Nesër shpërndahet parlamenti në Britani

Periskopi.com Lajme

Mbretëria e Bashkuar është në prag të shpërndarjes së parlamentit dhe të nisjes së fushatës për zgjedhjet e 12 dhjetorit. Kryeministri Boris Johnson thotë se do të vazhdojë agjendën 100-ditore, ndërsa laburistët theksojnë se do i japin votuesve shansin të vendosin përsëri për Brexit-in.

Kabineti britanik është mbledhur për herë të fundit para zgjedhjeve të parakohshme të 12 dhjetorit.

Në prag të nisjes së fushatës njëmujore elektorale, kryeministri Boris Johnson tha të martën se janë krenarë për 100 ditët e para në detyrë, dhe se çështja e Brexit do të zgjidhet vitin e ardhshëm.

“Zgjedhja për vendin është e qartë. A doni të avancojmë agjendat dhe të realizojmë Brexit dhe gjërat e tjera fantastike në vitin 2020, apo doni ta konsumoni vitin e ri me dy referendume, njërin për Bashkimin Europian dhe tjetrin që rrezikon ndarjen e Mbretërisë sonë të Bashkuar,” pyeti Johnson ministrat.

Lideri i opozitës, laburisti Xheremi Korbin, akuzoi kundërshtarin se po konsultohet në fshehtësi me Uashingtonin që pas daljes nga BE-ja, të aplikojë një model ekonomik të ngjashëm me atë amerikan.

“Shihni sa të pamëshirshme janë korporatat në SHBA. Ne e dimë se duan të futen në sistemin tonë të shëndetësisë dhe të ngrenë çmimet e medikamenteve për pacientët. Këtë rezultat sjell Brexiti i Partisë Konservatore dhe prandaj ne kërkojmë që vendimi të lihet në dorën e votuesve,” deklaroi Korbin.

Në sondazhet paraprake për zgjedhjet e 12 dhjetorit, laburistët e kanë ngushtuar epërsinë e konservatorëve në 7 për qind, liberaldemokratët renditen të tretët të ndjekur nga grupimi Brexit.

 

Mediat e huaja shkruajnë për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës

Periskopi.com Lajme

Me 99 vota pro është shpërndarë legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës.

Me të përfunduar seanca, kjo është bërë “Lajm i fundit” edhe nëpër mediat ndërkombëtare.

“Ligjvënësit kosovarë kanë votuar për shpërndarje të Parlamentit duke shtuar rrugën për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme, pasi Kryeministri Ramush Haradinaj kishte dhënë dorëheqje muajin e kaluar”, shkruan Reuters.

“Deputetët kosovarë shpërndajnë parlamentin, për të shtruar rrugën drejt zgjedhjeve të parakohshme”, shkruan titulli i AFP.

Krasniqi: Ata që dyshojnë te shpërndarja e Kuvendit, kanë frikë nga humbja

Periskopi.com Lajme

Vetëm tri ditë na ndajnë nga seanca e ftuar për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, teksa shumica e partive politike të vendit janë deklaruar pro mbajtjes së zgjedhjeve.

Mirëpo përfaqësues të subjekteve politike dhe analistë shprehen skeptikë se shpërndarja e Kuvendit do të ndodhë në këtë datë, për shkak se, sipas tyre, ndonjëra nga partitë mund të ndërrojë qëndrimin dhe potencialisht të kontribuojë në formimin e një qeverie të re teknike.

Duke i komentuar deklaratat e partive opozitare se PDK-ja mund ta ndërrojë qasjen sa u përket zgjedhjeve, shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Memli Krasniqi, për “Zërin” ka thënë se PDK-ja nuk ka asnjë alternativë tjetër, pos rilegjimitetit të qeverisë përmes zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Kushdo që ende e vë në dyshim shpërndarjen e Kuvendit më 22 gusht dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, e bën këtë vetëm nga frika e humbjes që e pret në fund të këtij procesi. Për PDK-në nuk është e pranueshme asnjë alternativë tjetër, përveç rikthimit të legjitimitetit përmes votës së qytetareve”, ka deklaruar Krasniqi.

Të njëjtën gjë e ka theksuar edhe kreu i PDK-së Kadri Veseli në një intervistë për “Zërin”, ku ka shtuar se 22 gushti është data kur Kuvendi i Kosovës do të shpërndahet.

“Më 22 gusht është caktuar seanca për shpërndarje të Kuvendit dhe shumë shpejt do të caktohet data e zgjedhjeve të reja të parakohshme. PDK-ja do t’i fitojë këto zgjedhje. Nuk kam lejuar në asnjë mënyrë që unë dhe PDK-ja të bëhemi pjesë e ndonjë iniciative të re për ta arnuar vazhdimin e qeverisë, sepse besoj që institucioneve tona u duhet një legjitimitet i ri qytetar”, ka thënë Veseli.

 

Mblidhet kryesia, vendoset për seancën për shpërndarjen e Kuvendit

Periskopi.com Lajme

Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot do të mblidhet për të nisur përgatitjet për të mbajtur seancën për shpërndarjen e Kuvendit.

Kryekuvendari Kadri Veseli ka qenë ai që ka ftuar kryesinë, pasi refuzoi thirrjen e presidentit Hashim Thaçi për të caktuar një mandatar të ri për kryeministër pas dorëheqjes së Haradinajt.

“Kjo mbledhje ka për qëllim të saktësojë në mënyrë zyrtare dhe institucionale qëndrimet e çdo grupi parlamentar në lidhje me situatën e krijuar pas rënies së Qeverisë së Kosovës, si dhe konkretizimin e hapave për përcaktimin sa më të shpejtë të datës së zgjedhjeve të parakohshme”, deklaroi Veseli.

Sipas tij, shteti nuk guxon të mbetet në vakum institucional dhe pa vendimmarrje legjitime. Ai theksoi se si kryetar i Kuvendit, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që vendi sa më shpejtë të zhvillojë zgjedhje të lira dhe demokratike.

Mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Kosovës do të mbahet prej orës 11:00.

Edhe sot po shpërndahet provimi i maturës (Foto)

Periskopi.com Lajme

Edhe në ditën e dytë të provimit shtetëror të maturës, testi është duke u shpërndarë në rrjete sociale. Tashmë janë krijuar grupe të ndryshme ku maturantët po i publikojnë testet e fotografuara dhe po marrin përgjigje nga jashtë, transmeton Koha Ditore.

Testi sot është duke u mbajtur në regjionin e Ferizajt dhe Gjilanit. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) deri tash nuk ka treguar nëse e ka suspenduar ndonjë vëzhgues apo nëse ja ka anuluar testin ndonjë nxënësi.

Testit të maturës këtë vit do t’i nënshtrohen mbi 30 mijë maturant. Rezultatet pritet të shpallen më 1 korrik.

 

Këta janë personat që shpërndanin drogë pranë shkollave në Berat

Periskopi.com Lajme

Dy persona janë vënë në prangat e policisë të dyshuar se shpërndanin lëndë narkotike pranë shkollave.

Pas një hetimi disa mujor policia e Beratit arrestoi gjatë kësaj të enjteje Klei Çobo, 19 vjeç dhe Arges Pirja, 30 vjeç, banues në lagjen “Dëshmorët e Kombit”, Berat.

Kapja e tyre u bë pasi Prokuroria e Beratit ka urdhëruar ndalimin, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin lëndë narkotike pranë shkollave dhe në zona të tjera të qytetit.

Çobos gjatë kontrollit personal iu gjet një sasi lëndë narkotike kanabis sativa.

Gjithashtu në vijim të këtij hetimi u bë arrestimi në flagrancë i Arben Dibra, 42 vjeç, banues në lagjen “Dëshmorët e Kombit”, Berat.

Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesë iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 krehra pistolete, 76 fishekë model 56, kalibri 7.62 mm dhe një jelek antiplumb.

Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Beratit për ndjekje të mëtejshme.