Halil Matoshi me një dedikim prekës për albanologun Skënder Gashi

Periskopi.com Lajme

Këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Halil Matoshi, ka bërë një dedikim prekës për albanologun Skënder Gashi – raporton Periskopi.

Ai ka shkruar në Facebook se është zor me thanë fjalë lamtumirëse për një atdhetar që gjithë shekullin jetësor e shkriu në shërbim të Kosovës.

Sipas Matoshit, Doktor Gashi ishte shkencëtar dhe dijetar i përmasave europiane dhe botërore, së këndejmi vepra e tij është një thesar për albanologjinë dhe ballkanistikën.

Postimi i plotë i Matoshit:

Lamtumirë atdhetari i Dardanisë!

Skënder Gashin e pata mik e fort dost t’mirë.

Sot kur po ndahemi fizikisht nga

Albanologu modernist dhe Rilindasi idealist, e kam zor me i thanë do fjalë lamtumirëse për atdhetarin që krejt shekullin jetësor e shkriu në shërbim të Kosovës.

I arrestuar dy herë nga regjimi jugosllav dhe nën shéj t’fashizmit serb, Dr. Gashi nuk u nal, tuj protestu kundër shtypjes prej Vjene e deri në Neë York e tuj veprue për të drejtën shqiptare në Kosovë me krejt fuqitë e mendjes dhe shpirtit.

Dijetari, filologu, onomasti ma i madh kosovar- themelues i shkollës së Prishtinës në onomastikë – dhe autori e studjuesi i thelluem i Dardanisë, diplomati joformal, ndër të parët i Kosovës në botën gjermanishtfolëse.

Mik i Dr. Ibrahim Rugovës dhe ndër prijetarët e demokracisë, atdhetar i pashoq që në Vjenë çeli dyert për Kosovën në Kancelarinë e Austrisë.

Njeri i fjales dhe debatit të argunentuem për dardanët dhe trashëgiminë e tyne si dhe identifikimin e mishëruem të shqiptarëve të Kosovës me ta.

Dr. Gashi ishte nga dardanologët më bindës në ligjeratën e tij.

Jeta e tij ishte bekim për ne që e njohem kurse veora e tij lajm fantastik për shkencen shqiptare.

Doktor Gashi ishte shkencëtar dhe dijetar i përmasave europiane dhe botërore, sëkëndejmi vepra e tij është një thesar për albanologjinë dhe balljanistiken.

Ishte ndër Rilindasit e fundit në dijet albanistike që shqiptarizmën e kishte ngrit në besim “…se feja e shqiptarit âsht shqiptaria.”

Po, profesor Gashi ka besuar në këtë paradigmë!

Dhe sot, kjo ceremoni varrimi dëshmon se kush janë dardanët dhe cilat janë kodet e tyne të jetês dhe vdekjes.

Lamtumirë Profesor Gashi.

Gjenerali i kodifikimit të Dardanisë Antike – dijetari i Kosovës së re.

Pusho i qetë në yjësinë e pasosun!

Ke me na mungu shumë!?

2 korrik, 2019

Mramuer

Skënder Gashi nderohet me Medalje presidenciale të Meritave

Periskopi.com Lajme

Është vlerësuar lart jeta dhe vepra e albanologut Skënder Gashi, i cili është ndarë nga jeta më 27 qershor.

Kontributi i tij dhënë në fushën e albanologjisë, si dhe kontributi për tërë angazhimin e tij në arsim, shkencë, art, kulturë, rini, sport, shëndetësi, shërbim civil, në rrafshin diplomatik dhe shtetndërtim të Kosovës, është vlerësuar me medalje Presidenciale të Meritave.

E medaljen familjarëve ia dorëzoi presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili tha se roli i profesor Skënderit është një rol i jashtëzakonshëm dhe emblematik për shkencën shqiptare, afirmimin diplomatik të Kosovës.

“Kam pasur rastin dhe kënaqësinë që gjithashtu të njoh nga afër profesorin Gashi dhe vlerësoj jashtëzakonisht shumë kontributin e tij për liri, për pavarësi, për demokraci, për shtetndërtim, me këshillat e tij të urta, të mbrehta politike, diplomatike. Por, në të njëjtën kohë duke vlerësuar edhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në arsim, publicistikë, histori, albanologji, por edhe rolin e tij të jashtëzakonshëm diplomatik për të cilën folën. Mund të them se roli i profesor Skënderit është një rol i jashtëzakonshëm dhe emblematik për shkencën shqiptare, afirmimin diplomatik të Kosovës. Në këtë drejtim duke respektuar autoritetin tim kushtetues dhe ligjor, duke vlerësuar meritat e profesor Gashit, si president i vendit kam vendosur që t’i ndajë medaljen presidenciale të meritave”, tha presidenti Thaçi.

Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, tha se janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit profesorit i cili edhe në Prishtinë edhe në Vjenë gjithë jetën ia ka kushtuar misionit si profesor dhe si veprimtar.

“Duke qenë një prej të rrallëve në atë kohë si studiues në Vjenë ai u bë udhëheqësi jonë dhe i mërgatës, në të njëjtën kohë e ktheu ish shtëpinë e tij në seli të Kosovës. Kthimi i asaj selie në misionin për vendin dhe për atdheun natyrisht që ishte shembulli më i mirë se si të organizohen  dhe si duhet të organizohen karshi një represioni të madh, një okupimi të egër, po aspiratën për liri, për pavarësi dhe demokraci me e qu deri në fund. Për koincidencë dhe për histori Vjena u bë kryeqendra e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës dhe ai natyrisht duke qëndruar afër të rinjve, tash një udhëheqje krejt tjetër e LDK-së në Vjenë, por duke e luajtur rolin e të urtit dhe këshilluesit të mirë gjithmonë ka qenë afër veprimtarëve atje, po edhe afër delegacionit të Kosovës që për 118 muaj u desh me e dërgua procesin deri në shpallje të pavarësisë”, tha Haziri.

Ai tha se i thonë lamtumirën e fundit profesorit Skënder Gashi, duke pasur parasysh testamentin e gjallë të tij për ta dashur Kosovën, ta ruajnë dhe ta zhvillojnë Kosovën.

Për profesorin Skënder Gashi, ka folur edhe profesori Rifat Blaku, i cili tha se emri dhe vepra e tij nuk do të shuhet kurrë.

“Sot po ndahemi nga një punëtor i palodhshëm, nga një pedagog i mrekullueshëm, shkencëtarë i thellësive thelbësore të albanologjisë, vepra e të cilit shërben edhe sot si pikë e referimit për studiuesit e ri. Me profesorin Skënder kam pasur rastin fatin që tri katër vite të punojmë dhe të bashkëpunojmë, ishte një njëri i virtyteve të veçanta, i kulturuar, i urtë, modest, por shumë i pranueshëm për të gjithë”, tha ai.

Djali i profesorit Skënder Gashi, njëherësh zëvendëskryeministri i Kosovës Dardan Gashi, ka falënderuar të gjithë që kanë nderuar jetën dhe veprën e babait të tij.

“Një falënderim që e mundësuat që në shtëpinë e tij politike, në LDK, të nderohet edhe një herë”, tha ai.

Profesori Skënder Gashi është varrosur në ora 14:00,në fshatin e tij të lindjes,  në Mramor të Prishtinës.

 

​Haradinaj ngushëllon familjen me rastin e vdekjes së Skënder Gashit

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka ngushëlluar familjen e Skënder Gashit, albanologut i cili ka ndërruar jetë sot pasdite.

Haradinaj ka shkruar se profesor Gash me dekada  ka kontribuar për çështjen e Kosovës në organizimin e diasporës shqiptare, si dhe në mbrojtjen e të drejtës së Kosovës në Austri.

Postimi i Haradinajt:

I prekur nga lajmi për ikjen në amshim të Skënder Gashit, njërit nga filologët më të shquar të Kosovës, që jetoi dhe veproi në Vjenë. Profesor Gashi, me dekada ka kontribuar për çështjen e Kosovës në organizimin e diasporës shqiptare, si dhe në mbrojtjen e të drejtës së Kosovës në Austri. Ngushëllime familjes dhe miqve.

​Thaçi: Vdekja e albanologut Skënder Gashi, humbje e madhe për të gjithë

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi përmes një postimi në Facebook, ka reaguar lidhur me vdekjen e albanologut Skënder Gashi.

Thaçi është shprehur se humbja e albanologut Skënder Gashit është humbje e madhe për të gjithë.

Postimi i Thaçit:

Vdekja e albanologut dhe atdhetarit Skënder Gashi është një humbje e madhe për familjen Gashi dhe të gjithë ne. Profesori Skënder Gashi, ndonëse jetonte në Vjenë, ai ishte gjithmonë në shërbim të kauzës sonë për liri, pavarësi dhe shtetndërtim. Ngushëllime zëvendëskryeministrit Dardan Gashi, familjes Gashi dhe gjithë miqve të tij! HTH