Skënderaj: Hapet panairi i veshjeve tradicionale

Periskopi.com Lajme

Sot në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj është hapur panairi i veshjeve tradicionale, organizuar nga shoqata “Drugëza” dhe nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Bekim Jashari.

Në këtë panair dyditor marrin pjesë gra nga Prishtina, Kaçaniku, Malisheva, Shtime, Mitrovica, Gjilani, Drenasi dhe Skenderaj, të cilat do të ekspozojnë punimet e veshjeve tona tradicionale.

Në hapje të panairit, kryetari Jashari ka thënë se këto ditë qyteti ynë është nikoqir i shumë aktiviteteve dhe ngjarjeve kulturore, argëtuese e sportive, për nder të ardhjes së bashkatdhetarëve për pushime në vendlindje.

“Panairi është pjesë e aktiviteteve të organizuara, për çka jemi të lumtur që ka mbledhur shumë gra të zonja, të cilat merren me punimin e veshjeve tradicionale, duke e ekspozuar artin e punës së dorës”, ka thënë kryetari Jashari.

Ai ka shtuar se ky aktivitet do të shërbejë gjithashtu që gjenerata e re e shqiptarëve që ka lindur në shtetet larg Kosovës, të njihet për së afërmi me traditën dhe kulturën e pasur të veshjeve tona tradicionale.

Asambelistët e Skënderajt shkojnë me rojë në mbledhje të Kuvendit

Periskopi.com Lajme

Asamblistë të opozitës në Kuvendin e Skenderajt, pas ngjarjeve në seancën e 28 shtatorit të këtij viti, kur drejtori i Kulturës Ramiz Shala kishte sulmuar fizikisht asamblistin e IQ “41000” Malsor Bejtën, shkojnë në mbledhje të Kuvendit me roje. Këta të fundit ulen në ulëset e fundit në sallë dhe rrinë derisa të përfundojë mbledhja

Pas tre muajsh qëkur asamblisti i IQ “41000”, Malsor Bejta, ishte sulmuar fizikisht në mbledhjen e Kuvendit nga drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Skenderajt, Ramiz Shala dhe sigurimi i kryetarit Bekim Jashari, asamblisti Bejta është kthyer në sallën e Kuvendit të Komunës dhe ka qëndruar vetëm një minutë për ta demonstruar pakënaqësinë e tij me një fashë të ngjitur në gojë.

Ai ka kërkuar fjalën dhe ka dalë në foltore, nuk ka folur, por ka qëndruar një minutë me gojë të mbyllur, në heshtje, i kthyer nga asamblistët. Bejta këtë e ka bërë në shenjë proteste dhe siç thotë “ka shfrytëzuar njërin nga ilustrimet më të famshme që paraqesin realitetin vs. propagandën me disa modifikime për t’iu përshtatur rrethanave në Kuvendin Komunal të Skenderajt. Qëndrimi njëminutësh me gojë të mbyllur, heshtje, demokracia po ‘fle’, në fakt ka vdekur”. “Sulmi me këmbë kamere – realiteti, na sulmuan me thikë – propaganda”, ka shpjeguar Bejta.

Vjen në mbledhje me vëllezër dhe të afërm

Në mbledhjen e fundit, të premten, asamblisti i “41000”-shit Malsor Bejta kishte ardhur me përcjellje (në mbrojtje) të disa njerëzve, që në fakt ishin vëllezër ose edhe të afërm të tij. Para tij në të gjitha mbledhjet e mbajtura prej asaj turpëruese të 28 shtatorit, asamblisti i LVV-së Hysni Mehani ka ardhur vazhdimisht me përcjelljen e vëllezërve dhe të afërmve të tij. Ata ulen zakonisht në ulëset e fundit të sallës, rrinë të qetë dhe vetëm vëzhgojnë, të gatshëm të ndërhyjnë nëse dikush tenton t’i sulmojë, Mehanin ose Bejtën.

Kjo situatë mjaft e rëndë në 3-4 seancat e fundit të Kuvendit të Skenderajt nuk ka kaluar pa shqetësimin e atyre që udhëheqin me Kuvendin, kryesuesen Fatbardha Haliti dhe kryetarin Bekim Jashari. Për këtë arsye dhe nga “frika” se mund të ndodhë diçka e pakëndshme, fillimi i mbledhjes së fundit të Kuvendit, që është mbajtur të premten, është shtyrë për gjysmë ore.

Asamblisti Malsor Bejta ka sqaruar për qytetarët e Skenderajt se kishte vendosur të kthehet në Kuvend, pas kërkesave të shumta të votuesve dhe të disa asamblistëve e të cilët, siç thotë Bejta, “kanë filluar të zgjohen dhe po kërkojnë kthimin e normalitetit në Kuvendin e Skenderajt”.

“Unë e kam shqyrtuar me shumë kujdes mundësinë e kthimit e për t’u kthyer kam kërkuar të më plotësohen disa kërkesa shumë të thjeshta. Pra, që të jem krejtësisht të qartë, jo për hatrin tim personal, por për ta respektuar vullnetin e banorëve të komunës sonë, kam kërkuar të plotësohen disa kërkesa, të cilat janë thelbësore, humane dhe tepër të rëndësishme për rikthimin e demokracisë në Kuvendin Komunal të Skenderajt”, ka shpjeguar Bejta, për të shtuar:

“Në emër të sakrificës për liri, në emër të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të gjitha konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe shprehjes së fjalës dhe mendimit të lirë, gjithashtu duke u bazuar në vullnetin e banorëve të Komunës së Skenderajt, të cilët na renditën si subjekti i tretë politik në komunën tonë, kërkoj nga kryesuesja e Kuvendin Komunal në Skenderaj, kryetari i Komunës, asamblistët e të gjitha subjekteve politike në Komunën e Skenderajt dhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, duke qenë në dijeni për ngjarjen jashtëzakonisht të shëmtuar, e cila ka ndodhur në mbledhjen e KK më 28 shtator, e cila shihet përmes videoincizimeve zyrtare, gjithashtu përshkruhet edhe në procesverbal, pra duke i njohur të gjitha rrethanat që kanë shpënë deri tek kjo ndodhi, kërkoj nga kryesuesja e Kuvendit Komunal që të marrë të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që ta kthejë në gjendje normale Kuvendin e Skenderajt”.

Kërkesat e Bejtës

Bejta ka kërkuar nga kryesuesja e Kuvendit të Skenderajt që të kërkojë falje për mosndërhyrjet e saj, të cilat çuan deri tek incidenti, që t’i japë vërejtje asamblistit Azem Gashi për fyerje dhe nxitje të incidentit, t’u bëjë thirrje urgjente organeve të rendit që të bëjnë hetime në lidhje me grabitjen e mjeteve të tij të punës (këmbët e kamerës, mbushësi i baterisë dhe materiali i mbledhjes) dhe që të jetë vigjilente dhe tejet e kujdesshme me mënyrën sesi i menaxhon mbledhjet (që ta respektojë Statutin e KK-së, duke bërë që t’i ndalojë të gjithë ata që pretendojnë se mund ta ofendojnë dhe ta fyejnë ndonjërin nga pjesëmarrësit në mbledhje.

“E ndërkaq nga kryetari i Komunës kërkoj që ai të kërkojë falje për mosndërhyrje karshi fyerjeve dhe kërcënimeve të vartësit të tij, Ramiz Shala, të cilat më vonë eskaluan në sulm fizik, ta shkarkojë drejtorin e tij Ramiz Shalën për fyerjet, kërcënimet dhe sulmin brutal të shkaktuar ndaj meje, i cili shihet përmes incizimeve zyrtare dhe përshkruhet edhe në procesverbal, t’u bëjë thirrje organeve të rendit që në mënyrë të pavarur ta hetojnë rastin dhe t’i mbajnë duart larg ndërhyrjes në punën e hetuesisë dhe gjyqësisë”, janë ndërkaq kërkesat e asamblistit Bejta për kryetarin Bekim Jashari.

Asamblisti i IQ “41000”, Malsor Bejta, ka kërkuar nga anëtarët e Kuvendit Komunal që t’i mbështesin këto kërkesa, të cilat sipas tij janë “themelore dhe shumë humane, në mënyrë që të më mundësohet ushtrimi i aktivitetit tim brenda Kuvendit Komunal”. Nëse këto kërkesa nuk plotësohen nga kryesuesja e KK-së dhe kryetari i Komunës, Bejta i ka ftuar të gjithë asamblistët “që përmes formave të ndryshme të presionit ta bllokojnë punën e Kuvendit Komunal dhe të gjitha aktivitetet tjera që kanë të bëjnë me komunën”.

Në këtë formë, siç thotë asamblisti Bejta, “ata (kryesuesja dhe kryetari) do të deklaroheshin se janë kundër dhunës, do të tregonin se në këtë vend është sakrifikuar shumë për fjalën e lirë, se këtë e kemi obligim ta mbrojmë gjithsecili dhe se vihen në mbrojtje të vullnetit të banorëve të komunës sonë, të cilët përmes votës na kanë sjellë këtu ku realisht jemi”./Zeri

 

Përfshihet nga zjarri një lokal në Turiqevc

Periskopi.com Lajme

Në fshatin Turiqevc të Skenderajt raportohet për djegien e një lokali, i cili ka ndodhur të dielën në mbrëmje.

Sipas Policisë viktima ka raportuar se është përfshirë nga zjarri lokali i tij ndërsa njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë shuar zjarrin.

Përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për të lënduar.