Ambasada britanike nis projektin për forcimin e sistemit të drejtësisë

Periskopi.com Lajme

Ambasada britanike, përmes partnerëve të saj implementues “Axiom International” dhe “Agjencia Limited” dhe në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës do të mbajë ceremoninë e fillimit të projektit të saj “Forcimi i Sistemit të Drejtësisë në Kosovë”.

Ky projekt synon të rrisë llogaridhënien, transparencën dhe integritetin, duke zhvilluar sisteme, të cilat janë në pronësi vendore dhe të qëndrueshme, duke u përqendruar veçanërisht në proceset e rekrutimit, avancimit dhe transferimit të të gjithë gjyqtarëve.

Projekti do të përfshijë kornizën e performancës organizative të akredituar ndërkombëtarisht, e cila do të forcojë aftësinë e Këshillit për të drejtuar në mënyrë strategjike Shërbimin Gjyqësor dhe për të siguruar përmirësim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm institucional.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë Nicholas Abbott, do të mbajë një fjalim në këtë ngjarje e cila nis prej orës 10:30.

Nis digjitalizimi i lëndeve të vjetra penale

Periskopi.com Lajme

Procesi i digjitalizimit të të dhënave të vjetra penale ka filluar. Kjo është bërë në një ceremoni ku kanë marrë pjesë zyrtarë të Bashkimit Evropian, të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Sistemit të Drejtësisë në vend.

Përmes këtij sistemi, do të digjitalizohen të gjitha të dhënat e personave të dënuar për kryerje të veprave penale që nga qershori i vitit 1999 deri në ditët e sotme.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë projekt, pasi që sipas tij, deri më tani ka qenë e mundur lehtësisht manipulimi në lidhje me të kaluarën kriminale.

Ai ka shtuar që me digjitalizimin e të dhënave kjo gjë që do të jetë e pamundur.

Si shumë të rëndësishëm këtë projekt e ka vlerësuar edhe Luigi Brusa, Shefi i Zyrës së Bashkëpunimit të BE-së në Kosovë duke e krahasuar atë me sistemin e VAR-it në futboll.

Përmes këtij projekti është bërë e mundur edhe krijimi i Sistemit Kombëtar Qendror të Evidencës Penale të Kosovës.

EULEX: Nuk kemi më funksion ekzekutiv në sistemin e drejtësisë së Kosovës

Periskopi.com Lajme

EULEX përmes një deklarate për media dëshiron të qartësojë se pas fillimit të mandatit të tij të ri më 15 qershor, misioni evropian nuk ka më funksione ekzekutive në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Reagimi i EULEX-it vjen pas një deklarate të shpërndarë sot nga një medium në Kosovë, siç i është atribuuar zëdhënësit të EULEX-it.

“Si të tillë, nuk mund të caktohen lëndë për gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX-it, të cilët tashmë i kanë pushuar aktivitetet e tyre ekzekutive në EULEX”, përfundon deklarata.