Donald ​Tusk: Shtyrja zyrtare e Brexit’it, mbase e fundit

Periskopi.com Lajme

Shtyrja e re e Brexit-it, deri më 31 janar, është miratuar zyrtarisht nga Bashkimi Evropian, njoftoi sot në Twitter presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, duke u bërë thirrje britanikëve që ta përdorin sa më mirë këtë kohëzgjatje.

“Vendet anëtare e pranuan zyrtarisht shtyrjen. Mbase është e fundit. Ju lutem, përdoreni sa më mirë këtë shtyrje. Do të kryqëzoj gishtat për ju”, u shpreh Tusk, që do të lërë postin e tij në fund të nëntorit.

BE pranon që të shtyhet çështja e Brexit’it

Periskopi.com Lajme

Ambasadorët e Bashkimit Evropian u pajtuan për shtyrje të daljes së Britanisë nga BE, por nuk do të vendosin për datën e saktë deri javën e ardhshme. Zëdhënësja e unionit Mina Andreeva, tha se puna për këtë çështje do të vazhdojë në ditët në vijim. Bisedimet u zhvilluan pasi britaniku, Sajid Javid, pranoi se afati i 31 tetorit për Brexit nuk mund të përmbushet. Kjo është shtyrja e tretë e afatit për ketë proces.

Ligjvënësit britanikë pritet të shqyrtojnë të hënën thirrjen e kryeministrit të tyre, Boris Johnson, për zgjedhje të parakohshme më 12 dhjetor.

Britania ka vendosur të largohet nga BE-ja në një referendum të mbajtur në vitin 2016. Që atëherë vazhdojnë edhe negociatat për një marrëveshje mbi kushtet e divorcit.

Palët kanë arritur dy marrëveshje, por asnjëra nuk ka gjetur mbështetje të mjaftueshme në Parlamentin britanik. Kundërshtimet kanë të bëjnë kryesisht me politikat që do të zbatohen në kufirin me Irlandën, pas Brexit’it Britania është paralajmëruar për pasoja të rënda ekonomike nëse e lë BE-në pa marrëveshje.

 

 

 

 

 

Shtyhet për 14 mars seanca për ‘veteranët e rremë’

Periskopi.com Lajme

Në mungesë të kushteve ligjore, është shtyrë për një datë tjetër seanca e parë për aktakuzën ‘Veteranët e rrejshëm’

Në këtë seancë ishin të ftuar 12 të akuzuar, dy prej të cilëve nuk ishin të pranishëm.

Të akuzuarit e kanë cilësuar të gjithë procesin si politik dhe se përfaqësues të partive politike do të duhej të ishin prezent gjatë ditës së sotme në këtë seancë.

Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, ishin 12 të ftuarit e parë.

Gjykatësja Nushe Kukaj-Meka tha se nuk ekzistojnë kushte për mbajtjen e seancës,  duke thirrur një tjetër për 14 mars.

“Seanca e sotme shtyhet për datën 14 mars në orën 10:00. Palëve prezente u komunikua verbalisht, kjo do t’u shërbej si ftesë në mënyrë të rregullt, ndërsa mbrojtësit të të pandehurit Rrustem Berisha, avokatit Agron Selimaj, ftesa do t’i përsëritet. Po ashtu ftesa do t’i përsëritet  edhe të pandehurit Rrustem Berishës dhe Faik Fazliut”, tha ajo.

Ani pse, Kukaj-Meka tha se 12 të akuzuarit kishin marrë ftesat, avokati Arianit Koci mohoi një gjë të tillë, duk thënë se klienti i tij, Shkumbin Demalijaj nuk ka pranuar

Pas përfundimit të seancës ai tha se aktakuza ka shumë të meta.

“Aktakuza ka shumë të meta, gjendja faktike nuk pasqyrohet qysh duhet. Prandaj ne si mbrojte kemi hapësirë shumë të madhe që me i kundërshtu pretendimet e aktakuzës. Mbesim të shohim më tutje se çfarë do të ndodhë”, tha Koci.

Pas dështimit të seancës për shqyrtimin fillestar për shkak të mos krijimit të kushteve ligjore, i pandehuri Shukri Buja e cilësoi këtë seancë si orkestrim të mirë, por që dirigjenti nuk është parë. Buja tha se do të ftojë për të dëshmuar rreth 1200 persona, për çka edhe parashikoi një proces  të gjatë  gjyqësor në këtë drejtim

“ Është një orkestrim i mirë, por dirigjenti nuk u shihke, u shihke vetëm silueta e tij. Në fakt është një proces i cili është më shumë politikë, se sa diçka konkrete. Tash po i quani edhe ju mediat veteran të rrejshëm, por nuk kemi asnjë institucion, që qoftë një individ e ka shpall veteran të rrejshëm dhe meqë nuk e ka shpall veteran të rrejshëm, është banale të thuhet veteran të rrejshëm….Realisht po shihet se do të zgjas ky proces, unë si individ i akuzuar në këtë rast apo si komandant zone, pjesë e komisionit shtetëror, sigurisht që do të ftoj mbi 1200 dëshmitarë. Sepse janë diku rreth 800 që cilësohen si veteranë të rrejshëm, madje janë edhe eprorë të zonës, të cilët cilësohen si veteranë të rrejshëm, siç është Ruzhdi Jashari. Dhe unë do t’i ftoj të gjithë këta dëshmitarë që t’i tregojnë gjykatës se kush ua ka nënshkruar këto aplikacione, apo kanà « qenë komisionet që ua kanë përcaktuar titullin e tyre”, tha ai.

Sipas tij dirigjenti është i pafytyrë, tha se mediat janë bërë orkestër  dhe instrument i mirë i gjykatës. Ai tha se aktakuza është ngritur me presionet e opinionit ndaj prokurorisë.

Buja tha se pjesë e seancave do të duhej të ishin edhe udhëheqësit shtetërorë  në kohën e formimit të komisioneve për verifikimin e statusit të veteranit, duke përfshirë ish kryeministrin Hashim Thaçi, tash president, si dhe ish anëtarin e komisionit Rrahman Rama, e ish komandantin e UÇK-së, Sami Lushtaku.

“Anëtar i komisionit i rregullt ka qenë  edhe komandanti i FSK-së, Rrahman Rama. Të njëjtin funksion e kam pasur unë, të njëjtin funksion e ka pasur ai në komision. Të njëjtat qëndrime i kemi pasur, të njëjtat votime i kemi marrë. Pse duhet të kursehet Rrahman Rama, pse duhet të kursehet Sami Lushtaku, pse duhet të kursehet ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Pse duhet të kursehet politika që ka bërë marrëveshje, pse nuk e thoni ju mediat që në atë kohë ka qenë në koalicion PDK-ja me LDK-në, marrëveshje kanë bërë që të pranohen veteranët”, tha ai.

Edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se në fryrjen  e këtyre listave nuk kanë faj vetëm komandantët por kanë faj  edhe liderët e partive politike.

Gucati: Sot është dashur të thirren edhe liderët e partive politike (Video)

“ Kjo sot që ka filluar është mirë që të ndahet shapi prej sheqerit, por në frymjen e këtyre listave nuk kanë të bëjnë vetëm komandantët, ka të bëjë edhe politika. Unë nuk mund ta shmangi politikën fare. Sepse këtu është dashur të thirren edhe liderët e partive politike të ndryshme. Sepse kanë faj edhe ata, duhet ta ndajnë një pjesë të fajit bashkë me komandatët”, tha ai.

I bindur për pafajësinë e tij, u shpreh edhe Xhavit Jashari.

“ Unë e di që jam i pafajshëm, për arsyen e thjeshtë se nuk kam qenë në komision vendimmarrës. Verifikimi dihet është hierarkia ushtarake, që e kanë bërë verifikimin, por megjithatë i gjithë komisioni mendoj që gjithë ata që kanë qenë pjesë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kategorizuar  u është dhënë vendi meritor. Megjithatë po besoj që të mos jetë një lojë politike në këtë drejtim sepse këta njerëz që kanë dhënë kontributin me luftën e tyre, falë tyre sot jemi në liri”, tha ai.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68 milionë 153 mijë e 533 euro e 14 centë.