Korrupsioni dhe mungesa e besimit në ATK është shqetësuese

Periskopi.com Lajme

Drejtues të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në tryezën e konsultimeve publike me përfaqësues të bizneseve, lidhur me hartimin dhe zbatimin e planit për përmirësimin e integritetit të ATK-së, theksuan se me këtë plan synojnë përmirësimin e mëtejmë të cilësisë së shërbimeve për qytetarët, tatimpaguesit, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, si dhe zvogëlim të mundësive për praktika korruptive.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, tha se ATK ka përgatitur një draft dokument për përmirësim të efikasitetit në këtë institucion.

Murtezaj tha se ATK ka avancuar shumë në proceset e ofrimit të shërbimeve më të mira për tatimpagues, por nuk është e mjaftueshme dhe që synohet të avancohet më tutje.

Sa i përket korrupsionit, ai tha se është ulur perceptimi për korrupsion në ATK, krahasuar me dy vite më parë.

“Këtë vit është bërë anketa e fundit të 2019, e cila ende nuk është bërë publike, mirëpo në ketë anketë në shumë indikator, Administrata Tatimore ka arrit avancim të theksuar njëkohësisht dhe te indikatori që ka bëjë me integritetin ose me perceptimin e qytetarëve lidhur me keqpërdorimin e detyrës zyrtare, ka një avancim. Nga një e dhënë që ka qenë në vitin 2017, rreth 43 përqind e qytetarëve të cilët janë deklaruar se ka korrupsion, në matjet e fundit të 2019 rezulton se ajo të jetë 36 përqind. Megjithatë, kjo është shqetësuese, është nivel shumë i lartë dhe për këtë ne synojmë si ATK në bashkëpunim me USAID edhe bizneset që të gjejmë rrugën  drejt për përmirësimin e këtij imazhi”, deklaroi Murtezaj.

Murtezaj foli edhe për borxhet ndaj këtij institucioni që aktualisht është 350 milionë euro.

Ndërsa, drejtori i Zyrës për Zhvillim Ekonomik të USAID-it në Kosovë, Joshua Mike duke folur për rëndësinë e këtij plani për integritet, tha se ekonomia e Kosovës vuan nga informaliteti i lartë, që ndikimet janë negative në shumë aspekte.

Mika tha se planet më të mira të veprimit janë ato që për zbatimin e deklarimit elektronik të taksave, ku dhe platforma elektronike është një përpjekje e mirë për modernizmin e ATK-së, si dhe është një sinjal i mirë që Kosova është në drejtimin e mirë.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm që ekonomia në Kosovë vuan nga nivelet e larta të joformalitetit që rezulton në ndrydhjen e rritjes ekonomike dhe në zhvillimin afatgjatë ekonomik. Kjo inkurajon punësimin e pamjaftueshëm, i zvogëlon stimujt për zhvillim dhe për çdo rritje të prodhimit vendor dhe për rritje të eksportit. Për USAID-in, është nderë që është pjesë e një lloj lëvizje ose përpjekje si kjo. Pra, po them që është inkurajues që shoh në vepër këtë bashkëpunim”, deklaroi Mike.

Drejtori ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane, Arian Zeka theksoi se një format i dialogut si ky duhet të jetë i vazhdueshëm ndërmjet bizneseve dhe ATK-së për një aspekt të rëndësishëm që është raportimi i korrupsionit me të cilin bizneset ballafaqohen.

Zeka tha në bazë të një studimi, ATK rangohet në aspektin e korrupsionit real këtë vit.

“Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës ka kryer tash së fundmi një anketë dhe një studim në bashkëpunim me programin e aktivitetit të drejtësisë komerciale të financiare po ashtu Agjencioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhvillim ndërkombëtar, dhe ngjashëm si vitin e kaluar edhe këtë vit, ATK rangohet goxha mirë në aspektin e korrupsionit real, jo korrupsionit të perceptuar, edhe pse ka pasur një rënie të lehtë krahasuar me të gjeturat e vitit të kaluar. Ajo çka është shqetësuese, nuk po i përmendi shifrat, ai studim do të publikohet javën e ardhshme”, tha Zeka.

Zeka theksoi se ajo çka është shqetësuese është se prej atyre që janë ballafaquar me korrupsion real, jo vetëm në rastin e ATK-së, por edhe në institucionet e tjera shtetërore, është që një përqindje shumë e vogël e atyre e kanë raportuar korrupsion.

Fikret Havolli nga kompania ‘Passable’, duke paraqitur vërejtjet e tij, tha se në këtë plan për integritet nuk është përfshirë plani zhvillimor afatgjatë për luftën e informalitetit në përqindje sipas viteve.

Havolli shtoi po ashtu se padrejtësisht si biznes është ndëshkuar edhe nga ATK-ja.

“Unë kisha sugjeruar që raportin e informalitetit dhe një plan për luftimin e informalitetit të trajtohet me një kujdes të madh dhe të ndahet në operacione. Për këtë, por them, sepse nuk përdoren shënimet prej BQK-së dhe bankave komerciale për të hyrat e individëve dhe të hyrat e kompanive si dhe dorëzimi i bilanceve që bëhet në banka kompanitë e ndryshme. Andaj, këto të dhëna duhet të verifikohen të jenë transparente në raport me ATK-në për mos me i ndëshkuar bizneset reale sikur që ka ndodhur rasti te ne, ku inspektori vjen na ndëshkon dhe arsye është kjo, sepse ne kemi bërë shitje në bazë të ligjit, me arkë fiskale. Mirëpo, inspektori thotë: ‘Kjo nuk bënë kështu” Pse nuk bënë kështu? “Nuk e di, po kështu nuk bën”. Realisht ky është një problem i madh, sepse kthehemi prapë te informaliteti dhe te arkat fiskale që nuk janë implementuar realisht”, deklaroi Havolli.

Ndryshe, hartimi i këtij plani është duke u mbështetur nga Programi i USAID-it për Qeverisje Ekonomike në Kosovë, që njëherësh është edhe bashkë organizator i procesit të konsultimeve publike.

Shifra shqetësuese: Brenda vitit 1700 raste të dhunës në familje janë regjistruar në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Dhuna në familje mbetet dukuri mjaft e shfaqur jo vetëm në Kosovë por edhe në botë. Vetëm në këtë vit në Kosovë janë raportuar 1700 raste të dhunës në familje.

Kështu u tha në konferencën e organizuar nga OSBE-ja ku u prezantuan rezultatet e Anketës mbi Mirëqenien dhe Sigurinë e Grave në Kosovë, në prag të 25 nëntorit – Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, dhe fillimit të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit”.

Shefi i misionit të OSBE në Kosovë, Jan Braathu tha se dhuna në familje nuk është dukuri që është prezente vetëm në Kosovë por në gjithë botën. Sipas tij ky raport tregon se 2 përqind e grave kanë raportuar për dhunën nga partnerët ndërsa një e treta grua është ndier e  informuar mirë për shërbimet që i kanë në dispozicion.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se shoqëria kosovare duhet të jetë e vetëdijshme që emancipimi dhe fuqizimi i gruas është fuqizim dhe emancipim për gjithë shoqërinë tonë. Sipas tij Kosova ka bërë hapa të mëdhenj për avancimin  e  gruas në shoqëri dhe se ky është vetëm fillimi. Ka ende hapa për të bërë në avancimin e gruas.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se dhuna në familje është fenomen global dhe është i vështirë si dukuri të luftohet.

Për shoqërinë kosovare ajo e konsideroi si arritje të rëndësishme themelimin e një data baze për rastet e dhunës në familje.

” Anketa thekson se mbështetje e shërbimeve dhe strehimoret për mbrojte të grave mungon. Inkurajojmë Qeverinë dhe komunat që strehimoret dhe financimi i tyre të jetë i qëndrueshëm dhe të bëhet trajnimi i punëtorëve”, tha Apostolova.

Ndërsa, koordinatori i Kosovës kundër dhunës në familje, Naim Qelaj tha se vetëm në këtë vit janë regjistruar në data bazën e krijuar 1700 raste të dhunës në familje. Sipas tij Kosova ka krijuar bazë të mirë ligjore për luftimin e kësaj dukurie negative.

 

“Shqetësuese, për 10 minuta mund të furnizohesh me cilëndo lloj droge në Kosovë”

Periskopi.com Lajme

Vebi Mujku, ekspert i çështjeve sociale, ka thënë se situata me droga në Kosovë është dramatike.

“Vajzat e mitura fillimisht viktimizohen si përdoruese të substancave, më pas në mungesë të mjeteve detyrohen të punojnë në qendra masazhi, në prostitucion deri në shtatzëni të padëshiruar”, ka thënë ai në Puls të KTV-së.

Sipas tij, Kosova nuk ka të zhvilluar një bazë të dhënave që e din numrin e saktë të përdoruesve, përderisa flitet për një shifër rreth 35 mijë persona.

“Kosova nuk posedon asnjë qendër rehabilitimi dhe trajtimi të përdoruesve dhe familjet detyrohet që fëmijët dhe anëtarët e familjes t’i dërgojnë në qendra rehabilituese në shtete tjera. Kosovës i duhen urgjent së paku 2 qendra rehabilituese. Përdoruesit nuk e kanë vendin në burg por ju duhet rehabilitim dhe trajtim”, ka thënë ai.

Mujku ka thënë se vetë themelimi i task forcës nga Qeveria lidhur me përdorimin e substancave në shkolla, tregon për situatën e rëndë ku gjendet Kosova.

“Policia nuk intervenon në shkolla pa paralajmërim dhe forma e paralajmërimit zbeh mundësinë e zbulimit të përdoruesve dhe trafikantëve të shumtë përreth shkollave, qoftë publike apo private”, ka thënë ai.

Mujku ka thënë se kur flasim për burimet financiare, Kosova mbi 90% të burimeve financiare dhe humane i shpenzon në task forca, këshilla, borde, agjenci, sekretariate, koordinator në punë tavoline, vizita studimore, konferenca, seminari kurse më pak se 10% në ofrim të shërbimeve dhe trajtim profesional të përdoruesve të substancave.

“Secila Qeveri me marrjen e pushtetit e ndërron komplet kabinetin, këshilltarët, koordinatorët dhe strukturën e brendshme dhe tenton të fillon nga fillimi me Ligje, strategji, koncept dokumente dhe mungesa e një konsistence shkakton probleme të mëdha, duke rehatuar militantë partiakë dhe larguar profesionistë me përvojë”, është shprehur Mujku.

Nga ana tjetër, në Puls të KTV-së ai ka thënë se cak trafikantëve kryesisht janë fëmijët e familjeve të pasura, fëmijë të cilët dallohen nga veshmbathja, përdorimi i telefonave të shtrenjte, dalin deri vonë në orët e mbrëmjes, dhe vinë lehtë në kontakt me trafikuesit e drogës. Megjithatë, së fundi, sipas tij, ka ndryshuar qasja dhe ka shumë raste të përdorimit të substancave edhe tek të varfrit dhe tek komunitet romë, ashkali dhe egjiptian.

“Mungesa e madhe e koordinimit dhe bashkëpunimit mes Ministrive dhe institucioneve lokale dhe OJQ-ve në trajtimin e rasteve. Drejtorët e shkollave nuk i paraqesin rastet e fëmijëve përdorues substancave nga frika se do të vlerësohen negativisht gjatë vlerësimit. Doktorët duhet ti informojnë policinë në gjitha rastet kur ju përshkruajnë barna ku gjatë përdorimit të tyre ndalohet drejtimi i automjetit, e që shpesh janë shkaktar të aksidenteve. Flitet se ka shumë përdorues që punojnë vozitës taksi, dhe asnjë kontroll nga inspektorati apo policia”, ka thënë Mujku.

Përdoruesit e substancave thonë se brenda 10 minutash mundë të furnizohesh me cilin do lloj droge pa asnjë problem.