Kallëzim penal ndaj Agim Bahtirit për kërcënim ndaj gazetarit Shkumbin Kajtazi

Periskopi.com Lajme

Policia e Kosovës, konkretisht departamenti i hetimeve ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ndaj kryetarit të Mitrovicës Agim Bahtiri, pasi që i njëjti më 23 korrik nëpërmjet telefonit e kishte kërcënuar dhe sharë gazetarin Shkumbin Kajtazi.

Policia ka bërë të ditur se pas denoncimit të rastit nga gazetari Shkumbin Kajtazi, në kuadër të autorizimeve ligjore i ka marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin, ku pas përfundimit të hetimeve ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ndaj kërcënuesit Agim Bahtiri.

“Bazuar në procedurat ligjore  Policia e Kosovës ka ndërmarr te gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin. Rasti është kompletuar dhe është dërguar në prokurorinë kompetente”, bën të ditur Policia e Kosovës.

“Kujtojmë se, që nga janari i këtij viti e deri me tash, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regjistruar gjithsej 13 raste të gazetarëve. 2 nga këto raste janë sulme fizike, 10 raste të tjera janë kërcënime verbale dhe 1 rast tjetër është dëmtim i pronës së një gazetareje”, thuhet në njoftimin e AGK-së

Agim Bahtiri i hakmerret gazetarit Shkumbin Kajtazi duke ia larguar motrën nga puna

Periskopi.com Lajme

Gazetari Shkumbin Kajtazi ka kohë që po përballet me një ‘betejë’ mjaft të ashpër me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Gazetari Kajtazi përmes një postimi në Facebook, ka sqaruar se si i është larguar motra nga ku punonte, në farikën e këpurdhave ‘Hirano Mushroom’, e cila udhëhiqet nga djali i Agim Bahtirit.

Siç e përshkruan Kajtazi ngjarjen, në momentin kur motra i është larguar nga puna,  djali i Agim Bahtirit ka thënë ise kjo po ndodh për shkak se ‘vëllai i saj (Shkumbini) po folë keq për babain’.

Ky është njoftimi i plotë i gazetarit Kajtazi:

Hakmarrja e gabuar e Agim Bahtirit ndaj meje: Ma largoi motrën nga puna

Për disa vite që kur kam vendosur që t’ia kushtoj jetën profesionit, ama bash krejt jetën, kam pasur me dhjetra a qindra kërcënime, fyerje, shantazhe e çka jo. Që në fillimet e këtij profesioni, secili që dëshiron të bëhet gazetar e di që gazetaria dhe rreziku shkojnë bashkë. Ky i fundit që erdhi nga kryetari i Mitrovicës ishte i gërditshëm, por jo i papritshëm. Kështu që, e mora njëlloj me sportivitet.

Mirëpo, Agim Bahtiri ka zgjedhur t’i qërojë hesapet me mua duke mos u ballafaquar drejtpërdrejtë me mua, por me familjarët e mi. Kësaj here me motrën time, të cilën e largoi nga puna dy ditë pas tekstit për punësimin e shefes së kabinetit, për të cilin tekst mora edhe kërcënimin.

Bahtiri, përmes djalit të tij Valonit, e ka larguar motrën time, Ferdije Tahirin, nënë e tre fëmijëve nga martesa 16-17 vjeçe, nga vendi i saj e punës që e mbante për më shumë se dy vite e gjysmë.

Ferdija punonte në fabrikën e këpurdhave ‘Hirano Mushroom’, ku një prej drejtorëve është djali i kryetarit. Punësimi i saj aty nuk kishte asnjë lidhje me mua, pasi të dy nisëm punën më 1 shkurt 2016. Bile unë në Gazetën Monitor, në kohën kur s’më njihnin as 100 njerëz. D.m.th, punësimi i saj nuk kishte asnjë lidhje me mua, andaj edhe largimi për t’i qëruar hesapet me mua, është gjest i ulët.

Përveç kësaj, Ferdija kishte kontratë dhe anekse të vazhdimit të kontratës në vendin e saj të punës, ku ishte cilësuar prej punëtoreve më të mira. Këtë e konfirmon edhe aneksi i rritjes së pagës vetëm 4 muaj më herët. Por, si largohet punëtorja më e mirë? E thjeshtë: Nëse e ka vëllain gazetar, e nëse ka rastësisë që ai ta kryejë punën e tij.

Këtë arsyetim ia kishte dhënë Valon Bahtiri motrës sime atë ditë. “Vëllai yt po shkruan për babën tem, s’ka vend për ty mo”, i kishte thënë në sy të dy udhëheqësve të fabrikës.
Madje, Valoni që guximin e kishte merak ta shprehte në sy dhe para njerëzve të pafuqishëm, më kishte dërguar selam për motrën time. “Thuj atij, nuk mbetet me qikaq”, kishin qenë fjalët e tij për mua.

Dhe, a e dini pse gjithë këto kërcënime e hakmarrje? Sipas tyre, i ‘paskam prekur në moral’. Të dashur, lexojeni tekstin dhe e shihni se aty nuk ka asnjë detaj rreth moralit të askujt. Unë veç i kam paraqitur faktet, e në qoftë se ato fakte i kanë prekur në moral, unë faktet s’i kam krijuar.

Sidoqoftë, dua ta përsëris se sharjet dhe fyerjet nga njerëz si Agim Bahtiri dhe i biri Valoni, as që më bëjnë përshtypje. Puna ime flet vet, dhe më duhet ta potencoj se nga ajo iu dridhen këmbët që të dy këtyre tipave, përndryshe as atyre nuk do u bënte përshtypje pse një gazetar shkruan për të. Ajo që më bën përshtypje është niveli i ulët njerëzor i këtyre dy personave që përdorën një nënë të tre fëmijëve për t’u hakmarrë ndaj meje.

Edhe një gjë që s’mund ta lë pa përmendur, është një viktimë tjetër. Një djalosh me mbiemër Kajtazi ishte përjashtuar po atë ditë nga puna, vetëm e vetëm se kishte mbiemrin si timin. Djaloshi ishte nga Vushtrria dhe as që më njihte.

Unë i them kryetarit se gabimi i parë i tij ka qenë kur ka menduar se mund të ketë sukses me ndonjë kërcënim, presion a shantazh. I dyti është kur ka provuar. Në mos qofsha unë që do të raportojë për ty, kryetarin e qytetit tim, do të jetë një gazetar tjetër, pastaj një tjetër; pasi kjo punë s’është imja personale, është e secilit gazetar. Ti s’mund të gjithëve t’u hakmerresh, por as je i pari që do të kishte dëshirë të mund t’u hakmerrej të gjithëve.

Agim, marrja nuk të mbyt. Ama, prej saj nuk lahesh lehtë…

 

Agim Bahtiri kërcënon dhe shanë gazetarin Shkumbin Kajtazi

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka kërcënuar gazetarin e Gazetës Metro, Shkumbin Kajtazi, pas një artikulli të publikuar në këtë gazetë.
Bahtiri e ka marrë në telefon gazetarin dhe i është drejtuar me fjalë kërcënuese dhe sharje, shkruan Metro.
“Ropt ka me ti q*. Ma ke prekë ndërgjegjen. Maje në men, ropt ka me ti q*”, i ka thënë Bahtiri gazetarit Kajtazi.
Ky kërcënim dhe kjo fyerje e të parit të Mitrovicës erdhi pas publikimit të një artikulli ku tregohej punësimi i një modeleje njëzetvjeçare në pozitën e shefes së kabinetit.
Gazetari Kajtazi e ka raportuar rastin në Polici dhe për këtë është hapur rast.
Rasti i është adresuar edhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
Metro shkruan se gazetari Kajtazi ka pritur për tri orë që kryetari Bahtiri të kërkojë falje, por kjo gjë nuk ka ndodhur.