‘Diçka po zihet’, konkurs i dyshimt për mësimdhënës në Shkollën e Muzikës në Gjakovë

Periskopi.com Lajme

Taulant Rruci, njëri nga kandidatët për pozitën e mësimdhënësit në lëndën e violinës në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, thotë se u shkelen kushtet dhe kriteret e konkursit për ta favorizuar kundërkandidatin e tij Jeton Kaçka.

Ai thotë se Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjakovë, në bashkëpunim me drejtorin e Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova”, shkelen ligjin në konkursin për vendin e punës për mësimdhënës të muzikës të lëndës së violinës.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Jeton Kaçkën përmes telefonit, por i njëjti nuk ka dashur të deklarohet.

“Për informata kontaktoni Drejtorinë e Arsimit në Gjakovë”, ka thënë Kaçka.

Rruci që kishte kandiduar për pozitën e mësimdhënësit në lëndën e violinës, thotë se DKA-ja në krye me drejtorin e saj Bernard Frrokaj, kanë thyer të gjitha kushtet dhe kriteret e cekura në konkursin e shpallur nga po ata, duke thirrur në intervistë kandidatë të pakualifikuar (të pa diplomuar).

“Në intervistën me gojë unë kam paraprirë me 55 pikë, kundrejt kundërkandidatit me 42 pikë që është ende i padiplomuar dhe ende vazhdon të punojë në shkollën e muzikës pa diplomë”, thotë ai.

Rruci, përveç diplomës thotë se ka edhe 4 vite përvojë pune me këtë instrument. Ai thotë  se kundërkandidati i tij  Jeton Kaçka, ndonëse nuk ka diplomë universitare është përzgjedhur nga ky komision si kandidati i përshtatshëm për të ligjëruar lëndën e violinës.

“Kundërkandidati që nuk ka diplomë është pranuar, ndërsa emri im nuk ishte shfaqur askund. Kjo nënkupton se drejtori i DKA-së Bernard Frrokaj nuk e ka përfillur udhëzimin administrativ 06/2015 dhe Ligjin e Punës”, thotë Rruci.

Drejtori i DKA-së në Gjakovës, Bernard Frrokaj, tha se Rruci nuk e kishte kaluar testin me shkrim dhe po ashtu kandidati i përzgjedhur ka tashmë më shumë se 4 vite që ligjëron këtë lëndë edhe për kundër faktit që ende nuk i ka përfunduar studimet në këtë lëmi.

“Unë mendoj se nuk duhet flakur jashtë njerëzit që kanë kontribuar për më shumë se 4 vite në atë shkollë dhe ky djali Taulanti as nuk e ka kalu testin me shkrim edhe na edhe përkundër faktit që nuk e ka kalu testin prapë ja kemi dhënë mundësin me hy në intervistë me gojë, por nuk është përzgjedhur”, tha mes tjerash drejtori Frrokaj.

Nga ana tjetër drejtori i kësaj shkolle, Kastriot Sada, mohon të ketë gisht në këtë punë.

“Ne nuk jemi kompetent për zgjedhje të kandidatëve, ne veç bëjmë kërkesë për pozitat e nevojshme dhe përzgjedhjen e bënë Drejtoria e Arsimit”, ka thënë Sada.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Inspektoratin e Arsimit në Gjakovë, ku ka mësuar se ky organ me vendim ka anuluar kontratën e kandidatit të përzgjedhur Jeton Kaçka me arsyetimin se nuk ka nostrifikim nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

Kryeinspektori i Arsimit në Gjakovë, Gjergj Gojani tha se ka pasur mjaft bazë për ta anuluar këtë kontratë pasi që kandidati i përzgjedhur nuk kishte kualifikim universitar.

“I përzgjedhuri Kaçka ndonëse kishte paraqitur një vërtetim si student i vitit të tretë në Fakultetin e Muzikës në programin e studimit Violinë në vitin 2009-2010, ky vërtetim nuk ka nostrifikim nga Ministria e Arsimit”, tha Gojani.

Rruci ka treguar se së fundmi Shkolla e Mesme e Lartë e Muzikës, “Prenk Jakova” ka hapur një konkurs me 10 orë mësimi për lëndën e violinës, ai bën me dije se prapë do të jetë konkurrent, ndonëse pretendon se ju bë e padrejtë në konkursin e parë.