Bytyqi presion Akreditimit për shtimin e studentëve në Mjekësi

Periskopi.com Lajme

Ministri në largim i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) është duke insistuar që të aprovohet vendimi i tij i muajit korrik për shtimin e numrit të studentëve në drejtimet Mjekësi e Përgjithshme dhe Infermieri në Fakultetin e Mjekësisë.

Në Agjencinë e Kosovës për Akreditim e kanë pranuar se Bytyqi është duke i bërë presion Këshillit Shtetëror të Cilësisë (Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim) që të aprovohet kërkesa e tij, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas Udhëzimit Administrativ për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë, Agjencia për Akreditim është agjenci e pavarur dhe misioni i saj kryesor është vlerësimi dhe akreditimi i institucioneve të arsimit të lartë dhe i programeve të tyre të studimit. Vendimet për shtimin ose jo të numrit të studentëve merren nga Bordi i kësaj agjencie.

Muaj më parë Fakulteti i Mjekësisë kishte bërë kërkesë në Senat që të shtohet numri i studentëve në këtë fakultet. Pas kësaj, ministri Bytyqi kishte nxjerrë vendim që të shtohet numri i studentëve në drejtimet Mjekësi e Përgjithshme dhe Infermieri. Ky vendim parashihte që në Degën Mjekësi e Përgjithshme të rritej numri i studentëve për 75, derisa në Degën Infermieri të shtohen edhe 59 studentë të rinj.

Kjo kërkesë ishte hedhur poshtë nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë me arsyetimin se nuk ka bazë ligjore që të shtohet numri i studentëve përderisa nuk ka vendim të ekspertëve ndërkombëtarë.

Ministri në largim i MASHT-it, javën e kaluar, gjatë një takimi me Këshillin Drejtues të UP-së dhe me dekanen e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, ka kërkuar që vendimi i tij të aprovohet.

Shyqiri Bytyqi tregon arsyet se pse iu bashkua PSD-së

Periskopi.com Lajme

Shyqyri Bytyqi, ministër në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), i cili ishte nga radhët e Nismës Socialdemokrate, tha se nga sot aktivitetin e tij politik do ta vazhdojë në Partinë Socialdemokrate (PSD).

“Që nga sot, aktivitetin tim politik do ta vazhdoj me PSD. Gjithmonë e kam informuar publikun se vazhdoj t’i përkrah politikat e majta. Politikat socialdemokrate janë më të nevojshmet për vendin”, tha Bytyqi, në emisionin “Imazh” në RTK1.

Sipas tij, në PSD i është dhënë hapësirë të kontribuojë në sistemin arsimor dhe sektorët e tjerë që do të ndihmojnë në zhvillimin e Kosovës.

“Na është dhënë hapësira e nevojshme që të kontribuojmë përfshirë sistemin arsimor dhe sektorët tjerë që janë të nevojshëm për zhvillimin e vendit”, tha Bytyqi.

Ai nuk deshi të komentojë arsyet e largimit të tij nga Nisma, duke përsëritur se e ka thënë më herët atë që ka pas rreth kësaj. “Unë nuk kam çka t’i shtoj asaj që kam thënë më parë për largimin tim nga Nisma. Është e mjaftueshme ajo që kam thënë”, tha ai.

Bytyqi, shtoi se gjatë dy viteve në punën e tij si ministër i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ka bërë shumë, përkundër shumë vështirësive në të cilat ka hasur.

Ai pohoi se nuk ka pasur përkrahjen e mjaftueshme në punën e tij si ministër, sipas tij, ka pasur pengesa për reformat në sistemin e arsimit. Ai shton se ka patur pengesa dhe pakënaqësi të vazhdueshme në punën e tij.

“Sistemi arsimor është i politizuar, duhet vullnet më i madh që arsimi të depolitizohet, kjo në një masë është bërë më ligjin par emërimin e drejtorëve”, tha ai.

Bytyqi, pohon se përkrah reformat në sistemin e arsimit, në komunën e Kamenicës, ai kritikoi kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jashari, duke i kërkuar atij që mos të ndërhyjë në reformat e kryetarit të komunës, Qëndron Kastrati.

Kërkohet punësimi i më shumë psikologëve dhe pedagogëve në shkolla

Periskopi.com Lajme

Konkursi i hapur ditë më parë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për punësimin e 30 psikologëve dhe 20 pedagogëve në shkolla po kritikohet nga njohës të çështjeve të arsimit dhe nga përfaqësues të Komisionit parlamentar për arsim.

Kjo, meqë po konsiderojnë se numri i këtyre profesionistëve që po i kërkon Ministria është i pamjaftueshëm karshi kërkesave të shkollave. Aktualisht në gjithë Kosovën janë vetëm 80 psikologë dhe pedagogë të angazhuar në shkolla, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ministrisë po i kërkohet që të hapë sërish konkurs dhe të shtojë numrin e psikologëve dhe të pedagogëve në institucione shkollore. Kjo, pasi një pjesë e madhe e shkollave nuk kanë fare të angazhuar profesionistë të tillë. Angazhimi i tyre në shkolla parashihet me Ligjin për arsimin parauniversitar.

Kryetari i Komisionit parlamentar për arsim, Ismajl Kurteshi, ka thënë se Ministria është dashur të kërkojë më shumë psikologë dhe pedagogë në konkursin e fundit. MASHT-i, sipas tij, duhet të gjejë mënyra për shtimin e tyre, pasi, siç ka shtuar, nevoja për angazhimin e tyre është shumë e madhe.