Hoxhaj i quan kërcënuese mesazhet e Mojsilloviqit, e pyet nëse duan ta sfidojnë NATO-n

Periskopi.com Lajme

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas deklaratave të shefit të Shtabit të Ushtrisë serbe, Millan Mojsilloviq, i cili ka thënë se Serbia ka përkrahjen e ushtrisë ruse se si të veprojnë në situatën e Kosovës.

Hoxhaj ka thënë se mesazhet kërcënuese nga ana e Serbisë po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

Ai përmes një postimi në Twitter ka pyetur nëse po duan t’i sfidojnë ushtarët e NATO-s.

“Mesazhet kërcënuese nga ana e Serbisë po bëhen më të shpeshta. Sot, gjenerali, Mojsilloviq tha se e kanë mbështetjen e Rusisë për Kosovën. Çfarë duan? Të sfidojnë ushtarët e NATO-s?”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

Gjenerali i Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviq, ka thënë se Rusia, si partner strategjik, do të vazhdojë t’i ofrojë mbështetje të shumëfishtë Serbisë, e veçanërisht për sfidat me Kosovën.

Mojsiloviq, i cili ka qenë për një vizitë zyrtare me kolegët e tij në Moskë, ka thënë për “Novostin” se kanë analizuar veçanërisht situatën me Kosovën dhe ka thënë se lëvizjet e njëanshme të Prishtinës por rrezikojnë sigurinë.

“Kemi mbështetjen nga ushtria ruse për atë se si veprojmë në lidhje me Kosovën. Sigurisht që jemi të interesuar në mënyrë të veçantë për sigurinë e serbëve, jo vetëm në veriun e Kosovës por për tërë krahinën”, ka thënë Mojsiloviq.