Pastrohet plateja dhe vendoset flamuri i ri te shtatorja e Bill Clintonit

Periskopi.com Lajme

Me iniciativë të Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, zjarrfikësit e Prishtinës kanë pastruar platenë përreth shtatores së presidentit Bill Clinton dhe ndërruan flamurin e ShBA-së.

Këtë e kanë bërë me qëllim të shënimit të Ditës së Zjarrfikësve që ka qenë ditën e djeshme, si dhe për të kërkuar kushte më të mira të punës për zjarrfikësit e Kosovës.

Kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, tha se ky aktivitet po shënohet për të përkrahur zjarrfikësit, pasi që institucionet shtetërore nuk bën asgjë për të shënuar ditën e tyre.

“Dje ka qenë Dita Botërore e Zjarrfikësve dhe duke e pa që institucionet e Kosovës nuk e bënë në nivelin e duhur atë që duhet me e bë për këta njerëz, për këta heronj të ditëve tona. Njëkohësisht i kisha uruar qytetarët e Kosovës ditën e dëshmorëve që sot është e paraparë…Ta sensibilizojmë çështjen e zjarrfikësve sepse këta qytetarë ose këta profesionalistë nuk i kanë kushtet aq të mira, sikurse nuk i kane edhe mjekët, ushtarakët dhe Policia”, tha ai.

Ai tregoi edhe arsyen pse kanë vendosur ta shënojnë Ditën e Zjarrfikësve në këtë mënyrë.

“Pas një periudhe dy mujore ta ndërrojmë flamurin amerikan tek shtatorja, me këtë gjest kemi dashur t’iu tregojmë mesazhe edhe njerëzore edhe politike qytetarëve amerikan, institucioneve amerikane që populli i Kosovës është aleat i juaj. Ne e dimë atë që keni bërë jo tash por gjatë historisë dhe do të na keni aleat pavarësisht çka deklarojnë individët apo kushdo qoftë do të na keni aleat për jetë e mot”, tha ai.

Ndërsa, Latif Zeka shef i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, në ditën e tyre ka të gjithë zjarrfikësit, ndërsa ka falënderuar popullin amerikan për mbështetjen e vazhdueshme dhënë popullit shqiptar.

“Ne e përshëndet të gjithë popullin amerikan për ndihmën që kanë dhënë për popullin shqiptar, posaçërisht për popullin kosovar. Njëashtu i uroj Ditën e Zjarrfikësve të gjithë zjarrfikësve anë e mbanë botës”, tha ai.