Sqarohet gjerë e gjatë ish-kryeministri Haradinaj, ja pse po e lë ulësen e deputetit

Periskopi.com Lajme

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, duke i falënderuar 100 mijë votuesit e tij si kandidat për kryeministër tha se ulësen e tij do t’ia lëshojë kolegëve të tij.

Ai këtë njoftim e bëri përmes një postimi në Facebook duke thënë, “Do të vazhdoj të mbetem besnik ndaj vullnetit tuaj politik, besimit që ma keni dhënë dhe përkrahjes së vazhdueshme e të pakursyer për tash e 20 vite, përgjatë të gjitha proceseve që ka kaluar vendi.”

Postimi i plotë:

Tani që po përmbyllet ky cikël zgjedhor, dua që të shprehë mirënjohjen time të thellë për secilën nga mbi 100,000 votat e besuara nga Ju, për mua si kandidat për Kryeministër.

Përjetësisht falënderues!

Do të vazhdoj të mbetem besnik ndaj vullnetit tuaj politik, besimit që ma keni dhënë dhe përkrahjes së vazhdueshme e të pakursyer për tash e 20 vite, përgjatë të gjitha proceseve që ka kaluar vendi.

Fati im personal e politik, asnjëherë nuk ka qenë më i mirë se fati i Kosovës. Në secilin rast, do të vazhdoj punën e pandalshme në mbrojtje të interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe do t’u qëndroj në krahë edhe kundërshtarëve politik, nëse ata do të vazhdojnë drejtimin që nisëm ne, për mbrojtjen dhe forcimin e interesit strategjik dhe sovranitetit të Kosovës.

Uroj që sa më parë të kemi konstituim të institucioneve, me të njëjtën pjekuri politike siç e zhvilluam këtë proces zgjedhor.

Ulësen time në Kuvendin e Kosovës, do ta lë për kolegët, por pa ndalë, do të vazhdoj të mbaj të hapura dyert e Aleancës për reformën e nevojshme që e kërkoi sovrani, dhe për mbajtjen e vëmendjes së plotë e të pakursyer tek temat jetike për vendin, pa asnjë kompromis.

Ua kam borxh rikthimin e fuqishëm të një Aleance të pjekur, të strukturuar mirë, me kuadro të reja, gjithsesi me rrënjë të forta thellë në tokën e Kosovës.

Përgjithmonë i juaji, sa herë kërkon vendi e populli.

Ramush Haradinaj

Sqarohet Kosnett rreth polemikave me Abelard Tahirin

Periskopi.com Lajme

Ambasadori amerikan, Philip Kosnett, dje shkroi në Twitter se Ministri Tahiri ka nënshkruar lirimin e një të dënuari me 15 vjet burgim për krime lufte në rastin e njohur si ‘Rasti i Kukësit’.

Pas kësaj ka reaguar Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri i cili ka thënë se ministria e Drejtësisë nuk ka asnjë kompetencë ligjore për të liruar nga vuajtja e dënimit, apo pezullimi i dënimit për asnjë person.

Por sot amabasadori amerikan në Kosovë, ka reaguar përmes profilit të tij zyrtar në Twitter, ku ka shkruar se sqarohet rreth shkrimit të djeshëm.

“Versioni origjinal i këtij shkrimi thotë se Ministria e Drejtësisë nënshkroi lirimin. Ligji i ndryshuar mbi Ekzekutimin e Sanksioneve Penale lë këtë vendim të duart e gjyqtarëve individualë. E vlerësoj mundësinë për të korrigjuar shkrimin e mëhershëm” shkroi ambasadori.

Ai ka përmirësuar edhe shkrimin e tij origjinal të djeshëm në Twitter.

“Sqarim: Gjykata e Apelit ka urdhëruar Ministrinë e Drejtësisë për të liruar një kriminel luftë të dënuar me 15 vjet burgim në Rastin e Kukësit, ai ka mbajtur më pak se 12 muaj burgim në 3 vjetët e kaluar.  Abuzimi i rregullt nga kriminelët e lidhur mirë të sistemit të pushimit mjekësor dhe dënimet e pezulluara duhet të ndalen”.