Shtetet e Kuintit kërkojnë nga Kosova ta heq taksën për mallrat serbe

Periskopi.com Lajme

Shtetet e Kuniteti kanë kërkuar të nis menjëherë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Madje ata kanë thënë se për të nisur ky proces Kosova duhet ta heq taksën ndaj Serbisë, ndërsa Serbia duhet ta ndalë fushatën për heqjen e njohjeve ndaj Kosovës.

Më poshtë komunikata e plotë:

Qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të bashkuara në qëllimin për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme dhe ligjërisht detyruese që i kontribuon stabilitetit rajonal. Status quo pengon përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe thjeshtë nuk është e qëndrueshme. Pas viteve të tëra të ngecjes ka ardhur koha që më në fund të përmbyllen konfliktet e viteve të 90-ta dhe të ofrohet një e ardhme e sigurtë dhe e begatshme për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë duke negociuar në mirëbesim një marrëveshje që mund ta mbështesin të dy palët.

Prandaj, i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe kërkojmë nga të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e cila është e nevojshme për të dy vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse.

Ne jemi të gatshëm të forcojmë rolin tonë në këtë proces në përkrahje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, por mund ta bëjmë një gjë të tillë vetëm kur ju të jepni shenja të gatishmërisë për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rifillimin e bisedimeve. Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës.

Ne dëshirojmë të shohim që njerëzit e Kosovës dhe të Serbisë të përfitojnë nga paqja e qëndrueshme dhe të kenë mundësi të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Jemi të gatshëm të ndihmojmë në çfarëdo mënyre.

Vuçiq: I përgëzoj shtetet e Quintit për shpikjen, nuk kam lexuar gjë më të marrë në jetën time

Periskopi.com Lajme

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq është shprehur i habitur nga deklarata e vendeve të Quintit pas zgjedhjeve për kryetarët e komunave në veri të Kosovës.

Ai shtoi se nga ky njoftim mund të konkludohet se disa janë të pakënaqur që zgjedhjet kanë kaluar në mënyrë paqësore dhe të rregullt.

“Unë dua t’i përgëzoj për shpikjen e tyre. Unë nuk kam lexuar ndonjë gjë më të marrë në jetën time”, tha Vuçiq.

Ai komentoi mbi një deklaratë të përbashkët nga vendet e Quintit – ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara, të cilët thanë se procesi zgjedhor në katër komunat në veri kaloi në atmosferë të qetë, por gjithashtu kujtuan se ka ende çështje të pazgjidhura, të cilat kanë ndjekur procesin zgjedhor të vitit 2017.

“Çfarë kuptimi ka kjo”, tha Vuçiq.

Ndryshe, ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, dolën dje me një komunikatë të përbashkët në lidhje me zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës.

Ambasadat e shteteve të Quintit rikujtojnë gjetjet e misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EOM) të vitit 2017, që shprehën shqetësime serioze për frikësime në shumë zona të serbëve në Kosovë, sidomos kundër partive politike që garuan kundër Listës Serbe.

“Këto defekte, si dhe kërkesat për të përditësuar listat e votuesve dhe për të qartësuar procedurat, mbeten të pa adresuara dhe kanë si rezultat konkurrencën dhe pjesëmarrjen e kufizuar politike, prandaj ngritin pyetje lidhur me procesin e përgjithshëm demokratik në ato zona”, thuhet në deklaratë.

Përfaqësuesit e këtyre ambasadave apelojnë  të gjithë akterët relevantë, përfshirë institucionet dhe partitë politike përgjatë gjithë spektrit, që të adresojnë urgjentisht këto defekte duke zbatuar rekomandimet e EOM-it.

“Inkurajojmë qytetarët dhe shoqërinë civile që t’i mbajnë partitë përgjegjëse për përkushtimin që partitë kanë shprehur përmes deklaratës së përbashkët në Kuvendin e Kosovës në prill të vitit 2019 për forcimin e procesit zgjedhor. Ata që janë zgjedhur tani duhet të angazhohen për të përfaqësuar interesat e gjitha bashkësive në komunat e tyre”, thuhet në deklaratën e përbashkët të vendeve të Quintit.