Lazio me histori fashiste i fut në dashuri serbët me shqiptarët

Periskopi.com Sporti

*Ky artikull është përgatitur nga Periskopi në dhjetorin e 2019-s, para se Milinkoviq-Saviq dhe Vedat Muriqi t’i shprehnin dashurinë njëri-tjetrit – në fakt, edhe para se Muriqi të ishte pjesë e ekipit të Lazios. 

Lazio është një ndër klubet më të forta të futbollit në Itali dhe Evropë. Njihet për një tifoz të madh e problematik,  që mbetet njollë e klubit, diktatorin fashist Benito Mussolini. Në këtë sezon, ekipi i drejtuar nga Simone Inzaghi si trajner dhe Igli Tare si drejtor sportiv është në vend të tretë me vetëm pesë pikë poshtë Interit që ndodhet në vendin e parë. Pra, Lazio edhe mund të bëhet kampion. 

Mussolini për fat të keq mbetet ende i pranishëm si një fantazmë mes tifozëve ultras të ekipit të Lazios, por megjithatë tifozëria Ultras nuk është e gjithë bërthama e këtij klubi të madh.

Diktatori fashist ua ndërtoi edhe stadiumin më të mirë të futbollit për atë kohë, Stadio Olimpicon dhe ishte mbështetës i këtij klubi. Tifozët e flaktë e të tmerrshëm të këtij ekipi vazhdojnë përleshjen me rivalin lokal Romën, dhe shpesh janë dënuar për slloganet e tyre fashiste, shkruan Periskopi.

Lazio është ekip i dashur edhe te shumë shqiptarë, për faktin se drejtor sportiv i skuadrës është Igli Tare – ish lojtar i kombëtares kuq-e-zi por edhe se në ekip bëjnë pjesë futbollistë të tjerë shqiptarë e kosovarë, ose me origjinë nga Kosova e Shqipëria.

Për herë të fundit, Lazio e fitoi titullin e kampionit në vitin 2000 me trajnerin suedez Sven Goran Eriksson. Me lojtarë fantastikë si Roberto Mancini, Sergio Conceicao, Alessandro Nesta, Pavel Nedved dhe ballkanasit, Mihajloviq, Stankoviq e Boksiq.

Në vitet që pasuan, Lazio jetoi duke e gjallëruar kujtimin e lojtarëve ballkanas – duke e prioritetizuar tregun ballkanik për futbollistë.

Në vitin 2004 ky klub e bleu maqedonasin Goran Pandev, i cili do të jetë kundërshtar i Kosovës në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve në marsin e vitit 2020.

Në vitin 2005, u ble slloveni Samir Handanoviq që u bë portier legjendë në Serie A për Udinesen dhe Interin. Po në atë vit, ata e morën Valon Behramin dhe Igli Taren. Për të parin, e ndritur ishte karriera si lojtar ndërsa për të dytin, e ndritur ishte karriera si drejtor sportiv.

Në vitin 2007, klubi e bleu edhe supermbrojtësin serb të krahut të majtë, që aktualisht luan te rivalët e urryer të Romës, Aleksandër Kolarovin.

Por, këto ardhje sporadike u bënë edhe më të fuqishme në vitin 2011, kur në skuadër erdhi Senad Luliq me insistimin e Igli Tares. Duket se një prioritetizim të tillë të vendeve ballkanike, sllave dhe shqiptare, e bëri pikërisht Tare – që tashmë po lavdërohet në gjithë Italinë. Në skuadër kishte ardhur edhe Lorik Cana nga skuadra e Galatasarayit.

Në vitin 2012, në skuadrën e parë do të kalonte Thomas Strakosha – portieri i parë aktual, që në atë kohë ishte i katërti. Në vitin pasues, 2013, Lazios iu bashkua Etrit Berisha – portieri shqiptar që kohë pas kohe kishte fatin të zëvendësonte Marchettin titullar.

Në vitin 2014, erdhën serbët Basta dhe Gjorgjeviq, ndërsa është e njohur fotografia mes shqiptarëve dhe serbëve që bëri bujë botërore pas incidentit me dron në Serbi: Një klub me histori fashiste, po e kundërshtonte frymën fashiste pas ndeshjes Serbi-Shqipëri.

Më 2015, në skuadër kishte ardhur edhe serbi Milan Bishevac dhe lojtari që aktualisht kushton 100 milionë, Sergej Milinkoviq-Saviq.

Në të 2016-n, në skuadër ishte edhe kroati Ivan Vargiq si zëvendësues i Strakoshës.

Në vitin e kaluar, 2017, skuadrës iu bashkua malaziasi Adam Marushiq Ndërsa sivjet, më 2018, te Lazio e Tare-s erdhi Riza Durmishi, Valon Berisha dhe Milan Badelj.

Në një ndeshje në të cilën Lazio e mundi 2 me 0 Parman në Enio Tardini vitin e kaluar, lojtari vendimtar ishte Valon Berisha që nxorri penallti në minutën e 80 derisa rezultati ishte 0-0. Në fotografinë e mësipërme shihet lojtari më i mirë i klubit, serbi Sergej Milinkoviq Saviq duke i dhënë një përqafim atij për sigurimin e fitores.

Aktualisht, dy nga tre lojtarët kryesorë të Lazios që mund ta çojnë drejt lavdisë janë një serb [Milinkoviq Saviq] dhe tjetri shqiptar [Strakosha] krah Çiro Immobiles./Periskopi/