Blerim Latifi nënkupton se Gjykata Speciale mund të na marrë edhe Pavarësinë

Periskopi.com Lajme

Profesori i njohur i filozofisë dhe kandidati i PDK-së për deputet në këto zgjedhje, Blerim Latifi, ka bërë një status shqetësues në profilin e tij në Facebook.

Latifi ka kundërshtuar të gjithë ata që thonë se Gjykata Speciale nuk po gjykon luftën e UÇK-së e UÇK-në por individët brenda saj.

Ai deklaron se nëse akuzohen anëtarët e këtij shtabi, atëherë “është e qartë se akuzat pashmangshëm prekin karakterin e luftës së UÇK-së, sepse politika e kësaj lufte ka qenë nën autoritetin e këtij shtabi.”

Një gjë e tillë, shkruan ai, do ta dobësonte më tej pozicionin e Kosovës në dialogun me Serbinë dhe do të ndihmonte kundërshtarët e Pavarësisë së Kosovës që të ‘preknin 17 shkurtin”, përcjell Periskopi.

Iu kujtojmë se PDK-ja me LDK-në ishin dy partitë që e kishin mbështetur fuqishëm krijimin e Gjykatës Speciale.

Më poshtë e keni statusin e plotë e të paredaktuar të z.Latifi:

Vazhdimisht është thënë se Gjykata Speciale nuk do ta gjykojë luftën e UÇK-së, por vetëm ish pjesëtarë të saj, të dyshuar për krime. Mirëpo, marrja në pyetje e profileve të larta të UÇK-së, disa në cilësinë e të dyshuarit, e disa në atë të dëshmitarit, logjikisht, lë të kuptohet se Prokuroria e Gjykatës Speciale, gradualisht, është duke lëvizur drejt aktakuzave që godasin Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së. Nëse akuzohen anëtarë të këtij shtabi, atëherë është e qartë se akuzat pashmangshëm prekin edhe karakterin e luftës së UÇK-së, sepse politika e kësaj lufte ka qenë nën autoritetin e këtij shtabi.Diçka e tillë, natyrshëm, do ta dobësonte pozicionin e Kosovës në dialogun me Serbinë dhe, në versionin më të keq, do të ndihmonte pozicionin e të gjithë atyre që kërkojnë një kompromis të ri mes Kosovës dhe Serbisë, e çdo kompromis i ri nënkupton prekjen e 17 shkurtit 2008.