​Sholtes shpreson për marrëveshje Kosovë-Serbi në muajt e ardhshëm

Periskopi.com Lajme

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Igor Sholtes, vazhdon të besojë se është në interes të BE-së, Serbisë dhe Kosovës arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse e paqes midis Beogradit dhe Prishtinës brenda një kohe të shkurtër.

Ai shprehu keqardhje për dështimin e takimit të kaluar në Bruksel ndërmjet presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.

Sholtes shpreson se të dy presidentët do të vazhdojnë procesin e nisur dhe në muajt e ardhshëm do të arrijnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

”Shpresoj se në muajt e ardhshëm do të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse  për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e cila do të jetë e suksesshme dhe në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe si e tillë do të jetë e qëndrueshme për rajonin”, u shpreh ai.

Sipas tij, pajtimi ndërmjet dy vendeve është i mundshëm, por që kjo është vetëm çështje kohe.

”Kjo do të ishte shumë e mirëseardhur që të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundshme, por i takon Serbisë dhe Kosovës të vendosin se sa shpejt do të bëhet kjo”, tha ai.

 

Sholtes: Liberalizimi i vizave deri në fund të vitit

Periskopi.com Lajme

Pas rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave, Igor Sholtes, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian ka thënë për BIRN se shpreson që procesi deri në liberalizmin e vizave të mund të finalizohet deri në fund të këtij viti.

Ai ka thënë se pas pushimit veror, do të ecin me shpejtësi me të gjitha procedurat e nevojshme, që së pari kjo temë të  vihet në agjendën e Komisionit ‘LIBE’ dhe më pas do të pasojë vendimi nga Parlamenti Europian, që siç thotë Soltes ‘jam i bindur se do t’i japë dritën e gjelbër të liberalizimit të vizave në fillim të vjeshtës’.

Por sipas tij, pjesa më e vështirë do të jetë votimi në Këshill.

“Shpresoj që vendet anëtare të ndjekin shembullin e Komisionit Evropian dhe të Parlamentit. Është koha që qytetarët e Kosovës të gëzojnë të njëjtat mundësi dhe të marrin trajtimin e njëjtë si fqinjët e saj. Kjo nuk duhet të shtyhet tani kur konfirmohet se kërkesat janë përmbushu”, ka thënë raportuesi për Kosovën.

Sholtes ka thënë se rekomandimi pozitiv për liberalizim është një hap i madh drejt liberalizimit të vizave dhe lirisë së lëvizjes, i cili më në fund mund të bëhet realitet për qytetarët e Kosovës.