Sistemi bankar “frenoi” zhvillimin ekonomik

Periskopi.com Lajme

Sektori financiar dhe bankar në Kosovë, vlerësohet jo vetëm më fitimprurësi, por edhe sektori me performancën më të qëndrueshme. Ky sektor, karakterizohet me një prezencë të madhe të kapitalit të huaj, ku 87 për qind e aseteve totale menaxhohen nga bankat e huaja, kështu që kapitali i huaj dominon në 8 prej 10 bankave që operojnë aktualisht në Kosovë.

Vlera e kredive dhe depozitave për çdo vit është rritur. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), gjatë këtij viti shuma e kredive ka arritur në 2.7 miliardë euro duke shënuar rritje vjetore prej mbi 11 për qind. Norma mesatare e interesit për kredi ka shënuar rënie në 6.6 për qind.

Kurse vlera e depozitave në 10 bankat komerciale ka arritur në 3.2 miliardë euro. Ndërkaq, norma e kredive joperformuese është 2.7 për qind, normë kjo që konsiderohet më e ulëta në rajon dhe njëherësh tregues i qëndrueshmërisë financiare.

Por, ndryshe vlerësohet roli i sektorit bankar në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. Ekspertë për çështje financiare thonë se ky sektorë nuk ka sjell rritje ekonomike, ka varfëruar familjet, ngufatur bizneset pasi për një kohë të gjatë ka mbajtur norma të larta interesi në dy shifrore dhe me afat të shkurtër të kthimit të kredisë.

Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike tha për Radion Evropa e Lirë se arsyeja kryesore e frenimit të zhvillimit ekonomik në Kosovën e pas luftës është pikërisht sistemi bankar, i cili me kamatat e larta ka ndikuar në ngufatjen e zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe gjithashtu ka varfëruar popullatën.

“Mbajtja e kamatave të larta në Kosovë për 20 vjet e ka shfrenuar apo e ka dëmtuar sektorin privat në Kosovë. Bankat komerciale kur e varfëruan popullatën dhe shkatërruan bizneset, tashmë kanë filluar të ulin kamatat. Mirëpo, tashmë është shumë vonë sepse shumica e bizneseve që operojnë në vend janë në kredi deri në ‘fyt’ nga kamatat që i kanë marrë 10 vjet më parë me çmime jashtëzakonisht të larta mbi 10 për qind”, shprehet Gashi.

Ndërkaq, eksperti tjetër për çështje financiare, Milazim Abazi, thotë se sistemi bankar do të duhej të kishte ndikim pozitiv në sektorin privat. Sipas tij, bizneset dhe familjet në Kosovë nuk kanë mundësi të investojnë pa pjesëmarrjen e bankave. Ai shprehet se kohëve të fundit institucionet financiare kanë ulur normat e interesit edhe pse ende mbeten të larta në rajon.

“Kemi një konkurrencë më të zhvilluar dhe kemi rënie të interesave në kredi, kështu që edhe në të ardhmen duhet të vazhdoi ky trend i rënies së interesave për shkak se Kosova çdo ditë e më tepër rezultatet e stabilitetit dhe çdo lloji stabiliteti politik, ekonomik apo juridik, ndikojnë në uljen e riskut dhe uljen e interesit në kredi”, thotë Abazi.

Kurse, Naim Gashi e quan paradoksale situatën e sektorit bankar karshi bizneseve private.

“Marrë në përgjithësi, unë mendoj se vetëm duhet të shikohen fitimet e bankave në Kosovë dhe atyre në rajon. Fitimet e sektorit të bankave komerciale në vend kalojnë mbi 60 milionë euro, që është një shumë për një shtete që duhet të ishte tri ose katër herë më i madh. Kurse bizneset që kanë marrë kredi, tregojnë se kamatat prej 10 deri 15 për qind që kanë paguar për 20 vjet, ato i kanë marrë rreth 80 për qind të fitimit të tyre. Sektori privat në Kosovë për dy dekada ka punuar vetëm për interesin e bankave komerciale në Kosovë”, tha ai.

Ndryshe, përveç kredive që qytetarët kanë në bankat komerciale, një pjesë e madhe e klientëve borxhe kanë edhe në institucionet mikrofinanciare që operojnë në vend.

Në 22 institucionet mikrofinanciare të cilat aktivitetin kryesorë e kanë kredidhënien, qytetarët kanë kredi mbi 177 milionë euro më normë mesatare prej 23 për qind. /Rel

Sistemi bankar regjistron rënien më madhe në 10 vjet

Periskopi.com Lajme

Sistemi bankar ka qenë shumë i zënë me proceset e shitblerjes në 6 muajt e parë të vitit, duke “lënë mënjanë” detyrat e tij. Kredia për ekonominë mbetet e frenuar, teksa depozitat ishin në rënie për muaj radhazi, me përjashtim të qershorit. Fitimet shënuan stanjacion pas rritjes së fortë të vitit të kaluar. Zhvillim pozitiv është ulja e kredive me probleme…

Sistemi bankar nuk ka arritur t’i kthehet rritjes në gjashtë muajt e parë të këtij viti, duke mos qenë në një linjë me përshpejtimin e rritjes ekonomike, që u zgjerua me 4.45% në tremujorin e parë të vitit, sipas INSTAT. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se aktivet kanë shënuar rënien më të fortë të 10 viteve të fundit, sidomos në tremujorin e parë (e ndikuar dhe nga rënia e euros), kredia ka ngecur, depozitat janë në reduktim. Në kahun tjetër, treguesit e përfitueshmërisë ishin të qëndrueshëm, teksa huatë me probleme janë në rënie të vazhdueshme.

Shitblerjet janë në kulmin e tyre dhe numri i bankave shumë shpejt pritet të reduktohet nga 16 në 14.

Përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të ulur nivelin e lartë të përdorimit të euros në ekonomi, të nisura në shkurt, kanë dhënë pak efekt në drejtim të kredisë, por jo tek tepozitat, ndërsa euro vijon të jetë e preferuara e kursimtarëve.

Aktivet, në rënie të fortë

Në fund të muajit qershor, totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1.43 trilionë lekë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Në raport me fundin e 2017-s, aktivet janë tkurrur me 1.3%, ose 18 miliardë lekë (reduktimi më i fortë ishte në tremujorin e parë me 13.5 miliardë lekë), duke shënuar rënien më të madhe që prej fundit të vitit 2008, kohë kur sistemi bankar vuajti një rrjedhje të depozitave si rrjedhojë e frikës së krizës financiare globale që shpërtheu në atë kohë. Efekt ka dhënë edhe zhvlerësimi i euros.

Dy janë zërat kryesorë që kanë ndikuar në këtë tendencë negative të aktiveve, apo të indikatorit që tregon se si i investojnë bankat paratë e depozituesve.

E para është “Marrëdhënie me Bankën Qendrore”, teksa bankat kanë reduktuar paratë që mbajnë në institucionin monetar qendror me 24 miliardë lekë, në 6 muajt e parë të vitit.

Së dyti, është zëri i “Veprimeve me klientët (bruto)”, i cili ka rënë me 19 miliardë lekë. Ky zë tregon ecurinë reale të kredisë për ekonominë, pasi është i zhveshur nga efekti i fshirjes së huave. Tkurrja e tij është e ndikuar më shumë nga rënia e huasë afatshkurtër.

Kreditimi real për ekonominë po shënon rënie që nga tremujori i tretë 2017.
Në të kundërt ka qenë tendenca e parave që bankat vendase vendosin jashtë në “Depozita në banka, institucione krediti dhe institucione të tjera financiare”. Ky zë është rritur me 13 miliardë lekë në 6 muajt e parë të 2018-s, në raport me fundin e 2017-s.

Kredia e frenuar

Stoku i huasë për ekonominë ka shënuar rënie në gjashtë muajt e parë të këtij viti, duke mos reflektuar aspak rritjen e vendit, që në tre muajt e parë të vitit, sipas INSTAT, u zgjerua me 4.4%. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i huasë për ekonominë në muajin qershor zbriti në 530 miliardë lekë, me një tkurrje prej 9.3 miliardë lekësh, apo 1.7% në krahasim me muajin e mëparshëm.

Rënia ka qenë e pandalshme në 6 muajt e parë të këtij viti, duke u tkurrur me 20 miliardë lekë. Kjo është tkurrja më e madhe historike, të paktën që prej vitit 2002, kur Banka e Shqipërisë raporton statistikat e kredisë.
Ky është niveli më i ulët i stokut të huasë për ekonominë, që prej tetorit të vitit 2011.

Tkurrja në qershor ka ardhur si rrjedhojë e rënies së kredisë për korporatat publike, me 12 miliardë lekë, si rrjedhojë e shlyerjes së overdraft të KESH në banka, pas lëvrimit të huasë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Ndërsa në raport me fundin e 2017-s, tkurrja e kredisë ka ardhur si rrjedhojë e rënies së huasë në valutë për bizneset, por edhe për individë. As stoku i kredisë në lekë për biznese nuk ka shënuar rritje, përkundrazi.

Të vetmit që po preferohen për t’u kredituar nga bankat janë individët në monedhën vendase, kryesisht për blerjen e pasurive të paluajtshme.
Që prej shtatorit të vitit 2017, huaja për ekonominë po rezulton me rënie të ndjeshme. Bankat janë skeptike për të dhënë hua, teksa janë përqendruar në segmentin e mesëm dhe ankohen se mungojnë projektet e mira për të financiar. Arsye të tjera që kanë ndikuar në rënien e stokut janë fshirja e kredive, që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen, si dhe nënçmimi i euros.

Edhe kredia e re për 6-mujorin është në rënie, me 3.1%, në raport me janar-qershor 2017, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ku në rënie ishin overdrafti dhe kapitali qarkullues në lekë, blerje pajisjesh në euro dhe blerje banesash në euro.
Stoku i kredisë në valutë ka zbritur për herë të parë nën kufirin e 50% të totalit në qershor 2018 (49.8%), nga 50.7% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Orientimi i bankave për të nxitur kredinë në lekë, duket se ka ndikuar në këtë tendencë.

Depozitat më në fund në rritje, nga… valuta

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, totali i depozitave në sistemin bankar në fund të muajit qershor arriti në 973 miliardë lekë, duke u rritur me 5 miliardë lekë, ose rreth 0.5% në krahasim me muajin e mëparshëm. Kjo është rritja e parë pas 7 muajsh radhazi që kursimet kishin shënuar vetëm rënie.

Pavarësisht përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë për të dekurajuar kursimet në euro, ato i janë kthyer sërish rritjes në muajin qershor, të udhëhequra nga individët. Kursimet në lekë u rritën me vetëm 860 milionë lekë në raport me majin, teksa individët vijojnë të reduktojnë kursimet me afat në lekë. Depozitat në afat në lekë kanë vijuar rritjen që ka nisur prej gati 7 vitesh, që kur Banka e Shqipërisë filloi uljen e normës bazë të interesave bazë, që u shoqërua me uljen e normës së kthimit nga depozitat, që aktualisht është më pak se 1% në vit për depozitat 12-mujore.

Kursimet në valutë, në të kundërt, në maj u rritën me 4.1 miliardë lekë në krahasim me muajin e mëparshëm, si rrjedhojë e rikthimit të depozituesve individë. Pesha e depozitave në valutë, në fund të qershorit, ishte 52.8%. Që prej muajit shkurt, Banka e Shqipërisë nisi një fushatë për deeuroizimin e ekonomisë, që të dekurajonte përdorimin e euros, por sërish monedha e përbashkët mbetet e preferuara e kursimtarëve shqiptarë.

Në krahasim me dhjetorin e vitit të kaluar, depozitat në total janë ulur me 28 miliardë lekë, ose rreth 225 milionë euro, ku gjysma e rënies ka ardhur nga valuta dhe gjysma nga kursimet në lekë.
Shqipëria vlerësohet që ka nivelin më të lartë të kursimeve në rajon. Në fund të muajit qershor, ato ishin të barabarta me rreth 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga rreth 40% që është mesatarja e rajonit. Megjithatë, në krahasim me disa vjet më parë, kur depozitat në Shqipëri ishin rreth 70% të PBB-së, ka një rënie të dukshme.

Huatë me probleme, në rënie

Kreditë e pakthyera në afat në banka kanë shënuar rënie të mëtejshme në muajin qershor, duke zbritur në 13.27%, nga 13.31% që kishin qenë në muajin e mëparshëm. Ky është niveli më i ulët i këtij treguesi që nga dhjetori 2017, kur huatë me probleme arritën në 13.23%, teksa treguesi nuk kishte zbritur poshtë 14% që nga 2010-a.

“Banka e Shqipërisë konstaton se rënia e rrezikut të kredisë dhe përmirësimi i vazhdueshëm i bilanceve, sikundër ilustrohet nga rënia në nivelin 13.27% e raportit të kredive me probleme, duhet të gjejnë pasqyrim më të mirë në politikat e kreditimit të sektorit bankar”, ka pohuar guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në konferencën e fundit për shtyp. Ai shtoi se në përgjithësi, rritja e kredisë është në linjë me përmirësimin e moderuar të kërkesës për të. Megjithatë, vrojtimi i aktivitetit kreditues sugjeron se standardet dhe kushtet e kreditimit të aplikuara nga sektori bankar vijojnë të mbeten konservatore.

Në vlerë absolute, kredia e pakthyer në afat në banka në fund të muajit qershor ishte 70 miliardë lekë (558 milionë euro), nga 74 miliardë lekë në janar, me një rënie prej 5%. Pavarësisht rënies, kreditë e pakthyera në afat në sistemin bankar shqiptar mbeten më të lartat në rajon. Sipas raportit të fundit të Komisionit Europian për vendet kandidate, në tremujorin e parë të vitit 2018, niveli i kredisë me probleme (NPL) në Shqipëri mbeti stabël në 13.4% të totalit të huasë, pas një tendence rënëse në 2017-n.

Në Serbi, e cila dikur kryesonte në rajon, NPL-të kanë zbritur në 9.2%, niveli më i ulët i dekadës. Edhe Mali i Zi i ka ulur huatë me probleme në 7.3%. Të tre këto shtete, Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi, e kishin deri dy vjet më parë treguesin e NPL-ve që i kalonte 20%, por pas strategjive që ndoqën për uljen e kredive me probleme, ky tregues u reduktua ndjeshëm, por me ritme më të larta në Serbi dhe Mal të Zi.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, 9.7% e huave janë të pakthyera në afat, në Maqedoni 6.5%. Në Kosovë, ky tregues është vetëm 3.1%, nga 8.7% që ishte në vitin 2013, sipas shifrave të publikuara nga Komisioni Europian.

Treguesit e përfitueshmërisë

Fitimi i sistemit bankar në 6 muajt e parë të vitit ishte 11 miliardë lekë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, që raporton në bazë të standardeve kombëtare të kontabilitetit. Në krahasim me të njëjtën periudhë të 2017-s, fitimi ra lehtë me 4.2%. Një vit fitimi për të njëjtën periudhë ishte rritur me 127% si rrjedhojë e rimarrjes së shpenzimeve të provigjioneve.

Mjedisi me interesa të ulëta po ndikon në mosrritjen e të ardhurave të bankave, teksa ulja e kredive me probleme ka lehtësuar provigjionimet e bankave, që vitet e fundit kishin qenë faktori kryesor që kishin ndikuar në rënien e fitimeve. Treguesit e përfitueshmërisë u përkeqësuan lehtë në raport me 6- mujorin e parë 2017.
Kthimi nga aktivet ishte 1.2% mesatarisht për 6-mujorin e parë 2018, nga 1.4% në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kthimi nga aktivet ishte 10.96%, nga 15% që kishte rezultuar ky tregues për janar-qershor 2017.

Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, që raporton sipas standardeve ndërkombëtare (në bazë të të cilave paguhen edhe tatimet), fitimi i bankave u përgjysmua në 5.6 miliardë lekë për 6-mujorin e parë 2018, në raport me janar-qershor 2017. Ndryshimi mes dy standardeve qëndron në mënyrën se si kryhen provigjionimet (shpenzimet që bankat lënë mënjanë për kreditë me probleme). Dy bankat kryesore, BKT dhe Raiffeisen, rezultojnë me përgjysmim të fitimeve, sipas Shoqatës së Bankave/Monitor

Mbi 250 milionë euro kursime largohen nga sistemi bankar për pak muaj

Periskopi.com Lajme

Kursimet në sistemin bankar kanë shënuar në maj një tjetër rënie të fortë, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Në fund të muajit maj, stoku total i depozitave në lekë dhe në valutë zbriti në 968 miliardë lekë, duke rënë me gati 10 miliardë lekë, ose 1% në krahasim me muajin e mëparshëm (70% e rënies erdhi nga tkurrja e kursimeve në valutë). Ky është niveli më i ulët i depozitave që nga korriku i vitit 2015.Në krahasim me fundin e vitit të kaluar, kursimet e shqiptarëve në banka janë ulur me 33.4 miliardë lekë, ose me rreth 250 milionë euro. Kjo rënie për 5-mujorin ka ardhur si nga ulja e depozitave në lekë, ashtu dhe në valutë. Kursimet në lekë ranë me 15 miliardë lekë, ndërsa ato në valutë u reduktuan me 18.5 miliardë lekë.

Ndërsa tkurrja e depozitave në valutë ka dhënë efektin e zhvlerësimit të euros (që mesatarisht në pesë muajt e parë të vitit këmbehej me 130 lekë, nga rreth 135 lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia e depozitave në monedhën vendase ka ardhur kryesisht nga ulja e kursimeve të individëve me afat në lekë. Ulja e vazhdueshme e normave të interesit të depozitave, që erdhi pas politikës lehtësuese monetare të Bankës së Shqipërisë për të ulur koston e parasë dhe për të nxitur investimet, ka bërë që individët të mos i shohin më bankat si një alternativë fitimprurëse për të depozituar kursimet e tyre.

Teksa norma bazë e Bankës së Shqipërisë u ul nga 5.25% në shtator 2011 në rreth 1% aktualisht, edhe interesat e depozitave kanë zbritur në më pak se 1% për kursimet vjetore. Në kërkim të fitimeve më të mëdha, individët kanë kaluar në investime më afatgjata, apo në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë.Kursimet në valutë vijojnë të dominojnë, duke përbërë 52.6% të totalit të depozitave që kanë shqiptarët në fund të muajit maj. Në nëntor të vitit 2015, për herë të parë depozitat në valutë (ku dominon euro) për herë të parë i kaluar ato në lekë dhe kjo tendencë ka vijuar të bëhet më e fortë dhe pavarësisht strategjisë së Bankës së Shqipërisë për të ulur nivelin e përdorimit të euros në ekonomi, monedha e përbashkët vijon të mbetet e preferuara e kursimtarëve./Shqiptarja.com/