Violeta Kukaj ndahet nga bashkëshorti

Periskopi.com Showbiz

Ka tash e një kohë që përflitet për ndarjen e këngëtares Violetë Kukaj nga bashkëshorti.

Një zhvillim i tillë merr vëmendjen thuajse më të madhe sa i përket këngëtares në mediat online në dy vitet e fundit.

Megjithatë, nga kjo ngjarje, duket të ketë të reja.

Prive.al ka arritur të mësojë nga burime shumë të sigurta pranë këngëtares se çështja tek tani ka mbërritur në gjykatë.

Pas ndarjeve dhe shanseve të reja për vazhdim të martesës, së fundmi edhe zyrtarisht, ish-çifti ka marrë vendimin që të shkurorëzohen në gjykatë.

Mësohet se seanca e parë e divorcit është mbajtur në datën 11 të këtij muaji dhe një tjetër parashihet brenda Korrikut.

Përkundër viteve bashkë dhe fëmijëve në mes, duket se ndarja e këngëtares së mirënjohur Violetë Kukaj nga bashkëshorti tashmë është në një rrugë të pakthyeshme.

Rasti i çuditshëm i gruas nga Gjilani: Burri shkurorëzohet nga ajo pa dijeninë e saj, ja si e mori vesh

Periskopi.com Lajme

Selvete Aliji nga Gjilani nuk ka gjetur mbështetje nga asnjë shkallë e gjyqësisë në Kosovë dhe kështu u detyrua t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Bashkëshorti i saj, është shkurorëzuar me të, pa e ditur Selvetja. Gjykata e Prishtinës ka shpallë vendim pa dijeninë e saj dhe Gjykata e Apelit as që e mori në konsideratë ankesën e saj për shkelje të të drejtave në këtë proces gjyqësor. Rastin në favor të saj tash e kthen Gjykata Kushtetuese, e cila i shpallë të pavlefshme vendimet e gjykatave paraprake

Zonja nga Gjilani, Selvete Aliji, e mori vesh se është shkurorëzuar nga bashkëshorti i saj në momentin kur ka shkuar të nxjerrë një ekstrakt në Zyrën e Gjendjes Civile.

E habitur nga ajo që pa në dokument, kërkoi që ta dijë se si mundet Gjykata të marrë vendim për shkurorëzim, pa e thirrur asnjëherë në gjykim dhe pa e njoftuar atë për këtë procedurë.

Më 22 tetor të 2014’s, ish-bashkëshorti i Selvetës, Sadadin Shehu, ka paraqitur padi në Gjykatën Themelore për zgjidhje të martesës, me arsyetimin se “raportet martesore të ndërgjyqësve janë keqësuar dhe çrregulluar në mënyrë të pa kthyeshme”.

Pas 15 ditëve, ish-bashkëshorti i saj kishte propozuar avokat, për të përfaqësuar Selveten, për shkak se sipas tij, nuk ia dinte vendbanimin dhe adresën e saj. Gjykata Themelore e Prishtinës e pranoi përfaqësuesin për Selvetën, të cilin bashkëshorti i saj e kishte propozuar.

Express ka biseduar me Selvete Alijin, e cila konfirmoi se Gjykata dhe as askush nuk e kishte lajmëruar atë për fillim të kësaj procedure të shkurorëzimit. Madje, ajo tha se në kohën kur ish-bashkëshorti i saj kishte ngritur padi, ajo kishte biseduar me të kohë pas kohe. Por, i njëjti asnjëherë nuk i kishte treguar për padinë që ia kishte bërë.

“Unë kam bisedu më të në atë kohë kur ai kish nis procedurën ndaj meje, pastaj e kam marrë vesh, pasi e kam pa që është marrë vendim për këtë çështje, por ai asnjëherë nuk më ka njoftuar për këtë procedurë”, ka thënë Aliji.

Më 15 tetor të 2015’s, Gjykata nxori aktgjykim me të cilin zgjidhi martesën në mes të Selvetes dhe ish-bashkëshortit të saj, Sadadinit. Ky aktgjykim u bë i plotfuqishëm më 6 janar të 2016’s, pasi asnjëra palë në procedurë nuk ishte ankuar ndaj këtij aktgjykimi.

Më 11 mars 2016, Selvetja kishte shkuar në Zyrën e Gjendjes Civile për të nxjerrë një ekstrakt dhe nga aty ka marrë vesh se gjendja e saj martesore kishte ndryshuar dhe se “në regjistrin qendror të gjendjes civile evidentohet si e shkurorëzuar”.

Më 18 mars të 2016, Selvetja kishte shkuar në Zyrën e Regjistrit Qendror të Gjendjes Civile në Prishtinë ku e kishte marrë edhe aktgjykimin e shpallur nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Ankesë për këtë aktgjykim, ajo dërgoi në Gjykatën e Apelit, ku kërkoi përsëritjen e procedurës në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Në këtë kërkesë, Selvetja ka theksuar se asaj nuk i është mundësuar pjesëmarrja në seancën e shqyrtimit kryesor për këtë çështje, pasi që nuk është njoftuar asnjëherë për fillimin e procedurës gjyqësore, ku u padit nga ish-bashkëshorti i saj. Ajo madje ka thënë se Sadadin Shehu dhe përfaqësuesi i tij e kanë ditur se ku gjendet ajo me vendbanim dhe nuk i kanë prezantuar faktet e duhura.

Por, kërkesën për përsëritje të procedurës Gjykata e Apelit e hodhi poshtë, pa dhënë ndonjë shpjegim apo arsyetim tjetër lidhur me procesin e zhvilluar në Gjykatën Themelore. Të paktën kështu ka konstatuar Gjykata Kushtetuese, ku Selvetja gjeti mbështetje në këtë rast kundër saj.

Selvetja, nuk u dorëzua me kaq. Kështu ajo sërish u ankua në Apel, duke pretenduar se kanë bërë vërtetim të gabuar, shkelje kushtetuese të së drejtës së saj për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Kryetari i Kolegjit të Gjykatës së Apelit, Qerim Ademaj, dhe anëtarët Ramë Hyseni dhe Isa Kelmendi, ia kthyen përgjigjen Selvetës duke i thënë se ankesa e saj është e pathemeltë.

Në aktvendimin e Apelit, të cilin e posedon Gazeta Express thuhet se refuzohet si e pathemeltë ankesa e Selvete Alijajt nga Gjilani.

Kjo Gjykatë në aktvendim ka thënë se nëse martesa është zgjidhur ose është anuluar me aktgjykim të formës së prerë, vendimi për shkurorëzim, përkatësisht për anulimin e martesës nuk mund të goditet me mjete të jashtëzakonshme juridike.

Për rastin konkret, Apeli vendosi që propozimi për përsëritje të procedurës është i palejuar dhe si i tillë duhet hedhur poshtë.

Pasi nuk gjeti rrugë tjetër mbështetëse ndaj asaj që ajo konsideron se iu bë shkelje, Selvetja iu drejtua Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese, në këtë çështje, vëren se në gjykimin e shpallës së parë, Selvete Aliji jo vetëm që nuk mori pjesë personalisht në proces gjyqësor, por as nuk kishte informacion për mbajtjen e gjykimit. Ajo, madje as nuk ishte informuar për përmbajtjen e padisë dhe nuk kishte asnjë mundësi të paraqisje një përgjigje ndaj padisë që ia kishte bërë burri i saj.

Gjykata Kushtetuese, gjithashtu verën se përfaqësuesi i saj ligjor, i caktuar si i përkohshëm u caktua nga Gjykata, duke u bazuar në propozimin e ish-bashkëshortit të saj. Përfaqësuesi i saj, madje nuk e kundërshtoi as padinë kur u nxor aktgjykimi dhe nuk paraqiti fare ankesë, shkruan Gazeta Express.

“Në situatën kur parashtruesja e kërkesës nuk merr pjesë fare në seancë dëgjimore të shkallës së parë; kur nuk i jepet mundësia për të paraqitur argumentet e saj, qoftë drejtpërdrejtë apo përmes përfaqësuesit ligjor; kur argumentet e palës kundërshtuese dëgjohen dhe merren parasysh dhe kur pala; përkatësisht parashtruesja nuk ka asnjë lloj mundësia t’i kundërshtojë ato, është e qartë se parimi i barazisë së armëve në procedurë nuk është respektuar.”, thotë Kushtetuesja.

Kushtetuesja, gjithashtu konstaton se Gjykata e Apelit edhe pse kishte theksuar se ishte në dijeni të pretendimeve të Selvete Alijijt vlerësoi se “nuk e ka parë të arsyeshme që t’i elaboroj secilën veç e veç”.

Si përfundim të të gjithë këtij rasti, Gjykata Kushtetuese thotë se aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës, si dhe aktvendimet e Gjykatës së Apelit, nuk kanë respektuar standardet kushtetuese të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, dhe si rrjedhojë e kësaj, Kushtetuesja konstatoi se ka shkelje të nenit 31 dhe 61 të Kushtetutës së Kosovës.

Andaj, shkalla më e lartë e gjyqësisë, Kushtetuesja, ka vendosur të konstatojë se ka pasur shkelje në vendimet e mëhershme të gjykatave ndaj rastit të Selvete Alijit dhe vendosi ti shpallë të pavlefshëm aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe aktvendimet e Gjykatës së Apelit.

Rasti, kthehet në rigjykim me vendim të Kushtetueses dhe Gjykata Themelore e Prishtinës urdhërohet që ta njoftojë Kushtetuesen lidhur me masat e ndërmarra për zbatimin e aktgjykimit.

Vendimi i Kushtetueses është shpallë dhe ka hyrë në fuqi nga data 28 dhjetor 2018.