KEK së shpejti edhe me impiante për trajtimin e të gjitha ujërave në TC-B

Periskopi.com Lajme

Në vazhdën e masave dhe aktiviteteve për zvogëlimin e ndikimit në mjedis të TC Kosova B-së, Korporatës Energjetike të Kosovës i është ofruar edhe një mundësi e mirë si përfitues i projektit për ndërtimin e 5 impianteve për trajtimin e të gjitha ujërave të shkarkuara industriale dhe atmosferike, projekt ky që ka një kosto prej rreth 9 milionë euro.

“Duke falënderuar Bashkimin Evropian përmes Zyrës së saj në Prishtinë, në zonën tokësore të TC-B-së do të ndërtohen gjithsej 5 impiante për trajtimin e të gjitha ujërave teknologjike apo industriale siç i quajmë, duke mos lënë anash edhe ujërat e zeza dhe ato atmosferike”, ka thënë zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli.

Ai ka treguar se cilat përfitime do t’i ketë KEK-u nga realizimi i këtij projekti.

“Me realizimin e këtij projekti pritet që të arrihen standardet evropiane mjedisore sa i përket lejimit të parametrave kimik dhe biologjik të ujërave të shkarkuara. Për më tepër, me këtë projekt synohet gjithashtu që trajtimi i këtyre ujërave të ripërdoret në ciklin e prodhimit, si në ftohjen e pajisjeve gjithashtu edhe në transportin hidraulik të hirit, me c’rast Korporata Energjetike e Kosovës do të kursej ujin nga Ujmani në vlerën deri në 15% në vit”, ka thënë Bucolli.

Me këtë pjese të projektit të përfunduar disa javë më parë, u përmbush faza e hartimit të dokumentacionit teknik dhe komercial për shpalljen e tenderit, nga ana e Zyrës së BE në Prishtinë.

Korporata Energjetike e Kosovës do të vazhdoj edhe në të ardhmen me investime, përmes të cilave do të mundësohet ruajtja e ambientit dhe punës më të mirë të stabilimenteve energjetike.

https://www.facebook.com/watch/?v=801650774074333

 

 

KEK-u ndihmon të rinjtë e dy komunave me trajnime profesionale falas

Periskopi.com Lajme

Korporata Energjetike e Kosovës si pjesë të përgjegjësisë së saj sociale, ka marrë vendim që t’i trajnoj 100 të rinj dhe të reja në Qendrën e trajnimeve që funksionon në kuadër të kësaj korporate.

Për shkak se kjo korporatë operon në territorin e komunës së Fushë Kosovës dhe asaj të Obiliqit, të  rinjtë dhe të rejat duhet të jenë nga këto dy komuna.

Saldimi dhe elektrika janë vetëm dy nga fushat që këta qytetarë mund të trajnohen, përderisa të gjitha  shpenzimet do të mbulohen nga vet korporata.

Skënder Bucolli –Zëdhënës i KEK-ut, theksoi: “Duke qenë se aftësimi profesional në vendin tonë  është shumë i rëndësishëm dhe duke pas parasysh se Korporata Energjetike e Kosovës posedon një  qendër trajnuese, e cila është e vetmja në rajon për profile të ndryshme dhe ka laboratorë që janë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Korporata Energjetike e Kosovës ka vendosur që të  subvencionoj 100 studentë ose të rinj dhe të reja, të cilët kanë nevojë për aftësime profesionale. Me  këtë rast, kemi themeluar një program, i cili do të varet prej aplikimeve që do të bëjnë 100 të rijnë  dhe të rejat e këtyre dy komunave në dy drejtoritë e arsimit të Fushë Kosovës dhe Obiliqit, për arsye  se korporata operon në këto dy komuna. Prandaj u bëjmë ftesë të gjithë të interesuarve për këto  trajnime, që të drejtohen në drejtoritë e arsimit të këtyre dy komunave dhe të aplikojnë për trajnime që kanë interes”.


Kjo qendër ka kapacitet për pranimin e një numri të madh të të interesuarve në lëmi të ndryshme.

Nga gjithsej 7 lëmi që janë, secila prej tyre ka nga 1 deri në 18 module, andaj me të përfunduar  trajnimin në këtë qendër, të interesuarit mund të pajisen edhe me certifikatë të njohur  ndërkombëtarisht.

“Qendra e trajnimit ofron në 7 lëmi trajnime, në mekanikë, saldim, në siguri në punë, në teknologji  informative, teknologji elektrike e kështu më radhë. Qendra e trajnimit ofron edhe kualifikimin e  salduesit, kualifikimin e metalpunuesit, kualifikimin për operim të makinerisë së rëndë dhe  kualifikimin për teknologji elektrike apo instalues elektrik etj. E rëndësishme është të ceket se ne  mbajmë trajnime që klienti apo qytetari fiton një certifikatë ndërkombëtare dhe ajo është në saldim,  duke bashkëpunuar me DEFAES-in gjerman dhe me odën gjermane të Dortmundit, si dhe operimin  me makineri të rëndë me Heavy Cert in amerikan, që është licencë ndërkombëtare dhe është shumë e  mirë dhe e lehtë për tu gjindur në tregun e punës”. ka deklaruar: Skender Berisha – Koordinator për  cilësi në Qendrën e trajnimeve të KEK-ut.

Qendra e trajnimeve në kuadër të Korporatës Energjetike të Kosovës, funksionon që nga viti 2005.

Fillimisht ishte themeluar për nevoja të punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje, por me ngritjen e kapaciteteve tani bënë trajnimin dhe kualifikimin, edhe për qytetarët e Kosovës.