Djali i Sabri Hamitit, i diplomuar për letërsi bartës i programit për banka dhe financa në Universitetin e Gjilanit

Artina Muçiqi Lajme

Djali i Sabri Hamitit të LDK’së, Urtak Hamiti, ka mundësuar për dy vite me radhë  funksionimin e jashtëligjshëm të programit për Banka, Financa dhe Kontabilitet në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka” ku është bartës programi, ndonëse ai nuk ka lidhje me ekonominë, derisa ka përfunduar Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, ndërsa ligjëron për diplomaci aty. 

Sipas vendimit të fundit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, programi për Banka, Financa dhe Kontabilitet do të vazhdojë të jetë aktiv në Universitetin e Gjilanit, pavarësisht që i njëjti ishte akredituar jashtëligjshëm falë një vendimi që pikërisht kjo Agjenci kishte marrë në korrik të vitit 2017.

Në një vendim të 6 korrikut të vitit 2017, Agjencia e Akreditimit kishte miratuar kërkesën e Universitetit të Gjilanit për ri-akreditimin e disa prej programeve të studimit, në mesin e të cilave edhe ai ekonomik.

Bartës të këtij programi, në kërkesën e miratuar nga Agjencia kishin qenë Arben Mustafa, Lutfi Zharku dhe Urtak Hamiti.

Urtak Hamiti, i cili është djali i Sabri Hamitit të LDK’së, u fut në listën e këtyre tre profesorëve jashtëligjshëm, vetëm për ta mundësuar akreditimin e këtij programi.

Kështu, që nga korriku i vitit 2017 ky program vazhdon të jetë aktiv në Universitetin e Gjilanit, falë Hamitit – ndonëse jashtëligjshëm.

Hamiti kishte zënë këtë pozitë, pavarësisht që nuk ka doktoraturë të përfunduar për drejtimin e ekonomisë, e aq më pak për lëndët profesionale siç janë banka, financa dhe kontabilitet.

Emërimi i djalit të Sabri Hamitit në këtë pozitë ishte bërë në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ për Akreditim, i cili përcakton qartë se për çdo 60 ETCS [kredi] nevojitet një profesor adekuat me PHD nga fusha përkatëse.

“Për programet e studimit të cilat shpijnë deri te marrja e një diplome shkencore Bachelor dhe Mastër, kërkesat për stafin akademik janë që për çdo grup të studentëve (të përcaktuar sipas statutit të IAL) dhe për çdo 60 ETCS kredi të programit të studimit, institucioni duhet të ketë të paktën (1) staf me marrëdhënie të rregullt të punës me titull PhD apo titull të barasvlershëm artistik nga fusha e programeve të studimit” thuhet aty.

Pra, një programi studimi me 180 ETCS , i duhen tre profesorë me PHD nga fusha përkatëse për t’u akredituar.

Shkelja e akreditimit të këtij programi është bërë pikërisht me Urtak Hamitin, pasi ai nuk i përket fushës së Ekonomisë.

Në CV’në e Hamitit, të publikuar në faqen zyrtare të Universitetit bëhet e ditur se ai ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Filologjik, Dega “Gjuhë dhe Letërsi Angleze”.

Ndërsa, ai ka doktoruar në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Fushën “Histori/Marrëdhënie Ndërkombëtare me temën “Politika e Jashtme e SHBA-ve dhe çështja shqiptare 1989-1999”, në vitin 2015, duke fituar titullin Doktor i Shkencës.

Sipas vendimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim programi ekonomik ishte ri-akredituar për tri vite – nga 1 tetori i vitit 2017 deri më 30 shtator 2020.

Maksimumi i studentëve që lejoheshin të pranoheshin aty për një vit akademik është deri në 200.

Por, ky vendim i Agjencisë së Akreditimit bie në kundërshtim me vetveten.

Në të njëjtin vendim, AKA nuk kishte akredituar programin “Edukimi Special”, pikërisht për shkak se bartësit e programit nuk i kanë profesionet ekuivalente me këtë program.

Ky program kishte vetëm 120 ETCS, 60 më pak se Programi për Banka, Financa dhe Kontabilitet, por shkaku i bartësve të programit nuk ishte akredituar, ndonëse i duheshin vetëm dy të tillë.

Urtak Hamiti është i angazhuar si profesor në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka” që nga 24 nëntori i vitit 2016.

Pavarësisht skandaleve të tij diplomatike të vitit 2013, ai ishte zgjedhur Prof.Ass për lëndët: Siguri Kolektive dhe NATO, e drejta diplomatike dhe konsullore, Historia e institucioneve shtetërore dhe juridike.

Djali i Sabri Hamitit të LDK’së njihet edhe si ish-diplomat i ndëshkuar për shkaktim të skandalit diplomatik.

Por, statuti i Universitetit nuk parasheh ndalesa për të kaluarën e kandidatit që aplikon për profesor të rregullt apo të asociuar. Parasheh vetëm plotësimin e kritereve që ndërlidhën me shkollimin dhe angazhimin në punë shkencore, të cilën nuk e plotëson Hamiti.

Skandalet diplomatike të Urtak Hamitit

Hamiti ishte suspenduar pas shkaktimit të një skandali diplomatik në Kroaci.

Ai kishte qenë në postin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci. Gjatë asaj kohe, mediet kishin raportuar se si ai ishte arrestuar, pasi kishte qenë i dehur dhe ishte zvarritur nëpër rrugët e Zagrebit.

Bazuar në vendimin që ishte marrë atëherë për suspendimin e tij, Hamiti kishte bërë shkelje të disiplinës duke mos e raportuar rastin tek eprorët në MPJ.

Po ashtu, bazuar në këtë vendim, Hamiti kishte shkaktuar “zbehje të imazhit të përfaqësuesve diplomatikë të Republikës së Kosovës”, si dhe “dëmtim të pronës së qytetarëve kroatë, auto veturës”.

Enver Hoxhaj, që mbante postin e ministrit të Punëve të Jashtme edhe më 2013, kishte marrë vendimin për suspendimin e tij. Vendimi e obligonte Hamitin që të kthehej në Kosovë dhe të punonte në një post më të ulët në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Po ashtu, vendimi i Hoxhajt i pamundësonte Urtak Hamitit që brenda dy vjetësh të angazhohej në poste diplomatike.

Para marrjes së këtij vendimi nga ministri i Punëve të Jashtme ishte ngritur komision disiplinor nga MPJ-ja për të shqyrtuar rastin e tij. Hamiti, para anëtarëve të këtij komisioni, kishte mohuar raportimet në media për rastin e tij, në Kroaci. I kishte cilësuar shpifje raportimet se ai ishte arrestuar, se kishte qenë i dehur dhe se ishte zvarritur nëpër rrugët e Zagrebit. Megjithatë, nuk e kishte fituar besimin e anëtarëve të komisionit disiplinor, të cilët kishin vendosur që Hamiti të suspendohej nga shërbimi diplomatik.

Hamiti, djali i nënkryetarit të LDK-së Sabri Hamitit ishte punësuar në ambasadën e Kosovës në Kroaci, në vitin 2010. Atë kohë, ministër i Punëve të Jashtme ishte Skënder Hyseni i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Për një periudhë jo të shkurtër kohore, Hamiti kishte kryer edhe detyrat e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, pas  largimit të ambasadorit Valdet Sadiku, i cili është emëruar shef i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd.

Programi Banka, Financa dhe Kontabilitet amnistohet edhe me vendimin e fundit të AKA’s

Ditë më parë u njoftua se Agjencia e Akreditimit të Kosovës ia ka hequr akreditimin Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka” për tri drejtime – dy prej të cilave të nivelit Bachelor dhe një Master.

Zyrtarja për media në këtë Universitet, Minire Haziri Rexhepi, konfirmoi gjatë ditës së sotme për Periskopin se Agjencia e Akreditimit e ka hequr akreditimin për programet: Drejtim Juridik i Përgjithshëm BA, Drejtimi i Edukimit me 2 programet (Fillor dhe Parafillor) BA dhe drejtimi E-Qeverisja MA.

Ndërkohë, kjo Agjenci ia ka akredituar katër programe këtij Universiteti, si: Programi i Ekonomikut (Banka, Financa dhe Kontabilitet si dhe Menaxhment) BA, Shkenca Kompjuterike BA, Fakultetin e Shkencave Aplikative – Programi Matematikë Arsimor BA dhe Qeverisje lokale dhe Shoqëri Demokratike MA – raporton Periskopi.

Haziri Rexhepi ka thënë tutje për Periskopin se bazuar në Udhëzimin Administrativ të MAShT’it, nr.15, viti 2019, neni 21, pika 2, thotë se “AKA mund të  rishqyrtojë  akreditimin e dhënë në çfarëdo kohe, më pas të tërheq vendimin e saj për akreditim, nëse kushtet e dhëna me rastin e akreditimit janë shkelur”, por UKZ nuk ka shkelur asnjë  kusht.

Këto programe në Universitetin “Kadri Zeka” janë vetëm  disa prej programeve të cilave ua ka hequr akreditimin Agjencia e Akreditimit të Kosovës.

Pas këtij vendimi, rektorët e gjashtë universiteteve publike të Kosovës kërkuan që të shkarkohen anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për shkak të pezullimit të 42 programeve studimore.

Për këtë reagoi vetë Këshilli.

Ata thanë se legjitimitetin si Këshill e kanë nga Kuvendi dhe vetëm nga ai mund t’i merret.

Sa i përket vendimit për pezullim të 42 programeve studimore, ky këshill ka thënë se i merr vendimet në bazë të kornizës ligjore dhe se pa aplikuar Standardet dhe Udhëzuesit për Sigurimin e Cilësisë në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë nuk mund të bëhet anëtarësimi në ENQA dhe EQAR./PERISKOPI

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shkelje të shumta ligjore në Ministrinë e Arsimit

Periskopi.com Lajme

Shkelje të shumta në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka evidentuar një raport i nxjerrë ditë më parë nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KPMSHCK).

Disa nga shkeljet e evidentuara në raportin me rekomandime për monitorimin e institucioneve publike, të cilin e ka siguruar gazeta, kanë të bëjnë me procedurat e rekrutimit dhe avancimit, organizimin e brendshëm, procedurat e ankesave, numrin e vogël të femrave dhe numrin e vogël të personave me aftësi të kufizuara që punojnë në MASHT, shkruan Koha Ditore.

Kolegji i KPMSHCK-së i ka konsideruar si shkelje edhe numrin e madh të pozitave me ushtrues detyre. Sipas raportit, në vitin 2017 ka pasur 23 pozita me ushtrues detyre në MASHT dhe disa prej tyre janë mbajtur me u.d. për më shumë se tre muaj.

Me këtë veprim thuhet se MASHT-i ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e nenit 30, paragrafi 4, të Ligjit për shërbimin civil, si dhe nenit 16, paragrafi 1, të Rregullores për procedurat e emërimit në pozita të larta drejtuese në shërbimin civil.

Shkelja ligjore që bën Thaçi, Veseli e Haradinaj që shkuan në Bruksel

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministri, Ramush Haradinaj, sot kanë bërë shkelje të rëndë të Ligjit mbi Protokollin e Shtetit. Të tre drejtuesit e vendit kanë udhëtuar për në Bruksel. Bashkë më të janë edhe zëvendëskryeministrat Limaj, Pacolli e Gashi. Ligji për protokollin e shtetit parasheh që krerët e shtetit në të njëjtën kohë nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit.

Në Kosovë aktualisht nuk gjendet asnjëri nga tre liderët kryesor të shtetit. Jashtë shtetit gjenden edhe zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj, Behgjet Pacolli e Dardan Gashi.

Presidenti Hashim Thaçi,  kryeministri Ramush Haradinaj  dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka udhëtuar për në Bruksel, kur pritet të takohen me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Me daljen jashtë vendit të tre liderëve më të lartë të shtetit, Kosova ka mbetur sot pa asnjë prej krerëve të tri institucioneve kryesore në vend. Por, dalja jashtë vendit e Thaçit, Haradinajt dhe Veselit paraqet shkelje të ligjit, raporton FaktePlus.

Me këto udhëtime ata kanë bërë shkelje të Ligjit mbi Protokolin e Shtetit, i cili parasheh që tre krerët e shtetit në të njëjtën kohë nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit.

“Protokolli i Shtetit vihet ne dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit”, bëhet e ditur në Ligjin për Protokollin e Shtetit.

Kjo është e sanksionuar në Ligjin Nr. 03/L-132 për protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës, saktësisht, kreu IV që flet për ceremonialin zyrtar të autoriteteve të larta të shtetit.

Me shkeljen e këtij ligji, do të thotë se në rast të ndonjë ngjarje të jashtëzakonshme në Kosovë, askush nuk do të jetë në gjendje të japë ndonjë urdhër pasi kështu parashikohet me ligj.

E kjo nuk është hera e parë që Presidenti, kryeministri e Kryetari i Kuvendit, shkelin këtë ligj.

Kështu kanë vepruar edhe me rastin e ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan, vitin e kaluar. Në atë meshë ishin të pranishëm që të tre, duke e lënë vendin në mëshirën e askujt

Po ashtu tre lideret patën verpuar ngashëm edhe kur kishin udhëtuar për në SHBA ku kanë marrë pjesë  në “Lutjet e Mëngjesit”.