​Maqedoni e Veriut, shfuqizohet matura shtetërore – Viti shkollor mbyllet më 10 qershor

Periskopi.com Lajme

Këtë vit shkollor nuk do të realizohen matura shtetërore, matura shkollore dhe provimi përfundimtar për shkollat e mesme tre dhe katërvjeçare.

Ministri i Arsimit të Maqedonisë së Veriut, Arbër Ademi këtë e bëri të ditur në emisionin “Rruga drejt” në Alsat duke shtuar se kjo nuk do të jetë pengesë për maturantët që të regjistrohen në universitete.

Sipas Ademit, provime kualifikuese do të organizohen vetëm për ato fakultete ku ekziston konkurrencë e lartë, krahasuar me numrin e vendeve të lira për studentët.

“Të gjithë ata nxënës, shkollar të mesëm të cilët do të duhet të përfundojnë këtë vit shkollor 2019-20 e të cilët brenda afatit të përcaktuar ligjor janë paraqitur për të dhënë provimin e maturës shtetërore do të paise me diplomë për përfundimin e arsimit të mesëm e cila do të ketë vlerën e maturës shtetërore, maturës shkollore apo provimit përfundimtar. Në këtë mënyrë do të mund të rregullojmë çështjen e vazhdimit më tej në studime themelore, respektivisht në institucionet e arsimit të lartë”, tha ministri Ademi.

Ndër masat e tjera të miratuara sot në Qeveri është edhe prolongimi i afateve për regjistrimin e nxënësve në klasë të parë. Dokumentet për regjistrimin e filloristëve të rinj nuk do të dorëzohen në muajin maj por në qershor. Ademi tha se akoma nuk është vendosur nëse regjistrimi do të bëhet online apo me dorëzimin e dokumenteve në shkollë.

“Regjistrimi i nxënësve në klasë të parë në shkollat fillore do të ndodhë gjatë muajit qershor. Ndërsa rezultatet do të publikohen deri më 15 korrik. Deri në këtë datë gjithashtu do të njoftohet edhe Inspektorati Shtetëror i Arsimit se cilët nxënës nuk janë regjistruar në arsimin fillor në klasë të parë e do të duhej të regjistroheshin në përputhje me dispozitat e ligjit për arsimin fillor”, tha Ademi.

Ministri Ademi tha se viti shkollor 2019-20 do të mbyllet më 10 qershor, e deri atëherë nxënësit nuk do të kthehen në bankat shkollore por mësimi do të zhvillohet në distancë, për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme me Covid 19.

Notimi i nxënësve do të vijojë sipas rregullores së hartuar nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit. Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse nxënësit do të kthehen në shkollë në 1 shtator.

Sipas ministrit Ademi po shqyrtohen disa mundësi ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia që edhe viti i ardhshëm shkollor të nis më mësimin në distance, në rast se gjendja me Covid 19 nuk përmirësohet.