Lirohen nga obligimi për karantinim shoferët kosovarë e të huaj që transportojnë mallra

Periskopi.com Lajme

Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë sot vendim i cili liron nga obligimi për t’u karantinuar për 2 javë shoferët me shtetësi kosovare dhe të huajt që transportojnë mallra.

Megjithatë atyre do t’iu kryhen testet mjekësore për t’u siguruar që nuk janë të infektuar me virusin COVID-19;

Në pikën 1 të vendimit të MPB-së thuhet se të gjithë qytetarët që futen nga pikat kufitare në Kosovë detyrohen të karantinohen për 2 javë. Ndërkohë në pikën 2, lirohen shoferët që transportojnë mallëra.

“Përjashtohen nga pika 1 e këtij vendimi, shoferët shtetas të Kosovës dhe të Huaj të mjeteve transportuese të mallrave, të cilët pasi t’i nënshtrohen kontrollit mjekësor, vlerësohen se nuk janë të dyshimtë me COVID-19, të njëjtit duhet të veprojnë sipas Udhëzuesit nr. 107 të datës 16.03.2020, të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike”, thuhet në pikën 2 të vendimit të MPB’së.

Këtë vendim Sveçla e ka marrë në koordinim me Grupit Ndër-institucional për Menaxhimin e Incidenteve.

Ky vendim ka ardhur pas ankesave të afaristëve të Kosovës që u bë dje përmes një letre publike drejtuar kryeministrit Albin Kurti.

Teknologjia e re parandalon shoferët të ngatërrojnë frenat dhe gazin

Periskopi.com Tech & Auto

Toyota, një prodhues makinash japoneze, po përgatitet të tronditë tregun këtë verë me teknologji inovative.

Teknologjia e re do të ofrohet së pari si një mundësi për automjete të reja në Japoni para se të hyjnë në tregun global, ndërsa në një moment të këtij viti pritet të implementohet në disa nga modelet ekzistuese, transmeton KosovaPress.

E gjithë kjo ka për qëllim të kontrollojë përshpejtimin edhe kur pengesat nuk ekzistojnë dhe Toyota shpreson të zvogëlojë numrin e aksidenteve në trafik të shkaktuara nga konfuzioni gjatë ndërrimit të pedalit të frenimit dhe atij të gazit.

Për shkak se njerëzit shpesh përziejnë gazin dhe frenat, ne mund të shohim një numër pak më të lartë të aksidenteve në parkingje dhe vende të ngjashme.

Kjo teknologji do të shoqërohet me frenimin e shpejtë para-përplasjes, ndihmën automatike për nisjen e korsisë, paralajmërimin e nisjes së korsisë dhe të ngjashme.

Nga janari secili shofer do të paguajë shtesë për këtë shërbim

Periskopi.com Lajme

Nga janari i vitit 2020, pronarët e veturave do të paguajnë shtesë për ‘pullën mjedisore’, shërbim që do të kryhet nëpër kontrollat teknike pak para regjistrimit të automjetit.

Ndotja e ajrit është bërë problem serioz në Kosovë. Madje, veturat shumë të vjetra, që nuk janë të pakta në numër, po konsiderohen si njëri nga shkaktarët më të mëdhenj të ndotjes së ambientit në vend.

Për këtë temë, mbrëmë në emisionin ‘Interaktiv’ të KTV-së ka folur ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi.

Matoshi ka treguar se gjatë bërjes së kontrollimit teknik të automjetit do të matet edhe emitimi i gazrave të automjeteve në ajër dhe secili automjet do të pajiset me ‘pullën mjedisore’

“E kemi sponsorizu një udhëzim administrativ që për qëllim ka matjen e gazrave në kontrolla teknike, ky udhëzim është dashtë të hyjë në fuqi në shkurt të këtij viti ndërkohë ministri Lekaj ka kërkuar që të hyjë në fuqi më 1 qershor. Zbatimin e udhëzimit e bënë Ministria e Infrastrukturës, nga data 1 qershor udhëzimi ka hy në fuqi ka gjashtë muaj provues,  përfundon shpejt besoj që kontrollimet teknike janë pajisur me pajisje të cilat bëjnë matjen e emitimit të gazrave nga veturat në ajër”, tha Matoshi, transmeton Gazeta Sinjali.

Por çka ndodh me veturat e vjetra të cilat nuk janë të pranueshme për ambientin?

“Një veturë mund të konsidetrohet teknikisht e parregullt në rast se emitimi i gazrave është më i lartë sesa është i pranueshëm me standardet europiane. Duhet ta riparojë automjetin, vendosen pajiseje kur vetura është në gjendje të mirë teknike, nuk emeton gazra të teperta në ajër. I vendoset një pullë që tregon se kjo veturë mund të lëvizë”, shpejgoi Matoshi.

Pra, siç thotë Matoshi,përvec kontrollës së frenave, gomave, motorit të maniknës ‘do të kemi shtesë edhe një kontrollë që ka të bëjë edhe me emetimin e gazrave në ajër’.

Për këtë shërbim qytetarët do të paguajnë shtesë.

“Sigurisht që duhet të paguajë shtesë, ajo që njërezit duhet të paguajnë është që secili ta ketë veturën teknikisht në rregull dhe ambientalisht të pranueshme. Është e detyrueshme për të gjithë, nga janari secili duhet të shkojë ta marrë atë pullën mjedisore, kur shkon me regjistru veturën për një vit”, tha më tej ai.

Lidhur me tarifën që do ta paguajnë qytetarët për vendosjen e ‘pullës mjedisore’, Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, ky i fundit ka premtuar se shumë shpejt do të kthejë përgjigje.

Ende nuk dihet se cila do të jetë shuma që do ta paguajnë qytetarët për këtë shërbim shtesë.

Kujtojmë se së fundmi Banka Qëndrore e Kosovës (BQK), ka marrë vendim për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve për 26%. Drejtuesit e automjeteve janë të obliguar që të paguajnë sigurimin për 26 për qind më shtrenjtë.

 

Policia me plan operativ – shoferët që shkelin rregullat në trafik do ta pësojnë keq

Periskopi.com Lajme

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka njoftuar për planin operativ që janë duke hartuar për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në trafik – raporton Periskopi.

Në njoftim të Policisë, bëhet e ditur se nga sot ka filluar dërgimi i mesazheve vetëdijesuese për sigurinë në trafik.

Policia ka paralajmëruar se shoferët që nuk respektojnë rregullat, do të gjobiten.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Policia e Kosovës, me qëllim të shtimit të masave për të rritur sigurinë në trafik, ka hartuar dhe është duke e zbatuar një plan operativ. Plani operativ, parasheh aktivitete të shtuara me qëllim që të parandalohen aksidentet dhe të rritet siguria në trafik. Veç aktiviteteve policore në këtë aspekt, Policia e Kosovës KERKON-APELON tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor.

Sot, më 30 korrik 2019, Policia e Kosovës, në vazhdën e kërkesës për pjesëmarrësit në trafik,  në bashkëpunim me operatorin e telefonisë ‘VALA’, ka filluar dërgimin e një mesazhi për rreth një milion përdorues të numrave të kësaj kompanie. Me këtë rast, falënderojmë operatorin në fjalë për mbështetjen e ofruar.

Policia e Kosovës, për të gjithë ata pjesëmarrës në trafik, e në veçanti për drejtuesit e automjeteve, të cilët do të bëjnë shkelje të ligjeve e rregullave të trafikut do të ndërmerr masa ndëshkuese sipas ligjeve në fuqi.

 

 

Kosovarët në hall, nuk po u njihen patentat shoferët në vendet e BE’së

Periskopi.com Lajme

Mosnjohja ndërkombëtare e dokumenteve personale të Kosovës është bërë shqetësim i madh për shumë qytetarë të Kosovës, të cilët jetojnë jashtë vendit.

Osman Berisha nga qyteza e Malishevës në Kosovë, i cili tash e tre vjet jeton në Itali, thotë që nuk ju njihet patentë-shoferi nga autoritetet italiane, gjë që siç thotë ai, është një problem që po përcjell në përgjithësi qytetarët e Kosovës që jetojnë në Itali.

“Problemi dhe shqetësimi i shumë qytetarëve që unë njoh e që jetojnë në Itali është mosnjohja e patentë-shoferit të Kosovës. Në shumicën e rasteve kur policia lokale na ndalon, na merr patentën dhe na japin dënime që gati janë të papërballueshme. Disa persona që unë njoh, kanë marrë dënime nga policia italiane për shkak se kur janë ndaluar, e kanë pasur patentë-shoferin e Kosovës”, tregon Berisha.

Ai thotë se në të kaluarën ka pasur tolerime edhe nga policia lokale, por tani çdo person që ndalohet dhe ka patentën e Kosovës, ata menjëherë ia konfiskojnë.

“Kam shoqëri këtu në Itali që janë nga Moldavia dhe Shqipëria e që atyre ju njihet patenta-shoferi e vendit prej nga vijnë. Ata me patentë-shoferët që kanë marrë në vendin e vet, mund të vozisin në Itali. Unë kam biseduar edhe me ambasadën e Kosovës këtu në Itali, ata e dinë për këtë problem, por më kanë thënë nuk kemi çfarë të bëjmë. Nëse ata nuk kanë çfarë të bëjnë, çfarë të bëjmë ne?!”, shton Berisha.

Autoritetet në Kosovë thonë se që nga viti 2013 kanë filluar negociatat me disa nga vendet e Bashkimit Evropian që të arrijnë marrëveshje reciproke për njohje të ndërkombëtare të dokumenteve personale të Kosovës, konkretisht për njohje të patentë-shoferëve.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Izmi Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë, se si me shtete tjera të BE-së edhe me Italinë nuk kanë arritur te një marrëveshje përfundimtare për njohje të patentë-shoferëve.

“Që nga viti 2013 kemi filluar të negociojmë me shtete të ndryshme, duke filluar me Austrinë, Italinë, Slloveninë, Kroacinë e të tjera, por nuk kemi arritur deri më tani ndonjë marrëveshje. Negociatat e fundit me autoritetet italiane kanë qenë në muajin gusht, por ende nuk kemi asgjë zyrtare për një marrëveshje reciproke për njohje të patentë-shoferëve”, thekson Zeka.

Ai shton se si Ministri, i kanë bërë angazhimet e duhura për njohje të patentë -shoferëve dhe se nuk i dinë arsyet e shteteve për mosarritje përfundimtare të këtyre marrëveshjeve.

“Ne, si Ministri, kemi bërë krejt çfarë është e mundur që të arrijmë marrëveshje dhe jemi të vetëdijshëm për problemet, me të cilat ballafaqohen qytetarët tanë që jetojnë në këto shtete”, thekson Zeka.

Ministria e Punëve të Brendshme në kuadër të përpjekjeve të saj për njohje ndërkombëtare të dokumenteve personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, deri në tani ka nënshkruar marrëveshje me Republikën e Shqipërisë dhe atë Maqedonisë së Veriut.

Në bazë të këtyre marrëveshjeve, palët kontraktuese njohin reciprokisht zëvendësimin, konvertimin e patentë-shoferëve/lejeve të drejtimit të vlefshme, të lëshuara nga autoritetet kompetente të palës tjetër kontraktuese, në pajtim me legjislacionin e tyre të brendshëm, në favor të mbajtësve të patentë-shoferëve/lejeve të drejtimit, të cilët kanë fituar të drejtën e vendqëndrimit të ligjshëm – rezidencën normale në territorin e vendit të tyre.

Në shkurt të këtij viti ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Ekrem Mustafa, pati dërguar në Ministrinë e Punëve të Jashtme kërkesat për marrje të rekomandimit për miratim në parim me shtetet e BE-së për njohje reciproke të patentë-shoferëve.

Ministri Mustafa kishte kërkuar që ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverive të Republikës Federale Gjermane, Konfederatës Helvetike, Republikës Franceze dhe Republikës së Malit të zi, të fillohet nisma për njohje reciproke të patentë-shoferëve.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, por nuk ka arritur të marrë ndonjë përgjigje lidhur me këtë çështje.

Të njëjtin problem me patentë-shofer e ka edhe Altin Kelmendi, i cili që nga viti 2007 jeton në Itali.

“Ka shumë njerëz që vozisin me patentë-shofer të Kosovës këtu në Itali, por në momentin që ndalohen nga policia italiane patenta iu sekuestrohet dhe dënimet shkojnë fillimisht 150 euro, por nëse lënda shkon në gjykatë atëherë dënimi arrin deri në 9 mijë euro”.

“Ne nuk po kërkojmë të na njihet komplet patentë-shoferi i Kosovës, por të na mundësohet që të testohemi vetëm për vozitje dhe jo në anën teorike, pasi që shumë shqiptarë të Kosovës këtu në Itali nuk e njohin mirë gjuhën për të arritur të pajisen më patentë të shtetit të Italisë”, thotë Kelmendi.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme vitin e kaluar ka lansuar patentë-shoferin me dizajn të ri, të cilët janë të pajisur me teknologjinë e fundit për siguri të dokumenteve dhe në harmoni me direktivat e Bashkimit Evropian.

Shoferat rrisin sigurinë kundër dënimeve: Çelin grupe të reja në Viber për të treguar ku ka radar të Policisë

Periskopi.com Lajme

Njëri nga grupet që pëlqejnë shpejtësinë ‘SpeedomaniaKs’ në rrjetin social Facebook kanë publikuar grupin e tyre në Viber në të cilin do të bëhet e ditur se ku qëndron radari i Policisë së Kosovës.

Hapjen e këtij lloj komunikimit në viber e kanë bërë të ditur përmes grupit për t’i njoftuar edhe anëtarët e tjerë që të qasen në këtë grup, shkruan Periskopi.

‘SpeedomaniaKs’, është grup që ka mbi 18 mijë anëtarë dhe në të cilin shpërndahen fotografi të veturave, por edhe video nga garat e palejushme që bëjnë anëtarët e këtij grupi.

​Por, ky nuk është grupi i vetëm. Një i tillë, i ngjashëm me këtë titullohet “Radar” dhe numëron pesë mijë anëtarë. Edhe ai ka qëllim të njëjtë: njoftimin e shoferëve se ku po qëndrojnë Policia me radar. /PERISKOPI 

 

Kujdes nëse kaloni për Serbi, Policia në aksion për gjobitjen e shoferëve që vozisin shpejtë

Periskopi.com Lajme

Drejtoria e Policisë Rrugore të Serbisë ka njoftuar për një aksion të gjerë që do të nisë sot për kontrollin e shpejtësisë së automjeteve – raporton Periskopi.

Mediat serbe shkruajnë se ky aksion i nisur sot do të zgjas deri më 7 prill.

Ky aksion do të jetë i fokusuar vetëm te shpejtësia e lëvizjes së automjeteve, shoferët e të cilave do të gjobiten në rast se tejkalojnë shpejtësinë e lejuar, varësisht nga rruga.

Ky aksion përveç Serbisë, do të ndërmerret edhe në rrugët e 29 shtete të tjera, të cilat janë pjesë e Rrjetit të Transportit të Policisë së Evropës – TISPOL.

Aksioni do të zhvillohet nëpër rrugët kryesore.

Me këtë, paralajmërohen edhe bashkatdhetarët të cilët ia mësyjnë Kosovës për pushime pranverore, që të kenë kujdes, sidomos në autostradat e Serbisë./PERISKOPI

 

Policia në aksion: Nga janari mbi 355 gjoba ndaj shoferëve të dehur, 901 sosh u shqiptuan gjatë 2018’ës

Kaltërina Misini Lajme

Policia e Kosovës po vazhdon  realizimin e planeve konkrete, me qëllim të ngritjes së sigurisë në trafik rrugor dhe uljen e aksidenteve. Gjoba të mëdha po shqiptohen sidomos gjatë natës, ndaj shoferëve të cilët po vozisin në ndikimin e alkoolit. Policia për Periskopin ka dhënë statistika për dënimet  gjatë kësaj periudhe të vitit 2019, por edhe gjatë vitit të kaluar.

Në një përgjigje për Periskopin, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nga janari e deri më tash janë shqiptuar 354 gjoba për shoferët e dehur. Vetëm për 15 ditët e fundit, u shënuan 102 raste të tilla.

Sipas Policisë, gjatë vitit të kaluar janë dhënë gjithsej 901 dënime për këtë shkak.

Tutje Policia thotë se vozitja nën ndikimin e alkoolit është një nga rreziqet më të mëdha në komunikacion, gjë që  kohëve të fundit është bërë shqetësuese.

‘’Vozitja/drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit përfshinë një nga rreziqet serioze për sigurinë në trafikun rrugor. Humbja e jetëve njerëzore si pasojë e shkaktimit të aksidenteve nëpër rrugët tona edhe gjatë këtij fillim-viti ka qenë shqetësuese.Policia e Kosovës vazhdon angazhimin e saj në realizimin e planeve konkrete policore, që kanë për qëllim ngritjen e vazhdueshme të sigurisë në trafikun rrugor si dhe uljen e aksidenteve’’.

Një vozitës ka rrëfyer për Periskopin se si brenda një nate, për një rrugë të shkurtër kishte hasur në tri patrulla policore. Dy prej tyre, shumë afër e kishin ndaluar.

‘’Teksa po vozisja në autostradën Ferizaj-Prishtinë, më ndaluan dy ekipe policore dhe më pyetën nëse kisha pirë diçka.  Ishin shumë afër njëra-tjetrës. Fatmirësisht nuk kisha konsumuar alkool. Ato patrulla ishin enkas për të parë se cilët vozitës ishin të dehur në rrugë’’, ka thënë ky vozitës për Periskopin.

Policia njofton se do të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit të trafikut, me të vetmin qëllim ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve rrugore në përgjithësi./PERISKOPI/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Policia paralajmëron shoferët: Kjo është masa e re që do të ndërmerret nga tani e tutje kur dënoheni në trafik

Periskopi.com Lajme

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se përveç gjobave, shoferëve që i dënon do t’ua ndalojë të vozisin mjete motorike – raporton Periskopi.

Kjo do të njihet si masë mbrojtëse “Ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik”.

Kjo po bëhet me qëllim të ngritjes së sigurisë në trafikun rrugor dhe uljen e aksidenteve.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Policia e Kosovës në 1321 raste ndaj kundërvajtësve në trafik aplikon edhe masën mbrojtëse “Ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik”

Policia e Kosovës vazhdon me aktivitete që kanë për qëllim ngritjen e vazhdueshme të sigurisë në trafikun rrugor si dhe uljen e aksidenteve.

Njësitë policore, përveç pikave të kontrollit të automjeteve apo patrullimeve në lëvizje, janë duke u përqendruar në identifikimin dhe ndëshkimin e kundërvajtësve të cilët rrezikojnë sigurinë në trafikun rrugor.

Vetëm gjatë periudhës kohore nga data 01.01.2019-10.03.2019 nga njësitë policore janë shqiptuar gjithsej 1321 fletëparaqitje për kundërvajtje ndaj shoferëve, të cilëve përveç gjobës me të holla, të njëjtëve iu është shqiptuar edhe masa mbrojtëse “ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik”.

Po ashtu, ju njoftojmë se Policia e Kosovës do të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit të trafikut, me të vetmin qëllim ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve rrugore në përgjithësi.

 

Austri: Rreth 2,000 shoferë marrin një dhuratë të pazakontë për Vitin e Ri

Periskopi.com Uncategorized

Në qytezën austriake Kohfidisch, rreth 2,000 shoferë u kapën në radar, por tani ata mund të shpëtojnë nga dënimi.

Arsyeja? Shoferët u fotografuan në vendpunim, njoftoi media austriake, sipas të cilave në fillim të sheshit të ndërtimit ishte vendosur një shenjë e shpejtësisë – 30 në orë, por ajo nuk ishte hequr pas mbylljes së vendpunimit, transmeton KosovaPress.Për shkak të mungesës së një shenje të duhur në fund të vendit të ndërtimit, kufiri i shpejtësisë nuk është i vlefshëm dhe të gjithë shoferët që nuk i janë përmbajtur asaj dhe janë fotografuar, tani mund të kërkojnë një rimbursim./Periskopi

Ky është ndryshimi për shoferët në Zvicër nga viti 2019

Periskopi.com Lajme

Nga viti i ri, pra më 1 janar 2019, do të ketë ndryshime për shoferët, siç e tregon edhe Zyra Federale e Rrugëve, Astra.

Këshilli Federal ka miratuar ndryshime në Ligjin e Trafikut Rrugor, shkruan ‘Blick’.

Kështu nga 1 janari, shoferët vetëm në moshën 75-vjeçare duhet të shkojnë te mjeku, për të sqaruar nëse janë në gjendje të vozitin, përcjell albinfo.ch.

Deri më tani ka qenë në moshën 70-vjeçare, por tani kjo do të rritet për pesë vite.

Ka gjithashtu ndryshime të ndryshme për shoferët që transportojnë mallra të rrezikshme me rrugë. Kjo kryesisht ka të bëjë me rregulloret për transportin e makinerive dhe pajisjeve që përmbajnë mallra të rrezikshme, si dhe transportin e baterive të litiumit.

Sot fillon sezoni dimëror për shoferët

Periskopi.com Lajme

Sot fillon sezoni dimëror, i cili zgjat deri më 15 mars 2019.

Nga 15 nëntori, automjetet dhe bashkësitë e mjeteve që marrin pjesë në trafikun rrugor në Kosovë duhet patjetër t’i kenë pajisjet dimërore.

Ligji për rregullat e trafikut rrugor parasheh dënime për shoferët që gjatë dimrit, periudhë që përfshin kohën ndërmjet 15 nëntorit dhe 15 marsit, ngasin automjetet e tyre pa pajisje dimërore.

Po ashtu, Ligji thotë se gjatë kushteve dimërore ndalohet qarkullimi i automjeteve dhe i bashkësisë së mjeteve të cilat nuk i kanë të vendosura pajisjet dimërore. Kushtet dimërore, sipas ligjit, nënkuptojnë rastet kur rruga është e mbuluar me borë ose kur në rrugë ka akull.

Shoferi që vozit automjet pa pajisje dimërore në të ashtuquajturin sezon dimëror, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 40 eurosh. Sipas Ligjit, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 100 deri në 300 euro, edhe personi juridik apo institucioni publik në emër të të cilit dhe brenda autorizimeve të të cilit ka vepruar shoferi.

Sipas Udhëzimit administrativ për pajisje dimërore, të nxjerrë më 24 mars 2017, nga Ministria e Infrastrukturës, pajisjet dimërore për automjetet e udhëtarëve dhe mjetet transportuese deri në 3.5 tonë janë pneumatikët e dimrit në të gjitha rrotat.

Zakonisht në këtë kohë organet e sigurisë intensifitkojnë punën dhe koordinimin për mbajtjen e sigurisë në komunikacion.

 

Lajmi i fundit nga Qeveria sa i përket ritestimit të shoferëve

Periskopi.com Lajme

Me vendimin e ri të Ministrisë së Infrastrukturës (MI) të gjithë shoferët që përsërisin kundërvajtjet në trafik do t’i nënshtrohen edhe një herë testimit për patentë të shoferit. Pa e provuar procesin e ritestimit nuk do të shpëtojnë as vozitësit profesionistë. Por, një vendim i tillë po cilësohet i kundërligjshëm nga ekspertët e komunikacionit rrugor.

Ministria e Infrastrukturës po planifikon që vozitësit që nuk përfillin shenjat e komunikacionit dhe bëjnë shkelje të njëpasnjëshme në komunikacion do të fillojnë edhe një herë procesin e testimit nga e para.

Kështu ka sqaruar në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

“Për të gjithë personat, qofshin shoferë të rinj, fillestarë ose profesionistë, parashihet rivlerësimi i njohurive të trafikut përmes trajnimit shtesë dhe nënshtrimit të testit përkatës, për të cilët me vendim të gjykatës kompetente u është revokuar patenta e shoferit. Këto praktika zbatohen në vendet e Bashkimit Evropian, janë të parapara me ligjet tona dhe do të fillojnë të aplikohen edhe në vendin tonë, por për të gjitha këto me kohë do të njoftohet opinioni i gjerë”, është shprehur Lekaj.

Ai ka treguar se ritestimit do t’i nënshtrohen të gjithë shoferët që në vazhdimësi përsërisin kundërvajtjet në trafik.

Shqipëria pritet të heqë masën e konfiskimit të patentë shoferëve për kosovarët

Periskopi.com Lajme

Një nismë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Pjerin Ndreu (PS) mund të rezultojë me heqjen e masës së konfiskimit-pezullimit të patentë shoferëve për qytetarët e Kosovës, Maqedonisë dhe të diasporës në rast të kundërvajtjeve në trafik, shkruan sot Koha Ditore.

Një nen i Kodit rrugor të Republikës së Shqipërisë parasheh pezullimin e patentë shoferit për secilin vozitës që tejkalon shpejtësinë mbi një kufi prej 20km/orë më shumë se limiti i përcaktuar, përdorimi i pijeve alkoolike gjatë drejtimit të automjetit, etj.

Shumë qytetarë të Kosovës që “kanë rënë” në “radarin” e Policisë së Shqipërisë u janë konfiskuar patentë shoferët. Për të gjithë këta shkelës të këtyre rregullave të komunikacionit, përveç masës kryesore administrative të pagesës së një shume (gjobe) në zbatim të dispozitave të Kodit rrugor, Policia Rrugore ua ka konfiskuar edhe patentë shoferët.

 

Policia paralajmëron shoferët: Jemi në të gjitha rrugët, do të dënoheni për çdo shkelje

Periskopi.com Lajme

Policia e Kosovës me qëllim të ngritjes së sigurisë në trafikun rrugor, ngritjes së vëmendjes për një kujdes më të shtuar për të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në vazhdimësi ndërmerr veprime policore të cilat kontribuojnë në ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik.

“Edhe pse gjatë këtij gjashtëmujori kemi rënie të aksidenteve fatale për (-19.61 %), ndërsa rënie në total të aksidenteve prej (-13.25%), Policia e Kosovës me qëllim të reduktimit të aksidenteve në trafikun rrugor vazhdon të apeloj tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti te drejtuesit e automjeteve, që të jenë të kujdesshëm dhe sa më vigjilentë gjatë drejtimit të automjeteve të tyre.

Vëmendje kërkohet, posaçërisht në këtë periudhë kur kemi të reshura atmosferike, ku mund të ketë kufizim të dukshmërisë,  rrugët mund të bëhen më të rrëshqitshme dhe qarkullimi nëpër rrugë vështirësohet”, thuhet në komunikatë, transmeton Indeksonline.

Më tutje, Policia e Kosovës me njësitet e saj do të vazhdoj të monitorojë dhe të menaxhojë situatën në trafikun rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit dhe aty ku pjesëmarrësit bien ndesh me rregullat në trafik, masa ndëshkuese ligjore do të aplikohen me qëllim të parandalimit të rasteve të aksidenteve në veçanti atyre me fatalitet që po paraqesin shqetësim për të gjithë dhe po shkaktojnë humbje të jetëve njerëzore.