​Shoqata Shqiptare e Bankave, 200 mijë euro për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit

Periskopi.com Lajme

Shoqata Shqiptare e Bankave, pas tërmetit të 26 nëntorit, shpreh solidaritetin e saj për të gjithë qytetarët dhe familjet e prekur nga pasojat.

Si një mbështetje konkrete dhe efektive, Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës ka vendosur të dhurojë shumën prej 200,000 mijë euro, duke depozituar një shumë të tillë në llogarinë speciale të hapur dhe administruar nga Qeveria shqiptare.

Kjo shumë është veçmas nga të gjitha kontributet e tjera të kryera nga anëtarët individualë të Shoqatës bazuar në rregullat dhe politikat e tyre.

Për më tepër, Shoqata ka pranuar vullnetin e fortë të anëtarëve të saj për të zbatuar një numër masash, bazuar rast pas rasti, me qëllim mbështetjen e të gjithë huamarrësve që janë dëmtuar nga tërmeti. Për këtë qëllim, Shoqata inkurajon të gjitha palët e interesuara të kontaktojnë Bankën e tyre për të marrë informacion dhe udhëzime. Në të njëjtën kohë, Shoqata do të punojë me institucionet përkatëse dhe rregullatorët për t’u siguruar që përfituesit e masave të përmendura nuk do të jenë subjekt i ndonjë ndryshimi në klasifikimin e tyre të ecurisë së shlyerjes së kredisë.

Shoqata shprehet se që nga fillimi i urgjencës, të gjitha Bankat kanë hequr dorë nga tarifat dhe komisionet e aplikuara për transaksionin financiar (vendas dhe ndërkombëtar) për transferimin e fondeve në favor të viktimave të tërmetit.

Reagon Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ndaj sulmit të prokurorit në Prizren

Periskopi.com Lajme

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës reagoi ashpër kundër sulmit fizik që i është bërë prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Atnor Skoro për shkak të detyrës së tij si prokuror.

Shoqata e prokurorëve  të Kosovës kërkon që sa më parë të kapet autori i këtij sulmi dhe të sillet para organeve të drejtësisë.

“Njoftojmë opinionin se asnjë kërcënim apo sulm ndaj prokurorëve të shtetit, nuk do të lëkund asnjë prokurorë që të zbatojë ligjin dhe të merr të gjitha veprimet e mundshme ligjore për të sjell para drejtësisë të gjitha ata që dyshohen se kanë kryer vepra penale”, thuhet në reagim.

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës garanton të gjithë qytetarët se asnjë rast penal nuk do të mbetet pa u trajtuar deri në fund, brenda afateve ligjore, sa do që këto afate mund të duken të stërzgjatura.

Përfaqësues të shoqatës për persona të pagjetur: Taksa ndaj Serbisë të kushtëzohet me fatin e të pagjeturve

Periskopi.com Lajme

Përfaqësues të shoqatës për persona të pagjetur dhe viktima të luftës “Përkorë” kanë kërkuar që taksa ndaj produkteve serbe të kushtëzohet me zbardhjen e personave të pagjetur.

Kryetari i saj, Latif Mehmeti, ka thënë se një kushtëzim i tillë do të pranohej edhe nga shtetet demokratike dhe orgnaizatat ndërkombëtare. Në 20-vjetorin e përfundimit të luftës ai ka kritikuar institucionet e vendit se nuk kanë bërë asgjë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Sipas Mehmetit, liderët institucionalë këtë kategori e kanë përmendur vetëm në kohë fushatash, shkruan sot Koha Ditore.

“20-vjetori i përfundimit të luftës Kosovën e gjen në një udhëkryq të pashpresë për familjarët e personave të zhdukur. Derisa presidenti i Kosovës formon komision për pajtim me shtetin e Serbisë, kryeparlamentari propozon komision për krime të luftës dhe formimin e gjykatës ndërkombëtare për dënimin e krimeve që ka bërë Serbia në Kosovë. Të gjitha këto ngjarje në njëfarë forme çështjen e të zhdukurve e kanë minimizuar”, ka thënë Latfi Mehmeti.

 

Mbi 230 dëshmi për dhunime seksuale brenda tre muajve në shoqatën “Drejtësi për të gjithë”

Periskopi.com Lajme

“Drejtësi për të gjithë” është shoqata e themeluar muaj më parë, me iniciativën e vetë të mbijetuarës së torturës, drejtësi kjo për të cilën ajo nuk rreshti së kërkuari për 20 vjet.

Por, që nuk e gëzoi asnjëherë.

‘Ambasadorja e Guximit’, Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila në tetor 2018, gjeti forcën për të rrëfyer publikisht tmerrin e përjetuar 20 vjet më parë, përveç se u bë zë i gjithë viktimave të gjalla të luftës, përmes shoqatës së themeluar me iniciativë të saj, do ju del krahë gjithë atyre edhe në aspektin juridik.

Drejtori i kësaj shoqate, që është vëllai i saj, Nafi Krasniqi, thotë se kjo shoqatë është kërkesë e vetë viktimave.

Në rastin e motrës së tij, Krasniqi thotë se kanë pasur një proces gjyqësor me shumë padrejtësi e pa përkrahje nga askush.

“Në këtë shoqatë kemi qëllim edhe mbledhjen  dhe grumbullimin e fakteve dhe dëshmive të luftës ku do të bëjmë dokumentimin e tyre dhe në ndërkohë përmes një ekipe që besojmë që shumë shpejt do ta prezantojmë, neve kemi për të bërë përgatitjen e dokumenteve për ndjekje penale, në këtë rast me i ndjek njerëzit që janë të dyshuar që kanë kryer krime në Kosovë”, deklaron ai.

Ai thotë se për kaq muaj sa kanë filluar punën në këtë shoqatë, kanë pasur edhe raste të reja të paraqitura.

Tregon se sa është  numri i lëndëve që kanë grumbulluar gjatë këtyre muajve.

“ Ka pasur njerëz që janë paraqitur për herë të parë, viktimat, ne i kemi orientuar ju kemi dhënë adresat se ku duhet të shkojnë, tek ato organizata që merren me rehabilitimin e viktimave. Përderisa kemi edhe njerëz tjerë që kanë ardhur edhe kanë dëshmuar për krimet që ju kanë ndodhur dhe besojmë që shumë shpejt do të fillojmë me trajtimin e atyre dëshmive dhe dokumentacioneve…Të gjitha dëshmitë që ne kemi ose lëndë, janë mbi 230 lëndë, është periudha kur ne si shoqatë jemi licencuar, data 20 shkurt”, thotë Krasniqi.

Drejtësinë e mohuar që e përjetuan vetë, thotë se synojnë të mos ketë fatin ta përjetojnë edhe viktimat tjera.

Ai flet edhe për fotografinë e publikuar nga deputetja Flora Brovina ditë më parë në Kuvendin e Kosovës.

“Duke qenë ne familjarët e viktimave, me të vërteta skena të atilla, skenat e llahtarshme në atë fotografi, fillimisht ne kemi menduar se është e vërtetë edhe ato pamje të llahtarshme kanë qenë me të vërtetë, neve na kanë bërë me u ndje keq. Viktimat asnjëherë nuk do donin të ktheheshi, me kujtu se çfarë ju ka ndodhur, e lëre më me pa fotografi të tillë. Po besoj që qëllimi i zonjës Brovina ka qenë qëllim që të shpaloset ajo se çfarë ka ndodhë në Kosovë. Për me arsyetu atë veprim, ajo më së miri e arsyeton vetë…. Flora do të jep shpjegimin vet, por ne asnjëherë nuk do ta vlerësojmë ndryshe veç se një veprim pak sa i ngutshëm, mirëpo ajo e vlerëson më së miri”, deklaron ai.

Ai thotë se një rast i tillë ka qenë një rikthim për viktimat, e sfidë edhe për familjarët e  e të mbijetuarve.

Drejtori i shoqatës “Drejtësi për të gjithë”, shpreson se një ditë do të ketë drejtësi për të gjitha viktimat, duke përfshirë edhe motrën e tij, e cila u dhunua në moshën 16 vjeçare.

“ Besojmë që tashmë edhe Prokuroria, shteti jonë është i gatshëm me të vërtetë krimin me ndëshkuar, për shkak se është koha e fundit kur ne mundemi të fillojmë të punojmë për drejtësi. Ne  i kemi arsyetuar gjithmonë shtetin tonë, ose organet tona për shkak të kompetencave që nuk i kanë pasur, dhe është shumë e vërtetë sidomos në rastin tonë, kur në shkallën e parë në panelin e trupit gjykues kanë  qenë tre ndërkombëtarë…për këtë i kemi arsyetuar gjithmonë. Mirëpo, nuk kemi mundur të arsyetojmë mos gatishmërinë e tyre që të ndihmojnë viktimat ose të dëmtuarit, të paktën në format edhe si kanë mundur të na ndihmojnë. Por, tash kur kompetencat kanë kaluar komplet tek institucionet tona, ne besojmë dhe shpresojmë, e kemi përmendur edhe më herët diçka sikur ne në mënyrë që me të vërtetë të punohet për arritjen e drejtësisë”, tha Krasniqi.

Krasniqi u ka bërë thirrje të gjithë vëllezërve të viktimave, që të jenë krahë dhe mbështetje e tyre, në mënyrë që ato të ndihen heroina, ashtu edhe siç e vlerëson se janë.

Shoqata e Prokurorëve: Nuk do të përkulemi para kërcënimeve

Periskopi.com Lajme

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, duke marrë parasysh kërcënimet e kohëve të fundit ndaj prokurorëve të shtetit të niveleve të ndryshme, ka reaguar kundër çdo akti të kundërligjshëm të çdo individi kundër prokurorëve dhe sigurojmë qytetarët e Kosovës se asnjë prokurorë nuk do të përkulet para cilit do individë që kryen apo tenton të kryej çfarëdo akti të kundërligjshëm ndaj prokurorëve.

Shoqata thotë se Prokurorët e Shtetit do të veprojnë vetëm në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve tjera në fuqi dhe në asnjë mënyrë në bazë të kërcënimeve apo shantazheve të atyre që janë të dyshimtë për kryerjen e veprave penale apo grupeve që mbështesin individët e tillë.

“Inkurajojmë secilin qytetar, që për çdo pakënaqësi më punën e prokurorëve, të shfrytëzoj mjetet juridike dhe të ndjek procedurat e rregullta ligjore, sepse kjo do të inkurajoj prokurorët më integritet të lart profesional dhe etik dhe do të na ndihmoj në identifikimin e secilit që nuk vepron në përputhje më ligjin. Shpresojmë së ka ardhur koha e fundit që qytetari të bëhet aleat i prokurorëve të shtetit, më qëllim të zbulimit dhe hetimit të drejtë dhe të bazuar në ligjet në fuqi, të gjithë atyre që kryejnë vepra penale dhe rrezikojnë sigurinë e qytetarëve të Kosovës dhe të ardhmen e vendit tonë”, thuhet në reagimin e shoqatës.

 

Shoqata e Lojërave të Fatit i reagon ashpër Avdullah Hotit: Po mundohesh me përfitu politikisht në emër të viktimave

Periskopi.com Lajme

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se partia e tij do të kërkojë nga Kuvendi që të mbajë një seancë të jashtëzakonshme, ku do të kërkojnë pezullimin e aktivitetit të kazinove dhe lojërave të fatit në Kosovë.

Pas kësaj, sot ka reaguar Kryetari i Shoqtatës së Lojërave të Fatit, Istref Veliu i cili ka thënë se Hoti përmes kësaj po mundohet të përfitoj politikisht duke përdorur dy vrasjet e fundit që ndodhën në dy lokale të lojerave të fatit.

Veliu përmes një reagimi, e ka quajtur të turpshme iniciativën e Hotit që të thirrë seancë të jashtëzakonshem e që sipas tij do të përfitoj në emër të viktimave.

“Është e turpshme z.Hoti që viktimat  t’i përdorni si arsyetim për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për mbylljen e lojërave të fatit. Sa për sqarim të opinionit,  pothuajse që nga paslufta përveç këtyre dy rasteve, nuk ka pasur asnjë rast të krimeve në bizneset e lojërave të fatit. z.Hoti ju me vetëdije duke e ditur ndjeshmerin e këtij biznesi po e shfrytëzoni situatën politikisht dhe po mendoni se do të përfitoni në opinion” ka thënë Veliu.

Ai mes tjerash i ka kujtuar Hotit, kohën kur ishte në qeveri dhe iniciativen e tij që me ligj të rregullohej veprimtaria e lojërave të fatit, por edhe grabitjet e shumta që po ndodhin nëpër institucione financiare për të cilat deri tani askush nuk ka thirrur ndonjë seancë të jashtëzakonshme.

“Me logjikën tuaj z.Hoti pas këtyre vrasjeve bankat do të duhej të mbyllen bashkë edhe me këto institucione të sigurisë. Po ju kujtojë edhe një iniciativë tuajën në kohën kur keni qenë pjesë e qeverisë ku keni deklaruar se duhet të rregullohet ligji për lojërat e fatit, gjë që edhe ne e kemi përkrahur dhe ju kemi ofru bashkëpunim”, thuhet mes tjerash në reagimin e Veliut.

Ky është reagimi i potë i Istref Veliut:

Si kryetar i “Shoqatës së Lojërave të Fatit”, në emër të këtyre bizneseve për shkak të pozicionit dhe përgjegjësisë që mbajë , e ndjejë për obligaim të jap një sqarim ( përgjigje) për Avdullah Hotin dhe tendencën e tij që të shfrytëzojë situatën e vrasjet që ndodhën në dy lokale të lojërave të fatit, për përfitime personale politike.

Është e turpshme z.Hoti që viktimat t’i përdorni si arsyetim për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për mbylljen e lojërave të fatit.

Sa për sqarim të opinionit, pothuajse që nga paslufta përveç këtyre dy rasteve, nuk ka pasur asnjë rast të krimeve në bizneset e lojërave të fatit. z.Hoti ju me vetëdije duke e ditur ndjeshmerin e këtij biznesi po e shfrytëzoni situatën politikisht dhe po mendoni se do të përfitoni në opinion. z. Hoti po ju rikujtojë se për ju do të duhej të ishte me shqetësuese gjendja e sigurisë në vend, grabitjet me armë në institucionet bankare ( ju ftoj personalisht t’i shihni videot që posedojmë ku shihen njerëzit e armatosur duke përplasur punëtorët në disa biznese të lojërave të fatit) , skandalet në institucionet e sigurisë, vrasja e policit në Istog, vrasja në institucionin më të lart të sigurisë AKI-së madje brenda objektit të këtiji institucioni. Me logjikën tuaj z.Hoti pas këtyre vrasjeve bankat do të duhej të mbyllen bashkë edhe me këto institucione të sigurisë. Po ju kujtojë edhe një iniciativë tuajën në kohën kur keni qenë pjesë e qeverisë ku keni deklaruar se duhet të rregullohet ligji për lojërat e fatit, gjë që edhe ne e kemi përkrahur dhe ju kemi ofru bashkëpunim ( për vërtetësin e kësaj po ju bashkangjes një shkrim ku citoheni ju). z.Hoti për shkakë të pozitës që mbani mos u mundoni që të hedhni mjegull , mos u mundoni që ti kriminalizoni të gjithë. Dhe në fund edhe njehërë z.Hoti ju rikujtojmë që krjet kjo iniciativë e juaja është për një show në parlament ku do të mundoheni që opinonin ta orientoni në tema të tjera e t’i ikni dështimeve dhe situatës së pasigurt që e keni krijuar.

Me respekt Istref Veliu, kryetar i Shoqtatës së Lojërave të Fatit.

 

 

Shoqata e Mullisëve thotë se furrtarët po rrisin çmimet për përfitime të veta

Periskopi.com Lajme

Prodhuesit e bukës në Kosovë, tashmë kanë filluar me rritjen e çmimit të bukës, nga 30 në 40 centë.

Rritjen e çmimit për 30 për qind, furrtarët e arsyetojnë me shtrenjtimin e miellit. Ndërsa Muhamet Farizi, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, tha për televizionin publik se ngritja e çmimit të bukës në vendin tonë ka ndodhur edhe kur ka pasur rezerva të mëdha të grurit. Sipas tij, rritjen e çmimit po e bëjnë furrtarët për përfitime të veta.

Muhamet Farizi, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, i tha Radio Kosovës se ngritja e çmimit të bukës në Kosovë ka nisur edhe më herët dhe rritje ka pasur edhe në kohën kur ka pasur rezerva të mëdha të grurit në treg. Sipas tij, ngritjen e çmimit po e bëjnë furrtarët për përfitime personale.

Çmimi i bukës në Kosovë, në përgjithësi ka pasur lëvizje edhe më herët, posaçërisht ngritje të çmimit ka pasur në kohën kur s’ka pasur furnizim të mjaftueshëm, por edhe kur ka pasur furnizim të tepruar. Kemi pasur raste kur çmimi i miellit ka qenë tejet i ulët por çmimin e bukës furrtarët nuk e kanë ulur, e kanë shfrytëzuar për përfitime të veta.

Disa nga furrtarët e intervistuar nga televizioni publik thënë se vendimi për ngritjen e çmimit të bukës është marrë pas ngritjes së çmimit të miellit në tregun vendor.

“Çmimi i bukës te ne është 40 centë, qysh me zbrit kur është ngritur çmimi i miellit. Vendimin për ngritjen e çmimit e kemi marrë së bashku me disa furrtarë të tjerë. Më vjen keq shumë për këtë ngritje, sepse të gjithë i dimë kushtet e jetesës në Kosovë”, ka thënë një furrtar.

Ndërsa Elhami Ismajli, zëdhënës në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, nëpërmjet telefonit tha se furrtarët mund ta ngritin çmimin e bukës dhe se kjo është çështje e tyre.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, më së shumti drithëra vendi ynë importon nga Serbia. Gjatë vitit 2018 Kosova ka importuar mbi 100 mijë tonelata grurë, ku mbi 90 për qind e kësaj sasie është importuar nga Serbia.

 

 

Pacientët duhet paguar nga 30 euro për t’u ankuar, reagon shoqata

Periskopi.com Lajme

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve e ka pritur me shqetësim vendimin e Odës së Mjekëve, që ka vendosur pagesë prej 30 eurosh për pacientët që duan të deponojnë ankesë për shërbime jo të mira.

Kjo shoqatë edhe është ankuar tek Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

Ky vendim ishte marrë nga Oda e Mjekëve të Kosovës në fillim të muajit dhjetor të 2018.

 

Shoqata e Mullisëve kërkon të hetohet ky lloj i miellit, nuk dihet ku prodhohet

Periskopi.com Lajme

Në tregun e Kosovës është duke u shitur tash e sa kohë një produkt i njohur me brendin “FELLINI” në paketim prej 5 dhe 1 kg në deklaratën e së cilës informatat në lidhje me produktin janë të cekura qëllimisht në formë konfuze dhe të pasaktë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Shoqatës të Mullisëve të Kosovës.

Në reagimin e tyre thuhet se mielli i bardhë “Fellini” është njëri ndër më të konsumuarit nga familjet në Kosovë. Por, ky miell që shitet në shumicën e marketeve kosovare, sipas Shoqatës së Mullistëve të Kosovës shkakton konfuzitet te konsumatorët.

Kjo shoqatë ka bërë një ankesë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, nga e cila ka kërkuar të hetoj nga vije mielli “Fellini”. Kjo kërkesë vije pasi sipas mullistëve, në tiketat që i bashkëngjitën paketimit, herë figuron që mielli është prodhuar në Gjermani, herë në Bosnjë e Hercegovinë e herë në Serbi.

Prandaj, ata kanë kërkuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që përmes Inspektoratit të ndaloj shitjen e këtij produkti, derisa të plotësohen kushtet ligjore që dëshmojnë kualitetin dhe të dhënat që janë në interes të konsumatorit.

Kërkesa që mullistët i kanë bërë MTI-së:

Shoqata e përpunuesve të grurit e njohur si Shoqata e Mullisëve të Kosovës (SHMK) me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorit ju drejtohet Ministrisë suaj me shqetësimin në vijim:

Në tregun e Kosovës është duke u shitur tash e sa kohë një produkt i njohur me brendin “FELLINI” në paketim prej 5 dhe 1 Kg në deklaratën e secilës informatat në lidhje me produktin janë të cekura qëllimisht në formë konfuze dhe të pasaktë.

Ajo që është edhe më e rëndësishme, askund në ambalazhe nuk është cekur se kush është prodhuesi, emri i subjektit prodhues, adresa, etj. Kjo informatë është e obligueshme ligjërisht të jetë e vendosur dhe mungesa e saj lë hapësirë për të dyshuar në këtë produkt jo vetëm në aspektin e kualitetit por edhe në aspektin e ndonjë arsye tjetër të shmangies nga detyrimet e importit!  Në tiketat që i bashkëngjitën paketimit, herë figuron që mielli është prodhuar në Gjermani, herë në Bosnjë e Hercegovinë e herë në Serbi.