CEL në Kosovë ofron falas shërbime psikologjike dhe ligjore për komunitetin LGBTI

Periskopi.com Lajme

Nën moton “Kujdesu për veten” Qendra për Barazi dhe Liri në Kosovë (CEL) po ofron shërbime psikologjike dhe ligjore falas për personat e komunitetit LGBTI.

Lendi Mustafa, Koordinator i projekteve në CEL, ka thënë për Periskopi-n se ideja për këtë inciativë iu erdhi duke parë rastet e diskriminimit të këtij komuniteti.

“Personat LGBTI përballen me presion dhe ngacmime nga shoqëria dhe familja, dhe këto gjithmonë ndikojnë në shëndetin mendor. Fatkëqësisht, kemi pasur shumë raste kur personat LGBTI janë diskriminuar ose poshtëruar nga psikologët dhe psikiatrat në Kosovë. Kjo na shtyu të fillojmë këtë bashkëpunimin me Kosovo Health Foundation në vitin 2015, dhe dhe ky projekt është financuar nga Ambasada e mbreterisë se Holandës”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka thënë se qëllimi i kësaj inciative është që të krijojnë një ambient më të sigurtë për këtë komunitet, ndërkaq ka sqaruar se pse kanë vendosur t’i ofrojnë këto shërbime vetëm për komunitetin LGBTI.

“Qëllimi i këtyre shërbimeve është kujdesi ndaj personave LGBTI për një jetesë më të shëndetshme dhe për t’iu ofruar një ambient më të sigurtë për të pasur qasje në konsulta me psikolog dhe psikiater. Këto shërbime ofrohen vetëm për personat LGBTI pasi që e kanë më të vështirë të hasin në psikolog dhe psikiatër profesionist të cilët kanë informata për këto çështje dhe nuk kanë qëndrime kundër komuniteteve LGBTI”, ka shtuar ai.

Deri më tash, sipas tij, 60 persona të këtij komuniteti kanë përfituar nga këto shërbime.

Disa nga psikologët që do të ofrojnë shërbime psikologjike në CEL janë Fortesa Kadriu, Ajete Kërqeli dhe Tringa Krasniqi, ndërsa shërbime ligjore do të ofrojë avokatja për të drejtat e njeriut, Rina Kika.

Ndërkaq, në faqen zyrtare në facebook, CEL ka postuar edhe numrat përmes së cilëve personat e interesuar mund të kontaktojnë për shërbime të tilla./Periskopi/