e një pandemie “të rëndë” si gripi spanjoll i vitit 1918.

Presidenti Trump u ka thënë shteteve të ndryshme amerikane që të mos presin ndihmën federale për pajisje të tilla “nëse mund t’i marrin ato më shpejt duke i siguruar vetë”.

Zyrtarët theksuan sot se do të zgjerojnë metodat e telemjekësisë. Pacientët nuk do të duhet të paguajnë nëse kontaktojnë dhe konsultohen me mjekun përmes internetit, pa u dashur të shkojnë vetë te mjeku.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Bill de Blasio tha të martën se banorët duhet të jenë të përgatitur për mundësinë që të qëndrojnë brenda në shtëpi për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri. Vendimi se si do të veprohet ka të ngjarë të merret brenda 48 orëve të ardhshme, tha kryebashkiaku.

Qyteti i Nju Jorkut gjithashtu nënshkroi marrëveshje me një laborator privat për të zgjeruar kapacitetin e testimit deri në 5,000 teste në ditë, tha ai. /VoA

Hyseni paralajmëron VV’në: Nuk bëhemi bashkëfajtorë në prishjen e partneritetit me SHBA’në

Periskopi.com Lajme

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skender Hyseni, ka paralajmëruar partneren e partisë së tij në koalicionin qeverisës, Lëvizjen Vetëvendosje, kundër prishjes së raporteve Kosovë-Shtetet e Bashkuara.

Hyseni ka thënë në  “Pressing” se kryeministri i vendit, Albin Kurti, duhet ta ruajë marrëdhënien e vendit me Amerikën.

Deklaratat e Hysenit vijnë pas këmbënguljes së Kurtit për mosheqjen e plotë dhe pa kushte të tarifës ndaj mallrave nga Serbia, ashtu siç po kërkon Uashingtoni zyrtar.

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës ka thënë se partia e tij “nuk do të bëhet bashkëfajtore në prishjen e partneritetit me SHBA’në – në asnjë variant”.

Ky është parim i panegociueshëm nga LDK’ja”, është shprehur ai më tej.

Duke komentuar paralajmërimet nga Amerika për tërheqje të trupave ushtarake nga Kosova, Hyseni ka thënë se Kosova “nuk guxon të presë” që diçka e tillë të ndodhë.

“Do të jetë tepër vonë”, ka paralajmëruar ish-shefi i diplomacisë kosovare.

 

 

Kina kritikon zyrtarët amerikanë për komentet rreth koronavirusit

Periskopi.com Lajme

Kina ka kritikuar zyrtarët amerikanë për komentet që sic thonë ata janë ‘’komente të pamoralshme dhe të papërgjegjshme’’. Zyrtarë të lartë amerikanë fajësonin Pekinin zyrtar për një përgjigje të dobët, që edhe shkaktoi pandeminë e koronavirusit.

Të mërkurën, Këshilltari kombëtar i Sigurisë, Robert O’Brien, akuzoi Kinën për një përgjigje të ngadaltë pas emergjencës së parë të koronavirusit, duke shtuar se i ka kushtuar botës dy muaj parapërgatitje për pandemi.

Zëdhënesi i ministrisë së jashtme kineze, Geng Shuang, ka thënë se komentet e ‘’pamoralshme dhe të papërgjegjshme’’ të zyrtarëve amerikanë nuk do të ndihmojnë përpjekjet për ndaljen e pandemisë.

Ai thotë se përpjekjet e Kinës kanë ndihmuar botën që të përgatitet.

‘’Do dëshironim që disa zyrtarë amerikanë të koncentronin energjinë e tyre në luftimin e virusit dhe të promovonin bashkëpunimin, dhe jo të gjuanin fajin tek Kina’’, tha ai.

Koronavirusi filloi së pari në dhjetor në qytetin qëndror të Kinës, Wuhan dhe provicncën Hubei, ku së paku dy të tretat e të gjitha rasteve me koronavirus janë regjistruar.

Osmani: Raportet me Amerikën janë ekzistenciale për Kosovën

Periskopi.com Lajme

Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani është pyetur nga deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi se cili është qëndrimi i saj lidhur zhvillimet e fundit në raport me SHBA.

“Ju keni pozitën më të lartë institucionale nga të gjithë zyrtarët e LDK-së dhe është me rëndësi qëndrimi juaj”, ka pyetur kryetaren e Kuvendit, deputeti Krasniqi.

Ndërkaq kryekuvendarja Osmani ka thënë se qëndrimi i saj është tashmë i ditur dhe nuk ka ndryshuar asnjëherë gjatë karrierës së saj politike. “Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ekzistenciale për shtetin tonë”, ka thënë Osmani.

Kurti thotë se të premten është i lirë për t’u takuar me Thaçin

Periskopi.com Lajme

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, tha se për dy herë radhazi kryeministri Albin Kurti kishte refuzuar ftesën e tij për takim por megjithatë ai shtoi se ftesa vazhdon të jetë e hapur dhe e mirëpret Kurtin kurdo që ai do t’i përgjigjet ftesës.

Pas kësaj deklarate, nga zyra e kryeministrit është arsyetuar se kryeministri ka qenë i zënë sot dhe se nuk ka mundur t’i shkojë në takim Presidentit. Nga kjo zyrë kanë konfirmuar se Kurti do të jetë i lirë të premten për t’u takuar me Thaçin.

“E kemi njoftuar presidentin qe kryeministri sot është i zënë, por të premten pasdite ka mundësi të takohet”, kanë thënë nga zyra e kryeministrit./Periskopi/

 

Ministri Quni: SHBA nuk ka ndërprerë programin e trajnimeve për FSK’në

Periskopi.com Lajme

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni ka mohuar informacionet se SHBA’ja ka ndërpre programin e trajnimeve me Ushtrinë e Kosovës.

Ai ka thënë për RTK, se të gjitha këto që paraqiten në media janë spekulime, sepse ai dhe autoritetet e FSK’së janë në kontakte të vazhdueshëm me akterët relevant, që së bashku kanë bërë planifikimet e aktiviteteve të trajnimeve.

“Është ndërtuar besueshmëria bilaterale dhe të gjithë ata që flasin me dezinformata nuk kanë informacione të duhura”, tha ai dhe shtoi se deri më tani nuk kanë pasur asnjë komunikim të natyrës së tillë dhe asnjë njoftim zyrtar.

Ai ka folur edhe për deklaratat e senatorit amerikan dhe djalit të Presidentit Trump, për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.

“Duke e njohur natyrën dhe protokollin që duhet ndjekur kur shkëputet një marrëveshje, një kontratë, kjo çështje do kohë dhe proceduar deri në marrjen e një vendimi. Por natyrisht që krijon shqetësim, por po flasim për natyrën e procedurave ushtarake, pasi që nuk shkon siç shprehen disa autoritete në SHBA”, tha ai.

 

 

Studentët vendosin flamujt e SHBA-së para ndërtesës së Qeverisë

Periskopi.com Lajme

Studentët e universitetit të Prishtinës para qeverisë së Kosovës kanë mbajtur aksion simbolik lidhur me raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Studentët në rrethojat e objektit të qeverisë kanë vendosur flamuj të ShBA’së.

Zhvillimet e fundit politike kanë bërë që marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA’së të zbehen, teksa kjo e fundit po kërcënon me largimin e trupave nga vendi ynë.

Një senator dhe djali i presidentit kanë bërë deklarata në rrjetin social Tëitter për kthimin e trupave. Mos largimi i taksës nga Qeveria po konsiderohet si arsyeja e ftohjes së marrëdhënieve me amerikanët.

​86-vjeçarja amerikane rezulton me koronavirus, më 3 mars ishte në Tiranë

Periskopi.com Lajme

Një 86 vjeçare amerikane ka rezultuar me koronavirus dhe këtë lajme ka dhënë Ministri i Shëndetësisë së Turqisë.

Ai ka shkruar në Twitter se ajo kishte udhëtuar nga aeroporti i Tiranës për në Stamboll dhe më pas në SHBA.

Selmanaj tregon se kur do të vendosin të lënë Qeverinë Kurti

Periskopi.com Lajme

Deputeti i LDK’së, Driton Selmanaj sonte në Pressing ka thënë se më përpara zgjedhin miqësinë me SHBA’në se sa qeverisjen me Albin Kurtin, transmeton Periskopi.

Selmanaj ka thënë se do të largohen nga Qeverië në momentin e duhur, nëse veç rrezikohen raportet me Amerikën.

‘’Do të më vinte keq nëse kjo qeveri merr fund shpejt shkaku i disa vendimeve. Mëkat që nëse për shkak të kësaj tematike. LDK është e qartë që në mes Kurtit e SHBA, e zgjedhim SHBA’në.  Shpresojmë që do të ketë një reflektim prej Kurtit’’

‘’LDK në momentin e duhun e merr vendimin e duhun. Nuk ka ende asnjë moment. Gjithmonë në mbrojtje të partneritetit. S’jemi të interesuar ta vazhdojmë partneritetin me dikë që portretizohet si antiamerikan’’/PERISKOPI/

 

​LDK e Llapit-Vetëvendosjes: Të dëgjohet Amerika ose i ndajmë rrugët

Periskopi.com Lajme

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Llapi i kanë dërguar porosi Lëvizjes Vetëvendosje, se do t’i ndajnë rrugët e bashkëpunimit me të, nëse nuk veprohet sipas kërkesës së Amerikës për heqje të taksës 100%.

Në tubimin e LDK-së për zgjedhjet në Podujevë, nënkryetari i partisë Ismet Beqiri tha se ose do të bëhet siç kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ose do të ndahen rrugët, meqë sipas tij nuk ka bashkëpunim me ata që rrezikojnë partneritetin me Amerikën.

“As me këta që jemi aktualisht nëse rrezikohet partneriteti. Këtë po u siguroj, jemi në tubim, le ta harrojnë nëse mendoj ë me bë lojëra dhe ne me na fut në luftë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në luftë në kuptimin e mosdëgjueshmërisë, kjo nuk do të ndodh dhe o do të bëhet ajo çfarë kërkojnë miqtë tanë, partnerët tanë, sponsorizuesit e këtij shteti, o ne i ndajmë rrugët, i ndajmë dhe nuk ka tjetër zgjidhje”, tha Beqiri.

Për partneritet të fuqishëm me aleatin kryesor të shtetit të Kosovës, foli edhe shefi i deputetëve të LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Arben Gashi. Ai tha se askush nuk mund të prish marrëdhënien e LDK-së me ShBA-të.

“Sot ne jemi të fortë këtu, e kanë vra Enverin, por e kemi Doruntinën, e kanë vra Xhemajlin, por e kemi Besianin, e kanë vra Tahirin, por e kemi Armendin, e kanë vra Shabanin, por e kemi djalin e tij këtu, e kanë vra Fetahun por e ka ruajt Zoti, e kemi këtu, pra ne jemi më të forte, i kanë vra disa, por jemi bërë më shume, jemi më të bashkuar më të vendosur. E dimë sakte ku po shkojmë, e dim saktë çka duam, e duam një Kosovë të lirë, një Kosovë të zhvilluar, e duam një Kosovë që ka demokraci dhe mbi të gjitha ne e dimë që Kosova pa miq nuk mund të mbahet. E ata që neve duan me na prish me Amerikë, ata që duan me na prish me Evropë, nuk munden, sepse rrënjët e LDK-së janë aty”, tha ai.

Ai tha se LDK ka miqësi të veçantë me Shtetet e Bashkuara që prej kohës së Ibrahim Rugovës.

E kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës, Nexhmi Rudari në tubimin e mbajtur në fshatin Kërpimeh, tha se LDK në Llap i ka rrënjët thellë përkundër që disa të tjerë po provojnë t’i lëkundin ato.

“Lidhja Demokratike e Kosovës në Llap i ka rrënjët thellë, përkundër erërave e frymave që ata promovojnë. Këto erëra dhe fryma mund të shkulin vetëm ndonjë gjethe të kalbur, siç ka ndodhur para pak ditësh, por assesi as degët e as trungun, e aq më pak rrënjët e këtij lisi të fuqishëm, që është LDK e këtë lis e keni kultivuar e ujitur ju çdo dità « me punë e aktivitete. Ata mundohen të hyjnë brenda me konceptin që ta shembin kullën nga brenda, sorollatën në çdo lagje të Metehisë, por ajo mbetët bastion i LDK-së, hynë edhe në Kërpimeh, por nuk e dinë që në Kërpimeh e kemi qëndresën, porsa të shohin qendrën siç thotë populli e ulin kokën bishtin ndër këmbë dhe e dinë nga kanë ardh. Kështu do të ndodh edhe më 15 mars”, tha ai, raporton KosovaPress.

Rudari tha se do të bashkëpunojë me ministra e deputetë, që siç tha ai do të jetë avokat i qytetarëve të Llapit.

Në tubim u tha se Llapi është identiteti i LDK-së dhe kjo parti nuk mund të paramendojë vetën pa qeverisur aty./G.Kadrija/

Kryeministri Kurti identik si Ramush Haradinaj: Optimist për liberalizim vizash, nuk beson te sanksionet e ShBA-ve

Periskopi.com Lajme

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk beson se do të ketë sanksione nga SHBA-ja ndaj Republikës së Kosovës.

Këtë deklaratë Kurti e ka dhënë, kur është pyetur për paralajmërimin e senatorit amerikan David Perdue se nëse Kosova nuk e heq taksën, SHBA-të duhet ta konsiderojnë largimin e trupave të tyre.

Përpos kësaj, Kurti tha se njëherë për njëherë nuk mund të implementohet plani i tij për heqjen e tarifës për shkak se ai e do një konsensus brenda qeverisë në mënyrë që kur të votohet ky vendim në Kuvend të marrë mbështetje unanime.

Sa i përket takimit me emisarët e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron – Jan Hecker dhe Emmanuel Bonne – Kurti deklaroi se ky ka qenë takim i frytshëm.

Ai po ashtu, për dallim nga presidenti Hashim Thaçi i cili është skeptik, tha se beson se deri në Samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në muajin maj në Zagreb, mund të ketë lëvizje për heqjen e vizave për kosovarët.

​Konjufca i njofton SHBA-në dhe BE-në për Nezir Mehmetajn

Periskopi.com Lajme

Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar ndaj vazhdimit të paraburgimit nga autoritetet serbe, Nezir Mehmetajt.

Nezir Mehmetaj është arrestuar muajin e kaluar nga policia e Serbisë, nën dyshimet për kinse krime lufte.

Konjufca ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian që ta marrin masa në mënyrë që Serbia të reflektojë.

“Autoritetet serbe ia kanë vazhduar paraburgimin kosovarit Nezir Mehmetaj, i cili ishte arrestuar në Merdare derisa po kalonte kufirin në janarin e vitit 2020. Ministria e Jashtme e Kosovës thërret partnerët ndërkombëtarë, SHBA-në dhe BE-në që të kërkojnë nga Serbia ta ndalë këtë praktikë”, ka thënë Konjufca.

​Trump: Talibanët mund të kthehen në pushtet pas tërheqjes së SHBA-së

Periskopi.com Lajme

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se talibanët “mund” të përmbysin qeverinë e përkrahur nga perëndimi në Kabul, pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga Afganistani.

Trump ka folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë më 6 mars, disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një marrëveshje me talibanët, me qëllim të dhënies fund të luftës 18-vjeçare në Afganistan. I pyetur nëse një tërheqje eventuale amerikane nga Afganistani mund të rezultojë me përmbysje të qeverisë aktuale nga talibanët, presidenti ka thënë se “kjo nuk duhet të ndodhë mirëpo mund të ndodhë”.

“Fundja, shtetet duhet të kujdesen për veten e tyre. Ne nuk mund të qëndrojmë aty për 20 vjet tjera”, ka shtuar mes tjerash Trump.

Shtetet e Bashkuara dhe talibanët kanë nënshkruar më 29 shkurt, një marrëveshje në Doha, që lejon forcat perëndimore të largohen nga ky shtet brenda 14 muajve, në këmbim të zbatimit të përkushtimeve nga talibanët, përfshirë edhe negociatat e këtyre të fundit me Qeverinë afgane. Megjithatë, presidenti afgan, Ashraf Ghani ka paralajmëruar se ai nuk është i gatshëm për të zbatuar një pikë të marrëveshjes, që parasheh lirimin e 5,000 talibanëve të burgosur.

Forcat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja kanë pushtuar Afganistanin në vitin 2001 duke larguar nga pushteti talibanët, pasi grupi militant refuzoi që ta dorëzonte terroristin e Al-Kaidës, Osama bin Laden

Gashi: Mund të kemi sanksione nga Amerika shkaku i taksës

Periskopi.com Lajme

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka konfirmuar që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka paralajmërime për sanksione ndaj Kosovës.

Ai ka deklaruar se edhe partia e tij, që qeveris vendin bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje, është informuar për masat ndëshkuese që mund t’i ndërmarrë Uashingtoni zyrtar, për shkak të mosheqjes së plotë dhe pa kushte të tarifës prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia.

“Nuk dëshiroj ta shoh Kosovën në atë gjendje ku partneri ynë strategjik vendos sanksione”, është shprehur fillimisht Gashi në KTV.

“Kosova është projekt i përbashkët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar ai.

I pyetur nëse janë të vërteta paralajmërimet për sanksione, ai është përgjigjur: “Ka zëra për diçka të tillë. Kanë ardhur ato zëra në të gjitha institucionet… edhe në LDK”.

Sipas tij, bëhet fjalë për mundësinë e “rikonsiderimit të përkohshëm të projekteve në Kosovë”.

Megjithatë, ai ka thënë se beson që një gjë e tillë do të shmanget dhe nuk do të ndodhë. “Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e partneritetit me SHBA’në. Është jetik për Kosovën”, ka vlerësuar Gashi.

 

Gashi: Nuk ka nevojë të shpallet reciprociteti, thjesht institucionet duhet të veprojnë

Periskopi.com Lajme

Arben Gashi, deputet i LDK’së sonte në Rubikon ka thënë se nuk është nevoja që reciprociteti të shpallet si i tillë, por institucionet e Kosovës të veprojnë me punën e tyre, transmeton Periskopi.

‘’ Kemi këndvështrime të ndryshme për taksën, ndërsa për reciprocitetin e shohim si instrument ligjor, e jo politik. Nuk ka nevojë të shpallet reciprociteti, thjesht isntitucionet duhet të veprojnë. Nuk dëshirojë me pa Kosovën kur partneri jonë strategjik mund të  vendos sanksione ndaj neve’’

‘’Nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe masa sanksione ndaj Kosovës. Ka zëra në gjitha institucionet e Kosovës, edhe në LDK. Pse duhet të tregojmë kryenecesi për një cështje që vetëm duhet të shëndërrohet në fakt’’, ka shtuar Gashi.

‘’Nuk guxojmë të rrezikojmë këtë partneritet për një instrument që nuk mund të ketë efekt të madh ekonomik’’/PERISKOPI/