Ende nuk dihet nëse familjarët e dëshmorëve do të lirohen nga taksa doganore

Periskopi.com Lajme

Shumë qytetarë të Republikës së Kosovës po vazhdojnë që veturat e tyre personale t’i importojnë nga vendet e Bashkimit Evropian. Mirëpo, sfida e tyre kryesore mbetet akciza e lartë ku në shumë raste mbërrin gjysmën e kostos së një veture të blerë që duhet paguar për to, e që është një detyrim ligjor i nxjerrë nga organet shtetërore.

Ndonëse u fol shumë se kategoria e familjeve të dëshmorëve do të lirohet nga pagesat doganore, një gjë e tillë ende nuk po realizohet nga ekzekutivi dhe deputetë të legjislativit.

Deri tani kategoritë që lirohen nga ky detyrim janë personat me nevoja të veçanta, invalidët e luftës si dhe disa të tjera.

Lidhur me këtë çështje, Kryetari i Shoqatës së familjarëve të dëshmorëve, Xhavit Jashari në një prononcim për Indeksonline ka treguar se deri ku ka shkuar ky proces i rëndësishëm për ta.

Sipas Jasharit, kërkesa për implementim të Ligjit është bërë, por që siç thotë ai nuk po aprovohet nga Qeveria e vendit.

Më tutje, ai ka shtuar se ekzekutivi iu ka dhënë arsyetim se Ligji në fjalë nuk po aprovohet për shkak të implikimeve buxhetore.

“Kërkesa është bërë, me ligj parashihen këto sene, është në kompetencën e Qeverisë dhe deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës. Njëherë nuk është duke u zbatuar kjo pjesë e ligjit por megjithatë varet nga Qeveria po besojë që Qeveria duhet me zbatu ligjin komplet qysh është aprovu në parlamentin e Republikës së Kosovës që në lirimin nga këto çështje të doganës parashihet në ligjin për vlerat e luftës në atë L/54 që është për Familje të dëshmorëve, invalidë të luftës dhe kategorive të tjera. Po për shkak të arsyetimit që ka implikime buxhetore nuk është duke u implementu, kërkesa jonë është që të implementohet”, ka thënë Jashari për Indeksonline.

Më tej, ai shton se këtë çështje do ta shqyrtojnë në ditët në vijim me Qeverinë. Por sipas tij, nëse nuk vendoset diçka konkrete, atëherë Jashari thotë se reagimet nuk do t’i ndalin deri sa të realizohen të drejtat e tyre në përputhje me Ligjin për këtë kategori.

Ndërkaq, Indeksonline ka kontaktuar edhe zëdhënsin e Doganës, Adriatik Stavileci, i cili ka konfirmuar shkurt se familjet e të dëshmorëve nuk lirohen nga pagesat doganore, sipas tij, ngjashëm me këtë janë invalidët e luftës, të cilët lirohen.

Ndryshe, lirimet për automjetet janë të përcaktuara me ligj. Kushtet për lirim të plotë nga detyrimet e importit, mjetet e transportit parashihen nga neni 331 deri tek 338.

UÇK/ arkiv

Shtohen shpresat për familjet e dëshmorëve, ka mundësi pensionet të ju kthehen sërish

Familjeve të dëshmorëve në Kosovë sërish u janë hapur plagët e vjetra. Qeveria e Kosovës ka vendosur që ata që gëzojnë edhe pension të moshës të mos marrin dy, pra tu ndalohet njëri. Por, sot është dhënë premtimi që do të bëhet ndryshim ligjor për t'ua kthyer sërish ato.

Periskopi.com Lajme

Përderisa ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi ka deklaruar që ky Ligj është që shumë kohë në fuqi, por tashmë janë pastruar listat, Shoqatat e Familjeve të dala nga lufta kanë deklaruar se familjeve të dëshmorëve u takojnë pensionet ngase rregullohet me ligj të veçantë.

Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, ka thënë se është i papranueshëm kushtëzimi apo ndalja e pensioneve për kategoritë e luftës së UÇK-së, në këtë rast familjeve të dëshmorëve.

Nëse Qeveria nuk e korrigjon gabimin, ai ka thënë se reagimi i shoqatave të luftës së UÇK-së do të jetë i ashpër.

Ndërsa, të hënën, Abrashi, ka pritur në një takim të përbashkët përfaqësuesit e shoqatave të dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht kryetarin e Shoqatës së Invalidëve, Fadil Shurdha, sekretarin e Shoqatës së Invalidëve, Enver Krasniqi, kryetarin e Shoqatës së Veteranëve, Smajl Elezi, anëtarin e Kryesisë së Shoqatës së Veteranëve, Fatmir Sopi dhe përfaqësuesin e familjeve të dëshmorëve, Muhamet Bilalli.

Siç bëhet e ditur gjatë takimit është biseduar për zhvillimet e fundit dhe përkushtimin e përbashkët për adresimin e çështjeve që lidhen me pensionet dhe aspekte tjera që kanë të bëjnë me mirëqenien e kategorive të dala nga lufta.

“U bë e ditur se shumë shpejt do të bëhen ndryshimet adekuate në Ligjin për skemat pensionale, ku do të definohen çështjet që lidhen me pensionet familjare dhe personale, pas vërejtjeve të dhëna nga Auditori”, thuhet në këtë njoftim për media.

Ndërkaq, temë tjetër ishte edhe buxheti për skemën e veteranëve luftëtarë dhe adresimin e kësaj çështje në përputhje me mundësitë buxhetore e nevojat aktuale.

Gjatë takimit, po ashtu, është shprehur nevoja e krijimit të një fondi të përbashkët të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së përmes të cilit “do të adresoheshin nevoja të ndryshme të personave që i takojnë këtyre kategorive me kontribute të veçanta në çlirimin e vendit”./ Periskopi