Hamza: Çdo ditë që vonohemi paratë që jepen në ekonomi nuk do ta kenë efektin e njëjtë

Periskopi.com Lajme

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Bedri Hamza ka thënë se Kuvendi duhet të vazhdojë funksionimin normal të punës, edhe në kohën e pandemisë, për t’i ndihmuar qytetarët dhe bizneset.

“Funksionaliteti i Kuvendit është më se i domosdoshëm, posaçërisht në kohë të pandemisë kur ne si institucione duhet të gjejmë mënyrën duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet që të jemi në përkrahje të qytetarëve të Kosovës, biznesit dhe të ekonomisë së vendit”.

Ai, në konferencën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se nuk ka pasë vullnet politik nga partitë e tjera politike që të japin kontributin e tyre për pakot që ka propozuar PDK-ja për rimëkëmbje ekonomike.

“Ju e dini që si PDK ka afërsisht rreth dy muaj në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit kemi procedura disa iniciativa ligjore që ne vlerësojmë dhe besojmë që janë më se të nevojshme për të qenë ne përkrahje të qytetarëve, bizneseve dhe ekonomisë”.

“Ka edhe shumë ligje të tjera dhe marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore, BERZH, Komisionin Europian dhe institucione të tjera që janë të nevojshme që të ratifikohen nga Kuvendi i Kosovës në mënyrë që ne t’i përfitojmë ato mjete dhe të kemi ekzekutimin e projekteve që janë pjesë e këtyre marrëveshjeve. Ne e dimë që pa u përfunduar baza legale nuk ka mundësi që Pako e Rimëkëmbjes Ekonomike të implementohet në tërësi. Kemi qenë të hapur për Grupet Parlamentare, Asociacionet e Bizneseve dhe shoqërinë civile që të kenë mundësi të japin kontributin e vet në këtë pako, por nuk e kemi parë një vullnet politik nga partitë e tjera”.

“Çdo ditë që vonohemi efekti do të jetë më i madh, çdo ditë që vonohemi paratë që jepen në ekonomi nuk kanë me pasë efektin e njëjtë. Orientimisht e kemi lënë një mundësi që më 4 qershor ndoshta të ketë mundësi të ketë seancë të Kuvendit dhe do të takohemi paraprakisht, por si Grup Parlamentar i PDK-së që Kuvendi ta kryejë punën e vet dhe të jetë funksional”.